Në vijmim të vizitave jashtë vendit, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është ndalur në shtetin fqinj, Itali. Kryemadhi, sipas një njoftimi shpërndarë nga zyra e shtypit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar që jeton në rajonin e Bolzanos. E shoqëruar nga ish-deputetët e LSI-së, Përparim Spahiu e Viktor Tusha si dhe nga Artan Mullaymeri, Anëtar i Këshillit Territorial për emigracionin të Alto Adige pranë prefektit, Kryemadhi ka thënë në takim me komunutetin shqiptar se shqiptarët po kërkojnë të largohen nga vendi. Ndaj, sipas Monika Kryemadhit, Shqipëria ka nevojë jo për një lider të fortë, por për një sistem që mbron qytetarin.
“Bashkë me Përparimin, Viktorin dhe me shumë ish-deputetë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Po flas për zonën e Dibrës, ishim në zonën e Kalasë së Dodës, ishim në shumë fshatra të braktisura, kishin vetëm pleq dhe plaka dhe nuk gjeje dot një djalë apo një vajzë të re. Mos flasim më për shërbimet e tjera, mungesa e infermierëve dhe mjekeve që të gjithë po na ikin në Gjermani. 82% e gjimnazistëve të Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria. 70% e fëmijëve në shkollat fillore nuk duan të jetojnë në Shqipëri”.
“Që do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë më mësues, nuk do të ketë më mjek, inxhinier, hidraulik, elektriçist, nuk do të ketë më shofer taksish, nuk do të ketë më njerëz që do të punojnë në administratë. Flisni çdo ditë me familjarët tuaj në Shqipëri, por asnjëri nga ju nuk dëshiron të kthehet. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë. Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij. Përderisa ne të gjithë paguajmë taksa, si nga i pari deri tek i fundit, nuk ka përse sistemi të mos u përgjigjet qytetarëve të tij ”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së theksoi se ajo ka nisur një tur takimesh për të dëgjuar qytetarët, sepse për LSI-në ka një rëndësi shumë të madhe dëgjimi i zërit të tyre. “Prandaj ne kemi nisur një tur, jo për të dhënë mendimet tona, po më shumë për të dëgjuar. Sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme për t’i dëgjuar njerëzit”, tha Kryemadhi.