Thaçi: Të liberalizohen vizat, dialogu me Serbinë pa kushte

Më të fundit


Pas Samitit të Berlinit, Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për mediat në aeroportin e Kosovës.

Thaçi theksoi se tashmë Kosova i ka plotësuar kriteret prej 2 vitesh për liberalizimin e vizave dhe shtyrja e saj është një ndëshkim dhe zhgënjim për qytetarët.


“Kosova në Samitin e Berlini ka dalë shumë mirë, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Falënderoj Merkelin dhe Macronin, sa i përket vendosmërisë për liberalizimin. Mendoj që do të kemi reflektim dhe sinjalet e para pas takimit të djeshëm. Do të ketë optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata me Bashkimin Europian. Kriteret i kemi kryer, tash e 2 vite, jemi në pritje të panevojshme. E kam theksuar qartë se është ndëshkim për qytetarët e Kosovës. Dua të shpresoj se mesazhet që i kemi dërguar atje do të merren seriozisht për të na dhënë mbështetje edhe më konkrete e më të prekshme që në një të ardhme të afërt të ndodh liberalizimi, në të kundërtën, do të ishte zhgënjim për ne e qytetarët.”- tha Thaçi

Ndërsa për marrëdhëniet me Serbinë, Thaçi tha se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me rolin prezent të BE dhe SHBA, ndërsa taksa do të mbetet në fuqi.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, taksa duhet të mbetet në fuqi. Ishte një mesazh i qartë i kancelares gjermane dhe presidentit francez për shpejtueshmërinë e zgjedhjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte, por duhet përgjegjësi më e madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar edhe rolin e SHBA-së.” – tha Thaçi




Skip to toolbar