Edhe Lezha në gjendje të jashtëzakonshme, Rama: Bëni durim

Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e të premtes në Lezhë, ku pa nga afër gjendjen e krijuar pas tërmetit. Rama dha lajmin se të shtunën do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme edhe në Lezhë.

“Nesër edhe Lezhën do ta përfshijmë në perimetrin e statusit të veçantë të Gjendjes së Jashtëzakonshme nga Emergjencat Natyrore. Përsëris lutjen për durim. Kjo që na ka rënë në kurriz nuk është as shaka, as film, as sfidë e zakonshme e këtij shteti me trup ende të paformuar sa duhet”.

“Kjo është sprovë që tundi tokën shqiptare dhe na këputi në shpirt e në trup. Prandaj gishtin kokës të gjithë së bashku dhe o i`a dalim bashkë o hajër nuk bëjmë më kurrë”, tha Rama. Ndërkohë, gjatë takimit me banorët, Kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre të bënin durim për vlerësimin e situatës.

Banorët shprehën shqetësimin se banesat e tyre kishin pësuar dëme dhe plasaritje, duke krijuar frikë për jetesën në to. Kryeministri Rama u shpreh se banesat do të vlerësohen nga ana e strukturës, duke u kërkuar banorëve të qetësoheshin.

Përlotja e Ramës në “Real Story”, CNN: Nusja e djalit të tij vdiq nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama la në mes intervistën me gazetarin Sokol Balla në “Real Story” mbrëmjen e të mërkurës në Durrës. Gazetari Balla e pyeti Kryeministrin në lidhje me përjetimin personal dhe familjar të tërmetit, duke iu referuar një statusi të ndjerë të djalit të Kryeministrit, Greg Rama, që shkruajti për Kristi Reçin, që humbi jetën mes shumë viktimave.

Kësaj pyetje Edi Rama nuk mundi t`i përgjigjet për shkak të gjendjes së rënduar emocionale. Megjithatë, rrjeti i njohur televiziv, CNN, raporton për këtë ngjarje në një artikull se: “Nusja e ardhshme e kryeministrit shqiptar Edi Rama ishte mes dhjetëra viktimave të tërmetit që goditi vendin të martën”, konfirmoi zyra e Ramës, shkruan CNN.

Ndërkohë kjo media citon dhe dedikimin e ndjerë të Greg Ramës për vajzën, që sipas CNN, ishte e fejuara e tij. “Mes shumë viktimave të kësaj tragjedie është edhe personi më i afër për mua, së bashku me vëllain, nënë dhe babain e saj”, citohet shkrimi i djalit të Kryeministrit. Twrmeti i sw martws shkaktoi tw paktwn 47 viktimatw konfirmuara, ndwrsa trupa tw tjerw njerwzisht ndodhen nwn rrwnoja.

“Tundojmë perëndinë”, Rama: Kush mbeti pa çati, nuk do lihet pas dore

Kryeministri Edi Rama, zëvendësi i tij Erion Braçe dhe Imami Elvis Naçi vizituan një nga zonat më të prekura nga tërmeti i së martës, Thumanën. Ata ndoqën nga afër punën e kërkim-shpëtimit të personave të mbetur në rrënoja. Gjatë një prononcimi për mediat, Kryeministri Rama u shpreh se do punohet pa pushim për të gjetur zgjidhje për banorët, të cilët kanë humbur banesat nga tërmeti.

“Dje ka qenë dita e shokut, por edhe që duhet të nxirreshin nga thellësia e gërmadhave. Është bërë një punë kolosale e skuadrave tona. Në këtë jemi bashkë të gjithë. Do të krijojmë Komunitetin Kombëtar të Ndërtimit. Po fillon transportimi i disa familjeve nga fusha e Durrësit drejt hoteleve, sepse është bërë marrëveshja. Po bëhen një listë tjetër që çfarë ka ndodhur në zonën e Laçit, ku disa familje janë të rrezikuara nga lëkundjet e fundit. Po filloj shiu do të kemi një problem më shumë, një shqetësim më shumë. Po shfrytëzojmë çdo minutë që kemi. Shkop magjik nuk kemi, duhet të ndajmë të njomin nga i thati. Kush ka mbetur pa çati, si rezultat i kësaj pabesie të natyrës nuk do mbetet pas dorës”, tha Rama.

