Lideri i opozitës ruse del nga spitali në Berlin, mjekët: “Një shërim i plotë është i mundur”

Lideri i opozitës ruse Alexey Navalny ka dalë nga spitali Charite i Berlinit, ku ishte shtruar pas helmimit të dyshuar në Tomsk. Sipas mjekëve, një shërim i plotë është i mundur. Opozitari rus ka dalë nga spitali pas një qëndrimi 32 ditor.

‘Gjendja shëndetësore e pacientit është përmirësuar- kanë shpjeguar doktorët që e kanë kuruar-duke bërë të mundur edhe ndërprerjen e mjekimeve’. Në një komunikatë për shtyp spitali ka nënvizuar që pasojat afatgjata të helmimit nuk mund të vlerësohen ende.

Navalny udhëtoi drejt Berlinit pas kërkesës së autoriteteve gjermane që ai të kurohej në Berlin, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, ardhur si pasojë e një helmimi të dyshuar në Rusi.

Në prag të vizitës së Ramës, Gjermania jep sinjale pozitive për negociatat

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres në rrugën e reformave, ndaj dhe duhet të çelen negociatat me BE-në për këta dy shtete.

 “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë arritur progres. Ne duhet t’u ofrojmë perspektivë evropiane të besueshme këtyre vendeve dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit”, deklaroi Maas pas takimit me homologun kroat Gordan Grliç Radman në Berlin.

Maas shtoi se kjo çështje, jo vetëm që është diskutuar brenda qeverisë gjermane, por edhe po zhvillohen takime në Kuvendin Federal në lidhje me këtë çështje.

Maas rikujtoi se më 1 janar të vitit 2020 Kroacia merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë të vitit 2020, duke shtuar se është e rëndësishme që për këtë arsye, të dy vendet të koordinohen në lidhje me çështjet e BE-së.

Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm gjerman, vjen vetëm pak ditë para se kryeministri shqiptar, Edi Rama të zhvillojë një vizitë zyrtare në Gjermani ku në qendër të bisedimeve do të jetë pikërisht çelja e negociatave me BE-në.

Më herët, Deutsche Welle bazuar në burimet e saj në grupin parlamentar CDU/CSU, që i përket të djathtës gjermane, që drejtohet nga kancelarja Merkel, njoftoi se pritet të ketë një vendim pozitiv nga ana e Gjermanisë për çeljen e negociatave në tetor për Shqipërinë. Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Meta kërkon në Berlin çelje të negociatave brenda qershorit

Nga Berlini ku ka marrë pjesë në mëngjesin e lutjeve, presidenti Ilir Meta ka kërkuar që BE të çelë brenda qershorit negociatat me Shqipërinë.

“Bashkatdhetarët dhe bashkë atdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, – theksoi Presidenti Meta ne fjalën e tij.

Presidenti tha se jo vetëm shqiptarët por i gjithë Ballkani e sheh NATO-n dhe BE-në si garanci për paqen dhe stabilitetin.

“Ne, në Ballkanin Perëndimor e shikojmë NATO-n dhe Bashkimit Europian si garancitë më të mira për rendin paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë, në brendësinë e tyre si dhe në rajonin tonë.

Shqiptarët luten që Maqedonia e Veriut fqinjë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur dhe ajo e meriton plotësisht pas arritjes historike.

Ne e kemi konsideruar gjithmonë kufirin e zgjeruar të NATO-s në rajon si një vlerë për të ndjekur paqen e bashkësisë sonë të popujve, të cilët për një kohë të gjatë e shikonin si të pamundur bashkëjetesën me njëri-tjetrin.

Ne duhet të jemi fuqimisht të vendosur në mbrojtje të këtij partneriteti, në forcimin e aleancës transatlantike, në ruajtjen e vlerave thelbësore që lidhin e bëjnë bashkë veçanërisht, të rinjtë tanë.

Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara dhe BE-së ishin thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje tejkaluese ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut fqinje. Kam shpresë dhe lutem se e njëjta vendosmëri dhe koordinim do të mundësojnë edhe një marrëveshje përfundimtare që pritet me padurim midis Kosovës dhe Serbisë.

