Refuzohet kërkesa për liri, Apeli lë Kajmakun në “burg”

Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish kryetarin e Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku. Nga arratia, Kajmaku kishte kërkuar lirimin e tij, por u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit gjatë seancës së ditës së enjte.

Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për Kajmakun, për akuzat “Shpërdorim detyre”,  “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës.”

Kajmaku u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi nën identitetin Jorgo Toto, për falsifikim parash. Ai u akuzua nga Partia Demokratike dhe më pas Prokuroria e Përgjithshme, pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Gjykata vendos “arrest në burg në mungesë” për Kajmakun

Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg në mungesë” për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, për të cilin të hënën Prokuroria lëshoi urdhër arresti. Sipas News 24, gjykata urdhëroi kryerjen e kontrollit në banesën e Kajmakut, për të kërkaur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.

Të hënën policia shkoi në banesën e Kajmkaut për të kryer arrestimin e tij, por nuk e gjeti në banesë. Më herët, Kajmaku ishte shkarkuar nga detyra si kryebashkiak nga KQZ pasi deklaroi të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.

Pasi KQZ e kishte shkarkuar nga detyra, Kajmaku kishte kryer një tjetër vepër penale, duke ushtruar detyrën përtej afateve të përcaktuara. Pra, një ditë pasi KQZ vendosi t`i ndërpriste mandatin, Kajmaku shkarkoi nga detyra dy nënkryetarët e bashkisë.

Për këtë arsye, ndaj tij rëndojnë tashmë tre vepra penale: shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal.

PD kërkesë KQZ: Shkarkoni Kajmakun

Partia Demokratike i kërkon KQZ të shkarkojë pa vonese kreun e Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, i cili u vërtetua se ka gënjyer në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Përmes një kërkesë dorëzuar KQZ-së nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmen Bardhi, kërkohet që ky institucion të mos e vonojë më shumë heqjen e mandatit për Agim Kajmakun, pasi tashmë kjo është vërtetuar dhe nga prokuroria shqiptare, e cila nisi dhe një hetim ndaj tij.

Kërkesa i është dorëzuar kreut të KQZ-së Klement Zguri dhe u dërgua për dijeni dhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë. Në kërkesën e PD dërguar KQZ theksohet gjithashtu se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

 “Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe identitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo ka sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban. Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi disa ditë më parë se në bazë të letërporosisë së ardhur nga Athina vërtetohet se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i dënuar në Greqi, janë i njëjti person dhe se shenjat e gishtërinjve përputhen. Kjo bëri që Prokuroria të nis një hetim ndaj tij për gënjimin në formularin e dekriminalizimit dhe i dërgoi një kërkesë KQZ për heqjen e mandatit. Vetë Kajmaku ka deklaruar se nuk kishte dijeni që po hetohej në Greqi, deri sa e mori vesh nga mediat dhe u interesua në Gjykatën e Janinës.    

PD: Prokuroria e faktoi, Kajmaku i dënuar në Greqi

Sipas Partisë Demokratike, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është vërtetuar zyrtarisht se është i njëjti person me shtetasin Jorgo Toto, i dënuar vite më parë në Greqi. Në një konferencë për mediat, Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi, u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi zyrtarisht denoncimin e Selisë Blu për dënimin e Agim Kajmakut në Greqi. “Agim Kajmaku u përpoq të mashtronte opinionin publik. PD solli fakte të pakundërshtueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi ishte kandidati i Ramës për Vorën. Sot denoncimi është provuar zyrtarisht nga Prokuroria, ku ka provuar denoncimin e PD. Rezulton që Interpol Tirana ka sqaruar se nga Interpol Athinë, nga krahasimi i gjurmëve të Agim Kajmakut ka përputhshmëri me Jorgo Toto. Më tej prokuroria ka sqaruar se Agim Kajmaku, kandidat i Ramës në Vorë, është i njëjti person me Jorgo Toton”, tha Bardhi.

