Presidenti Meta foli si
hoxhë, ose si prift – e jo si president.
Nga prizmi moral nuk mund të
flasë presidenti që moralin nuk e ka pasur asnjëherë virtyt dhe as model të
komunikimit publik.
Pajtohem me Tony Blair kur
thotë se ka dëshirë që kundërshtarët politikë t’i pensionojë nga politika me
garën e zgjedhjeve, por jo t’i futë në burg për gabimet e bëra gjatë mandatit
qeverisës. Mirëpo, kur gabimet rrezikojnë kushtetutshmërinë e shtetit, çfarë të
bësh me ata liderë?
Presidenti i Shqipërisë me
vendimin e tij të sotëm tregoi zvetënimin moral të funksionit të kreut të
shtetit. Vendosi ta bëjë një rrëfim të tij në zyrën e të parit të shtetit sikur
mes djeshmes dhe të sotmes të kishte rënë një perde e hekurt. Sikur të mos e
kishim jetuar kohën politike të para disa viteve.
Ilir Meta na trajton
kujtesën sikur të mos kishim qenë ne ata që i kemi përjetuar vendimet politike
të kohës dhe sjelljet e tij nëpër ekrane dhe përgjime. Ai bën rrëfim
presidencial sikur njerëz dhe sende e situata kanë ndryshuar brenda natës. Ky
rrëfim i sotëm është një narracion i dhunshëm që përmbys gjithçka të arritur në
politikën shqiptare.
Duke u thirrur në rrezikun
që i kanoset pluralizmit dhe parashikimit për përplasje civile, Presidenti
thirret në emër të Unitetit dhe rrezikut që po i kanoset pluralizmit.
Pluralizmi si koncept është
keqkuptuar me intriga dhe keqshpjeguar me padije nga Presidenti. Për ata që e
kanë një pikë shije politike dhe lexueshmëri elementare, pluralizmi nuk
parasheh heqjen dorë të partive politike nga procesi zgjedhor.
Pluralizmi si koncept është
dhënie e mundësive të barabarta në jetën shoqërore për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ikja nga procesi zgjedhor është vendim politik, po aq sa është edhe
pjesëmarrja. Prandaj, interpretimi me padije i një situate e lë vendin pa të
ardhme dhe pa sistem politik. E lë pa institucione. Krijimi i precedentëve të
rrezikshëm është më i rëndë për shtetin sesa mospjesëmarrja e PD-së dhe LSI-së
në zgjedhje.
Sikur ky vendim të
aprovohej, a mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte me sistemin politik
në Shqipëri?
Paramendojeni që në emër të
pluralizmit të cilin e pretendon Presidenti të mos marrin pjesë në zgjedhje
partitë e pakicës greke, apo çamët. Apo edhe vetë Partia Socialiste. Ku shkon
shteti me këtë kapadaillëk fjalësh presidenciale, të njeriut që për një kohë
është bërë promotor i të parit që shkel gjithçka që ka të bëjë me institucionin
e presidentit?
Ai me padije përmend përplasjen
civile. Le ta marrë përgjegjësinë Presidenti për këtë ide të dhunës së
paragjykuar, të shtruar në opinion nga zyra e tij.
Po mundohem që të përshkruaj
se çka përfaqëson kjo ide dhe ky rrëfim (me qëllim e them “rrëfim”, sepse
konferenca e tij për shtyp s’ka të bëjë me një vendim presidencial). Ai po hyn
në garën e njëanshmërisë politike. Bashkë me Berishën, ai flet pakuptimtë për
fërkimet e të gjitha llojeve, për intrigat që i kanë krijuar vetë duke sfiduar
rendin dhe ligjin, keqkuptimet për gjerat më të thjeshta, që janë bërë si
dukuri normale e Ilir Metës. Liderët që kanë qëllime primitive të pushtetit
mund t’i sfidosh vetëm me gjuhën që ata e kuptojnë dhe të veprosh me ta me
mjete që ata i njohin.
Pse?
