U mbajtën peng nga Basha e Monika, Meta dekreton dy ligjet e Reformës në Drejtësi

Presidenti Meta, pas sulmeve ndaj reformës në drejtësi, më në fund ka vendosur të dekretojë dy projektligje të rëndësishme, pjesë e kësaj reforme, që janë mbajtur prej 30 muajsh të bllokuara nga opozita PD-LSI.  Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i cili tha se Meta ka vënë firmën në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.  Vetë presidenti kritikon vonesat e kuvendit në miratimin e këtyre dy projektligjeve por nuk thotë në asnjë moment se shkak për bllokimin e tyre ka qënë PD dhe LSI.

 “Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, u shpreh Tedi Blushi duke cituar shefin e tij, Meta.

Mirëpo, Presidenti harroi të thotë shkakun pse dy ligjet e sipërpërmendura mbetën të bllokuara për 30 muaj në sirtaret e Kuvendit. Në fakt, shkaku i vërtet ishte bllokimi që PD-LSI i bën këtyre dy ligjeve (lexo këtu lajmin e Realstory.al). Dy vjet e gjysmë  më parë, Gjykata Kushtetuese ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy ligjet e miratuar së fundi.

Shkak ishin 22 nene, të cilat u shfuqizuam si të “papajtueshme me Kushtetutën”, dhe për këtë arsye duheshin rishkruar. Në këto kushte, mazhoranca i kërkoi opozitës aso kohe, PD dhe LSI, që të bashkëpunonin për të miratuar ndryshimet e sugjeruara nga Gjykata Kushtetuese në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pasi duheshin 84 vota në Kuvend që këto dy ligjet të miratoheshin.

Por, PD dhe LSI refuzuan të ofronin bashkëpunim, duke bërë që ligjet e sipërpërmendura të mbeteshin në sirtarët e Kuvendit për dy vjet. Futja në parlament e deputetëve të rinj të opozitës, solli edhe nxjerrjen nga sirtarët e Kuvendit të këtyre dy ligjeve, të cilët u miratuan në seancën e 18 korrikut me 106 vota pro, duke plotësuar kuadrin ligjor të gjithë Reformës në Drejtësi. Në fakt, refuzimi i bashkëpunimit nga PD dhe LSI për miratimin e këtyre dy ligjeve, ishte prova që opozita bllokoi Reformën në Drejtësi, gjë të cilën në fakt Ilir Meta nuk e tha në konferencën për shtyp të zëdhënësit të tij.

Në përfundim, Blushi bëri dhe një rezyme të ligjeve që ka dekretuar presidenti Meta dhe ato që ka kthyer mbrapsht në Kuvend, sikur të kishte lexuar shkrimin e botuar të mërkurën në realstory. (lexo këtu). /Realstory.al/

“Tërmeti apokaliptik”, Xhaçka: Presidenti, blof për herë të dytë

Dy ditë më parë, Ilir Meta i drejtohej me një letër shqetësuese, Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe disa institucioneve të tjera, ku kërkonte informacion në lidhje me masat e marra për një tërmet, që sipas Metës pritet të godasë vendin tonë dhe do të jetë me përmasa apokaliptike. Në përgjigjen, që Xhaçka i kthen Metës, ajo qetëson Presidentin, duke i pohuar edhe faktin që “pas konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i paparashikueshëm”.

“Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, shprehej Xhaçka..

Megjithatë, shqetësimit të Presidentit, Olta Xhaçka i është përgjigjur duke i kujtuar edhe ligjin “Për mbrojtjen civile”, miratuar së fundi në Kuvend, dhe dërguar në zyrën e Presidentit për dekretim. “Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, shprehet Olta Xhaçka.

