“Fauda”, Basha: Rama do SPAK dhe BKH paralele

AKTUALITET


Lulzim Basha komentoi të dielën pasdite lajmin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama, se të hënë do të prezantohet Paketa Speciale Anti-KÇK, apo ligji për “Fauda” shqiptare. Fillimisht, duke mos komentuar procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Basha u shpreh se mbështet ngritjen e SPAK dhe BKH, ndërsa sipas tij, Rama është bërë pengesë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Sa i përket SPAK dhe BKH kam theksuar dhe theksoj mbështetjen time totale, mbështetjen totale të PD. Vonesat për ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së kanë një autor dhe ky është Edi Rama.  Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së, ndaj sot gjendemi me kriminelë që duhet të jenë në burg, por hanë e pinë me Edi Ramën nga mëngjesi në darkë, diktojnë tendera dhe koncesione. Prapa çdo koncesioni korruptiv ka një bandë kriminale me një kryebandit që është aleat politik i Edi Ramës, figura të njohura të krimit të organizuar”, tha Basha.


Sipas tij, prezantimi i “Fauda” shqiptare, është një përpjekje e Kryeministrit për të sabotuar SPAK dhe BKH. Për Lulzim Bashën, Kryeministri kërkon të ngrejë një SPAK dhe BKH paralele që ta ketë nën kontroll.  “Nesër do të shpallë një masë që ka për qëllim të ndërtojë një SPAK dhe BKH paralele, që ta ketë ai nën kontroll. Të njëjtën gjë që donte të bënte me Saimir Tahirin, tani do ta bëjë vetë. Është një mashtrim për shqiptarët dhe partnerët. Është zyrtarizim i shtetit me polici partiake. Edi Rama e di mirë se një SPAK dhe BKH e pavarur është një kërcënim për të dhe për bandën e tij. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm për ne.”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati thotë se këtë projekt e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që Rama donte të vendoste në krye të tij Saimir Tahirin. “Do të shpallë nesër projektin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ku do të vinte Saimir Tahirin, komandant të SPAK-ut dhe të BKH-së. Për ta kujtuar si çështje. Ndërkohë që kishin plasur disa çështje, mes të cilave edhe e Mark Frrokut, sepse kishte ardhur ekstradimi dhe ky e fshihte ekstradimin, pastaj largoi Artan Didin, e bëri kokë turku, ishte koha kur Shqipëria ishte mbushur me drogë në këtë moment, Edi Rama miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm kapon e SPAK dhe të BKH-së”, shtoi kryedemokrati.




Skip to toolbar