 Më tej ai garantoi qytetarët të cilët janë solidarizuar se të gjitha ndihmat e tyre do të shkojnë për personat e prekur nga tërmeti. Ndërsa nuk munguan as mesazhet për klasën politike. “Çdo një që vendosi gjithsecili do të shkojë tek ata që janë në nevojë, Të gjitha paratë, edhe ato të buxheti do të jenë bashkë dhe të gjithë do të marrin përgjegjësit e menaxhimit. Njerëzit të mos e diskutojnë faktin se po e çoj lekun, por s’di se ku do shkojë. Po vijnë ndihmat nga katër anët. Ne do të japim një shembull e të mësojmë prej njëri-tjetri. Me thënë të drejtën, e thashë edhe më parë: E tundojmë perëndinë duke bërë gama gam, duke prodhuar energji negative kush më shumë e kush më pak. Më urtë më butë, më qetë. Ka një kohë për të luftuar, ka një kohë për të heshtur. Ka një kohë për të fjetur dhe ka një kohë për t’u zgjuar”-tha ai.

Nga ana tjetër, Elvis Naçi,i cili ka marrë përsipër ndërtimin e pallateve të prishuara në Thumanë tha se nuk është koha për kritika dhe sulme politike, por për punë e silidaritet. “Populli shqiptar ka kaluar në traumë. Të jemi më afër se kurrë me afër me njëri tjetrin. Të jemi afër dhe të shtrijmë dorën e solidaritetit. Pastaj kemi kohë edhe ta shajmë dhe ta kritikojmë njëri tjetrin. Ne e kemi gjithmonë program të dhurojmë shtëpia. Jemi një situatë se sa më afër të jemi, aq me shpejt do ta kalojmë  këtë sprovë. Kjo ishte sprovë shumë e madhe”-tha Naçi.

Gjendja e jashtëzakonshme, Rama: Vendosim nesër. Po na ndihmojnë ata që sulmojmë

Kryeministri Edi Rama ishte në Spitalin e Traumës mbrëmjen e të martës, aty ku janë shtruar qindar persona që lënduar nga tërmeti. Gjatë një fjale për mediat, Rama i është përgjigjur kërkesës së opozitës për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rama tha se për këtë gjë do të vendoset ditën e mërkurë, që është shpallur dhe ditë zie kombëtare.

“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë, nuk ka kuptim sot, çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë sesa ka sjellë. Natyrisht nesër është dita për të menduar të gjitha edhe këtë që po thoni ju, nejse, ju jeni të pafajshëm, të fajshëm janë ata që vijojnë të cysin edhe sot. Ne do i vlerësojmë të gjithë, por një gjë është e sigurt, këta njerëz do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga strehimi. Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për aspektet formale, kemi dhënë dhe po japim gjithçka. Ditën dhe natën nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida, por më lejoni të jem mirënjohës”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se nata që kaloi ishte më e keqe sa s`mbahet mend. Megjithatë, Kryeministri shprehu falenderimin për vendet që u solidarizuan për të përballuar këtë situatë të vështirë që po kalon vendi.

“Ka kaluar nata me e keqe që s’mbahet mend për të gjithë kombin shqiptar. Fatkeqësisht kanë humbur jetë njerëzish, por kjo ditë ka pasur lehtësimin shpirtëror nga jo pak jetë të shpëtuara dhe kjo ditë ka qenë, dita e gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e policisë së shteti, urgjencës, zjarrfikëseve apo edhe uniformave nga trupat e ardhura nga Kosova kanë ndihmuar. Kanë qenë të gjithë elementë të kësaj dite. Bluzat e bardha vazhdojnë të jenë në krye të detyrë për të shpëtuar jetë njerëzish për të lehtësuar traumën. Bilanci i humbjeve  nuk ka përfunduar. Kjo ka qenë një ditë sa e rëndë aq e mbushur me emocione për shkak të solidaritet të të gjithë shqiptarëve dhe të miqve  të këtij vendi që janë ngritur në këmbë, që nga Italia, Greqia , Franca, Turqia, Gjermani, Kroacia”, tha Rama.

