Situata politike në vend është futur në një
labirint të errët, megjithëse kjo është vetëm për njërën palë, opozitën dhe
Presidentin, që tashmë e kanë konfirmuar zyrtarisht se nuk do të shkojnë në
zgjedhje. Megjithatë, Qeveria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështjen
e ndërkombëtarëve, janë duke punuar për përmbushjen e detyrimit kushtetues, për
mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.
Ndërkohë, një ditë pasi KQZ vendosi të mos
njihte dekretin e Ilir Metës për shfuqizimin e dekretit që caktonte datën e
zgjedhjeve, organi administrues i votimeve në Shqipëri, ka vijuar punën
normalisht.
Këtë të mërkurë është zhvilluar mbledhja e
radhës e KQZ, për të miratuar disa pika të rendit të ditës. Por, ajo që ka rënë
në sy, ka qenë prania e punonjësve të Gardës së Republikës, të cilët kanë marrë
në mbrojtje katër anëtarët e mbetur të KQZ, Denar Biba, Bledar Skënderi, Edlira
Jorgaqi dhe Rezarta Bitri, pasi kryetari i këtij institucioni, Klemenet Zguri
ka bojkotuar mbledhjet.
Në mbledhjen e ditës së mërkurë, KQZ miratoi
listat emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen anëtar të KQV-ve, si dhe
disa pika të tjera. Një ndër pikat, ishte dhe ajo e miratimit të vëzhguesve afatgjatë
të Institutit Demokratik Amerikan, për zgjedhjet për organet e qeverisjes
vendore të datës 30 qershor 2019.
Pikat e rendit të ditës të miratuara nga KQZ:
1.
“Për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen
kryesisht anëtarë KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të
dates 30 qershor 2019”.
2.
“Për dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve,
për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.
3.
‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan
( NDI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor
2019”.
4.
“Për një shtesë në Vendimin nr.669, të datës 28.05.2019 ‘Për miratimin e
vëzhguesve afatgjatë të KSHH’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore
të dates 30 qershor 2019”.
5.
“Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Shoqatës për Gratë dhe Fëmijët,
për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.