Vendet e rajonit të Ballkanit janë të ankoruara në mënyrë të vendosur në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Meta ndërsa referuar krizës politike kujtoi apelin e bërë nga bashkësitë fetare në vend për dialog mes palëve.

“Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndër-fetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar.

Lutem gjithashtu që Bashkimi Europian dhe NATO-ja, që mundësuan dhe siguruan paqen, stabilitetin dhe lirinë për këtë kontinent, do të vazhdojnë të kenë sukses dhe të përparojnë, si paqeruajtës të fortë për brezat e ardhshëm”, tha Meta në Berlin.

Basha “kushtëzon” negociatat me BE me krizën e vet: Gjermanët që mbrojnë Ramën, sikur mbrojnë Putin

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha gjatë qëndrimit të tij në Berlin ka zhvilluar edhe një intervistë për Deutsche Welle. Gjatë intervistës Basha thekson se vendit i duhet një ndryshim i thellë politik dhe se pa zgjidhjen e krizës nuk mund të ketë hapje të negociatave me BE. “Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.” cilësoi Basha pa bërë publike çështjet për të cilat diskutoi me anëtarët e CDU në zyrën e kancelares Merkel. Për një dialog të mundshëm me Ramën, Basha tha se kjo do të ndodhte  vetëm përmes largimit të tij dhe krijimit të një qeverie tranzitore. Në një farë mënyre ai la të kuptohet se përballë presionit europian për stabilitet në vend, në prag të marrjes së vendimit të Këshillit të Ministrave të BE, se kushtëzonte sjelljen e opozitës, e paralajmëruar “revolucionare” në protestën e ardhshme të 8 qershorit, me arritjen e një zgjidhjeje politike për krizën që shkaktoi vetë me djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Lexoni Intervistën e plotë të kreut të PD-së, Lulzim Basha për Deutsche Welle:

DW: Zoti Basha, ju jeni këtu në një delegacion dy ditor me një sërë takimesh me persona të rëndësishëm. Dje patët një takim me këshilltarin e kancelares Merkel për çeshtjet e sigurisë. Cili ishte mesazhi që ju dha ai për zgjidhjen e krizës aktuale në Shqipëri?

Lulzim Basha: Dua t’ju them, në radhë të parë, që takimi këtu është një dialog i nivelit të lartë, që mbahet me përfaqësuesit më të lartë politikë të Gjermanisë, qeverisë gjermane, të industrisë gjermane dhe të biznesit gjerman mbi çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë dhe çeshtjet e bashkëpunimit ekonomik. Pra, bëhet fjalë për një dialog të nivelit të lartë që shikon, jo vetëm tek e sotmja, por tek e nesërmja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, në veçanti e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, si dhe të integrimit europian të vendit.

DW: Cili qe mesazhi që morët tek Kancelaria, tek zyra e Kancelares Merkel?

Lulzim Basha: E gjithë kjo konferencë po zhvillohet sipas asaj që njihet si rregulli “Chatham House rule”. Pra, unë kam zhvilluar biseda jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave. Por konkluzioni që mund të ndaj me ju dhe, përmes jush, me gjithë ndjekësit e Deutsche Welle në Shqipëri dhe anembanë hapësirës shqiptare, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.

Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, dënimi i politikanëve të kapur dhe të përgjuar në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat dhe për të falsifikuar rezultatin elektoral të vitit 2017-të. Nga ana tjetër, është shqetësimi që, në qoftë se nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Ajo do të shkonte përpara në këtë proces, ndërkohë që Shqipëria do të mbetej në vendnumëro apo akoma më keq, do të izolohej.

DW: Shqetësim kanë gjermanët edhe për shkak të largimit tuaj nga institucionet. Si do t’i zgjidhni ju këto probleme, me përmbysjen e qeverisë?

Lulzim Basha: Është një problem i diskutuar që në vizitën time në prill. Padyshim që, hapi i marrë nga opozita, është një hap i fortë, i paprecedent, por, nga ana tjetër, ka shërbyer për të ilustruar krizën e paprecedentë ku ndodhet vendi – pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një prokuror të përkohshëm të emëruar në mënyrë antikushtetuese, pa asnjë hetim domethënës në çështjet e mëdha, në luftën ndaj korrupsionit dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Pra stanjacioni total, kriza e thellë politike dhe kushtetuese janë arsyeja që kanë çuar në veprimet e opozitës. Ajo që po diskutojmë sot është rruga e daljes nga kjo krizë. Në këtë kuadër, qëndrimi ynë është i qartë. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor, që është kapur në afera të tmerrshme korruptive, ndërkohë që drejtësia duket se është e paralizuar dhe nuk është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre skandaleve?!

