“BKH progres i prekshëm për luftën ndaj korrupsionit”, ambasadori Britanik takon Aida Hajnajn

Ambasadori Britanik, Duncan Norman ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnajn.

Ka qenë ambasadori Norman që ka dhënë detaje nga takimi në fjalë.

Takim i mirë me drejtoren e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Krijimi i BKH-së është progres i prekshëm për reformën në Drejtësi, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lajme të këqija për ata që mburren me ligjin.”, tha Norman.

“Mundësia për të shkruar historinë”. Thirrja e SHBA: Aplikoni për BKH

Pak ditë nga mbyllja e aplikimeve për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH), Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet selisë së tyre diplomatike në Tiranë, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për BKH-në. SHBA e cilëson këtë rast si “një mundësi për të shkruar historinë”.

“E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit? Integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse. Çdo person që plotëson kriteret minimale të përcaktuara nga ligji i SPAK, mund të aplikojë për këtë pozicion. Bëni përpara dhe aplikoni tani! Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë”, thotë SHBA.

Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kanë publikuar edhe listën e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët që synojnë të bëhen drejtues të BKH-së. Ndër kriteret kryesore renditen; arsimi i lartë policor, eksperienca e punës si prokuror, punonjës policie, punonjës i policisë Gjyqësore, apo Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e punonjësve aktualë apo të mëparshëm të Policisë së Shtetit, kandidati duhet të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”. Byroja Kombëtare e Hetimit është hallka kryesore e SPAK, e cila do të ndihmojë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

🇦🇱️ │ E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit?…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Freitag, 24. Januar 2020

Çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH

Të premten kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja njoftoi hapjen e garës për zgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një nga dy strukturat më të rëndësishme të SPAK. Kraja u bën thirrje kandidatëve potencial të marrin pjesë në këtë konkurrim. Ndërkohë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), do të vihet së shpejti në funksion edhe me ndihmën e SHBA.

Po çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH-së?

Të gjitha kriteret e përzgjedhjes të hetuesve të BKH-së janë të përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftën kundër krimit të organizuar”. Krieteri i parë është që aplikanti të jetë shtetas shqiptar. Gjithashtu, aplikanti duhet të ketë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që lidhen me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj. Kandidatët duhet të kenë më shumë se 1 vit punë në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, kandidati duhet të ketë plotësuar me sukses kritetert e përzgjedhjes dhe trajnimit për BKH-në.

Cilat janë fazat e përzgjedhjes?

Fillimisht, kandidati bën plotësimin e një aplikimi online, përfshirë një jetëshkrim elektronik dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t`u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas, ai i nënstrhohet një provimi me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste konjitive, te sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Gjithashtu, kandidati do t`i nënshtrohet një provimi të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit dhe leximit. Më pas ai do të intervistohet nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësitë për t`i komunikuar idetë me efiçencë. Pas të gjithë këtyre testimeve, kandidati do të kalojë në testimet e aftësisë fizike, që mat forcën dhe rezistencën fizike.

Ndërkohë, ndaj kandidatit do të kryhet një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.

Trajnimi dhe arsimi i kandidatit për BKH

Faza e fundit është ajo e trajnimit dhe arsimimit të kandidatit të përzgjedhur. Në këtë fazë, aplikanti do i nënshtrohet një regjimi regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Të gjithë hetuesit japin pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të riemërimit./Realstory.al/

Sot prezantohen “Fauda” e SPAK. Vjen ora e “peshqve të mëdhenj”

Të hënënprezantohet ligji i “Fauda” shqiptare, apo e njohur nga Kryeministri Edi Rama si; Paketa Speciale Anti-KÇK. Paketa është hartuar në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Shqipërisë, lajm të cilin e dha Kryeministri Rama pasditen e të dielës në Twitter. Ai shkroi se ky ligj po përgatitet në një kohë kur miqtë e Shqipërisë janë vënë në shënjestër të politikës mjerane, ndërsa thekson se këta partnerë do të tregojnë se sa të rëndësishëm janë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi.

“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale Anti-KÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi. Pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, përfundon Kryeministrit.

Po çfarështë “Fauda” që do të prezantohet të hënën?

