Cakaj-Maas: Të hapen negociatat, mos i ktheni shpinën Ballkanit Perëndimor

Për Gjermaninë negociatat me Shqipërinë duhet të hapen për arsye strategjike në Ballkanin Perëndimor” tha  ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Ambiciet europiane të Shqipërisë dhe mbështetja e saj nga Gjermania ishin pjesë e diskutimeve mes dy ministrave të jashtëm.

Cakaj vlerësoi si historike dhe të pa ndërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimin e reformës në drejtësi, që sipas tij, ndodhet në fazën e fundit  të saj. “Vitin e kaluar këshilli i çështjeve të përgjithshme të BE-se mori vendim për hapjen e negociatave në 2019 dhe ne ishim të bindur se kjo nuk do të ishte një hapje automatike por e bazuar në një punë intensive për plotësimin e procesit të vettingut, krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti i Komisionit Evropian ka certifikuar angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e këtyre kritereve nga pikëpamja teknike.”

Ministri i jashtëm gjerman, Maas siguroi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe vlerësoi “rolin e Shqipërisë në kryesimin e OSBE-së të cilën e cilësoi jo thjesht një sfidë, por një mundësi të madhe që ka vendi për të performuar në skenën ndërkombëtare.”

Negociatat, Holanda tjetër pengesë: Kushte Maqedonisë dhe Shqipërisë

Kërkesa e Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është diskutuar në Parlamentin holandez. Ashtu si vitin e kaluar qëndrimi i parlamentit të Holandës nuk është shprehur pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke ritheksuar se vendi ka ende punë për të bërë. Gjatë argumentit të tyre, parlamenti i kushton rëndësi të veçantë reformës gjyqësore ku kërkon nga Shqipëria që të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri në arritjen e tyre ajo kërkon që qeveria e Holandës të mos votojë pro propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociate me Shqipërinë për anëtarësim në BE. “Ne vlerësojmë hapat që Shqipëria ka bërë gjatë këtij viti, por ka ende shumë për të bërë në për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqipëria nuk ka pasur arritje të prekshme të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Themelimi i Strukturës Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i rëndësishëm në këtë kontekst. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet, negociatat e pranimit me Shqipërinë nuk mund të fillojnë.”

Kritika i referohet ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorisë Speciale kundër Krimit SPAK, gjë që pritet të ndodhë deri në fund të muajit qershor. Duket se kjo do përdoret si argument për të shtyrë vendimin pozitiv, për në vjeshtë, çka është brenda pritshmërive edhe të Komisionit Europian, të Këshillit Europian të Ministrave, por edhe të qeverisë Shqiptare.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, qeveria holandeze theksoi se pavarësisht arritjeve pozitive që ka kryer gjatë një viti, ka ende disa kërkesa që duhet të përmbush, përpara se të hapen negociatat për pranimin e saj. “Maqedonia e Veriut duhet të shfaq në mënyrë konkrete se reformat për sundimin e ligjit duhet të zbatohen para se të hapen negociatat e pranimit. Vendi duhet të arrijë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e gjyqësisë, sigurisë dhe administratën publike. Një hap i rëndësishëm ende për t’u marrë është miratimi i shpejtë i legjislacionit për statusin e ardhshëm të Prokurorit Special.” Deri në plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të hapen negociatat për pranimin e saj.

Mocioni është propozuar nga deputeti i CDA, Pieter Omzigt, i cili ka qenë konsistent në qëndrimet e tij kundër Shqipërisë. Pak kohë më parë ky deputet, i cili ka lidhje të forta personale me Lulzim Bashën, ka botuar një shkrim në një revistë holandeze, ku bashkë me Azerbajxhanin dhe Turqinë, radhit edhe vendin tonë, si vende islamike që po tentojnë të vendosin Sharian, ose Ligjin Islamik sipas K’uranit. (shih fotot). Dhe për të ilustruar argumentin e tij të pavërtetë, ai e shoqëron atë me një foto ku duket një xhami. Në fakt bëhet fjalë për pazarin e vjetër të Krujës, qytetit simbol të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit otoman jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të gjithë Ballkanit.  /realstory.al