Pas kësaj kërkese të Olta Xhaçkës, ka ardhur reagimi i Presidentit me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, i cili është shprehur se “ligji ‘Për mbrojtjen civile’ është dekretuar para se të përfundojë afati”. Por duket se Presidenca në këtë rast ka dalë blof, pasi ligji, të paktën publikisht nuk gjendet askund i dekretuar. Nga një verifikim në faqen e presidencës, në seksionin e ‘Dekreteve’, shihen disa ligje të dekretuara ose jo, por ai për “Mbrojtjen civile” jo. Në fakt, as në Fletoren Zyrtare nuk është i publikuar ende dekretimi i këtij ligji.

xhacka meta all

Meta përmend Kroacinë për integrimin në BE, por harron prangat e Sanader

Presidenti Meta e ka nisur të mërkurën me një tjetër thirrje për marrëveshje mes palëve duke thënë se tani është koha e duhur, pastaj do jetë shumë vonë për të siguruar çeljen e negociatave në Tetor. Ndërsa bën një krahasim të politikanëve shqiptar me nxënësit që nuk mësojnë dhe më pas kur dalin keq në provime ia vënë fajin mësuesit, Meta ironizon qëndrimin e Ramës gjatë konferencës të së martës i cili tha se hapja e negociatave nuk lidhet me Shqipërinë por me politikën e brendshme të BE-së dhe se në tetor gjithçka mund të ndodhë.

“Të mos kalojmë në KundërKohë!

Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt.

U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit.

Por vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në KundërKohë.

Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s’mësove kur duhej.

Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë.

Por fëmijëve u falen sjellje të tilla dhe ato u kthehen në mësim për të ardhmen.

Ndërsa politikanëve jo!”, shkruan Meta.

Më tej ai kujton se në vitet 2000 Shqipëria ishte disa hapa përpara Kroacisë në procesin e integrimit evropian, ndërsa tani jemi shumë mbrapa saj, pasi Kroacia është anëtarësuar me kohë në BE.

“Për më tepër të një vendi që ka shpërdoruar kaq shumë kohë dhe mundësi në tre dekadat e fundit. Të një vendi që në vitet 2000, 2001 ishte gati me të njëjtin ritëm integrues si Kroacia dhe shumë para Serbisë e Malit të Zi.

Se ku ështē Kroacia, dihet prej vitesh, por edhe Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu. Po kështu edhe sakrifikimi i çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë, as zgjidhje, dhe as shpëtimi i fytyrës tonë që nuk duam t’i plotësojmë detyrimet që i dinë të gjithë”, shkruan Meta, i cili më tej bën thirrje për lidership e për marrëveshje mes palëve në mënyrë që në 18 tetor Shqipërisë t’i çelen negociatat me BE-në.

Janë dy gjëra që bien në sy në qëndrimin e presidentit. E para që ishte ai që me vendimin e datës 10 qershor ku firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve dhe që nxiti protesta të dhunshme të opozitës ndikoi në vendimin e BE-së që të mos çelte negociatat në qershor. Përfaqësues të lartë të BE u shprehën qartë se qeveria i ka plotësuar kushtet por situata politike në Shqipëri, (protestat e dhunshme të opozitës), ndikuan në shtyrjen e vendimit. Pas u bë palë me opozitën dhe nxiti protesta Meta po përpiqet së fundi të dalë mbi palët dhe të punojë për të ardhmen evropiane të vendit.

Ndërsa e dyta lidhet me rastin e Kroacisë. Realstory.al ka shkruar më herët se përse Kroacia e fitoi anëtarësimin në BE dhe kjo lidhet pikërisht me atë që sulmon më shumë presidenti Meta, Reformën në Drejtësi. Kroacia dha shembuj konkretë se Drejtësia vepron dhe është e barabartë për të gjithë, duke dënuar me burg për korrupsion ish kryeministrin Sanader. Ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi asnjë zyrtar të nivelit të lartë në burg, gjë të cilët BE mezi po e pret, ndërsa presidenti prej muajsh i gjuan me gurë jo vetëm reformës në drejtësi, por edhe SHBA dhe BE që mbështesin atë. Dhe sulmet e tij janë shtuar pikërisht muajt e fundit, kur po ngrihen me radhë institucionet e reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH. Me ngritjen e tyre nis edhe hetimi dhe dënimi i politikanëve të korruptuar. Dhënia e shembujve konkretë se drejtësia funksionon është marrëveshja më e mirë që mund të firmosë qeveria për të fituar negociatat me BE-në dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, një marrëveshje që vlen shumë më tepër se një pazar tjetër mes Ramës-Bashës e Metës./Realstory.al

