Humbja me Skënderbeun, Ahmataj deklaron dorëheqjen nga Tirana

Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj ka paraqitur dorëheqjen e tij te presidenti i klubit Refik Halili, pas rezultatit zhgënjyes ndaj Skënderbeut në Korçë, ku bardheblutë humbën 2-1. Ahmataj, i cili vetëm një muaj më parë u zgjodh trajner i Tiranës, deklaroi se është i zhgënjyer me mënyrën se si skuadra pësoi gola. Ai tha se skuadra duhet të punojë si e tillë dhe nëse mendojnë se fajin e ka trajneri, atëherë po largohet.

Rezultati është një zhgënjim shumë i madh, por nuk mendoj se i falëm një pjesë loje. Pësuam në dy momente, ku ishim në superioritet numerik, ndaj më vjen keq që marrim gola të tillë, ashtu si nuk zgjidhim mirë situatat në sulm. Këto gjëra rregullohen, pro më vjen keq pasi këtu përpara se të fillosh punë, mendojnë të heqin trajnerin. Unë i kam paraqitur dorëheqjen presidentit Halili dhe nëse mendojnë se jam unë e keqja, nuk ka nevojë të më heqin, pasi largohem vetë. Më habit shumë mënyra se si i marrim golat. Nëse gjërat nuk rregullohen ashtu si duhet, atëherë nuk do të vazhdoj më. Ose e bëjmë punën si duhet, ose nuk ia vlen. Unë e dija situatën, por nuk e mendova kaq rëndë. Është në të mirë të skuadrës, që të ndryshojnë ujërat në të gjitha drejtimet” u shpreh Ahmataj.

Në lidhje me paraqitjen e dorëheqjes së Ahmataj, të dielën është planifikuar një takim mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit.

PD konfuze, ‘qan’ dorëheqjen e drejtorëve në Shkodër, por i quan ‘bandë’

Partia Demokratike ka shpërndarë një deklaratë të degës lokale në Shkodër, ku reagon në lidhje me dorëheqjen masive të drejtuesve të institucioneve në Shkodër, pas urdhrit të kryeministrit Rama. Sipas PD, dorëheqja masive e drejtuesve të institucioneve rajonale është antiligjore, ndërsa sipas Selisë Blu, me këtë veprim, Rama po e lë Shkodrën në dorën e Tom Doshit.

“Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945” shkruan PD.

Sipas Partisë Demokratike, largimi masiv i drejtuesve të institucioneve është në shkelje të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të  Punës, ndërsa e cilëson këtë lëvizje, si zëvendësimin e  ‘një bande me një tjtetër’. “Urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër.  Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare”, shkruan PD në deklaratën shpërndarë mediave.  

Më tej, konfuzioni i Partisë Demokratike, të cilët i kategorizon drejtuesit e dorëhequr të institucioneve në Shkodër, si ‘bandë’, shkon dhe më tej, duke u shprehur se ‘dorëheqjet e detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti”. “Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti, pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një individi psikopatik. Një lëvizje e tillë e Edi Ramës, bëhet edhe për ti hedhur “hi syve” shkodranëve. Është një përpjekje e dështuar për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Shkodrës, ku me 30 qershor kandidoi një të inkriminuar, ashtu siç bëri me Vorën dhe me bashki të tjera që do të evidentohen në ditët në vijim”, shkruan PD.

Në fund Partia Demokratike shprehet se ‘Shkodra e Shqipëria kanë një arsye më shumë për tu angazhuar në largimin një orë e më parë të Edi Ramës kësaj fatkeqësie kombëtare që nuk ndalet duke krijuar probleme për shkodranët e shqiptarët. Të gjithë bashkë, pa dallime partiake kemi detyrë para të sotmes dhe të ardhmes, të ngrihemi e ta shporrim një sahat e më parë! Rama ik”, përfundon deklarata e degës së PD në Shkodër.

Kosova në kaos qeverisës pas dorqëheqjes së Haradinajt

Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë interpretim në lidhje me këtë kërkesë.

Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të ndryshme.

Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë që të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti i këtyre vendimeve.

Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është kryeministër.

“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.

Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i Financave Bedri Hamza ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e tyre, disa ministra tjerë, kanë vazhduar me punën e rregullt, duke marrë vendime për çështje të caktuara.

Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme, mediave u janë adresuar edhe nga disa ministri tjera.

Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.

Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e qartë në këtë pikë.

“Do të duhet që sa më parë Gjykatat Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur kabineti të vazhdojë të mbaje mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen dilemat”, thotë Baraliu.

Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrolloj, mbikëqyrë zbatimin e vendimeve dhe projekteve të ndryshme.

“Marrja e vendimeve do të duhej bërë në kabinet. Do të duhet të mbahen mbledhjet e qeverisë dhe do të duhej të trajtoheshin ato çështje për tu marrë dhe votuar vendimet e qeverisë. Kjo është praktikë juridike pasi që Kosova nuk ka më tepër se kaq pasi që nuk e kemi Ligjin për qeverinë ku më saktësisht do të duhej të përcaktoheshin obligimet dhe detyrat e qeverisë në çdo situatë juridike, pra edhe në këtë situatë të vakuumit institucional pas dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.

Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e kompetencave. Nga ajo ditë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje.

Në Kosovë gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës./REL/

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit në tavolinën e Metës, a do i jap fund krizës?

Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja i ka dërguar presidentit Ilir Meta dokumentin e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit duke e lajmëruar atë zyrtarisht se kjo bashki është pa kryetar.

Në letrën dërguar Metës cilësohet se sipas ligjit për ‘pushtetin vendor” këshilli i ri bashkiak me 51 anëtarë është konstituuar, por Bashkia Shkodër ka një vend vakant atë të kryetarit të saj. Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së 19 gushtit pranoi dorëheqjen e Pjetrit dhe njoftoi me shkrim institucionet përkatëse.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit i hap rrugë zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër, duke e futur atë në një ngërç të ri. Por a do ta thellojë Meta më shumë këtë krizë politike? Pas bërjes publike të dorëheqjes së Pjetrit, presidenti Meta nuk pranoi të dekretojë një datë të re për zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, pasi për atë zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe këmbëngul që zgjedhjet në mbarë vendin të zhvillohen më 13 tetor.

Zgjidhja duket se vjen përmes Kodit Zgjedhor. Kryetarja e re e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia deklaroi më herët se ky ngërç do të zgjidhet sipas Kodit Zgjedhor, i cili përmes nenit 161 mund ta nxjerrë jashtë loje presidentin Meta. Ky nen në pikën 6 të tij thuhet se “është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit të përsëritjes së tyre.”

Madje zgjedhjet e pjesshme në Shkodër mund ta fusin sërish PD-në në jetën politike duke e shpëtuar nga izolimi që i bëri vetes.

Megjithatë fillimisht duhet që presidenti Meta të jap deklaratën e tij zyrtare se çfarë qëndrimi do të mbajë në këtë situatë të re politike, do jap një zgjidhje për krizën apo do e thellojë më shumë atë?

Haradinaj: Do qëndroj Kryeministër deri sa të bëhen zgjedhjet (po në Hagë si do shkojë? )

Më 19 korrik Ramush Haradinaj do të dilte para mediave në Kosovë në një konferencë shtypi dhe do të lajmëronte dorëheqjen e parevokueshme të tij nga posti i kryeministrit. Kjo për shkak të ftesës së ardhur nga Gjykata Speciale e Hagës në lidhje me krimet e luftës në Kosovë. Haradinaj vendosi se do të paraqitej në Hagë si qytetar i thjeshtë dhe i bëri thirrje presidentit Thaçi se ishte përgjegjës për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme në vend. Por tre ditë më pas duket se Haradinaj ka ndërruar mendje në lidhje me ato që tha ditën e dorëheqjes së tij. Në një letër dërguar Presidentit Thaçi, partive politike dhe institucioneve të tjera në vend, Haradinaj thekson se jep dorëheqjen, por do të qëndrojë në krye të detyrës deri në zhvillim të zgjedhjeve të ardhme dhe të krijohet qeveria e re.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë. Nuk është ende zyrtare por sipas mediave në Kosovë mendohet se do të mbahen më 8 shtator. Ndërkohë që Haradinaj do të paraqitet të mërkurën në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Pra Haradinaj do të paraqitet ë Hagë si kryeministër i Kosovës (ajo që ai nuk donte?) dhe jo si një qytetar i thjeshtë që nuk përfaqëson asnjë institucion në vend. 

“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, shkruan Haradinaj në letrën drejtuar institucioneve në Kosovë.

Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend,…

Gepostet von Ramush Haradinaj am Montag, 22. Juli 2019

Panik te politikanët: Dorëheqja e Haradinajt ka pasoja për Serbinë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Rada Trajkoviq, vlerëson se me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është shtyrë edhe presioni mbi institucionet e Kosovës në lidhje me heqjen e taksës për produktet nga Serbia.

“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e fortë në refuzimin e heqjes së taksës dhe unë nuk shoh se kush mund të vendosë për pezullimin e saj në këtë kohë”, citohet të ketë thënë Trajkoviq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Madje, sipas saj, me dorëheqjen e Haradinajt mund të thuhet se nuk mund të ketë së shpejti edhe një progres serioz të dialogut.

“Meqenëse ky është një proces i cili zgjatë, veçanërisht ai për formimin e një qeverie, ka shumë të ngjarë që bisedime midis Beogradit dhe Prishtinës të mos ketë deri në fund të vitit kalendarik”, ka thënë Trajkoviq. Ajo deklaroi se në këtë do të ndikojnë edhe zgjedhjet në Serbi të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Kështu që ekzistojnë të gjitha mundësitë që nuk do të ketë progres serioz në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm”, ka thënë ndër tjerash Trajkoviq. /Telegrafi/

Dorëheqja e Haradinaj, Veseli: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur një vendim personal dorëheqjen e Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës, ndërsa tha se tashëm vendi do të përgatitet për zgjedhje të përkohshme.

“Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe i tillë është pranuar. Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të mbahen. Do të ketë këshillime me partitë tjera në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.” – tha Veseli

Në lidhje me ftesën e ardhur nga Gjykata Speciale e Hagës për Ramush Haradinaj por edhe për ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi në lidhje me krimet e luftës, Veseli tha se pastërtia e luftës se UÇK do të dal në dritë.

“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj sfide”, tha Veseli

Dorëheqja e Haradinaj, reagon politika shqiptare: Burrë shteti, mbrojti Kosovën

Dorëheqja e papritur e Ramush Haradinaj, ka sjell reagimin e politikës shqiptare duke e cilësuar të gjithë njëzëri si “burrë shteti” që mbrojti Kosovën dhe vendosi interesat e saj të para deri në vetëmohim.

Presidenti Ilir Meta në ragimin e tij ka shprehur krenarin për vendimin e marrë nga Ramush Haradinaj, të cilën përveçse burrë shteti e ka konsideruar edhe Heroin e Kombit.

Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit! Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane.” – shkruan Meta

Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij!Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe…

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 19. Juli 2019

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e konsideroi dorëheqjen e Haradinjat shembull të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para. Bushati tha se vendimi i tij do lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës .

Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës për tu ballafaquar sërish me drejtësinë është forca e shembullit të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para. Jam i bindur që ky veprim do të lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës dhe kontributin e pamohueshëm të Ramush Haradinajt. Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes. Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje.” – tha Bushati

Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës për tu ballafaquar sërish me drejtësinë është forca e…

Gepostet von Ditmir Bushati am Freitag, 19. Juli 2019

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko e ka cilësuar Haradinaj si një burrë shteti që vendosi interesat e Kosovës të parat, duke dhënë një shembull të mirë në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjes së vendit duke dhënë dorëheqjen.

“Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. Sot jam me Ramushin! Të falenderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes.”- shkruan Majko në një postim në Facebook.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder…

Gepostet von Pandeli Majko am Freitag, 19. Juli 2019
Largimi i Haradinajt, a duhet ta pranojë presionin e ndërkombëtarëve?

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar dorëheqjen e Ramush Haradinaj si aktin e një njeriu që deri në vetëmohim i ka shërbyer Kosovës. Basha e ka cilësuar Ramushin simbol të Kosovës së lirë dhe evropiane.

 “Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova – Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!”-shkruan Basha  

Të premten, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas ftesës së marrë nga Gjykata Speciale për të dëshmuar për krimet e luftës në Kosovë.

Haradinaj në arsyetimin e dorëheqjes së tij tha se nuk dëshironte që të paraqitej në Gjykatën Speciale si kryeministër i Kosovës, por si një qytetar i thjeshtë.

Akuzat për jetë luksi, jep dorëheqjen ministri francez

Ministri francez i Ekologjisë, François de Rugy ka dhënë dorëheqjen e tij, pas akuzave të shumta në lidhje me shpenzime luksi dhe modelin e jetës së shtrenjtë. Akuzat çuan në zemërimin e madh të popullsisë, sidomos të jelekverdhëve , të cilët nuk i ndahen protestave kundër qeverisë dhe shpenzimeve të elitës politike.

François de Rugy ishte numri dy i qeverisë franceze dhe Ministria e Ekologjisë, ishte një prej prioritetet kryesore të presidentit, Emmanuel Macron.

Macron ka pranuar dorëheqjen e ministrit të tij duke argumentuar se bëhet fjalë për një vendim personal.

Zaev vihet në lojë nga komedianët rusë, opozita i kërkon dorëheqjen

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka rënë në kurthin e dy komedianëve rusë, të cilët i kanë telefonuar duke u hequr si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Bisedat janë publikuar në Youtube dhe opozita maqedonase ka reaguar ashpër duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Zaev për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Telefonatat janë bërë në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s, ndërsa Zaev e kuptoi që ishte vënë në lojë vetë të hënën kur u publikuan në Youtube.

Kjo lojë e komedianëve rusë ka bërë që kryeministri maqedonas, Zaev të dalë në një konferencë për shtyp dhe të kërkojë falje, por theksoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet të jap dorëheqjen.

“Isha viktimë e një shakaje të bërë nga një strukturë e mirëorganizuar e cila përfiton nga taktika, forma dhe mjetet e reja në një përpjekje për të diskredituar publikisht njerëzit dhe vendet me aspiratat euroatlantike. Kjo është një nga ato përpjekje për të dëmtuar drejtpërdrejt interesat tona strategjike për të përfunduar anëtarësimin tonë në NATO. Manipulimet vijnë nga media propaganduese me orientim anti-Nato për shtrirjen e ndikimit të palëve të treta.’ – tha Zaev, i cili shtoi se nuk  ishte viktima e parë e komedianëve mashtrues. Edhe politikanë të tjerë si Boris Johnson i Britanisë, Emmanuel Macron i Francës dhe Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë kanë rënë pre e tyre.

Skip to toolbar