PD merr në mbrojtje Metën, Bardhi: Shkarkimi telenovelë e Ramës

Partia Demokratike del hapur në mbrojtje të Presidentit Ilir Meta, duke e quajtur “telenovelë vere të Edi Ramës”, ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka bërë një deklaratë në rrjetin e tij social, ku i del hapur në mbrojtje Ilir Metës, duke i cilësuar veprimet e kreut të shtetit si “kompetencë kushtetuese”.

“Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë te parë te telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vete aktor. Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim presidenti është vetëm nje sajesë vere dhe abuzim me fondet publike”.

“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist. Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve”, shkruan ndër të tjera numri dy i PD-së.

Po, a është kompetencë kushtetuese vendimi për të çdekretuar një dekret? Sigurisht që Bardhi e di mirë që nuk është kompetencë kushtetuese një gjë e tillë, pasi është jurist. Dhe në Kushtetutë nuk ka një nen ku theksohet se “Presidenti mund të anulojë dekret që nxjerr vetë”. Megjithatë, Gazmend Bardhi vijon duke u shprehur në fund të tij se “votimet moniste të 30 qershorit, siç shprehet edhe OSBE/ODIHR, u mbajtën pa e marrë fare në konsideratë intersin e qytetarëve”, shkruan sekretari i PD-së.

Siguria ushqimore, Rama: Analiza në laboratorin e prodhimit të barnave

Gjatë inspektimit të një fabrike të prodhimit të medikamenteve mjekësore në vendin tonë, Kyreministri Edi Rama hodhi iden e një bashkëpunimi mes AKU-së dhe laboratorit të kësaj fabrike. Sipas Kryeministrit, analizimi i produkteve ushqimore në laborator mjekësor, do të ishte shumë i rëndësishëm për të rritur besimin ndaj produkteve tona, në vendet e rajonit. Sipas shefit të Qeverisë, kjo do të lehtësonte shumë punën në pikat kufitare me Maqedoninën e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovën, pasi pasja e një certifikate nga një laborator i prodhimit të barnave, do të vendoste Shqipërinë në pozita shumë pozitive edhe në raport me BE-në, sa i përket sigurisë ushqimore.

“Do ishte vërtet shumë me interes edhe reciprok që të shikojmë mundësinë e një projekti bashkëpunimi me laboratorin tuaj, që është në standardet më të larta europiane për sigurinë ushqimore, një projekt bashkëpunimi mes AKU-së dhe jush që do të na garantonte rezultate spektakolare dhe njëkohësisht transparencë të madhe në raport me të gjithë prodhuesit dhe tregtuesit, në mënyrë që të mos kemi shumë fjalë e diskutime dhe për më tepër është shumë e rëndësishme dhe në kuadrin e të gjithë këtyre lehtësimeve që duam të bëjmë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën me Malin e Zi për të pasur njohje reciproke të rezultateve. Pra, nëse shkon një produkt me certifikatën tuaj s’kanë çfarë i kontrollojnë më ata. Kjo na vendos në pozita shumë pozitive dhe në raport me Bashkimin Europian që e ka kërkesë shumë strikte sigurinë ushqimore”, u shpreh Rama.

Emergjencat civile, Rama: Sanksione për bashkitë dhe privatët

Rritja e përgjegjësive nga njësitë e qeverisjes vendore, por dhe e biznesit privat, përballë emergjencave civile, promovimi i vullnetarizmit, dhe mbi të gjitha parandalimi i rreziqeve, përbëjnë thelbin e ligjit të ri për Mbrojtjen Civile, i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama dhe drejtues të tjerë të Qeverisë këtë të mërkurë.

“Mbrojtja civile ka kaluar në një nivel tjetër, që prej kohës që Drejtoria e Emergjencave Civile kaloi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, provat i kemi dhënë tashmë. Sot mund të themi që kemi një bazë të re ligjore të hartuar, të gatshme për miratim me një strategji kombëtare për reduktimin e riskut. Këtu sfida mbetet e përditshmja, jo momenti kur emergjenca shfaqet. Do ketë një përpjekje  e vazhdueshme për parandalimin e emergjencave”, tha Rama.

