Ditët e fundit është folur shumë nëse “Arena
Kombëtare” do të liçensohet nga UEFA për të zhvilluar ndeshjen Shqipëri-Francë,
e cila përmbyll turneun eleminator të Euro 2020. Realstory.al pyeti UEFA-n nëse
ka marrë një vendim apo jo për të lejuar Shqipërinë të luajë në “Arena Kombëtare”.
Në përgjigjen e saj, UEFA shprehet: “Ne po monitorojmë nga afër punën në
stadium, i cili është në fazën e tij të fundit. Miratimi përfundimtar pritet në
kohën e duhur”, tha qeveria europiane e futbollit. Në fakt, duket se për
vendimin zyrtar do të duhet të presim edhe disa ditë.
Dy inspektorë të UEFA-s do të jenë të dielën
në Tiranë, për të ndjekur ndeshjen testuese në stadiumin e ri kombëtar.
Realstory.al mësoi ekskluzivisht se inspektorët e UEFA-s do të jenë ata që do të
thonë fjalën e fundit nëse në “Arenën Kombëtare” do të luhet në 17 nëntor. Anëtari
i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-s, Arben Dervishaj, që është marrë drejtpërdrejt
me mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i tha
Realstory.al se nga pala shqiptare janë përmbushur të gjitha kërkesa e lëna nga
UEFA. Ai konfirmoi se të dielën dy inspektorët do të ndjekin ndeshjen
Apolonia-Vllaznia për femra, e cila do të shërbejë për testimin e stadiumit.
“Do vijnë dy inspektorë të UEFA-s të dielën në
ndeshjen testuese. Ata do vijnë të shohin për veten e tyre. Ne e konsiderojmë të
marrë sepse detyrat që ka lënë UEFA janë plotësuar. UEFA kishte: kamerat i kemi
rregulluar, problemin e gazetarëve e kemi zgjidhur. Problemin e kalimit të
kabullave e kemi zgjidhur. UEFA thoshte që nuk është gati dhoma e kontrollit,
tashmë ajo është gati. Ne në këtë fazë jemi duke bërë mobiluar dhe pastrojmë
stadiumin. Do zhvillojmë ndeshjen. Deri te kuzhina jemi marrë. Sheshi është
duke përfunduar”, tha ai.
Më tej, Arben Dervishaj tregoi edhe një
detaj, që sipas tij, UEFA parimisht ka konfirmuar se ndeshja do të luhet në “Arena
Kombëtare”. “UEFA nuk ka thënë që nuk do luhet ndeshja. Ajo ka thënë që ndeshja
do luhet në Tiranë. Por ato nuk e bëjnë
publike që ne të jemi në presion për ta mbyllur sa më shpejt. Ne i kemi çuar
foto, video. Kemi bërë testin e dritave, të zjarrit, të energjisë. Është 99.9%
që do luhet”, tha Dervishaj.
Ai që duket se ishte një nga problemet
kryesore për UEFA-n, pozicionimi i kamerave dhe krijimi i fushëpamjes për të
kapur gjithçka nga ndeshja, sipas Arben Dervishajt është përmbushur. Ai shprehet
se për këtë janë krijuar platforma të veçanta, ndërsa janë bërë dhe prova
filmike të cilat i janë dërguar UEFA-s, dhe ajo i ka miratuar.
“Jemi në fazën e mbylljes të të gjitha gjërave që të zhvillohet ndeshja me Francën. Të dielën është ndeshja testuese, ndërsa të dielën tjetër ëshë ndeshja me Francën. Jemi duke diskutuar me UEFA. Ne kemi aprovuar nga UEFA pozicionin e kamerave, janë në L2. Ne bëmë provë me një nga kompanit që ka të drejtën e transmetimit në Shqipëri. Erdhi këtu solli kameran, filmoi ia dërguam UEFA-s dhe është aprovuar. Është mbyllur problemi i pozicionit të kamerave në L2. Janë bërë dhe platformat e kamerave. Jo vetëm kornen, por sheh gjithçka”, shtoi Arben Dervishaj për Realstory.al.