Panik në Romë, avionit i shkëputen pjesët në fluturim, bien mbi makina dhe shtëpi banimi

Një dëmtim teknik në motorin e avionit Boeing 787, i linjës ajrore norvegjeze, për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në aeroportin Fiumicino të Romës. Mediat raportojnë se pjesë metalike me përmasa të ndryshme, u shkëputën nga motori i avionit vetëm pak pas ngritjes së tij nga pista e aeroportit të Romës.

Metalet ranë fuqishëm në tokë duke u përplasur mbi makina apo mbi çatitë e shtëpive shumë pranë aeroportit të Fiumicinos, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Lajmi është konfirmuar, sipas Euroneës, nga një zëdhënëse e linjës ajrore Norvegjeze, e cila është shprehur se fluturimi nga Roma në Los Angeles “duhej të kthehej në aeroportin e Fiumicino për shkak të indikacioneve për dëme teknike të njërit prej motorëve”.

Ajo ka shtuar se avioni është ulur në mënyrë të sigurt. Ndërsa drejtori i aeroportit të Fiumicinos, ka postuar në faqen e tij në Facebook pjesë metalike të avionit, të gjetura në tokë. Ai ka shkuar se ky incident, fatmirësisht pa viktima, ka konfirmuar edhe njëherë temën e sigurisë në aeroport dhe problemin e pistave të ndërtuara pranë qyteteve.

Skip to toolbar