Lufta kundër informalitetit në ekonomi do të
vijojë. Pas aksionit të zhvilluar gjatë muajve të verës në bregdet, inspektimet
janë shtrirë edhe në zonat në brendësi të qyteteve. Ministrja e Financave Anila
Denaj ka inspektuar punimet në disa kantiere ndërtimi në Tiranë. E shoqëruar nga
Drejtori i Inspektoratit të Punës, Denaj pa nga afër inspektimet në disa
kantiere ndërtimi në kryeqytet. Në prani të saj është bërë bllokimi i një
kantieri ndërtimi në një pallat, pasi është gjetur me parregullsi në sigurinë në
punë.
“Sa kemi mbaruar një proces inspektimi në të
cilën kemi verifikuar shmangien në ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë,
duke bërë pezullimin dhe mbylljen e kantierit të ndërtimit deri në marrjen e
masave për normalizimn e të gjithë procesit”, u shpreh ministrja. Më tej
ajo shtoi se kontrollet në ligjshmërinë e bizneseve do të shtrihen në të gjithë
vendin, për të luftuar punën në të zezë, por dhe për të mos lejuar ndodhjen e
aksidenteve gjatë punës. Sipas Denaj, deri më tani është konstatuar se rreth
30% e punonjësve janë të paregjistruar në sektorin e punës, duke kërkuar që këtij
informaliteti ti vihet fre.
“Një fokus i veçantë po realizohet edhe
nga inspektorati i punës në atë që eliminon aksidentet në punë. 30% e punonjës
janë të paregjistruar në sektorin e punës, ne duhet ti vendosim fre këtij
informaliteti. Gjobat janë 0-50 fish e rrogës bazë, por ky nuk është objektivi
jonë. Procesi do të vijojë i fokusuar muajin shtator te firmat e ndërtimit për
të eliminuar sidomos aksidentet në punë. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin
me bashkitë të na vendosin në dijeni që t’u paraprijmë masave” tha ajo. Ministrja
u ka kërkuar inspektorëve të punës që të jenë më të kujdesshëm me inspektimet,
jo vetëm në vlerësimin e zbatimit të kritereve të sigurisë në punë, por edhe të
cilësisë së punimeve.
Vendimet e gjykatave për hapjen e aktiviteteve duke rrëzuar urdhrin
e qeverisë për bllokim të tyre gjatë aksioni kundër informalitetit, ka sjell reagimin
e ashpër të zëvendëskryeministrit Erjon Braçe. Ai tha për mediat se të gjitha ato
gjyqtarë që kanë vendosur në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, konkretisht emrat
e tre gjyqtareve në Tiranë, Vlorë e Gjirokastër, i janë dërguar Ministres se Drejtësisë, KLGJ dhe organeve të
vetingut, për të hetuar mbi ta për paligjshmëri dhe vendime të njëanshme.
“I jam drejtuar me
dosje të posaçme ministres së drejtësisë, KLGJ dhe OMN, KPK, për tre gjyqtarë,
një prej gjyqtarëve të Tiranës, në gjykatën administrative, për një çështje që
ka marrë në shqyrtim e ka vendosur në kundërshtim me vendimin e marre nga
qeveria. Gjykatës të Vlorës që kanë vendosur brenda një minute dhe natyrisht
jashtë kompetencës së tij lëndore dhe një gjykatës të Gjirokastrës që siç jeni
edhe në dijeni ka liruar nga bllokimi 7 ton ushqime të bllokuara nga AKU që
ishin jashtë afatit të skadencës që ishin me muaj e me vite. Këto institucione
të kenë në vëmendje veprimtarinë e këtyre gjyqtarëve që këto çështja të jenë
pjesë e diskutimit”, tha Brace.
Braçe foli edhe për vijimin e aksionit ndaj informalitetit,
ku tashmë në fokus në fushën e hidrokarbureve nuk do jenë vetëm prodhuesit e mëdhenj
por edhe konsumatorët që në kompanitë e tyre kanë depozita nafte përtej
kapaciteteve dhe të palicencuara. Zëvendëskryeministri Braçe u dha kohë
kompanive që të nisin certifikimin e tyre deri në fund të shatorit, pasi ligji
nuk do të bëj asnjë sy qorr përballë paligjshmërive.
“Jemi
fokusuar në tregun e karburanteve, jemi ndalur te importuesit e mëdhenj. Jemi
ndalur te prodhuesit e mëdhenj të karburanteve. Tani do ndalemi te konsumatorët
e mëdhenj të karburanteve në vend. Janë ata që zënë gati 40-45% të konsumit të
karburanteve në Shqipëri. Iu bëj thirrje konsumatorëve të mëdhenj dhe që kanë
depozita në ambientet e kompanive të tyre dhe që i përdorin për furnizimin e
mjeteve të tyre. Që nga sot deri në fund të shtatorit secili prej tyre ka kohë
t’i drejtohet organeve shtetërore, për të certifikuar kapacitetet e depozitave
të tyre sa më parë të jetë e mundur, më qëllim që të kemi informacion për
kapacitetet e tyre.” tha Braçe.