Realsotyr.al njoftoi disa javë më parë se së shpejti në Shqipëri do të krijohet “Fauda”, një njësi speciale policore, e cila do të ketë në fukos të saj goditjen e grupeve kriminale, të njohur si të “fortët” apo të “paprekshmit”. Disa dhjetëra oficerë janë përzgjedhur dhe trajnuar dhe presin vetëm që paketa ligjore të kalohet në Kuvend. Modeli është i bazuar mbi “Fauda” izraelite. Madje, krerët e kësaj force, kanë trajnuar prej muajsh në Shqipëri, efektivët e “Fauda”  shqiptare.

Në fakt, duket rastësi, por “Fauda” do të prezantohet në të njëjtën ditë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të emërojë 8 prokurorët e parë të SPAK. Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion dhe Anti-Krimit të Organizuar do të marrë jetë pikërisht më 25 nëntor me emërimin e 8 anëtarëve të parë të saj, ndërsa në fillim të vitit të ri, SPAK pritet të jetë gati për të nisur punën me dosje të bujshme. Në të njëjtën kohë po merr jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, apo “FBI” shqiptare. Të dyja këto njësi po krijohen nën vëzhgimin dhe ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vetëm pak ditë më parë dhuroi 5 poligrafë për BKH-në. /Realstory.al/

“Fauda”, Basha: Rama do SPAK dhe BKH paralele

Lulzim Basha komentoi të dielën pasdite lajmin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama, se të hënë do të prezantohet Paketa Speciale Anti-KÇK, apo ligji për “Fauda” shqiptare. Fillimisht, duke mos komentuar procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Basha u shpreh se mbështet ngritjen e SPAK dhe BKH, ndërsa sipas tij, Rama është bërë pengesë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Sa i përket SPAK dhe BKH kam theksuar dhe theksoj mbështetjen time totale, mbështetjen totale të PD. Vonesat për ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së kanë një autor dhe ky është Edi Rama.  Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së, ndaj sot gjendemi me kriminelë që duhet të jenë në burg, por hanë e pinë me Edi Ramën nga mëngjesi në darkë, diktojnë tendera dhe koncesione. Prapa çdo koncesioni korruptiv ka një bandë kriminale me një kryebandit që është aleat politik i Edi Ramës, figura të njohura të krimit të organizuar”, tha Basha.

Sipas tij, prezantimi i “Fauda” shqiptare, është një përpjekje e Kryeministrit për të sabotuar SPAK dhe BKH. Për Lulzim Bashën, Kryeministri kërkon të ngrejë një SPAK dhe BKH paralele që ta ketë nën kontroll.  “Nesër do të shpallë një masë që ka për qëllim të ndërtojë një SPAK dhe BKH paralele, që ta ketë ai nën kontroll. Të njëjtën gjë që donte të bënte me Saimir Tahirin, tani do ta bëjë vetë. Është një mashtrim për shqiptarët dhe partnerët. Është zyrtarizim i shtetit me polici partiake. Edi Rama e di mirë se një SPAK dhe BKH e pavarur është një kërcënim për të dhe për bandën e tij. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm për ne.”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati thotë se këtë projekt e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që Rama donte të vendoste në krye të tij Saimir Tahirin. “Do të shpallë nesër projektin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ku do të vinte Saimir Tahirin, komandant të SPAK-ut dhe të BKH-së. Për ta kujtuar si çështje. Ndërkohë që kishin plasur disa çështje, mes të cilave edhe e Mark Frrokut, sepse kishte ardhur ekstradimi dhe ky e fshihte ekstradimin, pastaj largoi Artan Didin, e bëri kokë turku, ishte koha kur Shqipëria ishte mbushur me drogë në këtë moment, Edi Rama miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm kapon e SPAK dhe të BKH-së”, shtoi kryedemokrati.

Reforma, SHBA: Byroja e Hetimit si FBI, heton korrupsionin në nivele të larta

SHBA, një nga partnerët më të angazhuar dhe kërkues në realizimin e Reformës në Drejtësi, përmes një video të publikuar të martën, shpjegon se çfarë është dhe si do të funksionojë  Byroja Kombëtare e Hetimit.

Më herët SHBA publikoi një video ku tregoi se si do të funksiononte SPAK e cila së bashku me BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta.