“Tërmet apokaliptik”, Meta njofton sot konferencë 1 orë pas kryeministrit Rama

“Në orën 11:00 të martën në Sallën e Hartave, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një bashkëbisedim me gazetarët”, ishte ky njoftimi shpërndarë për mediat pasditen e të hënës nga zyra për shtyp e shefit të qeverisë. Nuk dihet axhenda e diskutimit të Kryeministrit Edi Rama me gazetarët, pasi për të nuk jepet informacion.

Megjithatë, situata poltike pritet të jetë në fokusin e këtij bashkëbisedimi me gazetarët. Gjithashtu, kjo konferencë e Kryeministrit Edi Rama, vjen disa ditë pas analizës së bërë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku shefi i qeverisë përsëriti se “dora mbetet e shtrirë për dialog me opozitën, me duke i ofruar edhe “veton” për reformën zgjedhore, por reforma në drejtësi nuk preket”.

Ndërkohë, pas lajmit për këtë konfernecë të kryeministrit, në orët e vona të darkës të së hënës, nga  Presidenca, Realstory.al mësoi se të martën në orën 12:00, vetëm 1 orë pas konferencë së Edi Ramës, do të ketë një konferencë për shtyp në presidencë.

Burimet pohojnë se ende nuk është vendosur se kush do të dalë në konferencë për shtyp, Ilir Meta vetë, apo zëdhënësi për shtyp Tedi Blushi. Gjithsesi, ashtu si në për konferencën e Kryeminstrit Rama, nuk thuhet asgjë për axhendën dhe qëllimin e konferencës së presidentit. Më herët gjatë pasdites së të hënës, Ilir Meta lajmëroi institucionet shtetërore për një ‘tërmet apokaliptik’, që sipas tij mund të jetë fatal për vendin.

Në letrën dërguar kryeministrit, Meta deklaronte se ishte gati të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar për masat që duhen marrë në rast të një përballje të tillë. Më pas doli që alarmi për tërmet të të tilla përmasave ishte “fake”. Ndaj nuk dihet nëse konferenca e Metës e lajmëruar për të martën në mesditë, ka lidhje me këtë lajm apo me situatën poltike në vend.  

Meta si fiset Maya, parashikon tërmet ‘apokaliptik’ për Shqipërinë

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër disi të çuditshme në përmbajtje Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave Sandër Lleshaj e Olta Xhaçka. Nuk ka lidhje me zgjidhjen e krizës politike në vend, por me një lajm të publikuar në mediat ndërkombëtare, ku një sizmolog, Akis Tselentis në Greqi, ka ngritur alarmin se “Ballkani do të goditet nga një tërmet me përmasa 30 herë më të mëdha se ai që goditi disa ditë më parë Athinën”. Në letrën e Ilir Metës, shkruhet se “për shkak të karakteristikave sizmike, vendi ynë është një vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, shkruan Meta.

Në këto kushte, kreu i shtetit i kërkon informacion kryeministrit, ministrit të brendshëm dhe asaj të mbrojtjes në lidhje me: “Institucionet përgjegjëse a kanë kontaktuar me sizmologun Tselentis dhe institucionet të rajonit lidhur me të dhënat e tyrë për paralajmërime të tilla? Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga njër tërmet i përmasave të tilla? Çfarë masash janë marë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor? Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë”, shkruhet në letrën që Ilir Meta i dërgon Kryeministrit, publikuar nga Realstory.al.

