Aksident i rëndë në Elbasan, 4 të plagosur

Dy makina një tip ‘Benz GL’ dhe një tip ‘Ford’ janë përfshirë në aksident në qytetin e Elbasanit. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 4 persona, të cilët janë dërguar në spitalin e qytetit.

Drejtuesi i mjetit tip ‘Benz GL’ dhe 3 personat e ndodhur në mjetin tip ‘Ford’, kanë mbetur të plagosur.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Kapriçot e motit, stuhi në Elbasan, zjarr në Tropojë

Elbasani është goditur nga stuhi të forta ere dhe reshje shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash në qytet, duke sinjalizuar kështu e vera mbaroi dhe vjeshta erdhi zyrtarisht.

Disa prej rrugëve të qytetit janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa raportohet se ka pasur edhe rrëshqitje dherash në disa pjesë duke bllokuar rrugët.  Erërat e forta kanë shkaktuar shkuljen e disa pemëve, ndërsa disa dyqane dhe bodrume janë përmbytur.

Vransirat kanë qenë prezente edhe në jug të vendit, ku papasur edhe erëra e stuhi afat-shkurtër, sidomos në zonat bregdetare.

Shira të dendur, vjeshta vjen me stuhi në Elbasan on Vidnews.

Por krejt e kundër paraqitet situata në veri të Shqipërisë. Në qarkun Tropojës një zjarr masiv ka përfshirë pyjet mes Qafë Prushit dhe Qafë Morinës. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në pjesët që mundeshin, ndërsa gjendja paraqitet tepër kritike në Qafë Morinë, pasi ajo është një zonë e minuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreziku për shpërthimin e ndonjë mine në zonë, ka bërë që autoritetet të mos e marrin përsipër ndërhyrjen për shkak se mund të rrezikojë jetën punonjësve dhe banorëve. Në këtë rast po shikohet mundësia e ndërhyrjes nga ajri.

Trajleri godet këmbësorin, i plagosuri në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e të hënës në qytetin e Elbasanit. Një kampion tip trajler me drejtues shtetasin me inicialet I.T., 66-vjeç, ka përplasur një këmbësor rreth 40v-ejç.

Si pasojë e përplasjes, mësohet se këmbësori ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, por ende nuk dihet gjendaj e tij shëndetësore.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Shënkoll” në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që pas aksidentit në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Uniformat Blu të Elbasanit kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit, për veprimet e mëtejshme hetimore. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Makina përplas motorin, plagosen dy turistë izraelit në Elbasan

Dy turistë izraelitë janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti në unazën e  Elbasanit. Çifti izraelit po udhëtonte me një motor tip Honda me targa rumune, ku është përplasur me një makinë.

Nga përplasja e motorit me fuoristradën gruaja ka përfunduar e shtrirë në rrugë disa metra më larg, ndërsa bashkëshorti i saj është tërhequr nga makina duke e zënë poshtë.

Ai ka mbetur i bllokuar për disa momente poshtë mjetit dhe është nxjerrë më pas me ndërhyrjen e disa personave të pranishëm në vendin e aksidentit.  

Dy turistët izraelit u dërguan fillimisht në spitalin e Elbasanit për të marrë mjekimin e duhur, por si pasojë e gjendjes kritike, ato u dërguan me urgjencë drejt Tiranës.

Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, por policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të tij.

Elbasani me spital të ri, Manastirliu: Dikur s`kishte eko, sot do kryhet rezonanca

Prej kësaj të mërkure, banorët e Qarkut të Elbasanit, do të marrin shërbim në Spitalin e ri të Urgjencës dhe Patologjisë. Ky investim, si pjesë e programit qeveritar për 30 qendra shëndetësore, godina tre katëshe pjesë e kompleksit spitalor të Elbasanit, është shndërruar në një spital modern, me kapacitet prej 75 shtretër dhe pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore. Në këtë spital, veç të tjerash do të ofrohet shërbim për urgjencën, kardiologjinë dhe neurologjinë. Ndërkohë, në inaugurimin e tij, ka qenë i pranishëm Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Rikonstruksioni i Urgjencës dhe Patologjisë së Elbasanit, është një investim prej 1.7 milion eurosh.

“Kjo godinë ka qenë e degraduar, simbol i degradimit të sistemit. Investimi për këtë spital, infrastruktura, pajisjet biomjeksore dhe hoteleria ka shkuar në vlerën e 1,7 milionë euro. Është realizuar në kohë  rekord, falë gjithë punës që ka bërë ekipi rajonal i Elbasanit.  Në kushtet që ka arritur spitali, edhe falë investimit në këtë infrastrukturë, sepse dihet që Urgjenca është porta  e parë e shërbimit për qytetarët, tashmë është plotësuar i gjithë standardi i akreditimit, kështu që spitali akreditohet. Urime ekipit të spitalit,” – u shpreh Manastirliu.

Me investimin e ri ndryshon Shërbimi i Urgjencës dhe Patologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kjo falë edhe një konceptimi të ri dhe lehtësues të infrastrukturës së brendshme spitalore. Ministrja Manastirliu shpjegoi se: “Veçantia e këtij spitali është që lidhet direkt me imazherinë. Imazheria ishte një strukturë e ndërtuar më parë, por fakti është që ata që vinin për shërbimet e urgjencës duhet të kalonin rrugë për të ardhur për të bërë një eko, për të bërë një skaner, për të bërë rezonancën e cila është instaluar vjet dhe tashmë është pjesë e interferuar e spitalit me 25 shtretër. Është organizuar që të ketë të gjitha shërbimet e integruara. Është i lidhur me spitalin kirurgjikal nëpërmjet një ure lidhëse. Kanë filluar shtrimet  e para në kardiologji. Pra, spitali është funksional nga sot”.

