Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende
kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i
kryeministrit.
Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush
Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një
kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e
krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë
interpretim në lidhje me këtë kërkesë.
Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të
Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të
kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të
ndryshme.
Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së
Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe
ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë që të pritet
aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti
i këtyre vendimeve.
Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush
Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në
vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është
kryeministër.
“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të
drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e
Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që
duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam
dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në
ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.
Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i
Financave Bedri Hamza ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk
mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e
zgjedhjeve të parakohshme.
Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si
rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e
tyre, disa ministra tjerë, kanë vazhduar me punën e rregullt, duke marrë
vendime për çështje të caktuara.
Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes
një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e
Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme, mediave u
janë adresuar edhe nga disa ministri tjera.
Profesori i çështjeve juridike kushtetuese,
Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të
duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.
Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për
t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e
qartë në këtë pikë.
“Do të duhet që sa më parë Gjykatat
Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të
drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e
dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur
kabineti të vazhdojë të mbaje mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si
deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata
Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen
dilemat”, thotë Baraliu.
Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës
Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka
të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe
obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat
derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrolloj, mbikëqyrë zbatimin e
vendimeve dhe projekteve të ndryshme.
“Marrja e vendimeve do të duhej bërë në
kabinet. Do të duhet të mbahen mbledhjet e qeverisë dhe do të duhej të
trajtoheshin ato çështje për tu marrë dhe votuar vendimet e qeverisë. Kjo është
praktikë juridike pasi që Kosova nuk ka më tepër se kaq pasi që nuk e kemi
Ligjin për qeverinë ku më saktësisht do të duhej të përcaktoheshin obligimet
dhe detyrat e qeverisë në çdo situatë juridike, pra edhe në këtë situatë të
vakuumit institucional pas dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.
Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje
Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e
kompetencave. Nga ajo ditë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60
ditësh për t’i dhënë një përgjigje.
Në Kosovë gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës
është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për
përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës./REL/
Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në rrjetet sociale pas një deklarate të homologes serbe, Ana Brnabic.
Haradinaj ka shkruar se dialogun mes Kosovës
dhe Serbisë nuk e ka bllokuar taksa, por aspiratat territoriale të Beogradit.
“A po e shihni se Taksa nuk e ka bllokuar
dialogun, por aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! E po Kosova është
shtet sovran me këta kufij, ndërkombëtarësh të njohur dhe të pandryshueshëm,
dhe sa më parë ta kuptojë ketë fakt lidershipi në Serbi, është më mirë për ta”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Më parë, Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq
ishte shprehur për mediat serbe se njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është
vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë.
Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është ndërprerë
prej disa muajsh. Ndërsa qeveria e Kosoëvs ka vendosur taksën 100% për mallrat
serbe dhe bllokuar shkëmbimin tregtar, taksë kjo e vendosur si kusht që Serbia
të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Vendosja e taksës nga Kosova ka sjellë
reagime nga ndërkombëtarët të cilët i kanë bërë apel qeverisë që ta heqë, por
deri tani qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga ky vendim. Ndërsa serbia nga
ana e saj vazhdon të mos pranojë uljen në tryezën e negociatave duke vënë si
kusht heqjen e taksës.
Ramush Haradinaj ka bërë një deklaratë të fortë
duke u kërkuar ndërkombëtarëve të ndalin trysninë dhe presionin që i bëjën
Kosovës për heqjen e taksës, duke etiketuar drejtpërdrejtë SHBA dhe BE.
Haradinaj tha se kërkon një drejtpeshim të
trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke argumentuar
se i është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë
ndërkombëtare, ndërkohë që shqetësime të tilla nuk i kanë udhëheqësit aktual
serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.
Haradinaj, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, konfirmoi qëndrimin e tij se kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe se tarifa do të hiqet deri kur të ketë një njohje reciproke nga Serbia. “Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë.” – tha Haradinaj
Zëri i Amerikës: Që nga dorëheqja juaj është diskutuar për mundësinë e një lidhjeje ndërmjet thirrjes për t’u paraqitur në Hagë dhe qëndrimeve tuaja politike rreth tarifave ndaj mallrave serbe. A shihni ju ndonjë lidhje të tillë?
