Protesta të dhunshme në Hong Kong, pezullohen fluturimet ndërkombëtare

AKTUALITET


Skena të dhunshme janë regjistruar të martën në aeroportin e Hong Kongut mes protestuesve dhe policisë.  Dhuna shpërtheu në aeroportin e Hong Kongut të martën kur mijëra protestues vërshuan brenda terminalit, duke shkaktuar një ndërprerje të madhe udhëtimesh.


Një burrë mbeti i plagosur rëndë, pasi u rrah nga protestuesit, ndërsa u dërgua në spital për mjekim. Disa aktivistë kanë pretenduar se personi i dhunuar ka qenë një efektiv i policisë i veshur civil, që ndodhej mes protestuesve.

Protestuesit kanë bllokuar disa mjete policie, duke bërë që efektivët e Hong Kongut të reagojnë duke goditur me shkopinj gome personat që u kishin bllokuar rrugën. Në mbrëmje, komisioneri i të Drejtave të Njeriut  në OKB kritikoi përdorimin e forcës së policisë jashtë “normave dhe standardeve ndërkombëtare”.


Qindra fluturime u anuluan ose u pezulluan pasi protestat antiqeveritare shkaktuan kaos. Një udhëtar raportoi se ai dhe gruaja e tij kishin ngecur në aeroport për dy ditë. Protestuesit, të veshur me të zeza, kanë bllokuar pjesë të aeroportit ndërsa demonstratat që kanë tronditur qytetin me javë të tëra gjetën rrugën e tyre në qendrën kryesore të transportit. Fluturimet nga Hong Kong u ndërprenë për herë të parë të hënën pasdite kur mijëra protestues pushtuan terminalin.

Protestat në Hong Kong kanë nisur prej disa muajsh, shka i të cilave u bë ligji për ekstradimet mes Hong Kongut dhe Kinës, por më pas protestuesit kanë shtuar listën e kërkesave, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat e njeriut. Prej disa javësh, protestat kanë degjeneruar në akte dhune, ku si pasojë ka pasur shumë persona të plagosur.