Shqipëria dhe e gjithë bota pa internet për 30 minuta, bien serverat e Cloudflare

Pothuajse të gjitha vendet e Europës, Amerika Qendrore, Australia Lindore dhe disa vende të tjera në botë, ka betur për gati 30 minuta pa internet të martën më 20 korrik. Shkak është bërë një problem në serverat e Cloudflare, të cilët kanë rënë në orët e para të pasdites të së mars.

Kompania Cloudflare ka reaguar për problemin me internetin duke u shprehur se “është çështje një problem i rrjetit që është goditur. Cloudflare e ka rregulluar këtë problem dhe është duke e mbajtur nën monitorim. Ne do të përditësojmë të dhënat sapo çështja të zgjidhet përfundimisht”, duke mos dhënë arsye konkrete pse kishte ndodhur ky problem.

Pas këtij problemi te përdoruesit e serverëve të Cloudflare, ka pasur reagime të shumta nga përdoruesit në të gjithë botën, të cilët kanë shprehur indinjatën për mungesën e shërbimit të internetit.

Edhe në vendin tonë, për më shumë se 30 minuta, asnjë faqe online apo portal informativ, nuk mund të aksesohej për shkak të problemit që pati Cloudflare. Megjithatë, kjo situatë është kaluar dhe gjithçka është rikthyer në normalitet.

Edhe në vendin tonë, përdoruesit e internetit kanë pasur këtë problem, pasi serverat ranë në një moment kur lajmi më i lexuar në portale ishte deklarata e ashpër dhe e papërmbajtshme e presidentit Ilir Meta, ku dha një version për zgjidhjen e krizës, dhe sulmoi ambasadat, kryeministrin dhe gazetarët.

“Fëmijët në Shqipëri të rrezikuar nga interneti”

Gjatë konferencës të zhvilluar nga Instituti i Medias dhe AMA për edukimin mediatik të fëmijëve është bërë publik edhe një raport i UNICEF ku thotë se fëmijët në Shqipëri janë të pambrojtur nga interneti. Sipas ekspertes së pavarur, Sannete Naeye, shqetësues mbetet fakti se gjysma e fëmijëve nën 9 vjeç kanë akses online, ndërsa 1 në 10 fëmijë shohin material të papërshtatshëm.

“1 në 10 fëmijë shohin informacione online për vetëvrasjen. Kjo është problematikë për sigurinë dhe shfrytëzimin seksual. 1 në 4 fëmijë komunikojnë online me persona që nuk i kanë takuar dhe 16% e tyre i takojnë ata persona që i kanë hasur në internet. Ndërkohë që vetëm 9% e prindërve i dinë këto fakte.” – tha Sannete Naey

Shqetësimi për internetin e pasigurt u ngrit edhe nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ndërsa Instituti i Medias dhe AMA kërkuan që edukimi mediatik të vendoset si lëndë në shkolla.

Shtetet e mëdha po përkrahin censurën në internet

Rusia praktikisht po izolohet virtualisht. Me një ligj të ri, Moska po braktis internetin global dhe po hap rrugën për një intranet të brendshëm, më lehtësisht të kontrollueshëm. Por Rusia nuk është e vetmja.

Rusia, Kina, Irani, Vietnami, Kuba, Koreja e Veriut: Lista e vendeve, në të cilat interneti është pjesërisht apo edhe tërësisht i bllokuar, është e gjatë. “Qeveritë në mbarë botën po përpiqen të fitojnë gjithnjë e më shumë kontroll mbi atë që ndodh në internet”, thotë avokati holandez për privatësinë, Joris van Hoboken. Kjo gjithashtu lidhet me shtimin e sistemeve autokratike. Shembulli më i ri është Rusia. Presidenti Vladimir Putin miratoi të mërkurën në Moskë një ligj për të krijuar një internet vetëm rus.

Komunikimi rus në internet do të drejtohet në të ardhmen nëpërmjet serverëve vendas. Operatorët e shërbimeve të Internetit do të duhet të sigurojnë që ata janë në gjendje të kontrollojnë komunikimin brenda rrjeteve. Ligji do të hyjë në fuqi në datën 1 nëntor.

Moska imiton Kinën

Operatorët e internetit në Rusi mund të identifikojnë kështu rreziqe potenciale dhe t’i luftojnë ato. “Rusia ka ndërtuar kështu kuadrin ligjor për të mbyllur pjesët e internetit dhe për të kontrolluar më fuqishëm llojin e internetit që rusët mund të perceptojnë në vend”, thotë van Hoboken.

Rusia ka një model shumë të suksesshëm: Kinën. Për dekada të tëra, vendi aziatik ka ngritur një sistem kompleks censure në internet. Raporti “Freedom on Net”, i cili u publikua në tetor 2018 nga organizata joqeveritare “Freedom House”, e përshkruan Kinën si “vendin që abuzon më së shumti me lirinë e internetit për vitin 2018”. Vendi ka platformat e veta, të ngjashme me Youtube, Whatsapp dhe Twitter, por në to janë të bllokuara përmbajtjet kritike.

