Partia Demokratike denoncoi një sulm me armë të bërë ndaj makinës së kryetarit të Këshillit bashkiak të Durrësit dhe se kjo ngjarje është fshehur nga policia. Sulmi është pranuar nga Ani Dyrmishi, por mohon që ngjarja të ketë lidhje me të.
Dyrmishi, i cili mban postin e kryetarit të këshillit bashkiak Durrës dhe njëherësh drejtor i Hekurudhave, tha se sulmi ka ndodhur, por nuk kishte lidhje me personin e tij, pasi ajo makinë përdoret nga shumë persona.
Denoncimi erdhi nga kryetari i degës së PD në
Durrës, Ferdinand Xhaferri, i cili tha se rreth orës 12:30 të natës të së hënës,
makina është qëlluar me armë zjarri në momentin kur Dyrmishi ka qenë brenda saj.
“Kryetari
i këshillit Bashkiak të qytetit dhe drejtori të Hekurudhave në përplasjet mes
bandave të PS me dhe pa pushtet është goditur me pistoletë. Policia e fsheh
ngjarjen dhe me porosi të drejtori të policisë thuhet se policia është goditur
në parking, por në të vërtetë kryetari i këshillit bashkiak që ka qenë në
makinë. Kjo ngjarje ka ndodhur ditën e hënë në orën 12:30 të natës, në lagjen
numër 4 të qytetit. Policia e ka pranuar, por e ka fshehur ngjarjen. Ky është
problemi, sepse drejtori i policisë i sapoardhur nuk ka ardhur për të vendosur
rendin në qytet, por ka ardhur për të
negociuar sherret e bandave të PS.” tha
Xhaferri në një lidhje telefonike me News 24.
Vetëm pak minuta më vonë, erdhi dhe reagimi i
Dyrmishit, i cili pranoi sulmin me armë ndaj makinës, por mohon të ketë qenë në makinë në momentin
e ngjarjes. Ai tha se ishte në gjumë dhe se makina nuk është e tij. Dyrmishi u shpreh
se sulmi nuk e frikëson pasi nuk ka konflikte dhe sulmi s’ka lidhje me të.
“Është
një ngjarje që nuk ka të bëjë fare me mua, me personin tim. Nuk kam pas asnjë
lloj atentati në drejtimin tim apo të makinës sime, pasi unë nuk disponoj
makinë në pronësinë time, por e përdor atë makinë që është goditur. Është një
makinë që ka të bëjë me një person, që ka qenë shoferi i babait tim, dhe përdoret
nga unë, djali i hallës sime dhe shumë persona të tjerë. Në fakt, muajt e
fundit nuk e kam përdorur. Nuk kam qenë në makinë, kur është qëlluar. Nuk e cilësoj
paralajmërim këtë sulm, sepse unë nuk kam konflikte as personale dhe as në
lidhje me detyrën, por gjithsesi duhen bërë hetime dhe të sqarohet ngjarja. Unë
kam qenë në gjumë, kur jam njoftuar për ngjarjen.” tha Dyrmishi po në një
lidhje telefonike për News 24.
Ndërsa policia e Durrësit reagoi për ngjarjen,
pas denoncimit të bërë në media duke sqaruar se është qëlluar me pistoletë në
drejtim të mjetit tip “Volswagen”, i cili ka qenë i parkuar. Ngjarja ka ndodhur
pas mesnatës së 15 tetorit, në orën 00:45 dhe mjeti është në pronësi të
29-vjeçarit I. B. Në reagimin e saj policia nuk jep të dhëna që sulmi mund të
jetë i lidhur me kreun e këshillit bashkiak Durrës, Ani Dyrmishi.