Por çfarë të ka të çuditshme kjo letër e Ilir Metës? Në fakt, letra do të ishte korrekte nëse kreu i shtetit do të kërkonte marrjen e masave nga institucionet shtetërore për të qenë gati për çdo situatë emergjente. Megjithatë, në letër lihet të kuptohet se është parashikuar një katasftrofë natyrore e një fenomeni natyror që deri më sot nuk është arritur të parashikohet nga sizmiologët, ndryshe nga fenomene të tjera natyrore, si reshjet e shiut, dëborës etj. Madje, këtë e ka konfirmuar edhe Instituti i Gjeoshkencave në një deklaratë publike bërë një vit më parë, ku shprehimisht shkruan: “Tërmetet nuk mund të parashikohen”, në një njoftim publik bërë nga Ervin Kasaj. Pra në këto kushte, paralajmërimi apokaliptik i Ilir Metës, duket njësoj si ai i Fiseve Maja, që parashikuan fundin e botës, por që nuk ndodhi kurrë.

Meta i “mohoi” fjalën në deklaratë, sekretari i OSBE reagon në Twitter (tregon çfarë tha)

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger pati një takim pasditen e të enjtes me Presidentin e Republikës Ilir Meta në zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Në përfundim të këtij takimi, presidenca bëri një deklaratë, ku ndër në pjesën kryesore të saj, citohej fjala e Ilir Metës ku kërkonte “ndihmën e OSBE për të zgjidhur krizën në Shqipëri”.

Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë nga presidenca, shkruhej vetëm një fjali me citimin e Ilir Metës, rreth angazhimit të Shqipërisë si kryesuese e OSBE vitin e ardhshëm. Në fund, pasi citohej vetëm fjala e Ilir Metës në deklaratë, nuk shkruhej asnjë fjalë rreth qëndrimit që kishte patur Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, në lidhje me temat e diskutimit, për të cilat shprehej deklarata.

Në këtë “errësirë” informimi rreth qëndrimeve të zyrtarit të OSBE nga presidenca, ka reaguar vetë Thomas Greminger, i cili me vetëm një fjali në Twitter ka shkruar duke zbuluar njëkohësisht edhe axhendën e takimit të tij me Ilir Metën. “Në takim me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ne ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë çelësi për progresin dhe suksesin e ‘Albanian OSCE 2020 Chair”, shkruan Greminger.

Pra, asnjë fjalë për tema të tjera të diskutuara me Ilir Metën, por vetëm për atë që mesaduket është fokusi real i OSBE, angazhimi i Shqipërisë për kryesimin e kësaj organizate vitin e ardhshëm. Ndërkohë, lidhur me krizën, Sekretari i OSBE-së shprehu qëndrim paraditen e të enjtes gjatë takimit me Ministrin Gent Cakaj, ku gjithashtu theksoi se “kriza duhet të zgjidhet brenda kornizës kushtetuese”.

Meta kërkon ndihmën e OSBE, por ‘fsheh’ qëndrimin e Greminger

Pas takimeve të nivelit të lartë që Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger ka pasur në Tiranë të enjten, pasdite ai ka zhvilluar një takim dhe me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Në takim, sipas një njoftimi të shpërndarë nga zyra për mediat e presidencës, mësohet se Meta i ka kërkuar ndihmë OSBE-së për zgjidhjen e krizës, duke ndërmjetësuar dialogun mes palëve politike në Shqipëri.

“Për rivendosjen e funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të jetë e mundur”.

“Ky angazhim do të shërbejë si mundësi tepër e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Rradhës së OSBE, por edhe së ardhmes europiane të Shqipërisë, për më tepër kur presim që në 17-18 tetor Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, – theksoi Presidenti Meta.