Lufta kundër informalitetit ishte aksioni
kryesor i qeverisë gjatë pushimeve verore, ku ka goditur me grusht të fortë të
gjitha rastet që abuzonin me kuptonin tatimor dhe deklarimet e tyre në
shtet. Ky aksion nuk kurseu askënd biznes
të madh e të vogël, ku forca e ligjit u tregua e barabartë për të gjithë dhe në
rastet që ka pas shkelje është shoqëruar me penalitetet përkatëse.
Ky aksion nuk do të marr fund me verën, përkundrazi
do të shtrihet edhe më gjerë ku do të përfshihen të gjitha produktet e akcizës,
cigaret dhe pijet alkoolike. Lajmin e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i
Doganave, Arlind Gjokuta, i cili tha se ligji i akcizës parashikon penalitete
shumë të forta në raste shkeljesh.
“Ligji i
akcizës parashikon që në rast evidentimi shkeljesh, përveç vlerës së evidentuar
të munguar në buxhetin e shtetit të aplikohet edhe një penalitet që mund të
shkojë nga 1 në 5-fish të detyrimit të munguar në varësi të rastit dhe
përsëritjes së rastit. Në 2 muajt e parë fokusi kryesor ka qenë në pjesën e
karburanteve, por do të vijojë me pijet
alkoolike, kafenë, cigaret etj.” – tha Gjokuta
Gjokuta foli edhe për aksionin e ndërmarrë në
informalitetin në fushën e hidrokarbureve,i cili tha se Ministria do të dal me një
raport përfundimtar për aksionin e aj dy mujor.
“Kemi
nisur një kontroll sektorial për tregtimin dhe prodhimin e karburanteve nga
momenti i shitjes me shumicë dhe importit deri në shitjen me pakicë drejt
konsumatorit final. Kjo analizë ka dashur kohën e vet, ndaj dhe kemi pasur
kujdes të mos përmendim emra, sepse është proces që zgjat dhe çdo subjekt ka të
drejtën e apelimit. Por, me mbylljen e gjithë kontrollit, javën e ardhshme
bashkë me Ministrinë e Financave, do të japim gjetjet kryesore duke përmendur
edhe secilin nga operatorët që janë gjetur me shkelje dhe penalitetin përkatës”,
tha Gjokuta.
Pas bllokimit të rreth 550 ton karburant e
llojit naftë, që ishte gati për t`u hedhur në treg, ka reaguar Kryeministri Edi
Rama. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Rama shkruan se kush dëshiron të
merret me naftë, duhet të zgjedhë, ose sipas ligjit ose goditjen e ligjit.
“Kush merret me naftë duhet të zgjedhë: o
sipas ligjit o goditjen e ligjit. 550 ton karburant jashtë standardeve, gati për
të dalë në tregu, u bllokua sot në rafinerinë e Ballshit. Lufta kundër informalitetit
nuk do të ndalet asnjë orë dhe para asnjë subjekti, duke filluar çdo ditë me të
mëdhenjtë në radhë të parë”, shkruan Rama.
Më tej, shefi i qeverisë shprehet se kush do
të përpunojë apo tregtojë naftë do të jetë në shënjestrën e strukturave të
shtetit, ndërsa thekson se informaliteti në dëm të cilësisë është po aq i dëmshëm
sa ai financiar.
“Ata që nxjerrin, përpunojnë apo tregtojnë
naftë, janë në shënjestrën e strukturave të shtetit dhe s’do të kenë asnjë
shteg jashtë rrugës së ligjit e të standardeve që meritojnë konsumatorët. Informaliteti
në dëm të cilësisë është po aq i dëmshëm dhe i patorerueshëm, sa edhe
informaliteti financiar në kurriz të konsumatorit e të shtetit”, përfundon Rama.
Lufta kundër informaliteti në biznes është përqendruar
në disa drejtime. Një prej tyre është goditja e informlaitetit në hotele dhe
shtëpi pushimi për turistët, kryesisht në bregdet. Gjatë pasdites të së shtunës,
kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, disa
foto ku tregon disa hotele dhe shtëpi pushimi, që janë bllokuar nga tatimet
pasi janë gjetur në shkelje ligjore. Për rastet në fjalë, shefi i qeverisë
shkruan se “se një numër jo i vogël abuzuesish përsërtës, u është bllokuar
aktiviteti”.
“Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit
në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar,
duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël
abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti. Kontrollet vijojnë
intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e
tjera të akcizës me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, shkruan Rama.