Ramush Haradinaj: Do të thotë unë e kam kryer
obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në
bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo
ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë
në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta
shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi. Jam mjaft i habitur me
këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo
që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur
në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë
e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe
kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në
kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si
Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e
lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje. Këto
qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej
bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi
Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në
rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala,
në këtë rast që jemi ne viktimë. Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem
për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë
dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti
(Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet
që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por
edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon
një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet
të korrigjohen sa më shpejt.
Zëri i Amerikës: Kur flisni për aleatët, cilët po bëjnë trysni?
Ramush Haradinaj: Mendoj në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Më 19 korrik Ramush Haradinaj do të dilte para
mediave në Kosovë në një konferencë shtypi dhe do të lajmëronte dorëheqjen e parevokueshme
të tij nga posti i kryeministrit. Kjo për shkak të ftesës së ardhur nga Gjykata
Speciale e Hagës në lidhje me krimet e luftës në Kosovë. Haradinaj vendosi se
do të paraqitej në Hagë si qytetar i thjeshtë dhe i bëri thirrje presidentit Thaçi
se ishte përgjegjës për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme në vend. Por tre
ditë më pas duket se Haradinaj ka ndërruar mendje në lidhje me ato që tha ditën
e dorëheqjes së tij. Në një letër dërguar Presidentit Thaçi, partive politike dhe
institucioneve të tjera në vend, Haradinaj thekson se jep dorëheqjen, por do të
qëndrojë në krye të detyrës deri në zhvillim të zgjedhjeve të ardhme dhe të
krijohet qeveria e re.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo
më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë. Nuk është ende zyrtare por sipas
mediave në Kosovë mendohet se do të mbahen më 8 shtator. Ndërkohë që Haradinaj
do të paraqitet të mërkurën në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata
Speciale. Pra Haradinaj do të paraqitet ë Hagë si kryeministër i Kosovës (ajo që
ai nuk donte?) dhe jo si një qytetar i thjeshtë që nuk përfaqëson asnjë institucion
në vend.
“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, shkruan Haradinaj në letrën drejtuar institucioneve në Kosovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,
Kadri Veseli e ka quajtur një vendim personal dorëheqjen e Ramush Haradinaj si
kryeministër i Kosovës, ndërsa tha se tashëm vendi do të përgatitet për zgjedhje
të përkohshme.
“Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje
është vendim personal dhe i tillë është pranuar. Tashmë zgjedhjet e parakohshme
janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të
caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të
mbahen. Do të ketë këshillime me partitë tjera në pajtim me Kushtetutën dhe
ligjet në fuqi.” – tha Veseli
Në lidhje me ftesën e ardhur nga Gjykata
Speciale e Hagës për Ramush Haradinaj por edhe për ish-kryeparlamentarin Jakup
Krasniqi në lidhje me krimet e luftës, Veseli tha se pastërtia e luftës se UÇK
do të dal në dritë.
“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e
luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe
bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj
sfide”, tha Veseli
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh në twitter në lidhje me thirrjen për në Hagë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke shkruar se këto thirrje janë një sfidë për të vërtetuar deri në fund pafajësinë.
Rama gjithashtu shkruan se kjo sfidë është
edhe për Kosovën për të treguar se është në anën e duhur të historisë.
“Këto ftesa në radhë nga Haga për
protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në
vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund
pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e
duhur të historisë”, shkruan kryeministri Rama.
Por kreu i qeverisë shqiptare nuk e ka përmendur
aktin e Haradinajt i cili bëri publike dje dorëheqjen nga posti i
kryeministrit, ndërsa thirrjen nga gjykata speciale e cilësoi si një presion të
ndërkombëtarëve ndaj Kosovës për heqjen e taksës 100% për mallrat serbe.
Kujtojmë se më herët Rama dhe Haradinaj kanë
pasur një debat në lidhje me taksën ndaj mallrat serbe. Në samitin e Berlinit,
Haradinaj tha se Rama dhe Thaçi kanë mbështetur thirrjen e ndërkombëtarëve që
Kosova të heqë taksën duke i bërë atij presion. Deklarata këto që janë rrëzuar
nga Rama dhe më pas mosmarrëveshjet mes tyre janë sheshuar. Vetë Rama e ka cilësuar
taksën ndaj mallrave serbe, si një “klithmë” të një kombi për të njohur pavarësinë
e tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka
reaguar të shtunën në një deklaratë për mediat në lidhje me dorëheqjen e
kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilën e ka cilësuar një mashtrim
politit.
