PD konfuze, ‘qan’ dorëheqjen e drejtorëve në Shkodër, por i quan ‘bandë’

AKTUALITET


Partia Demokratike ka shpërndarë një deklaratë të degës lokale në Shkodër, ku reagon në lidhje me dorëheqjen masive të drejtuesve të institucioneve në Shkodër, pas urdhrit të kryeministrit Rama. Sipas PD, dorëheqja masive e drejtuesve të institucioneve rajonale është antiligjore, ndërsa sipas Selisë Blu, me këtë veprim, Rama po e lë Shkodrën në dorën e Tom Doshit.

“Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945” shkruan PD.


Sipas Partisë Demokratike, largimi masiv i drejtuesve të institucioneve është në shkelje të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të  Punës, ndërsa e cilëson këtë lëvizje, si zëvendësimin e  ‘një bande me një tjtetër’. “Urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër.  Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare”, shkruan PD në deklaratën shpërndarë mediave.  

Më tej, konfuzioni i Partisë Demokratike, të cilët i kategorizon drejtuesit e dorëhequr të institucioneve në Shkodër, si ‘bandë’, shkon dhe më tej, duke u shprehur se ‘dorëheqjet e detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti”. “Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti, pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një individi psikopatik. Një lëvizje e tillë e Edi Ramës, bëhet edhe për ti hedhur “hi syve” shkodranëve. Është një përpjekje e dështuar për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Shkodrës, ku me 30 qershor kandidoi një të inkriminuar, ashtu siç bëri me Vorën dhe me bashki të tjera që do të evidentohen në ditët në vijim”, shkruan PD.

Në fund Partia Demokratike shprehet se ‘Shkodra e Shqipëria kanë një arsye më shumë për tu angazhuar në largimin një orë e më parë të Edi Ramës kësaj fatkeqësie kombëtare që nuk ndalet duke krijuar probleme për shkodranët e shqiptarët. Të gjithë bashkë, pa dallime partiake kemi detyrë para të sotmes dhe të ardhmes, të ngrihemi e ta shporrim një sahat e më parë! Rama ik”, përfundon deklarata e degës së PD në Shkodër.




Skip to toolbar