Gjermanët kundër Metës: Zgjedhjet më 30 qershor, kriza do ndikojë te vendimi i KE

Pas përfundimit të takimeve zyrtare të planifikuara në axhendën e tyre dy ditore, delegacioni i deputetve të Bundestagut, i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të (SPD), Josip Juratoviç. Pikërisht ky i fundit, ka folur, i shoqëruar dhe nga kolegët e tij deputet të Bundestagut, në një konfrencë për shtyp nga ambientet e ambasadës Gjermane në Tiranë. Joratoviç ka dalë kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve, duke u shprehur se nëse ajo është vendosur në Kushtetutë, duhet të respektohet.

Janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parash që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Sepse vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke u bazuar në Kushtetutë… Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese në formatin e parlamentit është organi më i lartë demokratik”, u shpreh Juratoviç.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Juratoviç u shpreh se turi që ai dhe kolegët e tij kanë ndërmarrë në Ballkan, lidhet me njohjen e mëtejshme me ecurinë e reformave. Në këtë rrjedhë, kryetari i Grupit Parlamentar të SPD, u shpreh se Shqipëria dhe rajoni është oborr i brendshëm i BE-së dhe duhet të anëtarësohet.

Kemi pasur kontakte me përfaqësues të parlamentit, komisioneve parlamentare, kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe të Brendshmin për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash”.

Mirëpo, deputeti gjerman, tha se situata aktuale politike në Shqipëri, do të jetë vendimtare në vendimin e Këshillit të Europës për votimin pro ose kundër hapjes së negociatave me BE-në.

Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se cfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike” tha Josip Juratovic.

“The Guardian” për Ramën: Kryeministri i pazakontë që kërkon t’i shpëtojë mallkimit të historisë

Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim situatës politike në Shqipëri dhe përpjekjeve të saj për të ecur para me integrimin. Gazetari Shaun Walker, i cili vizitoi edhe zyrën e Ramës, e ka cilësuar kryeministrin “të pazakontë që kërkon t’i shpëtojë mallkimit të historisë”.

Në një intervistë në zyrën e tij, kryeministri Rama tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE do të thotë mundësi për t’u pozicionuar përfundimisht në një zonë të sigurt nga mallkimi i historisë.

“Ne ishim Koreja e Veriut e Europës”, tha Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin komunist më mizor që ka njohur historia. Kjo është arsyeja pse jemi tani pro-amerikanë, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi myslimanët më pro-europianë në botë. Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 95% e popullsisë besojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime për vendin”.

Në shkrim gazetari thotë se Rama ka “krijuar reputacionin e një magjistari jokonformist qysh kur mori kontrollin e qeverisë në vitin 2013.”

Denoncimet e opozitës për qeveritarët e lidhur me krimin e organizuar kanë qenë pjesë e shkrimit, ku gazetari thekson se Rama pranoi se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe krimin dhe se qeveria e tij po merr hapa realë për t’i luftuar ato dhe kërkon ndihmën e BE-së për ta bërë këtë. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar vettingut, ndërsa agjencia e kufirit e BE-së Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar.

ARTIKULLI I PLOTE:

Artisti dhe ish basketbollisti përballet me një betejë të vështirë për ta drejtuar Shqipërinë drejt rrugës së anëtarësimit në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshiron të jetë njeriu që e vendos vendin e tij në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ai po përballet me dy probleme të mëdha.

Në Europë udhëheqësit e lodhur nga zgjerimi duket se janë të vendosur në qëndrimin e tyre hezitues ndaj pranimit të anëtarëve të rinj potencialë, teksa ndjenjat populiste dhe europesimiste janë gjithnjë e më shumë në rritje, ndërsa në vend, Rama po përballet me demonstrata javore kundër qeverisjes së tij, nga një opozitë që është gjithashtu pro-BE-së, por akuzon qeverinë e tij për korrupsion dhe lidhjet me krimin e organizuar dhe po kërkon zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë në zyrën e tij në qendër të Tiranës javën e shkuar, Rama tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE do të thotë mundësi për t’u pozicionuar përfundimisht në një zonë të sigurt nga mallkimi i historisë.

Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që përmbysi regjimin komunist në vitin 1992, pas dekadash nënshtrimi nga terrori dhe izolimi nën diktaturën e Enver Hoxhës, një stalinist paranoid i Ballkanit.

“Ne ishim Koreja e Veriut e Europës”, tha Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin komunist më mizor që ka njohur historia. Kjo është arsyeja pse jemi tani pro-amerikanë, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi muslimanët më pro-europianë në botë. Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 95% e popullsisë besojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime për vendin”.

Rënia e komunizmit u pasua nga një kapitalizëm i egër dhe si rrjedhojë qindra mijëra shqiptarë u nisën për në Itali dhe vende të tjera europiane. Midis tyre kishte fara të grupeve kriminale, të cilët u përhapën në të gjithë Europën dhe madje dhe u infiltruan në politikën vendase.

Detyra e Ramës ka qenë të bindë Komisionin Europian se reformat po ecin përpara, ndonëse ngadalë, pasi kritikët në vend e akuzojnë atë se po drejton një sistemi të kalbur.

Raport i publikuar nga Komisioni Europian muajin e kaluar vëren se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reforma të mjaftueshme për të filluar procesin e anëtarësimit, por vendimi përfundimtar është në dorën e udhëheqësve politikë të Europës dhe tani duket e pamundur që Samiti në fund të këtij muaj do të japë një dritë jeshilë.

Rama ende shpreson të ndryshojë mendjet. Në mesin e liderëve europianë, ai ka krijuar reputacionin e një magjistari jokonformist qysh kur mori kontrollin e qeverisë në vitin 2013. Një artist dhe ish-basketbollist profesionist, ai e priti gazetarin e The Guardian i veshur në stilin i tij, me një T-shirt dhe atlete.

Një kosh basketbolli zbukuron dhomën e pritjes jashtë ambjentit të tij të punës, ndërsa brenda zyrës, muret janë të veshura me skica me ngjyra të ndezura që Rama i bën ndërsa është duke punuar në zyrën e tij. Njëra prej tyre është një imazh i Alastair Campbell që shfaqet si heroi kombëtar shqiptar, Skënderbeu, sipër një kali me shpatë në njërën dorë dhe me një iPhone në dorën tjetër.

Rama e ka quajtur Tony Blair frymëzimin e tij kryesor në politik dhe e angazhoi Campbell si konsulent politik. Të dy mbeten “miq të mirë”, tha ai.

Ndërsa liderët europianë shqetësohen për optikën e brendshme politike për hapjen e negociatave të reja në një kohë kur ka pak interes për zgjerimin e BE-së, detyra e Ramës herë pas here ka qenë e vështirë.

“Mund t’ju them se Angela Merkel e kupton këtë plotësisht. Ajo është rritur në një vend komunist “, tha ai.

Udhëheqësit e tjerë janë më të vështirë për t’u bindur. Në samitin e BE-së në Sofje vitin e kaluar, Rama dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron u përfshinë në një debat të tensionuar mbi datën e fillimit të bisedimeve të pranimit në union.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Ramës, tha se beson se Rama dhe Zoran Zaev, i vendit të quajtur së fundmi Maqedonia e Veriut, duhet të shpërblehen për ndërmarrjen e reformave të vështira. “Unë mendoj se ata të dy janë trajtuar shumë keq. Ata kanë marrë vendime shumë të dhimbshme, kanë rrezikuar mandatet e tyre, ndonjëherë edhe jetën e tyre …

Na përfshini në familjen tuaj, nëse arrihet me procedura të përshpejtuara ose që zgjasin disa vjet. Le të vlerësojmë progresin, por, mbani fjalën tuaj.

Nuk është vetëm në Bruksel ku Rama po kalon një moment të ndërlikuar, pasi protestat javore kundër qeverisë së tij janë intensifikuar në vend. Fundjavën e kaluar, mijëra veta u mblodhën në rrugën kryesore të Tiranës, në një miting të zhurmshëm dhe të organizuar, duke valëvitur flamuj, balona dhe hedhur fishekzjarre. Ata u mblodhën duke thirrur “Rama, ik!” Dhe hodhën mjete piroteknike në drejtim të zyrës së kryeministrit, ndërsa policia vetëm shikonte.