Vuçiç u shpreh se ky akt i Haradinajt nuk ka
vend për eufori ndërkohë që Serbia duhet të përgatitet dhe të shohë pasojat që
do vijnë pas kësaj.
“Dorëheqja e Ramush Haradinajt është një
mashtrim politik që ai mund të fitojë edhe më shumë popullaritet në të cilin ai
bëhet një hero që lufton për një Kosovë dhe Metohi unike. Ne e kuptojmë që ka
një lloj kënaqësie të serbëve për shkak të thirrjes së Ramush Haradinajt në
Hagë, por nuk ka arsye për eufori. Duhet shohim të gjitha faktet dhe pasojat që
vijnë pas aktit të dorëheqjes së Hardinajt. Pozicioni i serbëve do të jetë edhe
më i vështirë se sa ishte sot”, u shpreh Vuçiç.
Të premten pasdite, Ramush Haradinaj njoftoi
se ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës për
shkak të një ftese të marrë nga Gjykata Speciale e Hagës për krimet e luftës në
Kosovë. Ai tha në deklaratë se do të shkojë të përballet me këtë akuzë dhe do të
dalë i pastër, ndërkohë që bën të ditur se Kosovës po i bëhet presion i
padrejtë nga ndërkombëtarët për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Sipas
Haradinajt, kjo taksë dhe tregtia e lirë me Serbinë, duhet të shërbejnë si çmim
i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Sipas burimeve serioze mediatike në Prishtinë,
realstory.al ka mësuar se me gjasë gjithçka lidhet me qëndrimin e prerë dhe të
ndryshëm të Haradinajt ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë. Qëndrimi
i tij mori jehonë në takimin e Berlinit, ku u bënë publike dhe replikat e tij
të ashpra me presidentin Macron, por edhe me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.
Haradinaj prej muajsh po i reziston presionit
të ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë heqjen e taksës mbi mallrat serbe. Por qeveria
e Kosovës ka marrë vendimin që kjo taksë do të hiqet kur Serbia të njohë shtetin
e pavarur të Kosovës.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në
lidhje me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se
përgëzon vendimin e tij për të respektuar thirrjen e zyrës së prokurorit të
posaçëm për Kosovën.
Në një prononcim të shkurtër për Zërin e
Amerikës, DASH vlerëson vendimin e Haradinajt.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin
nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm
të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj
paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të
papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje
nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.
Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë,
Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të
Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të
trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.
Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë
hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të Haradinajt që pritet të ndodhë
nga mesi i javës së ardhshme.
Dorëheqja e Haradinajt ndodhi në një periudhë
të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të
cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.
Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij
vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh
edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe
opozita që hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo
qeverie teknike. Çështja tashmë i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet
të këshillohet me forcat politike në vend.
Dorëheqja e Haradinajt mund të zvarrisë edhe
më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e
marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ramush Haradinaj lajmëroi ikjen dhe presionin një ditë më parë: Largohem nga qeveria, por taksën nuk e heq. Kështu deklaroi ai ne emisionin Rubikon në KTV. Lexojeni te Plote me poshte:
Lidhur me borxhin e Telekomit ndaj Z-mobile, ai tha se Telekomi ka qenë në dijeni për një gjendje të tillë. Ai tutje ka shtuar se ka kërkuar që të parandalohet nënshkrimi i një kontrate të dëmshme për Telekomin. Haradinaj thotë se do të iu qëndrojë prapa çdo vendimi që e marrin në Telekom ani pse thotë se përgjegjësinë do e bartin ata që do i marrin vendimet. Ndërkaq për përmbarimin, ai ka thënë se kompania Z-mobile, ka marrë masë siguruese që t’i bëjë presion Telekomit.
“Në këtë rast për mua askush tjetër përpos bordit të PTK dhe menaxhmentit nuk mundet me marrë vendim, por atë që vendosin kanë me marrë përgjegjësi. Nëse shkon puna keq në Telekom ata kanë me marrë përgjegjësi sepse ata po paguhen”, thotë ai. Ai thotë se nuk iu ka thënë të vazhdojnë ose të mos e vazhdojnë kontratën me Z-Mobile.