Kinezët e rinj, të cilët nuk kanë qenë kurrë jashtë vendit, i njohin platformat e mëdha amerikane vetëm me të dëgjuar. Kjo i lejon Partisë Komuniste të kontrollojë më shumë nga afër se çfarë informacioni marrin kinezët. Kompanitë e veta kanë më shumë gjasa të jenë në përputhje me ligjet dhe kërkesat se platformat ndërkombëtare të punës.

Por censura e internetit ka edhe arsye ekonomike, thotë van Hoboken. “Veçanërisht një fuqi ekonomike si Kina ka një interes të madh për të forcuar industritë e veta, për shembull motori kinez i kërkimit është një kompani shumë e suksesshme teknologjike”. Masat kufizuese në internet nuk duhet të kenë vetëm arsye politike.

Rasti ekstrem i Koresë së Veriut

Në mbarë botën, rregullimi i internetit është rritur. Raporti mbi lirinë në rrjet zbuloi se në vitin 2018, liria e internetit ka rënë për të tetën vit me radhë. Disa vende, si Kina dhe Rusia, mbështeten në intranetin e tyre. Në Korenë e Veriut, përjashtimi është ekstrem. Interneti përfshin vetëm disa faqe interneti të Koresë së Veriut.

Megjithatë, shumica e sulmeve mbi lirinë në rrjet kanë shërbyer për të rregulluar përmbajtjen në mënyrë selektive, thotë eksperti van Hoboken. Mund të jenë mesazhe politike, por edhe rregullore të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve.

Shqetësuese ishin ndërhyrjet, sipas van Hoboken-it, që zbulonin një infrastrukturë që mund të mbyllej përkohësisht të gjithë rrjetin. Kjo është konfirmuar edhe nga raporti “Liria në rrjet”. Në pothuajse gjysmën e vendeve ku liria e rrjetit ka rënë, ndërhyrjet kanë të bëjnë me zgjedhjet. Paqëndrueshmëria politike përdoret gjithashtu si arsye për të kontrolluar përmbajtjen në internet.

Në Sri Lanka, pas sulmeve terroriste, mediat sociale i kishin mbyllur përkohësisht për të parandaluar përhapjen e informacioneve te pakontrolluara.

Kontradiktat mbi “filtrin e ngarkimit”

Liritë në internet nuk i kufizojnë vetëm shtetet autokratike. Edhe shtetet demokratike nuk janë imune nga ndërhyrja kundër lirisë në rrjet. Në Gjermani, për shembull, i ashtuquajturi Akti i Zbatimit të Rrjetit parashikon që t’i detyrojë platformat që të fshijnë mesazhet e urrejtjes. Edhe “filtri i ngarkimit” i Bashkimit Evropian është i diskutueshëm.

“Rregullat në rrjet duhet të jenë të balancuara mirë midis sigurisë, lirisë dhe mbrojtjes së të dhënave”, tha zëdhënësja për politikën e rrjetit e partisë gjermane “Aleanca 90 / Të Gjelbrit”, Tabea Rößner. “Por rregullat janë të nevojshme. Veprat penale duhet të ndiqen.”

“Për të shmangur kufizimet në rrjet, organizata “Reporterët pa Kufij” në vitin 2015 nisi fushaten #CollateralFreedom. Çdo vit, në “Ditën Botërore të Censurës së Internetit” (12 mars) zhbllokohen disa faqe interneti të censuruara. Këtë vit, kjo u arrit në tri platforma në Arabinë Saudite, Pakistan dhe Kinë.

Politikania e gjelbër Tabea Rößner, pavarësisht kontrollit dhe rregulloreve në rritje të rrjetit, ka ende shpresa: “Gjithmonë do të ketë njerëz të ditur dhe të mençur që gjejnë rrugën e tyre për të anashkaluar kontrollet në rrjet”./Marrë nga DW

Nëse doni internet falas, shkoni nga Liqeni

Bashkia e Tiranë prezantoi nismën “Friendly Wi-Fi”, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, ku do të ketë internet falas për të gjithë fëmijët dhe qytetarët. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj kjo mundësi e internetit falas do të lejojë që njerëzit të navigojnë duke qëndruar në pranë natyrës. Gjithashtu ai shtoi se “Friendly Wi-Fi” do të përdoret vetëm për mirë, pasi përmbajtja online do të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.

“Lajmi i mirë është se kushdo që ka një celular, në vend që të qëndrojë në shtëpi, i zhytur në kolltuk apo në divan, mund të vijë dhe të lundrojë falas në internet tek liqeni. I përdorur mirë ai mund të sjell dobi. “Friendly Wi-Fi” do të përdoret vetëm për mënyra të mira dhe të dobishme.” – ka thënë Veliaj

Skip to toolbar