DW: Por ka shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë këtu, që e shohin pak më ndryshe nga ju këtë çështje dhe thonë se nuk është vërtetuar akoma që zoti Rama është kapur në këto, qoftë edhe në përgjime e në dosjet në fjalë, që duhen ndjekur nga hetuesia, pastaj të flasim për një faj apo përgjegjës.

Lulzim Basha: Shiko, Gjermania është një vend i madh dhe këtu ka lindur një koncept politik “verstehers”, ka Putin-verstehers, ka edhe Rama-verstehers, por qëndrimi zyrtar dhe, me siguri, këtë ju ua shpjegoni teleshikuesve tuaj se çdo të thotë verstehers. Do të thotë dikush që mundohet të justifikojë veprime apo sjellje të pajustifikueshme për normat dhe standardet evropiane. Putin-verstehers janë ata politikanë në Gjermani, të cilët mundohen të justifikojnë sjelljen e Putinit, Rama-verstehers janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qendrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kam patur mundësinë të shpreh angazhimin total në emër të opozitës dhe, natyrisht, të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize.

DW: Pra ju jeni të gatshëm të hyni në dialog me Ramën?

Lulzim Basha: Këtë doja t’u thoja. Pra, standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i parë, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita ka një platformë që është pjesë e një dialogu kombëtar për një reformë të thellë kushtetuese, që do të garantojë balancimin dhe ndarjen e pushteteve dhe që kurrë më Shqipëria të mos përfundojë në këtë situatë, ku një grup njerëzish, një grup politikanësh, një grup kriminelësh, një grup oligarkësh kanë marrë peng gjithë vendin.

Shiko çfarë ka ndodhur, janë kapur me skandalin e Unazës së Re, të cilin e ka pasqyruar Deutsche Welle, siç e ka pasqyruar edhe Zëri i Amerikës. 40 milionë euro për 2 kilometër, 30 milionë euro një kompani fantazëm. Asnjë nuk shkon para drejtësisë. Pse? Sepse drejtësia është kapur.

Dhe çfarë ndodh? Kalojmë nga ky skandal në një skandal tjetër, 300 milionë euro tek rruga Milot- Balldren. Po të marrim Milot-Balldren dhe Rrugën e Arbrit do të shikojmë se dy kompanive, që i takojnë nje nipi dhe një daje, po i jepet 5% e PBB-së, mbi 500 milionë euro.

Pra mesazhi është i qartë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ky është rekordi me i lartë, më i zi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Ky është mesazhi qe vjen nga Berlini, meqë më pyetët për mesazhin e Berlinit. Në këtë situatë nuk ka shanse që të hapen negociatat për Shqipërinë. Kërkohet ndryshim politik.

Partia Demokratike dhe opozita janë gati të luajnë rolin e tyre për këtë ndryshim politik, nga i cili të përfitojnë të gjithë shqiptarët. Të hapet rruga europiane e Shqipërisë, që është bllokuar dhe shkaktarët e bllokimit janë një dhe vetëm një – është pushteti i ardhur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe që po mbahet me ndihmën e krimit të organizuar dhe nje grushti oligarkësh në kosto të zhvillimit të Shqipërisë, të punësimit të shqiptarëve, të varfërimit te shqiptarëve, të bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë.

DW: Ju mund t’i bëni të gjitha këto biseda edhe me Ramën. Ai ju ka bërë 7 letra deri tani.

Lulzim Basha: Kjo nuk është çështje personale midis meje dhe zotit Rama. Këtu bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit europian.

Prandaj, ndodhem sot unë këtu dhe jo zoti Rama. Prandaj ndodhem unë sot këtu si interlokutori i autoriteteve gjermane dhe i kapitalit te industrisë gjermane, sepse zoti Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit europian. Si mund të pritet nje zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës?

