Shënohet gjashtë mujori i fillimit të demonstratave në Hong Kong

Mijëra njerëz u mblodhën sot në rrugët e Hong Kongut, për t’iu bashkuar marshimit që shënoi gjashtë mujorin e demonstratave masive kundër propozimit të qeverisë që do të mundësonte dërgimin në Kinë për gjykim, të personave që dyshohen për krime. Tani që ky propozim është hedhur poshtë nga qeveria e qytetit gjysmë-autonom, protestat vazhdojnë me kërkesën për më shumë liri dhe të drejta.

Një grup i madh njerëzish u mblodhën në parkun Viktoria prej ku filloi marshimi deri në qendër të Hong Kongut.

Me thirrjet “luftë për liri” dhe “qëndro për Hong Kongun”, protestuesit krijuan një rresht të gjatë në zonën tregtare të qytetit.

“Në gjashtë muajt e fundit, kemi përjetuar abuzim dhe forcë policore. Qeveria e Hong Kongut nuk dha përgjigje, nuk e dëgjoi popullin, zërin tonë. Prandaj duhet të qëndrojnë të fortë dhe të luftojmë për liritë dhe të drejtat që duhet t’i kemi”, tha Nick, një protestues.

Policia e Hong Kongut miratoi lejen për demonstratën, gjë që rriti numrin e pjesëmarrësve.

“Po, kam shpresë për Hong Kongun. Shikoni njerëzit, ata nuk duan të dorëzohen. Besoj se duhet të kemi shpresë”, tha Chan, një protestues tjetër.

Tubimi u cilësua nga Fronti për të Drejtat Civile Njerëzore, si grupimi më i madh i organizuar që kur qindra mijëra protestues marshuan për herë të parë më 9 qershor.

Ndryshe nga atëherë, kur kërkohej anulimi i propozimit të projektligjit që mundësonte ekstradimin në Kinë të të dyshuarve për krime, sot demonstruesit kërkojnë zgjedhje demokratike dhe hetim për atë që protestuesit e quajnë përdorim të tepruar të forcës kundër tyre./VOA/

Ndalen protestat, Hong Kong “në heshtje” para zgjedhjeve

Pas protestave të dhunshme disa mujore, e shtuna solli mbi Hong Kongun një qetësi të pakëndshme, ndërsa qyteti po përgatitet të shkojë të dielën në zgjedhjet lokale.

Votimet e ditës së diel shihen si një referendum pas disa muajsh protesta të dhunshme antiqeveritare mes policisë dhe demonstruesve.

Në Universitetin Politeknik qëndrojnë ende një numër i vogël protestuesish që kërkojnë dëshpërimisht një rrugëdalje teksa të tjerët e dorëzuar janë arrestuar nga policia.

Protestat nisën në muajin qershor, fillimisht për të kundërshtuar ligjin e ekstradimit në Kinë të të dënuarve por që u shndërruan në lëvizje në mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë.

Senati amerikan ka votuar unanimisht në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Hong Kong dhe kundër shtypjes nga ana e Pekinit të lëvizjes protestuese.

Ligjvënësit amerikan miratuan gjithashtu një ligj që ndalon shitjen e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe pajisjeve të tjera të përdorura nga forcat e sigurisë për të shtypur protestat që kanë tronditur ish-koloninë britanike për muaj të tërë.

Por përgjigjja e Pekinit nuk ka vonuar. Kina ka sulmuar votën unanime të Senatit amerikan, i cili miratoi ‘Aktin e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë së Hong Kongut’ dhe kërcënoi me hakmarrje të pa specifikuar.

Hong Kong, protestuesit bllokojnë rrugët pranë aeroportit

Në Hong Kong, protestuesit pro-demokracisë bllokuan rrugët pranë aeroportit ndërkombëtar të qytetit, duke shënuar një ditë tjetër demonstratash.

Disa fluturime u anuluan dhe autoritetet pezulluan shërbimin e trenit ekspres për në aeroport.

Qyteti u shndërrua në një shesh beteje nga dilte tym, i shkaktuar nga të rinjtë që luftojnë për ndryshime demokratike.

Ndërsa Hong Kongu përjetoi një tjetër natë me dëme për shkak të protestave nga kundërshtarët e qeverisë, zyrtarët mbrojtën veprimet e policisë.

