Nataliteti në Itali ka rënie rekord. Rinia ka
humbur besimin tek e ardhmja. Tani po krijohet qeveria e 66 brenda 73 vitesh.
Borxhet e shtetit dhe papunësia janë të larta. Gjithnjë e më pak italianë
mendojnë për bambini.
Mbesa e vogël Livia një vjeç është gjithçka
për Luisa-n. Ajo e quan mbesën e saj të vetme plot dashuri “La Bimba”. Çdo
verë familja e saj i kalon javët e nxehta të verës në bregdet pranë Romës. E
Nonna Luisa ka mall për harenë e fëmijëve dhe familjen e madhe –
sikurse ka qenë dikur në Itali, na thotë: “Për ne familja ka qenë
gjithçka për të cilën kemi sakrifikuar jetën! Nuk ka kuptim, kur nuk ke nipër e
mbesa, kur nuk ka fwmijë, të cilëve të mund t’ia pasojmë trashëgiminë
tonë.”
Por sot Italia ka ndryshuar. Kuota e
natalitetit prej vitesh është ndër më të ulëtat në Europë. Nonna Luisa e di, që
ajo ka fat me Livian e vogël. Vajza e saj Serena ishte 39 kur e lindi atë.
Serena e punësuar në aeroport e ka të thjeshtë
shpjegimin: Fajin e ka politika. Asnjë qeveri në njëzet vitet e fundit nuk ka
ndjekur një politikë moderne për familjen, me lehtësi jetese për nënat në
marrëdhënie pune, thotë ajo: „Nëse në aeroportin e Romës do të kishte pasur një
çerdhe fëmijësh, ku mund ta çoja unë vajzën time, atëherë unë do të kisha
preferuar që qysh në ditën e parë pas lindjes të rifilloja punën. Por kjo ishte
e pamundur.
Fëmijët shihen si barrë, kur mungon siguria financiare…
Nëna Luisa vëren, që fëmijët e saj – si shumë
të rinj të tjerë në Itali – nuk kanë vendosmëri për ta marrë vet jetën në dorë.
Djali Enrico vërtetë ka një punë në një farmaci, por ai ende nuk e ka krijuar
familjen e vet. “Brezi i fëmijëve të mi nuk ka më një perspektivë të mirë.
Atyre u mungon një projekt i besueshëm për të ardhmen. Jo vetëm sepse ka
gjithnjë e më pak punë dhe shteti ua vështirëson jetën, por të rinjtë italianë
kanë humbur qëndrueshmërinë, që na karakterizonte neve dikur!”
Luisa kujton me nostalgji kohët e fëmijërisë
së saj: “Më kujtohet ende vështrimi i tezeve të mia, ato na përqafonin ne
fëmijëve dhe na jepnin dashuri e ndjenjën, se me ne jeta fillon sërish.”
Këmbimi i roleve
Çfarë nuk shkon në Itali?! Sociologët
vëzhgojnë, se brezat e dekadave të fundit i kanë këmbyer rolet.
Raffaella CAso, pranë Institutit Kërkimor
Eurispes vëren: “Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por
anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në imobilje apo kursimet nga
pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopështin e
fëmijëve.”
Italianet lindin mesatarisht në moshën 33
vjeç, nëse ato lindin një fëmijë, ato janë më të moshuara krahasuar me europianet
e tjera. Shumë gra e burra nuk i shohin më fëmijët si një bekim për jetën e
tyre, por si barrë. Enrico, djali i Luisa-s: “Jeta është mjaft e ndërlikuar mes
punës, taksave dhe shpenzimeve. Ato pak orë që mbeten të lira në ditë ti do të
çlodhesh, të mendosh për veten e të dalësh me miqtë. Një fëmijë të bëhet
pengesë për të gjitha këto.”
Enrico-s i pëlqen që është bërë dajë dhe sa
herë ka mundësi viziton mbesën e vogël dhe motrën e tij. Familja është e
rëndësishme për të, por jo një fëmijë i veti! 42-vjeçari preferon çdo ditë para
se të nisë punën në farmaci që ta hajë drekën tek mamaja. Luisa kishte menduar
një tjetër të ardhme për fëmijët e saj: „Vërtetë të realizuar nuk e shoh as
vajzën e as djalin tim. Serena ndonëse ka studiuar, çfarë merr ajo sot?! Vetëm
një punë të paguar keq në një shoqëri ajrore. Shumë vite e kam mbështetur atë
financiarisht. Mirë që u martua. Po Enrico?! Hiç gjë?! Edhe për të kisha
përfytyruar një të ardhme ndryshe!”
Luisa është e zhgënjyer nga Italia me 66 qeveri në 74 vitet e jetës së saj. Këto qeveri kanë prodhuar shumë kriza dhe pak të ardhme për vendin – pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Livias, mbesës së saj të vogël./DW