Problemi kryesor i krizës është një Parlament i dalë nga vota e vjedhur me krimin e organizuar. Problemi kryesor i krizës është rënia e të gjithë institucioneve të drejtësisë, kapja e te gjithë pushteteve në një dorë. Problemi kryesor i krizës është mungesa totale, siç vihet re edhe këtu, e investimeve perendimore apo i investimeve gjermane. Është rënia e ekonomisë ne duart e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri aktiviteti kryesor ekonomik, është pastrimi i parave te pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve fallco, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Europës.

Ndaj, mund t’ju them nga Berlini, ju dhe teleshikuesve tuaj, se jam me shumë shpresë nga këto takime, tashmë në gjysmën e aktivitetit tim, – do të vazhdoj edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në takime të nivelit të lartë, – se me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Europës. Por kjo kalon përmes marrjes së përgjegjësive politike nga shkaktarët e kësaj krizës, përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

DW: Këto janë çështje morale, që duhet ta zgjidhë secili me moralin e tij. Një dorëheqje është çështje morali…

Lulzim Basha: Në rastin konkret është çështje stabiliteti politik. Është çështje e së ardhmes europiane të vendit dhe nuk është vetem çështje morale.

DW: Megjithatë edhe ju jeni përgjegjës për stabilitetin politik të vendit, sepse ju po bëni thirrje për kryengritje. Edhe ish kryeministri Sali Berisha bën thirrje për kryengrije.

Lulzim Basha: Të mos dalim nga tema. Secili ka mënyrat e veta për t’i folur publikut dhe unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt. Unë flas ne emrin tim, në emër të PD, në emër të opozites së bashkuar, sepse jam kryetari i PD dhe opozitës së bashkuar.

Me përgjegjësinë totale po ju them zgjidhja politike që opozita ka parashtruar, zgjidhja politike që kalon përmes standardeve europiane, është rruga e vetme, rruga e sigurtë për të shmangur konfliktin total civil, për të cilin nuk është e interesuar as opozita, as Partia Demokratike, as shqiptarët.

Kushdo që është i interesuar në krahun tjetër, kushdo që bën llogaritë se duke nxitur konfliktin civil, mund t’u shpëtojë përgjegjësive politike dhe ligjore për aferat korruptive dhe kriminale, e ka shumë gabim.

DW: Zoti Basha, Ministri i Brendshëm ju ka akuzuar juve që jeni përgjegjës për vrasjet e Janarit 2011…

Lulzim Basha: Nuk merrem me fosile komuniste, të promovuara për shkak të servilizmit dhe për shkak të shkeljes flagrante të ligjit e të Kushtetutës. Të gjithë këta njerëz do të përgjigjen para drejtësisë, sepse kanë rikthyer të burgosurit politikë në Shqipëri, duke nisur me Ministrin e Brendshëm, duke vazhduar me Kryeministrin.

Çështja nuk qëndron këtu. Asnjë diversion, asnjë sulm i tyre nuk mund të heqë vëmendjen nga nevoja akute për të zgjidhur krizën politike në vend dhe për të shmangur konfliktin civil. Zgjedhje moniste, zgjedhje me krimin, pushtet të marrë me dhunë dhe të mbajtur me dhunë, nuk do të ketë më.

Ndaj, edhe njëherë dua t’ju them se, këtu nga Berlini, bashkë me preokupimin e jashtëzakonshëm për krizën politike në vend, sjell edhe një mesazh shprese për të gjithë shqiptarët që, me zhbllokimin e rrugës që e ka bllokuar sot Edi Rama dhe të krizës politike që ka imponuar ai, Shqipëria ka me të vërtetë mundësi të jashtëzakonshme. Këtu kemi partnerë dhe miq të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë, që mund të ndihmojnë në nxjerrjen e vendit nga kriza politike dhe nga kriza ekonomike, duke sjellë investime gjermane në Shqipëri, duke hapur vende pune dhe duke bërë transferimin e përvojës së tyre të suksesshme, teknologjisë dhe, në veçanti, për rininë, përvojës së tyre, atë që quhet arsimimin dual, për të cilin kemi folur.