“Ne kemi një kryeministër që është autoritar, arrogant dhe jo transparent”, tha Albana Vokshi, deputetja e Partisë Demokratike në opozitë, forca kryesore pas protestave. Ajo dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dolën nga parlamenti këtë vit dhe po kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen.

Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të shtyhen, ndërsa Rama ka këmbëngulur se do të vazhdojë pa opozitën, duke thënë se ai nuk dëshiron të shpërblejë protestat në rrugë. Këtë javë ka pasur diskutime për të hequr presidentin me anë të votës në parlament, gjë që do ta zhyste vendin në një krizë të plotë kushtetuese ndërkohë që debatet mbi hyrjen në BE, kanë hyrë në një moment të vështirë.

Zor se kalon një muaj pa një skandal të ri që lidh ata që janë pranë pushtetit me figura kriminale. Një ish-ministër i Brendshëm pritet së shpejti të dalë në gjyq për akuzat për trafik droge. Javën e kaluar, tabloidi gjerman Bild publikoi materiale të zbuluara në të cilat dëgjohet një figurë famëkeqe e botës së krimit duke diskutuar zgjedhjet e vitit 2017 me dy kryebashkiakë nga Partia Socialiste e Ramës.

Rama nuk pranoi të thoshte nëse ai do të disiplinonte kryetarët e bashkive, duke pretenduar se ata nuk mund ta kishin njohur bashkëbiseduesin e tyre pasi ai ishte një figurë kriminale që më pas u arrestua nën akuzat për trafik droge.

Ai pranoi se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe krimin, por këmbënguli që qeveria e tij po merr hapa realë për t’i luftuar ato dhe kërkon ndihmën e BE-së për ta bërë këtë. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar vetingut, ndërsa agjencia e kufirit e BE-së Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Ndërkohë që mbështetja ndërkombëtare për Ramën është dobësuar, pasi koha e tij në detyrë ka vazhduar për shkak të përshtypjes se lufta kundër korrupsionit është thjesht sipërfaqësore, pak vëzhgues neutralë besojnë se Partia Demokratike është më pak e prekur nga skandalet e blerjes së votave dhe lidhjeve shqetësuese me krimin .

“Ne duhet të ndryshojmë më shumë se qeveria. Ne kemi nevojë për një sistem të ri, një zgjidhje për dekadat e ardhshme “, tha Blendi Fevziu, një gazetar veteran i cili drejton emisionin më të ndjekur televiziv me politikanë të ftuar.

Për Ramën, pavarësisht nga dëshira e ethshme për t’u bashkuar me BE-në, ekziston një shqetësim i vazhdueshëm për atë se si mund të duket BE-ja në kohën kur Shqipëria do të bashkohet me të.

“Duket sikur jemi të mallkuar, sepse kur BE ishte mirë, ne ishim keq; tani që po bëhemi më mirë, BE-ja po bie në telashe “, tha ai. Në veçanti, ai e shikon sagën e Brexit-it me mosbesim, dhe shprehu habinë e tij se Partia Laburiste kishte dëbuar mikut të tij të vjetër, Campbell.

” Ajo që po ndodh në Britani duket shumë ballkanike. Marrëveshje, asnjë marrëveshje, kufi i butë, kufi i vështirë, asnjë marrëveshje. Tamam Ballkan! Është si parlamenti i Bosnjes. Ndërkohë që ne po përpiqemi të Europianizohemi, duket sikur ata po Ballkanizohen.

Balla: Asnjë deputet gjerman nuk mbështet veprimin asgjësues të PD-së

Kryetari grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ndodhet në Gjermani dhe po zhvillon takime me deputetë të Bundestagut, tha të mërkurën në një intervistë për Deutsche Welle se asnjë deputet gjerman nuk mbështet veprimet e PD-së.