Rama “thumboi” dhe Ilir Metën, i cili javët e fundit i ka vënë në fokusin e sulmeve të tij ambasadat e huaja në Shqipëri. Rama u shpreh se pikërisht këto ambasada që janë vënë në shënjestër, treguan gatishmërinë e tyre për të përballuar këtë situatë.

“Ambasadat, që në ditët e fundit i kemi në një shënjestër që na turpëruar të gjithëve, sot që në mëngjes herët në emër të SHBA dhe BE-së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them tani, qeveria ka bërë maksimumin, menjëherë në terren të gjithë ministrat. Është surreale që të flasësh më presidentin e Francës përballë një gërmadhe në Durrës, apo të Greqisë kur je përballë një tjetre, apo Italisë. E them për të treguar gatishmërinë. Po punojmë për atë që vjen nesër, do të jetë ditë zie kombëtare. Do të fillojmë për të realizuar të gjithë procesin e kalimit të njerëzve pa çati dhe që refuzojnë të futen në palestër. Sot kam punuar në këtë drejtim me kolegët për të ndërtuar një marrëveshje me operatorët turistikë për hotelet në bregdet. Duhet të rindërtojmë gjithcka të kthejmë njerëzit në shtëpi të reja të forta dhe koha nuk pret” tha Rama.

Strehimi i familjeve pa shtëpi, Rama: Do bëjmë marrëveshje me hotelet

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e të martës se qeveria do të bëjë marrëveshje me strukturat hoteliere, për të strehuar familjet e mbetura pa shtëpi për shkak të tërmetit. Rama thotë se marrëveshja do të bëhet me hotele në zonën e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës, me qëllim strehimin e këtyre familjeve.

“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”, shkruan Rama.

Kryeministri zhvilloi pasdite një takim në Golem me anëtar të qeverisë dhe përfaqësues të pushtetit lokal për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga tërmeti i rëndë që preku vendin këtë të martë. Kujtojmë se data 27 nëntor është shpallur ditë zie kombëtare.

Mbi një minidebat në Real Story: e vërteta e sjelljes së Ramës me Nishanin

Minutat e fundit të Real Story-t të së enjtes, u karakterizuan nga një përfolje e faktit se si ishte sjellë kryeministri Rama me ish-presidentin Nishani, duke u fokusuar te akti i zëvëndësimit të portretit të tij në administratën shtetërore, me atë Ismal Qemalit, njeriut të pavarësisë e njëherësh themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Dhe gati pati një dakortësi mes të gjithë aktorëve në tryezë, përfshirë dhe moderatorin Balla, se ai paskësh qenë një gjest arrogant i Ramës. E kjo, ndaj Nishanit.

Në ca pak minuta sa u trajtua ai zhvillim i 6 viteve më parë, u konsiderua si një gjest anti-president i kryeministrit të saponisur në rrugën e qeverisjes. Por nuk ka qenë krejt kështu. Eshtë thjesht një këndvështrim i gabuar.

Vendimmarrja e Ramës për të ndërhyrë në protokollin e shtetit me zëvëndësimin e portretit, nuk u shoqëruar aspak me ndonjë anti-Nishanizëm në gjuhë; pra, në asnjë rast Rama nuk tha se Nishani (pra, përmendje me emër), nuk e meriton të jetë aty. Rama potencoi idenë, bërë fët e fët reale, se ai vend i përket Ismail Qemalit. Sipas arsyetimit të tij, kjo jo vetëm do i jepte dinjitetin e merituar asaj figure me peshë të madhe historike në themelimin e shtetit, por do evitonte dhe praktikën e zëvëndësimit të qindra portreteve në zyrat e shtetit – vë e hiq – sa herë ikte një president e vinte një tjetër.