Përfitojnë 450 mijë banorë, Rama tregon fotot e Urgjencës: Duhet të jesh qorr ta mohosh

Kryeministri Edi Rama  ka publikuar pasditen e të premtes disa foto nga godina e re e Urgjencës të Qendrës Spitalore “Xahfer Kongoli” në Elbasan. Nga një godinë e rrënuar, e kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, Urgjenca e re e Elbasanit shndërrohet në një qendër moderne të shërbimit spitalor për të gjithë banorët e  këtij qarku, që ka një popullsi rreth 450 mijë banorë.

Në komentin, bashkëngjitur fotove të publikuar në Facebook, kreu i qeverisë i është përgjigjur edhe opozitës, që shpesh e ka kritikuar për sistemin shëndetësor. “Javën e ardhshme çel dyert Spitali i Ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, të cilin e gjetëm siç mund ta shihni në këtë album dhe me këtë rast, u them të tërë atyre që e kanë fjalën e keqe në majë gjuhës: E vërtetë, shëndetësia ka ende shumë probleme, mangësi e nevoja, POR AMA, kur sheh nga u nisëm, duhet të jesh komplet i qorruar për të mohuar transformimin real të këtyre viteve”, përfundon Rama.

Godina e re e Urgjencës dhe Patologjisë ne Elbasan, jo vetëm është rikonstruktuar nga ana strukturale e saj, por ajo është pajisur dhe me laboratore dhe pajisje të reja, të cilat do të jenë në ndihmë të mjekëve dhe infermierëve, për të ofruar shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve.

Kërkohej prej 10 ditësh, gjendjet e vdekur në ullishte

Është gjetur e pajetë një e moshuar në Elbasan, e cila ishte shpallur e humbur prej 10 ditësh. 79-vjeçarja me iniciale B.S. është gjetur pa shenja jete në një ullishte në Elbasan, jo shumë larg banesës së saj.

Policia, pas hetimeve paraprake, tha se nuk ka shenja dhune në trup dhe vdekja mund të ketë ndodhur për shkaqe natyrale.

Ngjarja ka ndodhur në lagje “Haxhias” të Elbasanit, ndërsa familjarët e kërkonin prej 10 ditësh.

Të dehur dhe pa patentë, 11 të arrestuar dhe 7 nën hetim në Elbasan

Sezoni turistik dhe rritja e fluksit të qarkullimit rrugor ka bërë që Policia e Elbasanit të shtojë masat për të parandaluar aksidentet rrugore. Si rezultat 18 persona janë vënë në procedim penal dhe disa prej tyre edhe janë arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Konkretisht 11 persona janë arrestuar, ku 3 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, ndërsa 7 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë aksionit janë pezulluar 25 leje drejtimi, nga të cilat 13 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, 9 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 4 për shkelje të tjera të parashikuara nga Kodi Rrugor.

Policia e Elbasanit vetëm në një javë ka vendosur 1 183 masa administrative, ku 77 masa për shpejtësi tej normave të lejuara, 89 për mospërdorim të rripit të sigurimit, 123 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 345 për parakalim të gabuar dhe 549 masa për shkelje të tjera të ndryshme të Kodit Rrugor.

Elbasan, plagos ish gruan, djalin dhe kunatin, burri dhunues e pëson dhe vetë

Dhuna në familje ka çuar në plagosjen e katër personave. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Elbasanit, ku policia ka ndërhyrë në kohë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. 50-vjeçari me iniciale N.J. ka dhunuar me sende të forta ish gruan e tij dhe të birin, por nga ngjarja ka përfunduar i plagosur edhe vetë.

Gjithashtu edhe vëllai i ish gruas të tij ka mbetur i plagosur pasi ka ndërhyrë për të shmangur dhunën. Pas njoftimit të policisë është bërë ndërhyrja në kohë për të shmangur ndonjë tragjedi. 50-vjeçari do të përballet me akuzën për veprën penale “Dhunë në familje” në Gjykatën e Elbasanit.

Plagosja në Elbasan, autori gjuajti me breshëri kallashi, tmerrohen kalimtarët

Një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin pasditen e të premtes, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy persona, ndërsa një i tretë u plagos me sende të forta. Ngjarja ndodhi afër qendrës së qytetit, ku pas një sherri, sipas policisë për motive të dobëta, një person ka qëlluar me armë zjarri dy shtetas. Ata janë personat Fezi Ago dhe Astrit Cërriku, ndërsa personi i tretë i plagosur, jo nga plumbat por goditjet, është Mihal Kocashi.

Personat e plagosur nga arma kanë marrë plagë të rënda, pasi plumbat i kanë goditur në sy e këmbë dy të plagosurit. Ndërkohë, pas ngjarjes policia ka identifikuar dy autorët, një prej të cilësve, sipas Report Tv, është një person i dënuar më parë për vrasje. Mësohet se një prej të plagosurëve ka marrë plagë të rënda, pasi është qëlluar nga gjashtë plumba, dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas raportimeve të para, tre të plagosurit dhe autori, kanë qenë të ulur në tavolinë. Pas një debati, autori ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një armë automatike, e tipit kallashnikov, dhe më pas është rikthyer përsëri në lokal duke goditur në drejtim të tre personave.

Fatmirësisht, plumbat nuk kanë dëmtuar persona të tjerë, që në atë moment janë ndodhur në lokal si klientë. Më pas, autori është larguar, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët që janë gjendur pranë në momentin kur kanë shpërthyer breshëritë e kallashnikovit. Ende nuk dihen motivet e vërteta të kësaj ngjarje, e cila fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur humbje jetësh njerëzit.

Skip to toolbar