Vendimi i Presidentit të
Shqipërisë, Ilir Metës, për t’i çdekretuar zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk
është vetëm një veprim i rënde antikushtetues, por edhe një ndërmarrje e
mirë-planifikuar politike në bashkëpunim të ngushtë me PD-në dhe LSI-në.
Së pari, Presidenti i
Shqipërisë nuk gëzon asnjë kompetencë ligjore e as kushtetuese për t’i
çdekretuar zgjedhjet. Presidenti ka vetëm rol simbolik në dekretimin e tyre,
por assesi ndonjë mundësi ligjore për çdekretimin e tyre. Kushtetuta e
Shqipërisë përcakton qartë se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca tjera
përveç atyre që në mënyrë shprehimore janë përcaktuar me kushtetutë. Koncepti i
çdekretimit, ndërkaq, nuk figuron askund në Kushtetutën e Shqipërisë. Për më
tepër, data 30 qershor është data e fundit që mund të garantojë plotësimin 4
vjeçar të të zgjedhurve në ushtrim të mandateve të pushtetit vendor. Pas
plotësimit të mandateve, të zgjedhurit më nuk mund t’i vijojnë aktivitetet e
tyre dhe, si rrjedhojë, do të bllokohet gjithë veprimtaria e pushtetit vendor
në Shqipëri. Ky veprim, pra, nuk është në funksion të rikthimit të unitetit
politik, por realisht në shërbim të thellimit të krizës institucionale në
Shqipëri.
Së dyti, Presidenti i
Shqipërisë ka demonstruar një nivel të paprecedentë papërgjegjësie politike në
Shqipëri.
Vetëm dy javë para vendimit
për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Ilir Meta ka vendosur ta shpie
vendin në një krizë të thellë duke i anuluar zgjedhjet lokale. Në vazhdën e
gjitha sulmeve të orkestruara që PD dhe LSI kanë ndërmarrë kundër Shqipërisë
gjatë tërë kësaj periudhe për ta pamundësuar hapjen e negociatave, Ilir Meta ka
zgjedhur momentin më delikat për t’i zhbërë zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Me këtë veprim Ilir Meta ka
pushuar së qeni përfaqësues i unitetit të popullit, por është pozicionuar
qartazi si një aktor i anshëm politik.
Ai tashmë sillet si burri i
Monika Kryemadhit, por jo si President i Republikës së Shqipërisë. Me këtë
veprim ai ka parashtruar mundësinë për delegjitimim të procesit demokratik të
30 qershorit dhe krijim të një situate të paparashikueshme pas saj.
Kështu, Ilir Meta nuk ka
mbyllur thjesht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me 30 qershor, por ka
filluar një luftë të hapur me Qeverinë. Veprimi i tij nuk është thjesht problem
në vetvete: veprimi i tij tash imponon edhe marrjen e një sërë veprimeve
plotësuese në vijim të çdekretimit të zgjedhjeve. Tani, Meta nuk do ta njohë
rezultatin e zgjedhjeve, do ta vazhdojë kontestimin e Qeverise në çdo takim dhe
vazhdimisht do të punojë kundër Qeverisë, duke cenuar drejtpërdrejtë edhe
Shqipërinë. Kësisoj, nëse Parlamenti i Shqipërisë nuk i fillon menjëherë
procedurat e shkarkimit të Metës, atëherë Meta krizën politike në Shqipëri do
ta zgjerojë në një krizë institucionale dhe shtetërore.
Ilir Meta duhet të shkarkohet
gjithsesi nga posti i Presidentit.
Ai ka abuzuar edhe me numrin
e paktë të kompetencave kushtetuese që ka, gjithnjë në përpjekje për t’u
faktorizuar politikisht. Meqë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka
parë të arsyeshme të ketë një konflikt të hapur me institucionin e Presidentit,
ai ka toleruar vazhdimisht sjelljen abuzuese te Presidentit. Presidenti në
mënyrë antikushtetuese nuk e ka dekretuar fillimisht Ministrin e Brendshëm, e
pastaj e ka bërë të njëjtën edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Për ta maskuar agjendën e tij të ngushtë dhe meskine politike, Ilir Meta ka
mobilizuar narrativa nacionaliste dhe ka shitur një sjellje kinse prej një
personaliteti parimor në publik. Duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës
Kushtetuese, Ilir Meta nëpërmes veprimeve arbitrare gjithmonë ka kryer veprime
në shërbim të PD-së dhe LSI-së.
