Trajneri i kombëtares, Edy Reja foli pasditen e të shtunës në konferencë
për mediat, një ditë para përballjes së fundit në grup ndaj Francës. Reja u
shpreh se takimi i së dielës është deçiziv, por sipas tij i di pikat e dobëta të
Francës. Këshillën e ka me mbrojtjen, repartin që u “përgjumë” të enjten në “Elbasan
Arena” kundër Andorrës.
“Nuk mendoj se situatat taktike janë deçizive. Deçiziv janë
protagonistët dhe ajo që ata japin në fushë. Përsa i përket Roshit, ai luan
gjithmonë në krah në majtë apo të djathtë. Për të nuk është gjë jo e natyrshme.
Ne kemi shanset tona ndaj Francës dhe çdo lloj kundërshtari. Dimë se ku Franca
do na vendosë në vështirësi, por dimë dhe ku ne ta vëmë në vështirësi Francën.
Duhet të luajmë mirë në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen
përballë tyre”, tha trajneri.
Në takimin e së dielës, kuqezinjtë zbresin në fushë me disa mungesa të
rëndësishme. Por trajneri Edy Reja beson se ka lojtarët e duhur për t`i zëvendësuar.
Sipas tij, i gjithë grupi ka kualitet, ndërsa tregon se Franca nuk është ekip i
pathyeshëm, duke pohuar se ka përgatitur dhe planin e tij për të mundur “gjelat”.
“Kemi katër lojtarë që mungojnë. Cikalleshi, Abrashi dhe Xhaka për
problemet muskulore. Por ky kontingjent lojtarësh na mundëson të kemi
alternativa shumë të vlefshme për të zëvendësuar lojtarët që janë dëmtuar. Ata
që do zbresin në fushë do jenë gati të përballojnë ndeshjen. Franca është ekip
i fortë dhe kampion bote, por jo i pathyeshëm. Kemi planin dhe strategjinë
tonë, që besoj ta shohë nesër të aplikuar në fushë”.
Trajneri Reja tregoi gjatë konferencës se ishte i keqardhur, që nuk
pati mundësi të merrte drejtimin e Shqipërisë më parë. Sipas tij, nëse do të
kishte ardhur më herët në kombëtare, do të kishte bërë gjëra më të mira, duke lënë
të kuptohet se do të tenonte edhe kualifikimin në Europian.
“Unë kam punuar me klubet, është një punë tjetër, duhet të kesh dhe një
raport tjetër me mediat. Është diçka stresuese. Fola me Deshampin në ndeshjen e
parë me Francën, dhe më tha që është i kënaqur me punën e tij dhe më tha që nuk
ka të njëjtin stres, si me Juventusin, që kërkohen rezultatet çdo javë. Më vjen
keq që nuk erdha më herët që të kisha mundësi të njihja më shumë ekipin dhe të
stërviteshim më mirë. Mund të merrnim rezultate më të mira me më shumë kohë,
por për të ardhmen premtoj se do të ketë rezultate më të mira”, shtoi trajneri.