Basha: Mirëpres ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës

Gjatë konferencës për mediat me gazetarët, Basha tha se është i hapur dhe i gatshëm të përshihet në dialogun politik në vend me ndihmën e ndërkombëtarëve. Kushti i vetëm ishte largimi i Ramës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i hapet rruga zgjidhjes së krizës politike dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira.

“Gjatë 24 orëve të fundit përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe telefonike jam njohur me angazhimin e miqve strategjikë për të ndihmuar për të dalë nga kjo krizë e thellë politike. Ju kam komunikuar atyre, siç dua t’u komunikoj qytetarëve shqiptarë se e mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtare për të zgjidhur këtë krizë dhe për ti kthyer shqiptarëve sovranitetin e vjedhur. Por kushti i panegociueshëm është largimi i Ramës. Largimi i Edi Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik. Një qeveri tranzitore me detyra të përcaktuara qartë. Jemi të gatshëm të diskutojmë edhe mbi detyra për aspekte të tjera të reformave të thella zgjedhore që do të bëjnë të mundur që kurrë më, asnjë forcë politike, asnjë njeri me pushtet mos marrë peng vendin duke marrë peng zgjedhjet përmes bashkëpunimit me kriminelët. Ky është synimi ynë, t’i japim fund një Shqipëria të përjashtuar nga barazia para ligjit, nga barazia duke i dhënë fund një pakice që ka marrë vendin me anë të shit-blerjes së votës.” -tha Basha

“Taksa hiqet vetëm pas njohjes”

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Thimi Samarxhiu, kryeministri i Kosovës ka folur lidhur me përplasjet me kryeministrin Rama dhe presidenti Thaçi, akuzat e bëra ndaj tyre dhe se çfarë ndodhi në samitin e Berlinit. Gjatë intervistë Haradinaj foli edhe për taksën e vendosur për produktet serbe që ka çuar edhe në ngecjen e negociatave me Serbinë. Haradinaj tha se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia të njoh Kosovën dhe se kërkoi që qeveria Shqiptare të mbështes Kosovën dhe ta besojë në vendimet që merr.

Gazetari: A mendoni që Shqipëria duhet të hyjë kaq shumë në interesin e Taksës?

Haradinaj: Unë nuk mendoj që Shqipëria duhet të mbetet indiferente në çështjet e interesit nacional, as në Kosovë e as në ndonjë vend që ka shqiptarë. por duhet gjithashtu të respektojë qëndrimet e përfaqësuesve të atij vendi. Nëse unë duhet të mbaj një qëndrim për shqiptarët, duhet të kem në konsideratë qëndrimet e atyre që janë në terren. Kur ishte rasti I taksës, amerikanët thanë me pezull taksën. Unë thash që jam ushtar në frontin e parë të Amerikës kundër rusit. Vija mes Kosovës e Serbisë është vija mes Amerikës e Rusit. Unë thash që jam në vijë të parë e ti je eprori im, ti po më thua dorëzohu te armiku. unë me kushtetutë të Amerikës kam të drejtë të them jo. Shqipëria ka te drejtë të interesohet, por gjithashtu duhet të respektohet integriteti I atij që mban vijën e frontit. pra nuk më pengon kurrë interesimi I çdo bashkëkombësi tim, qoftë edhe pa detyre zyrtare për çështjet e interesit kombëtar. Përkundrazi e marr pozitivisht. por nëse jam ne vijë të frontit, e di unë çfarë drejtimi mbaj, jo ai që rri atje larg. Sepse në raste të caktuara ata nuk i kuptojnë proceset.

Gazetari: Po flisni këtu për kryeministrin Edi Rama?

Jo, por ka raste që ata që bëjnë politikat nga larg, nuk e kuptojnë gjendjen reale. Si mund dikush në Tiranë të më tregojë sa e kontrolloj unë Veriun? Unë s’mundem të vij dhe të tregoj ty si e kontrollon ti një gjë Shqipëri. Jo sepse ti që je aty e di më mirë. Ne nuk jetojmë të gjithë në parametra të njëjtë. Vijmë të gjithë nga përvoja të ndryshme. Unë nuk kam kryer akademinë apo shkollën e arteve. Por kam kryer një shkollë të vështirë jetësore. që fëmijë jam përball të mbroj familjen, jetën e familjes prej një pushuesi shumë të egër. Unë çdo dy tre ditë jam në përvjetor të masakrave. Le të vijnë udhëheqësit e Shqipërisë të tre, edhe presidenti Meta dhe zoti Ruci edhe Zoti Rama, e ti përjetojnë një javë këto masakra, pas një jave ata do të jenë shumë më të ndryshëm. Kjo është ajo që dua unë të shpjegoj, lërja atij që po përballet të veprojë.

Gazetari: Kur do te hiqet taksa?

Haradinaj: Kur të na njohë Serbia. kjo është e vërteta. Kur të na njohë Serbia do hiqet taksa.