Megjithatë, në deklaratën e shpërndarë nga presidenca vihet re fakti që në materialin për takimin nuk citohet asnjë fjalë nga qëndrimi i Thomas Greminger. Gjatë gjithë deklaratës lexohet vetëm kërkesa dhe qëndrimi që ka mbajtur Presidenti Ilir Meta, ndërsa nuk citohet asnjë fjalë nga qëndrimet e sekretarit të OSBE. Megjithatë, më herët gjatë takimit me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Sekretari i OSBE u shpreh qartë se “kriza duhet të zgjidhet mes palëve politike dhe brenda kornizës kushtetuese.

Meta kujton 2 vite si President, me akuza për ndërkombëtarët… edhe për teatrin

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, jo më kot iu drejtua të mërkurën Gjykatës Kushtetuese, pasi zgjodhi pikërisht këtë ditë për të kujtuar 2 vjetorin e tij si President i Republikës.

Në dyvjetorin e tij si President i Republikës, ndërsa ndodhet në prag të shkarkimit, Meta tha se iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, siç thotë ai, për të cilësuar antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, por nga kjo Gjykatë (e cila vazhdon të jetë jo funksionale edhe për pak kohë), Presidenti sulmoi sërish ndërkombëtarët.

Sipas tij, drejtësia do të veprojë ndaj “rilindësve lokalë” dhe “rilindasve ndërkombëtarë”, ndërsa ka shtuar se do të marrë fund njëherë e mirë sundimi i oligarkëve.

“Ky veprim është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia në raport me kuvendin, qeverinë, institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të rendit kushtetues të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtarë dhe njëkohësisht në kundërshti të plotë me interesat kombëtare të vendit, pasi ligji për shkatërrimin e TK është një simbol kryevepër ku si asnjëherë tjetër më parë kryhet në harmoni të plotë krim kushtetues, kombëtar, kulturor dhe e gjitha kjo në interes të asaj që mund të quaj me shumë të drejtë, rule of oligarks.

I siguroj se kam ardhur këtu për të garantuar që republika e vendit do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit, boll me sundimin e oligarkëve dhe i siguroj të gjithë se duhet të ndërpritet akti kriminal që nisi në mëngjes dhe më solli mua këtu, do të veproj drejtësia shqiptare dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindësve lokale dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese deri tani”, u shpreh Meta, të cilin gazetarët e pyetën edhe për procedurën e shkarkimit që ka nisur ndaj tij.

“Jam i lumtur për procesin e dekorimit (shkarkimit) që ka nisur ndaj meje, sot kam bërë dy vjet që jam betuar në kushtetutën e Republikës, asnjë president më parë nuk ka ardhur këtu se nuk ka qenë e nevojshme, por unë kam bindjen se drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare janë e do të jenë në veprim pavarësisht mafiozllëqeve”, tha Meta.

Shumë shpejt Gjykata Kushtetuese do të plotësojë vakancat e saj dhe do të nisë punën ku një ndër çështjet e para që do të shqyrtojë pritet të jetë vendimi i parlamentit për shkarkimin e presidentit Meta. Ai akuzohet nga 102 deputetë të Kuvendit që kanë miratuar rezolutën për shkarkimin e tij se ka shkelur Kushtetutën përmes vendimit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjatë qëndrimit të tij si president gjatë këtyre dy viteve, Meta ka hapur një front lufte me qeverinë dhe maxhorancën duke i kthyer mbrapsht shumë ligje të miratuara nga Kuvendit, siç është edhe projektligji për shembjen e teatrit kombëtar. Ky ligj është miratuar 1 vit më parë nga Kuvendi dhe në tetor të 2018 është rrëzuar dekreti i Metës, ndaj dhe prania e tij të mërkurën në Kushtetuese nuk është e rastësishme, por vjen në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të tij që së bashku me opozitën të pengojnë nismat e qeverisë siç bënë edhe në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit./realstory.al

Meta: Shkarkimi dekoratë për mua, Rama nën efektin e dopingut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sfiduat qeverinë dhe miratimin e kërkesës për shkarkimin e tij në Kuvend duke e quajtur me ironi si një procedurë “Dekorimi” pasi respektoi Kushtetutën. Edhe pse  Komisioni Hetimor ka nisur punën për verifikimin e shkeljeve të kryera nga Presidenti, Meta deklaron se ai ka mbrojtur vetëm Kushtetutën dhe se nuk ka asnjë nën apo ligj që  të ketë shkelur apo t’i ketë sjell dëm shtetit apo qytetarëve.