DW: Ka shumë zgjidhje, por që të mos e kthejmë në miting të PD…

Lulzim Basha: Jo, më vjen keq. Këto janë përshtypjet e mia pozitive nga takimet me bosët e industrisë gjermane, te cilët janë të gatshëm dhe shpresëplotë…

DW: Dakord, por për këtë ju duhet pushteti dhe ju nuk merrni pjesë akoma as në zgjedhje.

Lulzim Basha: Nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ka një proces fals kriminal, ku, njerezit që duhet të ishin në burg për trafik droge, për trafik vajzash dhe grash apo për trafik votash, nga Pjerin Ndreu tek Valbona Sako, në vend që të shkojnë para drejtësisë, promovohen. Kjo është faza e fundit e kalbëzimit të një regjimi kriminal, që ka marrë peng Shqipërinë. Ndaj, zgjidhja është dhënia fund e këtij regjimi dhe kthimi i së drejtës për të zgjedhur qeverinë me votë tek qytetarët shqiptarë. Kjo betejë bëhet për qytetarët shqiptarë, kjo betejë bëhet për vlerat europiane dhe mënyrat europiane të daljes nga kjo krizë.

DW: Megjithatë pajtoheni dhe ju dhe nuk jam unë e vetmja që mendoj se, tek e fundit, edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit apo jo? Ndoshta është një zgjidhje që, përveç zotit Rama, ndoshta dhe ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largohen për t’i lënë vend brezit të ri?

Lulzim Basha: Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges.

Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysëm, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën. Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.

DW: Kur do të bëhen ato?

Lulzim Basha: Kjo është beteja. Nëse ju e quani kryengritje, apo revolucion, apo diçka tjetër. Kjo është një betejë popullore, pikërisht, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ku, në fund, produktin ta diktojnë qytetarët shqiptarë me votë.

Dialogu për Ballkanin Perëndimor, zbardhet axhenda e Bashës në Berlin

Angazhimi i Gjermanisë ndaj perspektivës Europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i BE dhe strategjia politike dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor janë temat në qendër të Dialogut të Nivelit të Lartë që organizon Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman në Berlin, ku po merr pjesë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Të ftuar të veçantë të këtij takimi do të jenë Presidenti i Bundestagut gjerman, Dr Wolfgang SCHÄUBLE, Kryetarja e CDU, Annegret KRAMP-KARRENBAUER dhe Komisioneri i BE për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Günther OETTINGER.

Në punimet e dialogut 2 ditorë me temën “Procesi i Berlinit dhe përtej: Angazhimi i Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor” do të marrin pjesë personalitete të larta të politikës, ekonomisë dhe diplomacisë gjermane.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një ndër kontribuesit kryesorë në panelin e veçantë për të diskutuar së bashku me anëtarë të grupit parlamentar CDU/CSU sfidat dhe mundësitë lidhur me procesin e integrimit te Shqipërisë ne BE si interesi më madhor i çdo qytetari shqiptar. Në qendër të diskutimeve me personalitetet e larta nga politika dhe industria gjermane është edhe intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Gjermaninë dhe parashtrimi i planit të Partisë Demokratike për zhvillimin ekonomik të vendit e në veçanti thithja e investimeve gjermane, bazuar në programin ekonomik të hartuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe ekspertëve ekonomikë të Unionit Kristian-Demokrat Gjerman CDU.

Thaçi: Të liberalizohen vizat, dialogu me Serbinë pa kushte

Pas Samitit të Berlinit, Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për mediat në aeroportin e Kosovës.

Thaçi theksoi se tashmë Kosova i ka plotësuar kriteret prej 2 vitesh për liberalizimin e vizave dhe shtyrja e saj është një ndëshkim dhe zhgënjim për qytetarët.