Më tej shefi i Qeverisë, u shpreh se trashëgimia nga e kalaura është shumë e rëndë. Një pjesë e problemit ka ardhur prej papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal në këto tre dekada, të cilët kanë bërë pak ose aspak për rritjen e kapaciteteve parandaluese nga rreziqet natyrore. Me ligjin e ri, tashmë Bashkitë, por dhe bizneset private, do të kenë përgjegjësi direkte për parandalimin e emergjencave civile.

“Kemi një trashëgimi shumë të rëndë në gjithçka është bërë në këto dekada të rrëmujshme. Është përkeqësuar kapacitetit natyral mbrojtës. Me këtë ligj kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive dhe përcaktim të roleve. Kemi dhe një bazë për përditshmërinë. Plani për emergjencat civile tani do të jenë të detyrueshme qoftë për shtetin qoftë për sektorin privat. Do të ketë sanksione të qartë për cdo institucion apo subjekt privat, nuk mund dot që në përditshmëri t’i hapim gropën vetes e pastaj kur vjen furtuna t’i kërkojmë shtetit të në nxjerrë nga gropa, nuk mund dot ti bien shkurt duke këputur kanalin e shkarkimit të ujërave për të bërë një hyrje me palma në lokal dasmash e pastaj ankohemi pse shteti na prishi dasmën kur erdhi furtuna. Njësitë e qeverisjes vendore nuk mund të mos jenë të papërgjegjshme njësoj si një pronar i një lokali dasmash ”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Rama u shpreh se Drejtoria e Emergjencave Civile do të transformohet në Agjencinë Kombëtare Civile, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe do të ketë më shumë kapacitete financiare dhe kompetenca ligjore, për mbrojtjen e qytetarëve.

“Agjencia e re do të jetë në varësi të ministrit, do të jetë një autoritet shumë më i madh se drejtoria e emergjencave civile. Agjencia e re për Mbrojtjen Civile do të ketë kapacitete më të mëdha financiare dhe kompetenca ligjore. Me këtë ligj ne e përafrojmë vendin me standardin e mekanizmit të mbrojtjes civile të vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh Kryeministri.

Përçahet opozita, Monika ‘flirton’ me Ramën

Monika Kryemadhi prej disa ditësh ka dalë me qëndrime më të moderuara se kryetari i Partisë Demokratike, në lidhje me vijimin e aksionit opozitar dhe zgjidhjen e krizës. Shefja e LSI-së, deklaroi tre ditë më parë, se ishte gati për dialog me Edi Ramën, por me kushtin e vetëm që Kryeministri, të paraqitet në tryezën e dialogut si kryetar i PS-së. Ky qëndrim i Kryemadhit, nuk ka marrë mbështetje nga liderë të tjerë të opozitës, por as nuk është kundërshtuar.

Megjithatë, Lulzim Basha vijon të mbetet i prerë në qëndrimin e tij, Rama të largohet dhe më pas zgjidhet kriza. Por, qëndrimet e Bashës, duket se tashmë nuk janë në koherencë të plotë me ato të Kryemadhit. Shefja e LSI, mbrëmjen e vonë të së martës, ka folur në një studio televizive, ku është shprehur se “ Të jem unë si Lulzim Basha unë shkoj në zgjedhje me Edi Ramën. Sot të shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kemi 90% të shqiptarëve. Ja kam thënë dhe Basha e di shumë mirë këtë gjë, jo vetëm Basha por shumë të tjerë. Nuk kam asnjë kontraditë (me Bashën), jemi të rakorduar. Jemi në negociata me ndërkombëtarët. Sot opozita është në udhëheqje të opinionit kombëtar dhe shqiptar”.

Një deklaratë e fortë kjo e Kryemadhit, që bëhet për herë të parë pas pesë muajsh aksion opozitar, dhe që duket se vë kreun e PD-së nën presion për të pranuar hyrjen në dialog. Në këtë pikë, deklarata e Monika Kryemadhit duhet lexuar edhe si një sfidë ndaj Lulzim Bashës për 13 tetorin. Të gjithë aleatët e vegjël të Bashës kanë deklaruar më herët se do të futen në zgjedhjet e 13 tetorit, edhe LSI e Monika Kryemadhit do të mbështesë dekretin e Ilir Metës. I vetmi që nuk ka pranuar këtë dekret deri më tani, është Lulzim Basha, i cili deklaroi më 27 qershor (ditën që doli dekreti) se nuk do të pranonte asnjë datë zgjedhjesh pa largimin e Ramës.