Policia iu përgjigj bombave me benzinë, zjarreve, tullave dhe gurëve që hidheshin kundër saj duke përdorur ujin me presion, gazin lotsjellës, rrahjet dhe në një rast, zjarrin e armëve.

Por ishte vendimi i policisë për të hyrë me forcë në dy stacione metroje dhe për të rrahur udhëtarët, ai që zemëroi shumë banorë të qytetit. Në rrjetet sociale u shpërndanë video ku shihej policia me helmeta dhe maska që godiste këmbësorët brenda një stacioni./VOA/

Protestat e dhunshme, policia përdor armët për herë të parë në Hong Kong

Hong Kongu nuk gjen paqe. Protestat e dhunshme vazhdojnë, ndërsa për herë të parë që prej nisjes së tyre tre muaj më parë, policia ka përdorur dhe armët e zjarrit. Ky është raportim i mediave ndërkombëtare, që shkruajnë se një oficer policie qëlloi me armë zjarri gjatë protestave të së dielës. Kjo është hera e parë që përdoren armët, që prej nisjes së demonstratave në qershor.

Fotografitë tregojnë se disa oficerë kanë nxjerrë armët ndaj protestuesve, që gjuanin me shkopinj. Ndërkohë, gjatë protestave të së dielës, nuk ka munguar përdorimi i ujit apo gazit lotsjellës. Protesta nisi në zonën e Tsuen Uan, dhe më pas u zhvendos në Tsim Sha Tsui. Demonstratat filluan në qershor të nxitura nga një projektligj ekstradimi.

Qytetarët e Hong Kongut dolën kundër këtij ligji dhe qeverisë, dhe prej qershorit në rrugët e metropolit të madh kinez, kanë nisur protesta të ashpra, ndërsa mediat raportojnë se demonstrata e të dielës ka qenë nga më të dhunshmet dhe me një nivel të lartë të rrezikut për trazira.

Policia është shprehur për mediat lokale se gjuajtja me armë ishte një paralajmërim për protestuesit, ndërsa gjatë përleshjeve, disa oficerë policie ishin dërguar në spital për shkak të plagëve.

Protesta të dhunshme në Hong Kong, pezullohen fluturimet ndërkombëtare

Skena të dhunshme janë regjistruar të martën në aeroportin e Hong Kongut mes protestuesve dhe policisë.  Dhuna shpërtheu në aeroportin e Hong Kongut të martën kur mijëra protestues vërshuan brenda terminalit, duke shkaktuar një ndërprerje të madhe udhëtimesh.

Një burrë mbeti i plagosur rëndë, pasi u rrah nga protestuesit, ndërsa u dërgua në spital për mjekim. Disa aktivistë kanë pretenduar se personi i dhunuar ka qenë një efektiv i policisë i veshur civil, që ndodhej mes protestuesve.

Protestuesit kanë bllokuar disa mjete policie, duke bërë që efektivët e Hong Kongut të reagojnë duke goditur me shkopinj gome personat që u kishin bllokuar rrugën. Në mbrëmje, komisioneri i të Drejtave të Njeriut  në OKB kritikoi përdorimin e forcës së policisë jashtë “normave dhe standardeve ndërkombëtare”.

Qindra fluturime u anuluan ose u pezulluan pasi protestat antiqeveritare shkaktuan kaos. Një udhëtar raportoi se ai dhe gruaja e tij kishin ngecur në aeroport për dy ditë. Protestuesit, të veshur me të zeza, kanë bllokuar pjesë të aeroportit ndërsa demonstratat që kanë tronditur qytetin me javë të tëra gjetën rrugën e tyre në qendrën kryesore të transportit. Fluturimet nga Hong Kong u ndërprenë për herë të parë të hënën pasdite kur mijëra protestues pushtuan terminalin.

Protestat në Hong Kong kanë nisur prej disa muajsh, shka i të cilave u bë ligji për ekstradimet mes Hong Kongut dhe Kinës, por më pas protestuesit kanë shtuar listën e kërkesave, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat e njeriut. Prej disa javësh, protestat kanë degjeneruar në akte dhune, ku si pasojë ka pasur shumë persona të plagosur.

Skip to toolbar