Largimi i Haradinajt, a duhet ta pranojë presionin e ndërkombëtarëve?
Haradinaj
hedh dyshime të reja e akuza ndaj KSHC-së
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, e ka
lënë të mjegullt një akuzë drejt Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në një bisedë
në Rubikon të KTV-së. Ka thënë se e ka prej burimeve rrethanore, se “ata nuk e
shqyrtojnë dosjen e një universiteti pa futur edhe ndonjë letër aty”. Nuk ka
dhënë më shumë detaje. “Nuk e di, se duhet me shku mandej në Prokurori me
dëshmu”, ka thënë Haradinaj. Edhe në Rubikon e ka përsëritur qëndrimin e tij
kundër vendimit të KSHC-së për mosakreditimin për një vit të tri universiteteve
publike, në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë.
“Nuk mundesh mu sjell aq profesionist
indiferent në një vend ku ka të bëjë me njerëz. Ai që e ka kryer shkollën e
mesme edhe s’mund të vijë në Prishtinë… Nëse ka qenë kjo e gjetur atëherë
është dashtë menjëherë me kërku takime, me shiku se si mund të regullohet kjo
punë. Unë e di që cilësia nuk është mirë”, ka thënë Haradinaj. “Unë e di që ki
me studentë me mastarë, që punojnë si kamarierë, madje gëzohen kur e gjejnë një
punë. Unë kam lobuar edhe për viza pune dhe më ka kushtuar kjo punë”, ka thënë
ai.
Haradinaj
tregon kushtin që e ka për t’u tërhequr nga Qeveria
Kryeministri Ramush Haradinaj është i gatshëm
për zgjedhje duke theksuar se janë demokratike mirëpo shkuarja në zgjedhje nuk
mund të shkohet pa kushte. Nëse vendoset se taksa nuk do të largohet pa njohjen
nga Serbia – ky është kushti i kreut të qeverisë.
Haradinaj
thotë Thaçi ndryshe flet për taksën në publik e ndryshe e ka qëndrimin
Fuqizimi i taksës e shpëton Kosovën nga
agjenda e ndarjes dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo sipas Ramush
Haradinaj, kryetar i qeverisë, është diagnoza e gjithë procesit mes Kosovës dhe
Serbisë. Mirëpo, për një gjë të tillë, Haradinaj nuk po gëzon mbështetjen e
partnerëve të koalicionit, përfshirë këtu edhe presidentin Thaçi. Ndonëse
publikisht Thaçi thotë se taksa duhet të mbahet, Haradinaj dyshon në këtë.
Haradinaj:
Autostrada nuk po bëhet pse unë jam i Dukagjinit
Kryeministri Ramush Haradinaj në Rubikon të
KTV-së ka thënë se pajtohet me deklaratat e deputetit të Nismës, Zafir Berisha
dhe ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri lidhur me autostradën, mirëpo çdo
zhvillim tjetër, sipas kryeministrit, ndërlidhet me infrastrukturën rrugore. “Kushdo
që i hyn pak parametrave, ka me u lut hajde bëjë këtë autostradë. Këto arterie
duhet të bëhen”, ka thënë ai.
Haradinaj:
Nuk kam asgjë kundër Limajt, shkuarja në zgjedhje është e shëndetshme
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tutje
ka folur edhe për acarimet brenda koalicionit. Ai ka shtuar se nuk ka asgjë
kundër Nismës e as Limajt ndonëse ka shtuar se nuk e kupton hidhërimin e tyre. “Shkuarja
ne zgjedhje është demokraci, për mua zgjedhjet janë të shëndetshme. Unë nuk kam
ndonjë agjendë as kundër Nismës as kundër Limajt. Mirëpo në raste të caktuar
nuk i kuptoj disa prononcime. Delegacioni ka qenë projekt i gjithë Qeverisë dhe
unë nuk e kuptoj kush duhet me u hidheru mua. Unë ende mendoj që të gjithë
duhet me i dhënë përkrahje këtij procesi. Unë nuk e kuptoj ku kam gabuar në
këtë temë”, thotë ai. Haradinaj thotë se e ka të vështirë t’i kuptojë
prononcimet politike. Ndërkaq duke folur për takimin e përbashkët mes
ambasadorit të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Avni Arifi, dhe përfaqësuesit të
Serbisë, Marko Gjuriqit, Haradinaj thotë se të gjithë kanë qenë të njoftuar me kohë.