Ndërkohë, as para e as mbas, në asnjë rast Rama nuk është marrë më goditje deklarative ndaj Nishanit, edhe pse ky i fundit nisi haptazi të kishte krahmbajtje politike nga partia e tij, për aq sa mundej brenda kompetencave si kreu i shtetit. Madje bëri bujë një thirrje drejtuar institucioneve të shtetit, që sipas tij duhet të përballonin atë çfarë i priste me qeverinë e re, një veprim pa precedentë të mëparshëm dhe pa asnjë arsyetim institucional, përveçse qartazi politik.

E nga ana tjetër, duhet kujtuar një sjellje e Ramës ende pa ardhur në pushtet karshi Nishanit. Në ceremoninë e betimit të këtij të fundit si president, i cili u zgjodh nga PD në injorim të plotë të opozitës, e madje në një kohë tensioni të madh politik, siç ishte 2012-ta, Rama shkoi në ceremoni duke respektuar solemnitetin e një zhvillimi me vokacion shtetëror, pse jo dhe politik, gjë që vështirë se do ndodhte nga kahja e kundërt. Ashtu siç nuk ka patur gjasë të ndodhte në të kundërt ajo rrahje shpatullash që Rama i bëri Berishës nën zjarrin e Gërdecit. Duke qëndruar te Nishani, presidenca e tij, që me ardhjen në pushtet të PS-së qartazi u opozitizua, Rama është mjaftuar të thotë se paçka qëndrimeve aspak jopresidenciale të Nishanit, ai nuk po quhej “horr bulevardi” siç paraardhësi.

P.S. Rama ka plot paudhësi për t’u vënë me shpatulla për muri, për t’ja vënë në ballë tytën e ekzekutimit mediatik mbi llojin e qeverisjes, ku mjafton ekonomia në zgrip e një administratë plot grykësa e tutkunë. Ose do mjaftonte Meta, njolla më e madhe e vendimmarrjeve të tij politike. Për ca të tjetra, përfshirë dhe sjelljen me Nishanin, jepi hakun. /tesheshi.com/

Kush mund ta qeverisë më mirë Shqipërinë, Rama apo Basha?

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhet e mia periodike, përveç pyetjes se për cilën parti duan të votojnë të anketuarit,  kam përfshirë edhe një pyetje interesante: “A mendoni se, përgjithësisht, punët në Shqipëri mund të shkojnë më mirë duke pasur Ramën kryeministër apo Bashën? Si opsione të ndërmjetme për këtë pyetje, kam përfshirë edhe përgjigjet “Ndoshta Ramën” ose “Ndoshta Bashën”.

Nga shkurti deri në nëntor (shihni grafikun shoqërues), anketuesit e vendosur për të votuar një parti apo një tjetër, si dhe votuesit e lëkundur, kanë qënë të ndarë si me thikë rreth kësaj pyetje: Rreth 60% (+/-1%) janë të mendimit se punët mund të shkojnë më mirë në Shqipëri me Ramën kryeministër ose ndoshta me Ramën (pjesa tjetër anojnë nga Basha).

Duke ditur se PS-ja dhe disa deputetë që iu atashuan paraprakisht asaj në zgjedhjet e 2017-ës, morën vetëm 50% të votave, duket si paradoksale që votuesit e mundshëm aktualë (votues të vendosur e të lëkundur) kanë një raport 60% me 40% në opinionin rreth liderit të mazhorancës dhe opozitës.

Por një zhytje më thellë në sondazhe na tregon se kuotat personale të Bashës kanë qenë vazhdimisht poshtë kuotave të koalicionit të tij (qysh nga viti 2015), ndërkohë që kuotat personale të Ramës kanë qenë vazhdimisht më lart kuotave të koalicionit të tij (qysh nga viti 2000).

