Meta kujton 2 vite si President, me akuza për ndërkombëtarët… edhe për teatrin

AKTUALITET


Kreu i Shtetit, Ilir Meta, jo më kot iu drejtua të mërkurën Gjykatës Kushtetuese, pasi zgjodhi pikërisht këtë ditë për të kujtuar 2 vjetorin e tij si President i Republikës.

Në dyvjetorin e tij si President i Republikës, ndërsa ndodhet në prag të shkarkimit, Meta tha se iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, siç thotë ai, për të cilësuar antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, por nga kjo Gjykatë (e cila vazhdon të jetë jo funksionale edhe për pak kohë), Presidenti sulmoi sërish ndërkombëtarët.


Sipas tij, drejtësia do të veprojë ndaj “rilindësve lokalë” dhe “rilindasve ndërkombëtarë”, ndërsa ka shtuar se do të marrë fund njëherë e mirë sundimi i oligarkëve.

“Ky veprim është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia në raport me kuvendin, qeverinë, institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të rendit kushtetues të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtarë dhe njëkohësisht në kundërshti të plotë me interesat kombëtare të vendit, pasi ligji për shkatërrimin e TK është një simbol kryevepër ku si asnjëherë tjetër më parë kryhet në harmoni të plotë krim kushtetues, kombëtar, kulturor dhe e gjitha kjo në interes të asaj që mund të quaj me shumë të drejtë, rule of oligarks.

I siguroj se kam ardhur këtu për të garantuar që republika e vendit do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit, boll me sundimin e oligarkëve dhe i siguroj të gjithë se duhet të ndërpritet akti kriminal që nisi në mëngjes dhe më solli mua këtu, do të veproj drejtësia shqiptare dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindësve lokale dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese deri tani”, u shpreh Meta, të cilin gazetarët e pyetën edhe për procedurën e shkarkimit që ka nisur ndaj tij.

“Jam i lumtur për procesin e dekorimit (shkarkimit) që ka nisur ndaj meje, sot kam bërë dy vjet që jam betuar në kushtetutën e Republikës, asnjë president më parë nuk ka ardhur këtu se nuk ka qenë e nevojshme, por unë kam bindjen se drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare janë e do të jenë në veprim pavarësisht mafiozllëqeve”, tha Meta.

Shumë shpejt Gjykata Kushtetuese do të plotësojë vakancat e saj dhe do të nisë punën ku një ndër çështjet e para që do të shqyrtojë pritet të jetë vendimi i parlamentit për shkarkimin e presidentit Meta. Ai akuzohet nga 102 deputetë të Kuvendit që kanë miratuar rezolutën për shkarkimin e tij se ka shkelur Kushtetutën përmes vendimit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjatë qëndrimit të tij si president gjatë këtyre dy viteve, Meta ka hapur një front lufte me qeverinë dhe maxhorancën duke i kthyer mbrapsht shumë ligje të miratuara nga Kuvendit, siç është edhe projektligji për shembjen e teatrit kombëtar. Ky ligj është miratuar 1 vit më parë nga Kuvendi dhe në tetor të 2018 është rrëzuar dekreti i Metës, ndaj dhe prania e tij të mërkurën në Kushtetuese nuk është e rastësishme, por vjen në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të tij që së bashku me opozitën të pengojnë nismat e qeverisë siç bënë edhe në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit./realstory.al




Skip to toolbar