Ai tutje ka thënë se kancelaria Merkel ka
kërkuar të vazhdojë takimin për shkak se ka pasur ankesa nga Serbia se nuk po
zbatohen disa marrëveshje. “Unë i kam njoftuar secilin për ditë të tëra më
herët se do të ndodhte takimi. Unë nuk i kam telefonuar me iu thënë hej nesër
mbahet takimi”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk është fshehtësi kur takimi
mbahet nga i organizuar nga kancelaria Merkel. Haradinaj thotë se në takim
është diskutuar për marrëveshjet ku Arifi ka treguar se janë zbatuar
marrëveshjet nga ana e Kosovës. Ai tutje ka shtuar se takimi nuk ka qenë për
media pasi që nuk janë dakorduar me nikoqirët për t’i bërë publike deklaratat.
“Pozicionin e Kosovës e ka dobësuar
udhëheqësia e deritanishme dhe liderët e partive”
Përçarjet e brendshme mes klasës politike në
Kosovë po e dobësojnë pozitën e vendit. Kryeministri Ramush Haradinaj në
Rubikon të KTV-së ka thënë se deklaratat e liderëve të partive politike,
qëndrimet e tyre, madje të ndryshme prej atyre në publik dhe në takime të
mbyllura, po bëjnë që Kosova të shihet më e dobët ndaj Serbisë. Sipas
Haradinaj, Serbia po e dobëson Kosovën prej anës së tyre ndërsa liderët vendorë
po e bëjnë prej anës tjetër. Ai madje kërkoi që të bëhet një deklaratë e
përbashkët përmes secilës udhëheqësit e shtetit deklarohen se nuk do të
tërheqin taksën pa njohjen e Serbisë.
“Një deklaratë e përbashkët që ne, udhëheqësit
e Kosovës, nuk ia kthejmë tregun Serbisë, para njohjes sepse na kanë shkatërrua
tregun, na ka shkatërru. Për këtë arsye nuk e largojmë taksën”, ka thënë
Haradinaj. Ai ka ftuar liderët e partive politike parlamentare që të bashkohen
për një deklaratë që Kosova nuk i kthen Serbisë tregun pa e njohur Kosovën. “Po
ta bëjmë këtë, ju siguroj që njohja vjen. Fitojmë kushtin për njohje nga
Serbia. Nuk do të jetë më konflikt i ngrirë tërë jetën ose në ndonjë luftë të
mundshme. Unë nuk besoj se do të ndodhë, por ata po armatosen”, ka thënë ai. E
ka vazhduar argumentin se “pse duhet të armatoset Serbia”. “Kush e rrezikon
Serbinë? Krejt i ka në NATO. Kosova po e rrezikon Serbinë? Jo, më fal. Është
krejtësisht armatim i panevojshëm. Nuk mundemi me ja kërku njohjen Serbisë pa
asnjë çmim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj
thotë se e ndali ndarjen e Kosovës, por nuk dialogon pa konsensus politik
Pas agjendës për ndarjen e Kosovës, për te
cilën kryetari i qeverisë, Ramush Haradinaj thotë se e ka ndalur, mbetet të
shihet vazhdimi i procesit të dialogut me Serbinë. I akuzuar se po u shmanget
përgjegjësive të tij kushtetuese për të udhëhequr me dialogun, Haradinaj tha se
asnjëherë nuk do ta bëjë këtë i vetëm. Ndonëse me Kushtetutë i caktohet
kryetarit të qeverisë ta udhëheqë dialogun, Haradinaj ka thënë se për ta bërë
këtë duhet që të jenë së bashku me përfaqësuesit e partive parlamentare. “Unë
kam refuzuar të marr rol në dialogun për ndarje, dialogun e zonjës Mogherini
dhe realisht ia kam arritur ta bëj”, ka thënë ai.
E sipas tij, ky është një obligim që partitë
politike parlamentare të arrijnë konsensusin. “Çështja e dialogut dhe një
marrëveshje të tillë, opozita është mirë me qenë në tavolinë para se ti shkoj
në parlament. Nuk është mirë që kryetari i qeverisë mu dakordu në marrëveshje
dhe pastaj marrëveshja me ra ne parlament”, ka thënë Haradinaj. “E kam ndalë
ndarjen e vendit”, tha Haradinaj duke thënë se edhe Ekipi Negociator me
drejtues Limajn dhe Ahmetin shkuan atje pas ndaljes së kësaj agjende.