Me nisjen e sezonit të rregullt turistik të
verës, qeveria ndërmori një aksion për goditjen e paligjshmërisë kryesisht në
bizneset që ofrojnë shërbime për pushuesit. Deri më tani janë kontrolluar mijëra
biznese shërbimi, si bare, restorante, shtëpi pushimi, hotele etj, ku dhjetra
prej tyre janë bllokuar pasi janë gjetur në shkelje të ligjit.
Një tjetër aksion i madh ka qenë ai kundër lirmit
të plazheve të zaptuara nga biznesi privat në mënyrë të paligjshme, dhe kthimin
e tyre për qytetarët. Ky aksion kundër informalitetit, siç ka njoftuar më herët
qeveria, do të vijojë edhe pas sezonit turistik, ndërsa së fundi goditjes së
paligjshmërisë i është nënshtruar dhe sektori i karburanteve në vend.
Aksioni kundër informalitetit ka vënë në
pranga një 64-vjeçar në qytetin e Korçës, i cili akuzohet për tregtim të
mallrave kontrabandë si dhe organizim të lotarisë në lokalin e tij.
Gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit B.M, u
sekuestruan një sasi pijesh (alkoolike dhe joalkoolike) pa dokumentacionin
përkatës si dhe një kompjuter që përdorej nga shtetasi për organizimin e
lotarive të palejuara.
64-vjeçari do të përballet me akuzën për
veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë
kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, ”Shkelja e të drejtave
të pronësisë industriale” , ”Organizimi i lotarive të pa lejuara” dhe
”Ushtrimi i aktivitetit tregtar të pa regjistruar në organet tatimore”.
Aksioni anti-informalitet nuk kursen askënd
dhe këtë kryeministri Rama nuk heziton ta përsëritë çdo ditë. Rama ka lajmëruar
përmes një postimi në Facebook goditjen e një tjetër rasti për paligjshmëri dhe
tregtim të hidrokarbureve pa akcizë. “Një depozite në Porto Romano në Durrës
është gjobitur me një shumë të madhe, pasi ka mungesë në deklarimet e saj për
233 mijë litra benzinë. Subjekti ka marrë një gjobë prej 350 mijë eurove dhe
nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5-fish dhe më pas
mbyllja e të gjithë aktivitetit”, shprehet Rama, i cili i bën thirrje bizneseve
të zbatojnë ligjin, pasi operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo
magazinë doganore, jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të
akcizës.
Nga verifikimi rezulton se aksioni
anti-informalitet ka goditur sërish subjektin e hidrokarbureve Gega Oil, pasi
është kapur me shkelje. ndërsa vetëm pak ditë më herët, subjektit Gega Oil iu
bllokua një pikë furnizimi për shkak të problemeve me pompat e furnizimit. Ndaj
Gega Oil që kishte bërë shkelje është vendosur një gjobë e majme prej 350 mijë
eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5 fish
dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit dhe revokim të licencës.
Ky zbulim evazioni ka ardhur në saj të
aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur
informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek
hotelet e komplekset me të famshme të vendit. Strukturat e Administratës
Doganore në kontrollet e tyre janë fokusuar te sektori i hidrokarbureve dhe produktet e akcizës.
Në inspektimin e bërë në Porto Romano ka qenë
e pranishme Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i doganave
Arlind Gjokutaj, i cili tha se kjo është shkelje për herë të parë dhe për këtë
arsye penaliteti që aplikohet është 1-fish mbi vlerën e detyrimit. Në rast
përsëritje do të jetë 3-fish dhe për herë të tretë shkon deri në 5-fish të
detyrimit dhe revokim të autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.
“Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po
kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e
Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial.
Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në
magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në
sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe
me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i
importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë
dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt
detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha Gjokuta.
Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të
jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet
alkoolike, kafeja,etj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi
se po bëhet një analizë e plotë me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.
“Ne do
të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund
masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta luftuar atë. Në Porto
Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha
subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe
në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për
karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.
Në fund ministrja Denaj i bëri apel bizneseve
të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë.
Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i
subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi.
Për shkeljen e mëparshme Administratori i ‘Gega
Oil’ , Paulin Gega është shpallur në kërkim pasi akuzohet për pastrim parash
dhe evazion fiskal në shuma të konsiderueshme. Prokuroria nxori një urdhër
ndalimi për Gegën, por rezulton se ky i fundit është larguar nga Shqipëria. Po
ashtu 4 vite më parë ai ishte proceduar nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për
veprën penale fshehje e të ardhurave.
Megjithatë, në një reagim për mediat, Gega ka
mohuar që të ketë shkelur ligjin, ndërsa sa tha se nuk i është shmangur
drejtësisë, por ka ikur me pushime në Greqi, të cilat i kishte planifikuar kohë
më parë. Ai ka mohuar akuzat se kompania e drejtuar prej tij ka kryer evazion
fiskal apo fshehje të të ardhurave, ndërsa theksoi se “Gega Oil”
vijon aktivitetin pa ndërprerje në të gjithë vendin.
