Plagosja në Elbasan, autori gjuajti me breshëri kallashi, tmerrohen kalimtarët

AKTUALITET


Një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin pasditen e të premtes, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy persona, ndërsa një i tretë u plagos me sende të forta. Ngjarja ndodhi afër qendrës së qytetit, ku pas një sherri, sipas policisë për motive të dobëta, një person ka qëlluar me armë zjarri dy shtetas. Ata janë personat Fezi Ago dhe Astrit Cërriku, ndërsa personi i tretë i plagosur, jo nga plumbat por goditjet, është Mihal Kocashi.

Personat e plagosur nga arma kanë marrë plagë të rënda, pasi plumbat i kanë goditur në sy e këmbë dy të plagosurit. Ndërkohë, pas ngjarjes policia ka identifikuar dy autorët, një prej të cilësve, sipas Report Tv, është një person i dënuar më parë për vrasje. Mësohet se një prej të plagosurëve ka marrë plagë të rënda, pasi është qëlluar nga gjashtë plumba, dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.


Sipas raportimeve të para, tre të plagosurit dhe autori, kanë qenë të ulur në tavolinë. Pas një debati, autori ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një armë automatike, e tipit kallashnikov, dhe më pas është rikthyer përsëri në lokal duke goditur në drejtim të tre personave.

Fatmirësisht, plumbat nuk kanë dëmtuar persona të tjerë, që në atë moment janë ndodhur në lokal si klientë. Më pas, autori është larguar, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët që janë gjendur pranë në momentin kur kanë shpërthyer breshëritë e kallashnikovit. Ende nuk dihen motivet e vërteta të kësaj ngjarje, e cila fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur humbje jetësh njerëzit.




Skip to toolbar