Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende
kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i
kryeministrit.
Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush
Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një
kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e
krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë
interpretim në lidhje me këtë kërkesë.
Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të
Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të
kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të
ndryshme.
Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së
Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe
ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë që të pritet
aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti
i këtyre vendimeve.
Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush
Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në
vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është
kryeministër.
“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të
drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e
Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që
duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam
dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në
ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.
Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i
Financave Bedri Hamza ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk
mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e
zgjedhjeve të parakohshme.
Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si
rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e
tyre, disa ministra tjerë, kanë vazhduar me punën e rregullt, duke marrë
vendime për çështje të caktuara.
Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes
një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e
Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme, mediave u
janë adresuar edhe nga disa ministri tjera.
Profesori i çështjeve juridike kushtetuese,
Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të
duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.
Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për
t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e
qartë në këtë pikë.
“Do të duhet që sa më parë Gjykatat
Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të
drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e
dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur
kabineti të vazhdojë të mbaje mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si
deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata
Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen
dilemat”, thotë Baraliu.
Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës
Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka
të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe
obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat
derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrolloj, mbikëqyrë zbatimin e
vendimeve dhe projekteve të ndryshme.
“Marrja e vendimeve do të duhej bërë në
kabinet. Do të duhet të mbahen mbledhjet e qeverisë dhe do të duhej të
trajtoheshin ato çështje për tu marrë dhe votuar vendimet e qeverisë. Kjo është
praktikë juridike pasi që Kosova nuk ka më tepër se kaq pasi që nuk e kemi
Ligjin për qeverinë ku më saktësisht do të duhej të përcaktoheshin obligimet
dhe detyrat e qeverisë në çdo situatë juridike, pra edhe në këtë situatë të
vakuumit institucional pas dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.
Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje
Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e
kompetencave. Nga ajo ditë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60
ditësh për t’i dhënë një përgjigje.
Në Kosovë gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës
është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për
përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës./REL/