Prej dy muajsh në të gjithë vendin po ndërmerret një aksion i gjerë kundër informalitetit, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet, komplekset, bizneset e dyqanet e deri tek karburantet dhe tregtimi i hidrokarbureve.
Lufta kundër informalitetit dhe aksioni për
lirimin e vijës bregdetare të zaptuar në mënyrë të paligjshme ka çuar në 66 persona
në procedim penal vetëm gjatë fundjavës.
Qeveria ka nisur me grusht të hekurt luftën kundër
informalitetit, aksion vjen paralel me aksionin që po ndërmerret në vijën
bregdetare për lirimin e plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme ku
janë bllokuar disa hotele dhe komplekse që kishin zaptuar zonën bregdetare.
Mes të proceduarve është edhe drejtori i
ALUIZNI-t në Elbasan për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka lëshuar një
leje legalizimi për një objekt, pa dokumentacionin përkatës.
Gjatë aksionit janë ushtruar kontrolle në
qindra subjekte të ndryshme dhe kanë nisur procedime penale konkretisht me 13
raste në qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste
në qarkun Gjirokastër, 5 raste në qarkun
Korçë, 5 raste në qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4
raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2
raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat
Aksioni është zhvilluar në zonat urbane,
kontrolle në pyje e kullota për prerje të paligjshme, në fushën e ndërtimeve pa leje apo të tregtimit të
hidrokarbureve, etj me qëllim zbatimin e masave për parandalimin, evidentimin
dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim,
hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të
punës së përditshme.
Të proceduarit akuzohen për veprat penale
“Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i
paligjshëm”, “Tregtimi dhe transportimi
i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë
industriale”, “Ndërtimi pa leje” dhe
“Prerja e paligjshme e pyjeve”.
“Nuk do të
tolerohet asnjë pavarësisht se sa i fuqishëm është në fushën e biznesit që
kryen evazion fiskal. Do të goditet me grusht të fortë.” Kjo është moto dhe shprehja
që kryeministri Rama ka përsëritur këto dy muaj dhe ka nisur një aksion të fortë
në luftën kundër informalitetit duke mbyllur me qindra biznese të mëdha dhe të
vogla.
Përgjatë
muajve veror, Rama ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë rast i informalitetit
dhe se do të mbyllet çdo biznes që kryen evazion fiskal dhe nuk lëshon kuptonin
tatimor. Prej kohësh Rama publikon në
facebook-un e tij rastet e mbylljes së bizneseve për shkak të mungesës së
kuponit tatimor dhe mosdeklarimit real të të ardhurave duke i shkaktuar një dëm
të madh ekonomik arkës së shtetit.
Pasditen e
të premtes Rama postoi mbylljen e një pike karburanti dhe paralajmëroi mbylljen
e të tjerave nëse abuzojnë me pompat e hidrokarbureve dhe nuk i japin kuponin
qytetarëve.
“Ja kështu si ky sot, do mbyllet çdo stacion karburanti që nuk tapos përfundimisht pompën manuale dhe nuk i dorëzon kupon konsumatorit”-shkruan Rama.
Aksioni “Zero tolerancë ndaj informalitetit”
po vijon me ritme të shpejta dhe pa u ndalur përballë asnjë shkelësi të ligjit.
Kjo luftë e nisur në muajin korrik, do të vijojë edhe gjatë gushtit e në
vazhdim duke vënë përpara ligjit të gjithë bizneset dhe sipërmarrësit që kryejnë
evazion fiskal dhe falsifikim të dokumenteve. Me një postim në Facebook, Rama
ka përshëndetur një tjetër aksion të policisë kundër informalitetit që përfshin
një biznes me veprimtari në fushën e hidrokarbureve dhe abuzimit me ndërhyrjen në
pompat e karburanteve.
“Vazhdon operacioni për goditjen e
veprimtarisë së paligjshme në fushën e hidrokarbureve, për evazionin fiskal,
falsifikimin e dokumenteve dhe ndërhyrjeve në pompat e karburanteve. Hetimet që
janë zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, nën
drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vendosin në pranga dy
persona. Ata u ndaluan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi
i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndryshimi në aparatet matëse” të
kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta
shtetas në bashkëpunim, ndërhynin në pompat e distributorëve të karburanteve të
palicensuar, falsifikonin procesverbalet në emër të një subjekti tjetër dhe nuk
lëshonin faturë tatimore. Vijojnë hetimet, pasi dyshohet të ketë persona dhe
subjekte të tjera të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, duke i sjellë
shtetit një dëm të madh ekonomik!” – publikon Rama në Facebook.