Në fakt unë e konsideroj si një procedurë dekorimi sepse nuk shoh asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, aq më tepër natyrisht, e them me trishtim, nga një Parlament që ka thyer çdo rekord në shkeljen e qartë dhe flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë edhe falë një kontributi që ka po ky Parlament për bllokimin e qëllimshëm të ndërtimit të Institucioneve të reja të drejtësisë dhe të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të veçantë. Pra, ndihem në procedurë dekorimi sepse nuk e di se cilin nen të Kushtetutës kam shkelur dhe se çfarë dëmi i kam bërë Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë”, – është shprehur  Presidenti Meta në një intervistë në një studio televizive.

Në lidhje me akuzat publike që kryeministri Rama bëri në drejtim të presidentit duke e quajtur “tespie në duart e Berishës”, Meta është treguar i ashpër duke i quajtur deklaratë “nën efekte të caktuara”.

Më vjen për të qeshur kur dëgjoj deklarata të tilla. Natyrisht që ato janë nën efektet e caktuara.  Unë jam një politikan që nuk përdor doping. Madje edhe sportin e lashë, sepse kisha përshtypjen që nëse do të bëhesha kampion, do të më duhej të përdorja pak doping. “ – tha Meta

KLGJ shmang Metën për emërimet në Gjykatën e Lartë, propozon formulë të re?

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin për të vendosur gjyqtarë për çështje të caktuara në Gjykatën e Lartë, duke e nxjerr përkohësisht nga ngërçi këtë institucion. Gjatë mbledhjes së mbajtur nga KLGJ, anëtarët e këtij organi, kanë zgjedhur mes tre alternativave: skemën e delegimit të gjyqtarëve, aplikimin e transferimit të përkohshëm dhe aplikimin e caktimit të gjyqtarëve për çështje të caktuara.

Në fund, anëtarët e KLGJ-së kanë vendosur në mënyrë unanimie për të zbatuar pikën tre të propozimit atë të aplikimit për caktimin e gjyqtarëve në një çështje të caktuar. Kushti për gjyqtarët që do të emërohen në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara, do të jetë fakti që kandidatët të kenë kaluar më parë Vettingun. Disa nga çështjet kryesore që gjykohen nga Gjykata e Lartë, janë: kërkesat për ekstradime, të cilat në rast të tejkalimit të afateve sjellin shfuqizimin e masës “arrest me burg”.

Ankimime të veçanta të gjykatave civile, gjykatave administrative, kërkesa për mosekzekutim të formës së prerë, ankime që shkojnë në Gjykatën e Strasburgut e shumë detyra të tjera ligjore. Ngërçi në Gjykatën e Lartë ka shkaktuar shumë probleme në sistemin gjyqësor. Në bazë të Kushtetutës anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti me propozim të KLGJ.

Por deri tani KLGJ ende nuk i ka çuar listën me kandidatë presidentit dhe ky i fundit thotë se edhe pas kërkesës së tij për informacion të hollësishëm (kërkesë e bërë disa ditë më parë lexo këtu) për etapat në të cilat ndodhet procesi, KLGJ nuk i ka dërguar një informacion shterues.

Në fakt, pas vendimit të së martës, duket se do të ketë një paralasje tjetër mes Presidentit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi duket se gjyqtarët që do të caktohen për çështje dhe dosje të caktuara, do të marrin miratimin direkt të KLGJ-së pa kaluar më parë në miratimin e presidentit.

Skip to toolbar