Në këto kushte, Monika Kryemadhi, e vënë edhe nën presion elektoral, tashmë që nuk do të ketë më asnjë pushtet lokal dhe qendror, dhe me rrezikun e firove në rradhët e partisë së saj, duket se po kërkon një proces të përshpejtuar të zgjidhjes së krizës dhe shkuarjen në zgjedhje sa më parë, pasi vetëm kështu mund të shpëtohet LSI.

Këtë e vërteton edhe një sondazh i fundit i Eduard Zaloshnjës, i cili tregon se LSI, nëse zgjedhjet mbahen sot, humb më shumë se 140 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e fundit. Ndërkohë, këto vota që kanë rrjedhur nga LSI, kanë shkuar te PD-ja, pasi po sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike kishte  pësuar një rritje me rreth 100 mijë vota.

Protesta e opozitës, Euronews: U zhvillua pasi Parlamenti vendosi të shkarkojë Ilir Metën

Rrjeti televiziv “Euronews” i ka kushtuar një kronikë protestës së opozitës, që u mbajt të hënën më 8 korrik përballë Kryeministrisë në Tiranë. Eurones shprehet se protestuesit u mblodhën në protestën e dhjetë kombëtare të opozitës, ku përsëritën thirrjen “Rama Ik”, dhe “E duam Shqipërinë si Europa”. Rrjeti më i madh televiziv në Europë thekson gjithashtu konfliktin që hyri presidenti me Qeverinë, në lidhje me dekretin anti-kushtetues për anulimin e zgjedhjeve.

“Mbështetësit e Opozitës shqiptare u kthyen në rrugë… Ata u bashkuan të hënën në mbrëmje në Tiranë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama, që e akuzojnë si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Një manifestim i thirrur nga forca kryesore në opozitë, Partia Demokratike. “Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një referendum kundër së keqes. Rama largohu. Rama ik’, thirri Lulzim Basha lideri i Partisë Demokratike”.

“Kjo erdhi pasi Parlamenti votoi ngritjen  e një Komisioni Hetimor për shkarkimin  emundshëm të Presidentit, pasi Ilir Meta vendosi të nxirrte një dekret për anulimin e zgjedhjeve të fundit, për të cilat tha se do të ishin të pavlera pa pjesëmarrjen e partive të opozitës. Kryeministri Edi Rama i quajti veprimet e Metës të pabazuara në Kushtetutë”.

“Në qendër të kësaj krize politike, Edi Rama e akuzon opozitën se po kërkon të vendosë në diskutim Reformën në Drejtësi që do ti japë fund korrupsionit. Kryeministri po nxit që Bashkimi Evropian të fillojë negociatat e pranimit me vendin e tij dhe shpreson për një përgjigje pozitive këtë vjeshtë”, shkruan Euronews.

Euronews English e ka futur Shqipërinë në agjendën e lajmeve europiane falë bashkëpunimit të ri me Euronews Albania. Lajmet nga Shqipëria tashmë mund të ndiqen nga audienca e Euronews në 12 gjuhë të ndryshme. #EuronewsAlbania #Euronews #Allviews

Gepostet von Euronews Albania am Dienstag, 9. Juli 2019

Rama mesazh opozitës pas protestës: Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së 10 kombëtare të opozitës, mbajtur para kryeministrisë. Shefi i Qeverisë ka përdorur një thënie të një gjenerali dhe shkrimtari kinez, Sun Tzu, me të cilën mesaduket i dërgon dhe një mesazh kundërshtarëve të tij politikë. “Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë. Ndërsa humbësit nisen njëherë dhe më pas rreken të fitojnë”,  është ky mesazhi që përcjell kryeministri i vendit drejtuar opozitës. Në fakt, mesaduket Rama me këtë mesazh kërkon të thotë se është tepër vonë për të thirrur fitore, pasi opozita  refuzoi dialogun para zgjedhjeve me 7 letrat publike të kryeministrit.