Përmes këtyre video duket se amerikanët po i kthejnë përgjigje të gjithë atyre që reformën në drejtësi e kanë konsideruar si “Ramaformë”, ku nuk mungojnë sulmet e përsëritura të Presidentit Meta, ish vartësve të tij në LSI apo edhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë kushtetuese, e cila do të ngrihet si rezultat i Reformës në Drejtësi dhe do të jetë një strukturë e ngjashme me FBI-në amerikanë, ku do të hetohet krimi në nivelet e larta. Hetuesit e BKH do të trajtohen nga FBI në Virxhinia të SHBA-ve, proces që do të mbikëqyret nga një komision ndërkombëtar. Llogaritë bankare dhe telefonat e anëtarëve të BKH do të monitorohen gjatë gjithë kohës për të siguruar se do të kryejnë detyrën e tyre me integritet dhe paanshmëri, duke shmangur kështu çdo lidhje apo blerje nga politikanët për të ndërhyrë në këtë proces të reformës në drejtësi.

 “Çfarë është BKH? Byroja Kombëtare e hetimit është njësia hetimore e SPKA-ut. Në shumë mënyra BKH është e ngjashme me FBI amerikane, e cila heton krime në nivelin e lartë në SHBA. BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip drejtuesish, të cilët duhet të përmbushin standardet të forta të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë do të zgjedhin bashkërisht drejtorin e BKH-së.

Pse është e rëndësishme BKH? Në të kaluarën, cilido me pushtet  dhe para mund të ndikonte në sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani, Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin në nivel të lartë. SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. SPAK dhe BKH janë këtu për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.” sqarohet në videon e publikuar nga SHBA.

SHBA edhe më herët ka folur qartë përmes videove të ngjashme ku ka shpjeguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese , procesin e vettingut apo krijimin  SPAK duke u kujtuar të gjithë politikanëve se Reforma në Drejtësi mban vulën e saj dhe të gjitha akuzat e Metës dhe të opozitës kundër qeverisë dhe të ashtuquajturës “Ramaformë”, nuk janë gjë tjetër, veçse një përpjekje e fundit e tyre për ta shtyrë sa më gjatë realizimin e kësaj reforme.

Çfarë është Reforma në Drejtësi – BKH

🇦🇱️ | Në videon e kaluar, mësuat mbi Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar (SPAK). Këtë javë do të flasim për Byronë Kombëtare të Hetimit, ose shkurt BKH. Çfarë është BKH? Përse është e rëndësishme BKH? Shikoni këtë video për të mësuar se si BKH dhe Prokurorët e Posaçëm do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta. #CfareEshteReformaNeDrejtesi #NdalKorrupsionit🇺🇸️ | In our previous video, you learned about the Special Structure Against Corruption (SPAK). This week, we will talk about the National Bureau of Investigation, or NBI for short. What is the NBI? Why is the NBI important? Watch this video to learn how the NBI and Special Prosecutors will be able to investigate corruption at the highest levels. #WhatisJusticeReform #StopCorruption

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Montag, 26. August 2019

SPAK, deputetët e Sigurisë paralajmërojnë hapjen e dosjeve të bujshme

Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet dhe pritet që brenda këtij viti të japë rezultate konkrete. Prokuroia e Posaçme e Hetimit, ose siç njihet ndryshe, SPAK, është drejt ngritjes dhe në shtator do të jetë funksionale. Ndërkohë deputetët e maxhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë paralajmërojnë se me ngritjen e SPAK, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë së re, as ata që i kanë dosjet e hapura aktualisht dhe as ata që i kanë të mbyllura. Dosjet e bujshme pritet të hapen sërish dhe drejtësia e re të thotë fjalën e saj për zyrtarë dhe politikanë të korruptuar apo të inkriminuar.