“Nuk janë punë që dalin në media mirëpo unë punoj me të gjithë. Me LDK-në, Vetëvendosjen dhe të gjithë të tjerët”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj konfirmon vazhdimin në Paris të Samitit të Berlinit Ndërkaq lidhur me mbajtjen e Samitit të Parisit, Haradinaj ka thënë se pritet të mbahet në shtator. “Po pritet me ndodhë në shtator. jam telefonuar nga këshilltari i presidentit Macron”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj:
Franca u bind për viza, kemi punë me Holandën
Liberalizimi i vizave tashmë është vetëm
çështje procedurale dhe nuk ka asnjë bllokadë. Madje, as nga Franca. Për këtë
siguron kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon
te KTV-së. Haradinaj ka komentuar vizitën e presidentit francez, Emnauel Macron
në Beograd. Ai ka thënë se Samiti i Berlinit dhe paralajmërimi për atë të
Parisit tregon qartazi vullnetin e Francës për përfshirje në dialogun mes
Kosovës dhe Serbisë. “Nuk është keq Parisi, ka qenë i nevojshëm një ballafaqim
shpjegues, takimi me ministrin e Brendshëm. Kam mujt atje m’i thanë se ne kemi
më pak problem me narkotikë dhe krim se ju. Pata mundësi që këtë bisedë me
vazhdu edhe me kryeministrin e Francës. Me këtë dua të them se Franca është
pozitive për liberalizimin e vizave. Nuk është bllokuese. Kemi punë me
Holandën. Kam pas rastin me taku ambasadoren e Holandës”, ka thënë Haradinaj.
“Dua t’ju them se çështja e liberalizimit është e kryer. Ne jemi në agjendë. Për fat të mirë këtë po e konfirmon edhe zgjedhja e kryetares së komisionit”, ka thënë më tej ai. Ai ka thënë se megjithatë francezët nuk dalin kundër këtij procesi. “Presidenti Macron ka thënë se për zgjerimin na duhet reforma. Mirëpo, çështja e liberalizimit nuk është përfshi këtu meqë i kemi përfunduar te gjitha kriteret”, ka thënë ai. Haradinaj ka shprehur bindjen se në shtator, Kosova do të hyjë në agjendë. “Shpresoj shumë që me këtë vjeshtë e mbyllim këtë”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, të premten pasdite. Shkak i këtij akti ka qenë një ftesë nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, e cila ndër të akuzuarit, ka thirrur dhe Haradinaj. Rreth orës 16.15 të së premtes, këtë lajm e dha vetë Haradinaj: “Sapo informova Qeverinë, tani do të informojë dhe institucione të tjera, kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i kryetarit të qeverisë. Arsyeja është sepse jam ftuar të intervistohem nga Gjykata Speciale. Do të kem në ditët në vijm paraqitjen, dhe kam vlerësuar se nuk mund të shkojë si kryetar i qeverisë atje, por si një qytetar, si Ramush Haradinaj. Si kryetar i qeverisë kamë vlerësuar se është e drejt të marrë këtë vendim”, u shpreh ndër të tjera Haradinaj për dorëheqjen e tij pa kthim si kryeministër.
Po për çfarë akuzohet Ramush Haradinaj? Kryeministri i Kosovës, tashmë i dorëhequr, akuzohet për krime lufte nga Serbia. Akuza ndaj Haradinajt lidhet me masakrën ndaj popullësisë civile serbe në vitin 1997. Në këtë periudhë, sipas akuzave të ngritura nga prokuroria serbe, e cila më herët kishte dhe një urdhër arresti ndërkombëtar për kreun e qeverisë së Kosovës, dyshohet se Haradinaj së bashku me vëllezërit e tij, Dautin dhe Shkëlzenin, kishte organizuar ‘sulme terroriste’ ndaj policisë serbe në rajonin e Dukagjinit.
Largimi i Haradinajt, a duhet ta pranojë presionin e ndërkombëtarëve?
Haradinaj akuzohet për thelemimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës “Shqiponjat e Zeza”, të cilat sipas Serbisë, konsiderohen
përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e disa personave civilë serbë, trupat e
të cilëve u gjetën në liqenin e Radoniqit, dhe në disa puse në Deçan.