Në fakt, dialogu do të kishte qenë dhe një fitore për vetë opozitën, pasi prej tij, shtyrja e zgjedhjeve mund të ishte një mundësi, dhe sot opozita jo vetëm që mund të dilte e fituar (pjesëmarrjen në zgjedhje), por njëkohësisht mesiguri nuk do të kishte humbuar as një pjesë të bashkive të vendit, të cilat tashmë janë fakt që do të drejtohen nga socialistët pas 30 qershorit. Ndaj, për kryeministrin Rama fitore mund të cilësohet fakti që 30 qershori u mbajt, rendi kushtetues u ruajt, ligji u zbatua, dhe tashmë është koha për beteja, ndoshta dhe për dialog me opozitën, derën e të cilit, Rama në fakt e ka lënë hapur pas datës 1 korrik.

Ndërsa hyrja e opozitës në betejën për të larguar kryeministri, duke djegur mandatet pa i menduar mirë pasojat politike, është një humbje e parakohshme, dhe kërkesa për fitore pas humbjes së gjithë pushteve, përfshi së shpejti dhe shkarkimin ‘de jure’ të Presidentit, që tashmë ka konfirmuar haptazi pozicionin e tij, është një humbje, pasojat e të cilës ende nuk mund të thuhen me siguri se sa të rënda do të jenë për opozitën.

A është ky mesazhi që Rama ka dashur të thotë me shprehjen e famshme të Gjeneralit kinez, apo ka dashur të thotë diçka tjetër, edhe këtë s`mund ta themi me siguri të plotë, por një gjë është e qartë; për Qeverinë, 30 qershori është një fitore, një fitore jo për vlerën e mandateve lokale më shumë se një fitore e Kushtetutës dhe ligjit në një vend demokratik, që aspiron rrugën e integrimit evropian.

Opozita në parlament: Shkarkojmë Metën, vendin e tij na e jepni ne

Opozita parlamentare dhe deputetët e djathtë, të cilët kanë folur të parët, pas fjalës së Kryeministrit në seancën e posaçme parlamentare për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, kanë konfirmuar se janë pro shkarkimit të Ilir Metës. Megjithatë, një prej deputetëve të djathtë, Zef Shtjefni, është shprehur se pas shkarkimit të Ilir Meës, presidenti i ri duhet të dalë nga radhët e opozitës parlamentare.

“Për të përmbushur intersat e Shqipërisë, do të bashkëpunojë me Edi Ramën. Por unë jam sot këtu si opozitar, për të vazhduar betejën tonë si të djathtë. Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultatet e para, komisioni i Vettngut nuk duhet të marrë kurrë urdhra politikë”.

“Ky parlament ka bërë shumë punë të mira, do të përmbyll dhe reformën zgjedhore, sepse jemi shumë kryetar partish këtu që presin përfundimin me sukses të reformës zgjedhore.  Dy vjet më parë vendosën t`i shkrinin këto parti të vogla por sot ja ku janë këtu. Për shkelje të rënda kushtetuese, Presidenti duhet të shkarkohet dhe vendi i tij ti jepet opozitës parlamentare”, tha Zef Shtjefni.

Basha krah Xhelalit në Kamëz: Hajdeni të rrëzojmë Edi Ramën

Lulzim Basha është shfaqur krah Xhelal Mziut pasditen e të dielës, kryebashkiakut të Kamzës në detyrë, që ka kërcënuar se nuk do të lirojë zyrën për kryetarin e ri, i zgjedhur në 30 qershor. Nga një njoftim i shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, mësohet se Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e Kamzës, të cilët i ka ftuar të marrin pjesë në protestën e 8 korrikut.

“I shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, Basha i ftoi qytetarët e Kamzës, që ashtu siç kanë bërë edhe në 9 protestat e tjera kombëare, të jenë në krye të lëvizjes kombëtare për ndryshim, per largimin e Edi Rames dhe krijimit te nje qeverie qe garanton zgjedhje te lira e te ndershme. Gjate takimeve informale qe nisi dje ne Kavaje dhe Elbasan dhe, sonte, ne Kamez e Vore, kreu i opozites synon te percjelle ftesen per protedte, tek sa me shume qytetare qe refuzuan ne 30 Qershor regjimin kriminal dhe te korruptuar te Edi Rames”, shkruhet në njoftimin e PD-së.