Një përgjigje për këtë e dhanë për gazetën “SOT” anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Deputeti socialist, Xhemal Qefalia u shpreh shkurt dhe qartë se asgjë dhe askush nuk do t’i shpëtojë SPAK. “Asgjë dhe askush nuk do t’i shmanget Reformës në Drejtësi”, deklaroi Qefalia. Anëtarja tjetër e Komisionit të Sigurisë, Antoneta Dhima nga ana tjetër paralajmëroi rihapje të dosjeve të bujshme përmes SPAK. Sipas saj, çdo zyrtar me dosje në prokurori do të ndëshkohet nga drejtësia e re. “Për të gjithë ne është shumë e qartë se reforma në drejtësi do të nisë nga ata zyrtarë apo biznese që janë gjetur me shkelje, abuzime, që dosjet e tyre i kanë të hapura dhe ende nuk ka një vendimmarrje nga drejtësia si dhe dosjet e atyre zyrtarëve apo bizneseve të cilat janë të mbyllura. Institucionet e krijuara deri tani, si dhe ato që po krijohen nga zbatimi i reformës në drejtësi, nuk duhet të tolerojnë askënd. Prokurorëve të posaçëm do t’iu dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar si dhe dosjet e mëdha të cilat janë mbyllur. Prokurorët e SPAK kanë të drejtë të hetojnë që nga Presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo”, tha Antoneta Dhima.

Politikanët e korruptuar do të jenë të detyruar të japin llogari shumë shpejt para drejtësisë së re.

Pas ngritjes së SPAK menjëherë do të nisë puna për ngritjen e BKH-së. “Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 33 të ligjit. Po ashtu, aty përcaktohet se një komision i përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short, do të duhet të mbikëqyrin punën e kryer nga drejtori.

 Pra, sipas të gjitha gjasave, brenda këtij viti do të jenë gati si Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këta dy organe do të kenë në dorë goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta dhe hetimin e arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.

Qeveria blindon SPAK dhe Byronë e Hetimit

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit BKH janë organet e reja që do i shtohet sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes.

Procesi i ngritjes së tyre është ende në fazën e verifikimit nga Vettingu të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtyre strukturave të reja të drejtësisë. Kjo nuk e ka penguar qeverinë që të miratojë masat mbrojtëse të ruajtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm që do të vendosen në drejtimin e SPAK dhe BKH. Në disa raste qeveria ka miratuar edhe marrjen në mbrojtje të familjarëve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm nëse në adresë të tyre vijnë kërcënime për jetën.

Në vendimin e qeverisë theksohet se drejtuesit e SPAK dhe BKH kanë të drejtë t’u sigurohet mbrojtje personale, madje edhe familjarëve të tyre . Ato do të kenë në dispozicion një oficer dhe një nënoficer që do t’i shoqërojë gjatë gjithë kohës.

Prokurorët dhe gjyqtarët,  kandidat për SPAK pritet të përfundojnë  procesin e vettingut, një proces që verifikon të ardhurat e pasurisë, pastërtinë e figurës së tyre dhe aftësitë profesionale. Pas kalimit të vettingut, kandidatët do të jenë në garë për t’u zgjedhur, të cilët do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.  Prokuroria e Posaçme do të kryej funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm dhe do të monitorohet nga ndërkombëtarët. Kjo strukturë e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë për rastet e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Vendimi i plotë

PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit u sigurohet mbrojtja personale, sipas parashikimeve të ligjit nr 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Mbrojtja personale, e parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, ofrohet mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti që kërkon të mbrohet.

Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me oficer e nënoficer.

Garantimi i mbrojtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme bëhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.

Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës, nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.

Në rastet e zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa vlerësohet nga komisioni i posaçëm, i cili përbëhet nga:

– një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme;

– një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

– një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme;

– drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

– një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kryetar i komisionit të përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi, është përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në mungesë të kryetarit, anëtarët thirren nga personi i autorizuar prej tij, i cili kryeson mbledhjen e komisionit.

Kërkesa për mbrojtje i paraqitet komisionit atëherë kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se subjektit kërkues apo subjekteve të parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi, u rrezikohet jeta, familja ose prona.

Procedurat që ndiqen nga komisioni janë të njëjta me procedurat e ndjekura nga komisioni i posaçëm, që garanton mbrojtje të veçantë për magjistratët.

Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë, paraprakisht, miratimin e kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisionet e posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, si dhe të banesave të tyre.

Struktura dhe organika e nevojshme për ruajtjen e shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, së bashku me ruajtjen e banesave ose të rezidencave të tyre, si dhe kriteret e përzgjedhjes së efektivave që ngarkohen me këtë detyrë, miratohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ngarkohen kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Skip to toolbar