Kabineti i ri në Itali, peng i numrit dy të qeverisë

AKTUALITET


Partia Demokrtike dhe Lëvizja 5 Yjet, janë pranë gjetjes së marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re në Itali, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Conte. Palët kanë arritur parimisht krijimin e një koalicioni mazhoritar në Parlament, duke krijuar kështu mundësinë për një qeveri të re, ku pritet që Giuseppe Conte të rizgjidhet Kryeministër. Por, siç raportojnë mediat italiane, problemi i vetëm që duhet zgjidhur, është ai i zëvendës kryeministrit. Sekretari i PD, Nicola Zingaretti ka zhvilluar një takim me presidentin Sergio Mattarella ku i ka komunikuar atij gjetjen e marrëveshjes mes PD dhe M5S.

“Ne konfirmuam me vendosmëri nevojën për të ndërtuar një qeveri të përparuar dhe me vazhdimësi. Ne e duam Italinë dhe mendojme se ia vlen ta provojmë këtë përvojë. Të shmangin përgjegjësinë e guximit për të provuar është e vetmja gjë që nuk mund ta lejojmë, ne synojmë t`i japim fund kohës së urrejtjes, pakënaqësisë dhe frikës”, ka thënë Zingaretti. Mëngjesin e të mërkurës, është mbajtur takimi vendimtar mes M5S dhe PD, ku është vendosur për të vijuar negociatat për krijimin e qeverisë së re.


Megjithatë, palët kanë ende një problem që po mban peng zgjidhjen përfundimtare të krizës, çështjen e zëvendës kryeministrit. Udhëheqësi i Lëvizjes 5 Yje, Luigi Di Maio nuk ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike që qeveria e re të ketë një zëvendës kryeministër, dhe ai të jetë nga radhët e kësaj force politike. Emri i sekretarit të përgjithshëm të PD, Nicola Zingaretti, është gjithashtu favorit për të marrë këtë pozicion, që do të ishte një kundërpeshë ndaj kryeministrit, nëse do të rizgjidhet, Giuseppe Conte.




Skip to toolbar