Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore në Pragë, ku u prit nga Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke, Radek Vondráček.
Praga ishte stacioni i fundit i veprimtarisë lobuese të Kryetarit të Kuvendit për të siguruar mbështetje për hapjen e negociatave. Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej nga zëvendëskryetari i Komisonit të Jashtëm dhe anëtar i Komisionit parlamentar të integrimit europian, deputeti Ralf Gjoni, si edhe ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Çekisë, Ilirian Kuka.
Takimin e parë delegacioni parlamentar shqiptar e zhvilloi me Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babiš. Kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis të dy vendeve dhe nënvizoi se “Këto marrëdhënie duhet të pasohen nga intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve çeke në Shqipëri.”
Gjithashtu Ruçi, pasi falenderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Çekisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, theksoi se “Ne jemi këtu për të kërkuar nga Kryeministri Babiš dhe qeveria e Republikës Çeke, si edhe katër vendet e Grupit të Vishegradit, të lobohen pranë vendeve skeptike të BE-së për sqarimin e arritjeve të reformave integruese në Shqipëri dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.”
Kryeministri Andrej Babiš nënvizoi se “Ne i njohim arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë dhe, përveç mbështetjes sonë dhe të Grupit të Vishegradit, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që edhe vendet e tjera të BE-së të njohin e vlerësojnë këto arritje dhe të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.”
Ndërsa mbi situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Babiš u shpreh se “Protestat paqësore janë një element i demokracisë, por qeverisja e vendit fitohet vetëm nëpërmjet konkurrencës në zgjedhje.”
Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Radek Vondráček, Kryetari i Kuvendit, Ruçi, nënvizoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis të dy vendeve është lehtësuar edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera parlamentare.
Vondráček u shpreh se ky bashkëpunim do të vazhdojë e të thellohet, ndërsa foli edhe për situatën politike në Shqipëri duke thënë se “Opozita konstruktive bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit.”