Gazetari: Një mesazh për klasën politike në Shqipëri kur Kosova është në presion të madh nga gjithë palët për të hequr taksën?

Haradinaj: Shumicën e angazhimit Shqipëria e ka të mirë për Kosovën, por duhet të na besojnë edhe kur mendojnë se ne e kemi gabim ndonjëherë. Duhet të bëjmë kujdes që kur marrim qëndrim për çështje të interesit të Kosovës, është me rëndësi të kuptojnë që duhet të bëjnë kujdes.

Meta: Të rinis dialogu Kosovë-Serbi

Pas përfundimit të samitit Brdo-Brijunit në Tiranë, presidenti Meta ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të rinisin sërish dialogun të ndërmjetësuar nga BE, që do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon. Me një postim në Facebook, Meta shkruan se dialogu do të normalizojë marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve.

“Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.” – shkruan Meta

Akuzat për ndarjen e Kosovës, Mogherini: Më shumë mençuri nga liderët

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe akuzave të Haradinaj se ekziston një plan për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Mogherini ka thënë se roli i saj është si lehtësuese për krijimin e kushteve dhe atmosferës ku dy palët të takohen, por se çfarë vendoset mes tyre është plotësisht në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Mogherini tha se taksa e Kosovës 100% për mallrat serbë ka sjell dhe ngërçin në dialog, ndërsa bëri thirrje për më shumë mençuri dhe zgjuarsi pasi askush nuk del i përfituar nga mungesa e dialogut.

“Dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive dhe objektivi jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, objektivi i të arriturit në një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit vendimi i qeverisë së Kosovës 100% tarifa për mallra që vinin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshtruar Kosova.

Nga ana jonë e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që të rifillonte dialogu. Unë jam e bindur se në rast se do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë dhe e dhimbshme si zakonisht por ndoshta produktive. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë.

Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do të thoshte dhe pezullimin e fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i dialogut. Nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne. Jo vetëm që e respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë. Unë e marr seriozisht dhe rolin tim personal të të mos përcaktimit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies.

Ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Shpresoj të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia por as pjesa tjetër e rajonit. Pajtimi dhe normalizimi, ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin, unë e di sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithë ne për rifillimin e këtij dialogu në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.” – tha Mogherini

Basha: Dhunuesi i zgjedhjeve duhet të largohet

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me anëtarët e rinj të kësaj force politike në Frakë. Basha gjatë takimit tha se Shqipërisë nuk i hapen negociatat në qershor dhe pasojat i vuan populli dhe të rinjtë që kërkojnë të largohen.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se me Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe se largimi i tij është kush i panegociueshëm i opozitës për dialog.

“Përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare, që duhet të largohet njëherë e mirë. Këtë qershor Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Nuk ka hapa para por mbrapa, këto pasoja i vuajnë shqiptarët e thjeshtë, të rinjtë. Si mund të zgjidhet kjo? Ka vetëm një rrugë, është rruga që nis me dorëzimin e sendit të vjedhur tek i zoti. Sendi i vjedhur është vota, i zoti jeni ju. Largimi i Ramës është i panegociueshëm për ne. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës politike. Ne s’mund të ishim më fasada e teatrit të kriminelëve, e dëgjuam thirrjen tuaj dhe hodhëm një hap të paprecedentë, atë të djegies së mandateve.” – tha Basha

Aleatët kërkojnë tryezë dialogu, por PD ende e paqartë

Ndërsa aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë një tryezë dialogu opozitë maxhorancë, selia blu ende duket e paqartë në qëndrimin e saj.

Një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mënyrë indirekte pranoi se është i hapur për dialog, duke thënë se qëndrimet e PD-së janë në koherencë me qëndrimet e partive aleate, ndryshe është shprehur  numri dy i kësaj partie, Gazmend Bardhi.

Ai e ka thënë në mënyrë të prerë se nuk do të ketë asnjë tryezë bisedimi me Ramën kryeministër.

 “Ajo që unë mund të pohoj me 100% siguri është që as kryetari i PD, Lulzim Basha, as ndonjë drejtues tjetër i PD, nuk ka asnjë kanal konunikimi me Edi Ramën.

Nuk ka për të patur asnjë kanal komunikimi me Edi Ramën, asnjë marrëveshje me Edi Ramën, sa kohë ky është kryeministër, sepse situata ku ndodhet sot vendi është për shkak të këtij njeriu.

Nuk mund të negociohet me shkaktarin e situatës. Do të duhet të largohet shkaktari i situatës Edi Rama dhe, më pas, vendi do të shkojë drejt zgjidhjes, që i japin fund krizës politike apo institucionale, por negociata me Edi Ramën sa kohë ky është kryeministër i Shqipërisë, nuk ka për të patur”, ka thënë Bardhi në emisionin e Ilir Babaramos në Report TV.

Skip to toolbar