“Kosova në Samitin e Berlini ka dalë shumë mirë, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Falënderoj Merkelin dhe Macronin, sa i përket vendosmërisë për liberalizimin. Mendoj që do të kemi reflektim dhe sinjalet e para pas takimit të djeshëm. Do të ketë optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata me Bashkimin Europian. Kriteret i kemi kryer, tash e 2 vite, jemi në pritje të panevojshme. E kam theksuar qartë se është ndëshkim për qytetarët e Kosovës. Dua të shpresoj se mesazhet që i kemi dërguar atje do të merren seriozisht për të na dhënë mbështetje edhe më konkrete e më të prekshme që në një të ardhme të afërt të ndodh liberalizimi, në të kundërtën, do të ishte zhgënjim për ne e qytetarët.”- tha Thaçi

Ndërsa për marrëdhëniet me Serbinë, Thaçi tha se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me rolin prezent të BE dhe SHBA, ndërsa taksa do të mbetet në fuqi.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, taksa duhet të mbetet në fuqi. Ishte një mesazh i qartë i kancelares gjermane dhe presidentit francez për shpejtueshmërinë e zgjedhjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte, por duhet përgjegjësi më e madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar edhe rolin e SHBA-së.” – tha Thaçi

Rama takon kryetaren e Socialdemokratëve, merr mbështetje për integrimin

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Partisë Socialdemokrate Andrea Nahles, me të cilën ka diskutuar rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e njohu zonjën Nahles me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe pritshmërinë për një përgjigje pozitive nga vendet anëtare të BE për hapjen e negociatave.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, zonja Nahles siguroi zotin Rama për mbështetjen e pakushtëzuar të grupit socialdemokrat për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Liderja e partisë Socialdemokrate, njëkohësisht dhe kryetare e grupit parlamentar, përgëzoi kryeministrin shqiptar për reformat e ndërmarra dhe u shpreh besimplotë për një vendim pozitiv në qershor.

Dje në Berlin u zhvillua samiti për Ballkanin Perëndimor, ky pjesë e tryezës ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili zhvilloi disa takime me kancelaren Merkel dhe Presidentin francez Macron.

Samiti i Berlinit, çfarë do të ndodh me bisedimet Kosovë-Serbi?

Takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që nga nëntori i vitit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet tyre u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Që atëherë Serbia ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Organizatorët janë treguar të kursyer në paralajmërimet se çfarë mund të pritet nga takimi i së hënës, duke nënvizuar se do të diskutohet për “qëndrueshmërinë e rajonit, me përqendrim të posaçëm në gjetjen e rrugës për të rifilluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u japë fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediat spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës.

Para së të nisej për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret që “aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës (së Preshevës) për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman, sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha para takimit se në Berlin Serbia është e vetmuar meqë “të gjithë do të thonë se Kosova është e pavarur” dhe nuk mund të kërkojë asgjë më shumë.

“Prandaj kam folur për vënien e kufirit (ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve), që të fitojmë ndonjë gjë… Tash e di që nuk mund të luftojmë për atë ide”, u tha ai medieve serbe.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve, madje bëjnë thirrje që kjo të ndodhë. Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikane rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”. /Marrë nga VOA

Rama-Merkel në Berlin, Cakaj: Konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel në Samitin e Berlinit.

Në takim Rama është shoqëruar nga delegacioni i tij që përbëhej nga Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj dhe Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Siropali.

Pas përfundimit të takimit nuk ka pas asnjë deklaratë për shtyp apo reagim nga Rama. Ndërsa ministri Cakaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku cilësoi se gjatë takimit Gjermania mbështeti fort hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe vlerëson arritjen e saj në 5 prioritetet kryesore.

“Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania. Shqipëria do të vazhdoj të luaj rolin e saj të pazëvendësueshëm në stabilitetin rajonal dhe afirmimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perëndimor! Shumë mirënjohës për përkushtimin e Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë.” – shkruan Cakaj

Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave…

Publiée par Gent Cakaj sur Lundi 29 avril 2019

Samiti i Berlinit dhe trashëgimia e Merkelit në Ballkan

Konferenca e Ballkanit që zhvillohet të hënën në Berlin ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit gjerman. Mjaft gazeta i kushtojnë vëmendje sidomos çështjes së Kosovës – toni sundues – jo ndryshim kufijsh në Ballkan.

Një artikull i përbashkët i tre politikanëve gjermanë, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic( SPD), dhe Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) me titull “Jo ndryshime kufijsh në Ballkan botohet të hënën nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Aty deputetët e Bundestagut theksojnë se të dy presidentët, ai i Kosovës, Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq kanë propozuar këmbimin e territoreve përgjatë vijës etnike për të zgjidhur konfliktin mes të dy vendeve. “Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse zonat e përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në kategori racore, e që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane të pasluftës. Propozimi është antikushtetues dhe vendos pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë mosndarjen e vendit.”