“Nuk kam gjetur një deputet të vetëm të çdo grupimi politik, gjatë bisedimeve që po bëjmë këtu, që të mirëkuptojë vendimin vetëasgjesues të PD për t’u larguar nga Parlamenti”- tha Balla, duke shtuar se “Për akuzat që bëjnë, këto janë çështje të adresohen në prokurori”.

I pyetur për krizën politike në vend dhe nëse maxhoranca do të pranojë që gjermania të ndërhyrë për zgjidhjen e saj, Balla tha: “ne kemi qenë të hapur për dialog, dhe besoj se jemi të maturuar tashmë për të pasur dialog pa qenë nevoja e miqve të huaj, jo pa qëllim kryeministri Rama në letrat e tij, shpjegoi arsyet dhe domosdoshmërinë që ne në këtë fazë të rëndësishme të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur se lidershipi i PD vijon qasjen kundër reformën në drejtësi, duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë”- tha Balla.

Ndërsa për çeljen e negociatave ai u shpreh optimist se ato do të hapen brenda këtij viti.

“Unë kur i referohem qeverise gjermane i referohem kancelare Merkel, qe mbetet nje luftëtare e paepur për mbajtjen gjalle te procesit te zgjerimit te BE. Une besoj se ka nje shumice te cilësuar brenda Bundestagut qe do te mbështesë fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut”- tha Balla.

Ministri gjerman Roth: Në qershor të hapen negociatat për Shqipërinë

Kur është fjala për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Michael Roth thekson se BE duhet të marrë një vendim në qershor për fillimin e bisedimeve të pranimit të këtyre dy vendeve. “Ne qëndrojmë në fjalën dhe duhet të mbajmë angazhimet tona,” tha Ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme për “Der Tagesspiegel”. Politikani i SPD-së, Roth rikujtoi se një vit më parë “BE kishte vendosur një afat të qartë kohor duke deklaruar se hapja e negociatave të pranimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte në qershor 2019.”

Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori ishte “koha më e mirë për të vendosur mbi fillimin e negociatave të pranimit”, tha Roth. “Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion. BE nuk është vetëm për interesat jetikë të sigurisë, por edhe për kredibilitetin e saj” – tha Roth.

Komisioni Europian rekomandoi që krerët e BE të nisin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku të dy vendet u vlerësuan për zbatimin e “reformave mbresëlënëse në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit”.

Soreca: Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë për sa i përket integrimit

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka dorëzuar raportin progresin e KE-së, komisionit parlamentar të Integrimit, ndërsa bëri apel që partitë politike në Shqipëri të tejkalojnë ndasitë që kanë për sa i përket objektivit parësor që është integrimi në BE.

“Është kënaqësi që kam mundësi të takohem me komisionin e integrimin evropian. Jam i lumtur që komisioni do të ketë mundësi të shqyrtojë elementët e raportit. raporti është për tu nxjerrë masat dhe për tu zbatuar më pas elementët e nevojshëm për përmbushjen e tij.

Jam i lumtur që japim këtë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, i cili është pa kushte, topi është në fushën e këshillit që duhet të marrë një vendim lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë dhe të jenë në një drejtim të përbashkët sa i takon integrimit”, tha Soreca, teksa i dorëzoi raportin kryetares së komisionit, Rudina Hajdarit.

Raporti i Komisionit Evropian, Gent Cakaj: Tani duhet bashkëpunim ndërpartiak për integrimin

Pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga KE për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Ai shkruan se tani duhet bashkëpunim ndërpartiak në Shqipëri dhe angazhim maksimal politik për të ecur drejt integrimit evropian.

“Raporti i Komisionit Evropian është kristal i qartë:

Shqipëria ka shënuar progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE! Tani është koha e bashkëpunimit ndërpartiak në shërbim të integrimit dhe angazhimit maksimal politik për t’i shpalosur domosdoshmërinë e hapjes së negociatave Evropës!

Vlerësimi teknik i Komisionit duhet të shndërrohet në vullnet politik të Këshillit dhe Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat menjëherë”, shkruan Cakaj.