Shqipëria mbase është i
vetmi vend në botë ku Presidenti flet për unitet paradite dhe gruaja e tij,
zonja e parë e shtetit, hedhë mollotovë në mbrëmje. Për më shumë, Shqipëria
është i vetmi vend në botë ku një personalitet që shihet në një video-incizim
për kusur pazari ditor të marrë guximin që prapëseprapë të vendosë t’i
deprivojë shqiptarët nga mundësia e votës së lirë dhe zgjedhja e përfaqësueseve
të tyre.
Shqipëria për pothuajse 30
vite nuk ka arritur të prodhojë një klimë normale elektorale dhe një ambient të
favorshëm demokratik. Pikërisht për shkak të njerëzve të politikës si Meta,
Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tyre të heshtur nga radhët e PS-së, si Ditmir
Bushati, Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj. Këta të fundit, në mënyrë të heshtur,
janë në pritje të thellimit të krizës së Ilir Metës në mënyrë që t’i rifitojnë
privilegjet e humbura. Në fakt, vetë Bushati kur kishte humbur detyrën kishte
dërguar një letër në Presidencë tek Meta, me vulë sekrete, kundër Ramës dhe
Cakajt duke gënjyer me paturpësi. I njëjti ka vazhduar të flasë me pezëm e mëri
kundër Ramës e Cakajt në vizitën e tij të fundit në Vjenë në kuadër të
angazhimeve të tij në OSBE.
Pse po e përmendi këtë fakt?
Pikërisht ngaqë tashmë është
krijuar një rreth kundërshtarësh politikë të cilët më nuk zgjedhin mjete për
t’ia gërryer Ramës terrenin politik ngadalë, por sigurt. Në këtë situatë, Rama
assesi nuk duhet të përgjigjet duke bërë makinacione politike ndaj këtyre
njerëzve. Në fakt, Rama thjesht duhet të bëjë veprimin më dinjitoz kombëtar në
kuadër të rrethanave aktuale: shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit
të Shqipërisë.
Me veprimin e tij për t’iu
pamundësuar të drejtën shqiptarëve të votojnë, Ilir Meta i ka dhënë goditjen më
të madhe pluralizmit politik në Shqipëri që nga vitet e 1990-ta. Me manipulimin
e tij me çështjen e dekreteve dhe duke i kaluar kompetencat kushtetuese në
vazhdimësi, Ilir Meta ka cenuar rëndë ndarjen e pushteteve gjatë gjithë kësaj
kohe. Më shumë se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, ai është
sjellë në përputhje me ëndrrën e tij prej monarku. Ai ka bërë praktikisht puç
antishtetëror me çdekretimin e zgjedhjeve dhe, si rrjedhojë, ai s’meriton të
jetë në atë detyrë më tutje!
Partia Socialiste dhe Edi
Rama duhet ta kuptojnë se nuk mund ta shpërfillin vendimin e Presidentit për
çdekretim të zgjedhjeve pa marrë masa ndaj një Presidenti që e ka humbur
besueshmërinë në tërësi.
Ilir Meta ka frikë deri në
palcë nga përsëritja e gjykimit për rastin ku ai është kapur duke vjedhur në
xhirime drejtpërdrejt gati në shuma milionëshe.
Prandaj, për ta shpëtuar
veten, ai ka zgjedhur njollosjen e reformës në drejtësi.
Prandaj, për ta shpëtuar
partinë e tij, ai ka zgjedhur rrënimin e Shqipërisë.
Prandaj, për ta shpëtuar
Shqipërinë, Ilir Meta duhet të largohet nga zyra e Presidentit me urgjencë.