Më tej  tre politikanët gjermane theksojnë, se ky propozim do të ishte kapitullim para vlerave europiane. “Prandaj ky propozim duhet të hidhet poshtë qartësisht.”…”Ne kemi mësuar, se paqja e vërtetë është  e mundur, vetëm me ato shoqëri, që e gjejnë forcën tek pluralizmi, toleranca, mosdiskriminimi dhe të drejtat e veçanta për pakicat. Për çështje etnike nuk mund të ketë zgjidhje territoriale. Ky parim mbetet për ne i patundur.”

Ndërsa gazeta tjetër gjermane, Süddeutsche Zeitung nën titullin “Eksperimente shpërthyese” shkruan se në debatin për një zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë u fut në axhendën e ditës edhe ndryshimi i kufijve, e sipas kësaj qetësia do të vendosej, nëse veriu i Kosovës i banuar me serbë do të bashkohej me Serbinë dhe zonat e banuara me shqiptarë do të shkonin si këmbim tek Kosova. “Por këtu duhet të bien këmbanat e alarmit.” Autori vlerëson qëndrimin e qartë të kancelares Merkel në këtë çështje. “Është merita e Angela Merkelit që gati e vetmja ishte që që nga fillimi doli kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit Ballkan. Ai rrezikon, madje provokon shpërthimin e konflikteve të reja në shtetin e tre etnive, Bosnje-Hercegovinë, deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fortë shqiptare. Në mënyrë të panevojshme konfirmohen në fund me konceptin e ndryshimit të kufijve ata nacionalistë, të cilët në luftërat e viteve 90-të, megjithë brutalitetin nuk mundën të arrinin qëllimin e tyre të shteteve homogjene etnike.”

Edeh gazeta Die Welt i kushton vëmendje konferencës së Ballkanit. Nën titullin “Merkel mbron trashëgiminë e saj në Ballkan”, theksohet se kancelarja synon të pengojë ripërcaktimin e kufijve në rajon. “Shqetësimi për një nga rajonet më të pastabilizuara të Europës është konstante e politikës së jashtme të Merkelit….Që nga fillimi Merkel ndoqi një politikë konsekuente në Ballkan….Berlini e kuptoi vonë, se Vuçiq me një fushatë të zgjuar ia doli të bënte për vete për idenë e këmbimit të territoreve të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, një liberale e majtë. Italianja dëshiron që ta kurorëzojë me një projekt të madh mandatin e saj që po shkon drejt fundit, e që mund të interpretohet si hap drejt pajtimit në rajon. Por në zyrën e kancelares i tremben të kundërtës: Një ndarje e plotë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk mund të arrihet. Çdo ndryshim kufijsh do të çonte në një debat të ri për ndryshime të tjera, në akte kërcënuese, armatim, në rastin më të keq edhe në luftë. Merkel punon me durim për të kundërtën…Por a është Merkel aq e fortë, që t’i japë fund debatit për kufij të rinj? Përgjigjen për këtë do ta japë takimi të hënën.”

Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton po të hënë një analizë me titull “Trump, Kosova dhe loja me median” zhvillimeve në Ballkan para Konferencës së Berlinit.

“Para disa javësh presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori një letër nga Uashingtoni. Donald Trump uronte për festën kombëtare dhe shtonte, se sipas qëndrimit amerikan, njohja e dyanshme duhet të jetë baza e çdo procesi normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një korrigjim i habitshëm i pozicionit amerikan, sepse në vitin 2018, këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton kishte thënë, se nëse Serbia dhe ish-provinca  e saj e pavarësuar ndërkohë do të binin në ujdi për zgjidhjen e konfliktit, Uashingtoni nuk do t’i pengonte….Por a mendon kështu edhe presidenti serb? ‘Ky është qëndrimi i tij e ai nuk mund të pranohet prej nesh kaq thjesht. Por ne e kemi regjistruar interesin e tij, ta zgjidhim  këtë temë kaq të vështirë për ne’, komentoi Vuçiq deklaratën e Trumpit.”/Marrë nga Deutsche Welle

Skip to toolbar