Raporti i Komisionit Evropian është kristal i qartë: Shqipëria ka shënuar progresin e nevojshëm për hapjen e…

Gepostet von Gent Cakaj am Mittwoch, 29. Mai 2019

“Kam marrë garanci nga Merkel dhe Macron. Turp për Saliun dhe kadrinjtë!”

Kryeministri Edi Rama i sapo kthyer nga samiti i Berlinit sqaroi dhe njëherë sesi qëndron çështja e hapjes së negociatave me BE-në. Ai tha se progresi i Shqipërisë është vlerësuar si nga kancelarja gjermane ashtu edhe nga Presidenti francez, por se çështja e negociatave varet edhe nga politika e brendshme e BE-së, zgjedhjet që janë në prag, por edhe qëndrimet e partive anti zgjerimit evropian në secilin shtet. Rama tha se hapja e negociatave pra varet nga shumë faktorë dhe nuk lidhet vetëm me ecurinë e Shqipërisë, ndërsa ironizoi qëndrimet e opozitës shqiptare.

“Gramafonët dhe filxhanët e Tiranës që njoftuan mbylljen e dyerve të Europës, ishte një shprehje e atyre që duan të marrin me çdo kusht Shqipërinë. Përpjekje ekstreme për të shitur pallavra që negociatat nuk hapen janë të turpshme. Vendimmarrjet nuk lidhen vetëm me sa bëjmë ne por me atë që ndodh me vend ku rritet partia anti-europiane. Askush nuk i thotë dot më Kosovës që nuk ke përmbushur kriteret. Disa qeveri në BE i friken forcave anti-europiane ne vendet e tyre nëse i japin Kosovës atë që i takon. U tha se Macron ka firmosur për të mos i dhënë viza Kosovës. Aspak e vërtetë. Pa pikë turpi që nga Saliu e deri tek dajë Titi fajësuar qeverinë tonë në emër të Macron, i cili e ka vlerësuar uljen me 40 % të numrit të azilkërkuesve për vitin e shkuar. Mjerë ky vend për rrugëhumburit dhe Kadrinjtë që shpikin çdo ditë. Ne e kemi çuar Shqipërinë në derën e paradhomës së BE. Është e sigurtë se kemi sot marrëdhëniet me të mira me Gjermaninë dhe Francën. Merkel dhe Andera Nales, edhe nënkryetari i grupit parlamentar të VDU  e kanë vlerësuar qartësisht progresin e bërë në procesin e integrimit. Na kanë siguruar në njohjen e meritave të Shqipërisë për zyrtarizimin e çeljes së negociatave. Vitin e kaluar KE shkruajti se në qershor do jepet vendimi pozitiv dhe nga ana tjetër shumë e rëndësishme për procesin, Shqipërisë pikërisht se ka kryer detyrat i është lejuar të nisë një proces i cili niset kur negociatat hapen zyrtarisht. I vetmi problem është se në ditën e vendimmarrjes në qershor është tejet e shkurtër. Pse KE vendosi këtë vit që ta nxjerrë raportin në fund të Majit, për shkak të zgjedhjeve të BE. Problemi nuk është ecuria e Shqipërisë por dinamika e brendshme politike. Është folur për shtatorin”, tha Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS-së.

ERTV Live😊: FJALA NE MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR TE PS🌹

Publiée par Edi Rama sur Jeudi 2 mai 2019

“Tani është koha për të finalizuar integrimin e Ballkanit në BE”

Në 15 vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, eurokomisioneri  Johannes Hahn ka postuar një mesazh optimist për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një postim në Twitter, Hahn shkruan se tani është koha që edhe Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së. Sipas tij, historia e suksesit të Europës do të shkruhet kur të bëhen bashkë Bashkimi evropian dhe Ballkani Perëndimor.

“Sot ne festojmë 15-vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizionin e përbashkët: ribashkimin e kontinentit europian dhe mbrojtjen e paqes, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian.

Ky vizion u realizua dhe tani është koha për të hedhur vështrimin përpara dhe për të finalizuar projektin historik të unifikimit të europianëve duke integruar edhe Ballkanin Perëndimor.

Jam i sigurt se, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët, Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor: Jemi më të fortë së bashku”, shkruan Hahn.

Skip to toolbar