Borxhet ndaj lojtarëve, FIFA bllokon merkaton e Flamurtarit dhe Luftëtarit

AKTUALITET


Flamurtari është dënuar me pezullimin në tre sesione të merkatos, ose thënë ndryshe për një vit e gjysmë klubi kuqezi nuk do të kryejë dot transferta lojtarësh. Panorama Sport raportoi të hënën se Flamurtari është dënuar nga FIFA së bashku me Luftëtarin.

Shkak i këtij dënimi janë bërë borxhet dhe problemet me pagesat e lojtarëve dhe stafit drejtues, të trashëguara nga e kaluara. Në të paktën tre sezonet e fundit Flamurtari ka pasur probleme me likuidimin e lojtarëve dhe stafit teknik, çka ka bërë që shpesh këto probleme të përfundojnë me padi në FIFA.


Për këtë arsye, qeveria botërore e futbollit ka vendosur të dënojë klubin vlonjat duke e privuar nga merkato gjatë janarit dhe verës së këtij viti, si dhe në janarin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu, FIFA ka dënuar edhe klubin e Luftëtarit, duke i hequr të drejtën të kryejë transferim lojtarësh gjatë merkatos së janarit të këtij viti.

Në krahasim me skuadrën e Flamurtarit, klubi gjirokastrit ka marrë një dënim më të lehtë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë ndaj klubeve shqiptare pas dënimit të Skënderbeut nga UEFA për trukim ndeshjesh. Ndërkohë, të dy klubet do të duhet të marrin vetëm lojtarë nga akademitë e tyre të futbollit gjatë kohës që është në fuqi pezullimi për kryerjen e merkatos.  




Skip to toolbar