Fjala vjen, një tifoz i Tiranës, e përkrah atë pa lëkundje kur luan kundër Partizanit. Por gjithsesi, mund të jetë i ndërgjegjshëm se Partizani ka qenë superior ndaj Tiranës në 6 vitet e fundit. Një votues i djathtë (i vendosur apo i lëkundur) mund të dojë që Basha të jetë kryeministri i Shqipërisë. Por gjithsesi, mund të jetë i ndërgjegjshëm se Basha s’ka aktualisht këllqe për të qeverisur.

Pas disa vitesh, ndoshta edhe mund të ketë…

Video/ “Të jepni jetën këtu”, Rama fjalim lojtarëve. Batuta me Dukën e Berishën

Kryeministri Edi Rama vizitoi pasditen e të shtunës kombëtaren në ambientet e stadiumit “Air Albania”, ku të dielën do të luhet ndeshja zyrtare me Francën. Rama bëri batuta me lojtarët, presidentin e Federatës Armand Duka dhe trajnerin Edy Reja dhe . Rama u mbajti fjalim lojtarëve si fillim, duke u kërkuar që të japin jetën në stadium, sidomos në minutat shtesë.

Nuk munguan as batutat për tapetin e blertë të “Air Albania Stadium”, ku Kryeministri u shpreh se “ky është më i mirë se i Elbasanit, se e kam bërë unë, kurse atë e bëri Duka”. Ndërsa, gjatë diskutimit me kryeministrin, trajneri Edoardo Reja e quajti një vepër arti stadiumin e ri. “Unë e pashë dhe ju garantoj se është një emocion i bukur kur hyn këtu. Një vepër arti, sipas meje.”  

Pjesë nga dialogu në stadium mes kryeministrit, lojtarëve dhe kreut të FSHF:

Rama: Kjo fushë duhet të bëhet vatër zjarri…

Duka: Kjo fushë është për këto që janë të rinj…

Rama: Këtu në këtë fushë nuk ka rëndësi rezultati, le të fitojë kush të dojë, këtu duhet të jepni jetën!

Duka: Dhe në fakt duhet të fitojmë…

Rama: Ore, këtu duhet të mësohen njerëzit që të shohin se jepnin jetën…pastaj kush fiton, fiton! Këtu duhet të jeni zjarr 90-të minuta, e sidomos ato minutat shtesë, se aty është tmerri. Kur vjen ajo shtesa fillon makthi, do bëhet goli, i të tjerëve kuptohet!

Bekim Balaj: Është diçka e re për ne, na duket sikur jemi jashtë shtetit.

Rama: Po si jashtë shtetit tani…

Duka: Do fitojmë, por duhet të bëjmë maksimumin. Me Andorrën nuk bëmë maksimumin.

Rama: Ata (për Francën) janë të gjithë, do luajnë të gjithë. Është dhe Mbappe, ka ardhur, ka filluar të bëjë gola përsëri…

Duka: Po si ju duket fusha, është më e mirë se Elbasanit?

Lojtarët: Duket mirë, më e mirë se e Elbasanit…

Rama, (Dukës): Po kjo është më e mirë se këtë fushë e kam bërë unë, atë të Elbasanit e ke bërë ti…

Duka, Berishës: Ta bën golin (Rama) ty?

Berisha: Ma ka bërë më herët….

Në fund Rama i bën gol Strakoshës

ERTV Live😊: AIR ALBANIA STADIUM – Me të zotët e Shtëpisë së Re të kuqezinjve, të cilën gazeta e njohur italiane TuttoSPORT e quajti Wembley i Ballkanit😍🇦🇱👐🏿⚽⭐

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 16. November 2019

“Fauda” prezantohet në 25 nëntor. Do luftojë “KÇK” dhe krimin e organizuar

Kryeministri vendosi  të mos i kushtonte shumë vëmendje atyre që i quajti “marrëzi të Ilir Metës”. Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit për miratimin e projekt-rezolutës për Gjykatën Kushtetuese, Rama foli për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar. E njohur ndryshe si “Fauda shqiptare”, që Realstory.al e lajmëroi pak ditë më parë, Rama tha se platforma e këtij ligji do të bëhet publik në datën 25 nëntor.

“Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja është me ata të “Kap Çfarë të Kapësh”. Duhet vepruar një orë e më parë kundër KÇK, duke nxjerrë në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot më shumë se asnjëherë rrjedhjen e lirë të ujërave drejt sistemit të drejtësisë. Ky është një tjetër motiv për ne, të shpejtojmë dhe përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK-së mos e lëmë thjesht dhe vetëm në radhën e  pritjes së vettingut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar”, tha Rama.

Në shënjestrën e “Fauda” do të jenë ata që nuk janë dënuar për krime të rënda që kanë kryer, si dhe prokurorët apo gjyqtarët që i kanë shpëtuar kriminelët, të cilëve do t`ju sekuestrohet pasuria. “Ata që kanë marrë dënim për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë se sa një vrasje, ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve e gjykatëseve që e kthyen drejtësinë në një pazar, duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë. Nuk mundet më që ata nga njëra anë, dhe këta të tjerët nga ana tjetër, KÇK t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim që do duhet dhe do të nisë një orë e më parë”, tha Kryeministri.

Kryeministri shtoi se ky ligj është duke u diskutuar me partnerët ndërkombëtar, ndihma e të cilëve nuk do të jetë vetëm në aspektin juridik, por i gjithanshëm theksoi Rama. “Kam qenë këtu kur fola për rastin skandaloz të Durrësit dhe u zotova se do t’i sjell kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për tu miratuar dhe për tu kthyer në platformë lufte ndaj krimit dhe KÇK-së. më 25 nëntor unë do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë. Do të jetë sfida e vërtetë e këtij kuvendi, që do ndajë ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë ose jo. Për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK, jemi duke diskutuar me ndërkombëtarët. Do të jetë luftë që nuk është parë ndonjëherë. Është një luftë që do të kemi nevojë për ndërkombëtarët. Jo vetëm mbështetje juridike, por në të gjitha anët”, tha Rama.

Aplikim online dhe shërbim në zyrë. I vjen fundi “makthit” të sporteleve

Kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga viti i ardhshëm, qytetarëve shqiptarë do t`u lehtësohet marrja e shërbimeve. Nga takimi i përjavshëm për bashkëqeverisjen, Rama njoftoi se vitin e ardhshëm të gjitha kërkesat e qytetarëve do të bëhen online, duke shmangur pritjen nëpër sportele. Konkretisht, sipas kryeministrit, kur një qytetari i duhen disa dokumente që merren në sportele të ndryshme për një shërbim të caktuar, ato do të sigurohen nga stafi i institucionit.

“Duke qenë se e nisëm 6 vjet më parë me vetëm tre shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime që ofrohen online nëpërmjet portali e-Albania. Ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë duke filluar nga viti i ardhshëm për një periudhë relativisht të shkurtër në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%. Do të jetë një përmbysje madhe sepse shumë shërbime nuk do të jepen më duke e kërkuar qytetarin që të vij te sporteli, por duke i dhënë mundësinë qytetarit të aplikojë online nga telefoni, nga kompjuteri”.

“Jo vetëm kaq por do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumente shtetërore, që do të thotë që, nëse ti bën një kërkesë dhe për këtë duhen 20 dokumente, nga këto 20 dokumente, një, dy, tre dokumente janë privat, pra, është një vërtetim bankar, një vërtetim nga vendi i punës në privat, apo një vërtetim nga ndonjë institucion për arsye kur ke qenë në emigracion, do t’i gjesh vetë. Dokumentet që janë shtetërore do t’i kërkojnë dhe do t’i gjejnë për qytetarin ata që rrinë atje te sporteli dhe janë mësuar vetëm t’i thonë qytetarit edhe këtë. Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm ne do të mbyllim të gjitha sportelet për aplikimet”, tha Rama.

Skip to toolbar