Akuzat për ndarjen e Kosovës, Mogherini: Më shumë mençuri nga liderët

POLITIKË


Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe akuzave të Haradinaj se ekziston një plan për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Mogherini ka thënë se roli i saj është si lehtësuese për krijimin e kushteve dhe atmosferës ku dy palët të takohen, por se çfarë vendoset mes tyre është plotësisht në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Mogherini tha se taksa e Kosovës 100% për mallrat serbë ka sjell dhe ngërçin në dialog, ndërsa bëri thirrje për më shumë mençuri dhe zgjuarsi pasi askush nuk del i përfituar nga mungesa e dialogut.

“Dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive dhe objektivi jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, objektivi i të arriturit në një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit vendimi i qeverisë së Kosovës 100% tarifa për mallra që vinin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshtruar Kosova.


Nga ana jonë e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që të rifillonte dialogu. Unë jam e bindur se në rast se do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë dhe e dhimbshme si zakonisht por ndoshta produktive. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë.

Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do të thoshte dhe pezullimin e fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i dialogut. Nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne. Jo vetëm që e respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë. Unë e marr seriozisht dhe rolin tim personal të të mos përcaktimit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies.

Ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Shpresoj të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia por as pjesa tjetër e rajonit. Pajtimi dhe normalizimi, ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin, unë e di sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithë ne për rifillimin e këtij dialogu në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.” – tha Mogherini




Skip to toolbar