Tetë gara të botërorit të Formula 1, gjashtë fitore për Hamilton këtë sezon. Ky është bilanci i deritanshëm në botën e F1, ku piloti britanik i Merecedes, Lewis Hamilton arriti të triumfonte edhe në garën e Çmimit të Madh të Francës. Hamilton e mbylli garën i pari duke mos e diskutuar asnjëherë fitoren, pavarësisht disa episodeve gjatë garës.
Pas tij u rendit shoku i skuadrës Valtteri Bottas, i cili arriti ti rezistonte sulmeve të vazhdueshme nga piloti i Ferrarit Charles Leclerc, që e mbylli garën në vendin e tretë. Ndërkohë, Max Verstappen dhe Sebastian Vettel e mbyllën përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë. Fillimisht Hamilton arrin të mbajë vendin e parë pas nisjes, megjithëse pati jo pak vështirësi për shkak të gomave që përdori.
Megjithatë me kalimin e kohës ai ruan pozicionin dhe me pistën e boshatisur thellon diferencën në kohë mes ndjekësit të tij, shokut të skuadrës, Valtteri Bottas. Ferrari ka zhgënjyer sërish, duke mos rivalizuar dot me rivalët e Mercedes, që tashmë duket se kanë marrë nën kontroll gjithçka dhe po shkojnë drejt mbrojtjes së titullit.
Hamilton kryeson renditjen e pilotëve me 187 pikë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Bottas, me 151 pikë dhe Sebastian Vettel me 111 pikë. Gara e ardhshme do të jetë ajo për Çmimin e Madh të Austrisë, ku Ferrari, nisur nga pista e “Red Bull Ring”, mund të ketë disi avantazh ndaj Mercedes.