“Fauda” prezantohet në 25 nëntor. Do luftojë “KÇK” dhe krimin e organizuar

#NËRADAR


Kryeministri vendosi  të mos i kushtonte shumë vëmendje atyre që i quajti “marrëzi të Ilir Metës”. Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit për miratimin e projekt-rezolutës për Gjykatën Kushtetuese, Rama foli për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar. E njohur ndryshe si “Fauda shqiptare”, që Realstory.al e lajmëroi pak ditë më parë, Rama tha se platforma e këtij ligji do të bëhet publik në datën 25 nëntor.

“Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja është me ata të “Kap Çfarë të Kapësh”. Duhet vepruar një orë e më parë kundër KÇK, duke nxjerrë në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot më shumë se asnjëherë rrjedhjen e lirë të ujërave drejt sistemit të drejtësisë. Ky është një tjetër motiv për ne, të shpejtojmë dhe përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK-së mos e lëmë thjesht dhe vetëm në radhën e  pritjes së vettingut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar”, tha Rama.


Në shënjestrën e “Fauda” do të jenë ata që nuk janë dënuar për krime të rënda që kanë kryer, si dhe prokurorët apo gjyqtarët që i kanë shpëtuar kriminelët, të cilëve do t`ju sekuestrohet pasuria. “Ata që kanë marrë dënim për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë se sa një vrasje, ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve e gjykatëseve që e kthyen drejtësinë në një pazar, duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë. Nuk mundet më që ata nga njëra anë, dhe këta të tjerët nga ana tjetër, KÇK t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim që do duhet dhe do të nisë një orë e më parë”, tha Kryeministri.

Kryeministri shtoi se ky ligj është duke u diskutuar me partnerët ndërkombëtar, ndihma e të cilëve nuk do të jetë vetëm në aspektin juridik, por i gjithanshëm theksoi Rama. “Kam qenë këtu kur fola për rastin skandaloz të Durrësit dhe u zotova se do t’i sjell kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për tu miratuar dhe për tu kthyer në platformë lufte ndaj krimit dhe KÇK-së. më 25 nëntor unë do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë. Do të jetë sfida e vërtetë e këtij kuvendi, që do ndajë ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë ose jo. Për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK, jemi duke diskutuar me ndërkombëtarët. Do të jetë luftë që nuk është parë ndonjëherë. Është një luftë që do të kemi nevojë për ndërkombëtarët. Jo vetëm mbështetje juridike, por në të gjitha anët”, tha Rama.




Skip to toolbar