Gjermanët “tradhtojnë” Bashën, CDU/CSU: S’mund të kërkojmë shtyrje zgjedhjesh

Mark Hauptmann, deputet i parlamentit gjerman, ka folur në lidhje me deklaratën e disa ditëve më parë që dy kolegët e tij Johann David Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Gjerman dhe Christian Schmidt, nga CSU, dhënë për “Deutsche Welle”, ku shprehën mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore, për të zgjidhur krizën në vend.

Hauptmann tha se asnjë grup parlamentar nuk ka të drejtë të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, pasi De facto kjo do të thotë të kërkosh të ndryshosh Kushtetutën e Shqipërisë. Ne bëjmë thirrje që të zgjidhet kriza e brendshme në Shqipëri dhe se pozita dhe opozita të ulen në dialog për të gjetur një marrëveshje të përbashkët.

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qenë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik. Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar.” – tha Hauptmann për mediat.

CDU/CSU: Të shtyhen zgjedhjet nëse është e nevojshme, palët të dialogojnë

Dy deputetët e parlamentit gjerman Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Deputetët theksojnë se diagolu pa kushte është tepër i rëndësishëm për të zgjidhur krizën poltike në vend. Gjithashtu CDU/CSU kanë dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestave, ndërsa bën thirrje për qetësimin e situatës, pasi mund të mbyllet rruga e integrimit drejt BE.

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen europiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.” – shkruajnë deputetët

Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë hapjen e dialogut pa kushte ku të diskutohen të gjitha temat, madje edhe të merren masa të jashtëzakonshme si shtyrja e zgjedhjeve në të mirë të zgjidhjes së krizës dhe garantimin e mundësive për të zgjedhur nga qytetarët.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” – përfundon deklarata

Pak pas publikimit të kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili shprehet falenderues ndaj partnerëve politikë të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, për vëmendjne e tyre ndaj situatës politike.

“U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, ka shkruar Rama në twitter.

Pas kryeministrit Rama, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me daklaratën e CDU/CSU. Basha tha se mirëpret bashkëpunimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa nuk ka dhënë asnjë përgjigje për një dialog të mundshëm.

“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.”

Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar…

Gepostet von Lulzim Basha am Donnerstag, 23. Mai 2019
Skip to toolbar