Megjithatë, ndaj Haradinajt ka pasur edhe akuza të tjera, për të cilat ka
shkuar dy herë në Tribulanin e Hagës, për akuzat “krim kundër njerëzimit dhe
shkelje të ligjeve të luftës”, të kryera në 3- shtator të vitit 1998. Prej
këtyre proceseve ai ka dalë i pafajshëm. Atëherë cilat mund të jenë provat e
reja të rihapjes së Dosjes së Radoniqit?
Këtë nuk e di askush, por një ditë më herët në emisionin Rubikon, në KTV (ndiq këtu intervistën), Kryeministri Ramush Haradinaj ka lënë të kuptohet diçka të çuditshme. Se atij, ndërkombëtarët i kishin vendosur dy kushte. Një Deklaratë që ai nuk e elaboroi gjatë. Sipas burimeve serioze mediatike në Prishtinë, realstory.al ka mësuar se me gjasë gjithçka lidhet me qëndrimin e prerë dhe të ndryshëm të Haradinajt ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë. Qëndrimi i tij mori jehonë në takimin e Berlinit, ku u bënë publike dhe replikat e tij të ashpra me presidentin Macron, por edhe me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se këto dy kushte që përmendi një
ditë më herët Haradinaj, janë Asosacioni ose Marrëveshja. Për të dyja këto
Haradinaj ka patur qëndrime shumë kritike apo kundër. Ai i reziston prej muajsh
kërkesave ndërkombëtare edhe për vendosjen e tarifave doganore 100 perqind ndaj
mallrave të Serbisë. Kjo e kishte vënë Haradinajn në pozitë përballëse me
ndërkombëtarët, mirëpo sondazhet e nxirrnin ne rritje partinë e tij AAK.
Një ditë më herët ndalimi për pak minuta i të vëllait të tij Dautit (edhe ai
i përmendur në dosjen e Radoniqit) u duk si një lajm i rremë. Por mesa duket
nuk ka qënë kështu. Burime për realstory.al thonë se Haradinaj ishte në dijeni
të këtij zhvilllimi një ditë më parë, cka nuk e bën të rastësishme intervistën
e tij mbrëmjen e të enjtes kur ai deklaroi se nuk do të hiqte taksën, pa njohur
Serbia pavarësinë e Kosovës.
A është pra “ftesa” për në Hagë e Haradinajt, një mjet presioni
ndaj tij për të pranuar një “deal” tjetër nga kryeministri kokëfortë?
Vetë Haradinaj pas dorëheqjes botoi një letër ku akuzonte ndërkombëtarët
pikërisht për këtë dhe paralajmëronte për ndarje, nëse liderët shqiptarë heqin
dorë nga taksa në shkëmbim të njohjes.
Por shumë interesante duket pasoja tjetër e dorëheqjes së Rambos.
Dorëheqja e Haradinajt kërkon tani mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë,
një gjë që Presidentit ia kujtoi vetë kryeministri i Dorëhequr në momentin e
largimit: “Qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e
qeverisë së re pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia shkon tek Presidenti
që ai me fillu konsultat për datën e re të zgjedhjeve me partitë politike. Unë
i afrohem popullit prapë për të marrë vlerësimin për shkak se nuk jam i akuzuar
por jam thirrur për t’u intervistuar”, tha Haradinaj, teksa dha lajmin e
dorëheqjes për shkak të thirrjes për t’u intervistuar në Gjykatën Speciale.
Paradoksalisht (dhe jo për herë të parë) AAK do t’i duhet të futet në këto zgjedhje pa Ramushin, një test i vështirë për formacionin politik të Rambos së Dukagjinit. Por ndryshe nga herët e tjera, AAK mund të ketë edhe më shumë deputetë se 8 përqindëshi i fundit i vitit 2017. Nëse ndodh kjo, ka pak rëndësi nëse Ramushi ndodhet në Hagë, apo Prishtinë. Në Kuvendin e Kosovës, mbështetja kundër një marrëveshjeje të negociuar do të rritej me së paku 10 përqind. Dhe kjo do të ishte përgjigja e vërtetë e Haradinajt ndaj presioneve ndërkombëtare ndaj tij. /Realstory.al/