Dy ditët e fundit, Lulzim Basha ka zhvilluar takime informale me militantët e PD-së në Kavajë, Elbasan, Kamëz dhe Vorë, qytetet më të afërta me Tiranën, të cilat mesaduket Basha shpreson që të sjellin sa më shumë njerëz në protestën e 8 korrikut. Ndërkohë, Tiranën ia ka lënë në dorë LSI, pasi ka qenë kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi, që dy ditët e fundjavës, ka zhvilluar takime me militantët dhe ka kërkuar angazhim maksimal për të pasur sa më shumë njerëz në protestë.

Pas Kamzës dhe Vorës, Lulzim Basha ka shkuar në Durrës, ku sipas PD-së, është shprehur se nesër shqiptarët duhet të jenë bashkë për të treguar  se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Ndërkohë, po sipas këtij njoftimi të ardhur nga zyra e shtypit të PD, Basha mësohet të ketë thënë se 30 qershori ishte dita që shënoi fillimin e fundit real të Edi Ramës.

Protesta e opozitës, Rama: Dhuna sjell humbje, këtë e dini dhe vetë

Me një shprehje të Martin Luther King, kryeministri Rama ka zgjedhur të përcjell mesazhin  tij për protestën e opozitës që pritet të zhvillohet më 8 korrik në orën 20:00. Rama përmes mesazhit të tij ka bërë thirrje për një protestë paqësore, duke i kujtuar Bashës dhe Kryemadhit se dhuna nuk të çon në fitore dhe as revolucione. Me fjalët e Martin Luthet King, Rama thotë se protesta e dhunshme është reaksionare dhe do të sjell vetëm humbje jo vetëm për partitë politike, por edhe për vetë qytetarët e vendit.

“Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen. Martin Luther King” shkruan Rama.

Më herët edhe Lulzim Basha dhe Monika kryemadhi kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 10 kombëtare të opozitës, ndërsa kanë cilësuar se ajo do të jetë paqësore.

Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë…

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 7. Juli 2019

Kryemadhi ul pak kryet: Rama në tryezë po si kryetar i PS

Monika Kryemadhi bën një ndryshim në artikulimin e saj publik lidhur me dialogun me Kryeministrin Edi Rama, për ti dhënë fund krizës. E ftuar në një studio televizive, kryetarja e LSI, u shpreh se opozita është e gatshme të shkojë në tryezën e dialogut me Edi Ramën, por vetëm në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, jo si Kryeministër. “Dhe e treta, ajo që është shumë e rëndësishme, ne e themi, sepse vërtetë themi dialog; Edi Rama nuk duhet të ulet në tavolinë si Kryeministër, sepse është Kryeministër ilegjitim. Edi Rama duhet të ulet në tavolinë si kryetar i Partisë Socialiste, pastaj hajde flasim”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu, ajo u shpreh edhe për dy kushtet e tjera që e rikthejnë opozitën te dialogu. Hetimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër, si dhe krijimi i standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, janë kushtet e tjera, që sipas Monika Kryemadhit, krijojnë mundësi dialogu. “E para, ne e kemi thënë shumë qartë, hetim i dosjes ‘184’ dhe ‘339’ dhe dalja para drejtësisë e të gjithë shkaktarëve të deformimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të 2017. E dyta, krijimi i standardeve të zgjedhjeve sepse pa standarde çfarë do bësh?! Do bësh zgjedhje të krimit të organizuar”.

Kjo është hera e parë, që një drejtues i opzitës, deklaron se është gati të dialogojë me Edi Ramën, pavarësisht se kushti moderohet, nga ‘s`ka dialog me Edi Ramën’ në ‘dialog me Edi Ramën, si kryetar i PS”. Nuk dihet nëse kjo zbutje e Kryemadhi ka të bëj me presionin ndërkombëtar apo shkarkimin e Ilir Metës si president, por në fakt, është sinjali i parë që të krijon përshtypjen se opozita është në kërkim të një rruge dialogu, duke u tërhequr dhe nga “Rama Ik”.

Opozita ka lajmëruar  mbajtjen e një proteste të hënën më 8 korrik, ku në fakt, LSI duket se po merr rol kryesor në organizimin e saj. Ky përfytyrim është krijuar nga fakti se vetë Monika Kryemadhi ka qenë shumë aktive ditët e fundit duke thirrur qytetarët në protestë, aq sa sipas saj, vetëm gjatë ditës së shtunë kishte zhvilluar mbi 200 telefonata me strukturat për të ftuar qytetarët në protestë.

Skip to toolbar