Sipas Gazmend Bardhit, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se Agim Kajmaku kishte dijeni që ishte nën hetim në Greqi dhe se ndaj tij kishte proces gjyqësor. Ndaj, Sekretari i Partisë Demokratike, kërkoi që Edi Rama të shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e Vorës. “Konfirmohet nga TIMS. Konfirmohet se Agim Kajamku ka patur dijeni se ka qenë në hetim në Greqi dhe se ndaj tij kishte proces gjyqësor në Greqi. Nga ana tjetër rezulton se ai ka kryer veprime për fshehjen e këtij fakti duke ndryshuar emrin e mbiemrin por as nuk ka deklaruar tek dekriminalizimi”. “Agim Ymer Kajmaku përfshihet. Pas vendimit të Prokurorisë, është rrëzuar. Rama nuk ka vullnet për të luftuar krimin pasi pushtetin e ka në lidhje me krimin. Të shkarkojë menjëher nga detyra, Agim Kajmakun i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar për një krim në Greqi ku duhej të dënohej deri në 10 vjet”, tha Bardhi.

 

Pjetri-Kajmaku, fati te Italia e Greqia

Me anë të dy komunikatave të ndryshme për mediat, por për të njëjtin qëllim, Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë informacion, në lidhje me ecurinë e verifikimit të figurës për Valdrin Pjetrin, ish-kryebashkiakun e dorëhequr të Shkodrës, dhe Agim Kajmakun, aktualisht në detyrë si kryetar bashkie ne Vorë. Për të dy personat nën hetim, Prokuroria njofton se ka kërkuar informacion nga disa institucione në vend, por dhe autoriteteve ligjzbatuese në vendet ku mendohet se Pjetri dhe Kajmaku, sipas PD, kanë qenë të dënuar. Në rastin e Valdrin Pjetrit, Prokuroria e Përgjithshme njofton se ka administruar informacion nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, është marrë përgjigja nga Ministria e Drejtësisë, e cila i ka përcjell autoriteteve italiane të drejtësisë Kërkesën për Ndihmë Juridike për Valdrin Pjetrin. Gjithashtu, është administruar përgjigja e Gjendjes Civile për gjeneraitetet e Pjetrit, përgjigja e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në lidhje me kërkesën nëse Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar apo ndaluar për veprimtari kriminale. Gjithashtu, është siguruar përgjigja e 23 prokurorive po për Valdrin Pjetrin, nëse ka qenë apo jo i dënuar apo kallëzuar. Ndërkohë, në fund të njoftimit, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se është në “pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë si dhe përgjigjen e autoriteteve policore italiane, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi”, shkruan Prokuroria e Përgjithshme për rastin e Valdrin Pjetrit.

Më tej, në deklaratën e dytë, në lidhje me verifikimin e Agim Kajmakut, Prokuroria e Përgjithshme, ashtu si në rastin Pjetri, njofton se ka kërkuar informacion nga disa institucione brenda dhe jashtë vendit, ku kryesore është përgjigja e autoriteteve greke. Në lidhje me Agim Kajmakun, deri më tani, Prokuroria e Përgjithshme njofton se ka administruar të dhënat në lidhje me gjeneralitetet e Kajmakut nga Gjendja Civile, informacionin nga Policia e Shtetit, që informon nëse ky shtetas ka qenë i ndaluar apo arrestuar në Shqipëri, departamentit të kufirit, që informon në lidhje me të dhënat e sistemit TIMS për shtetasin Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto. Të dhëna janë administruar dhe 23 prokurori të rretheve, ndërsa i është kërkuar INTERPOL informacion nëse Agim Kajmaku rezulton i ndaluar dhe arrestuar për veprimtari kriminale. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme raporton se ende nuk është siguruar përgjigja në lidhje gjurmët daktiloskopike të Agim Kajmakut, duke arsyetuar se  “Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën”.

Megjithatë, më poshtë, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se janë përcjellë gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve) për krahasim INTERPOL pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, me anë të një shkrese zyrtare, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, i është kërkuar autoriteve greke informacion i detajuar dhe administrimi i çdo vendimi të prokurorisë së Janinës për masë sigurie apo dënim në ngarkim të Agim Kajmakut. Sipas prokurorisë, ky rast është parë me përparësi dhe të gjitha procedurat janë kryere në një kohë prej 7-të ditësh. Ndërkohë që sqaron në fund, se mbeet ende në pritje të përgjigjes së autoriteve greke, që sipas organit të akuzës ‘do të jenë vendimtare’ për marrjen e vendimit për Agim Kajmakun. /Realstory.al/

PD nxjerr prova të reja: Kajmaku dhe Jorgo i arrestuar, me të njëjtin numër pasaporte

Mohimi i akuzave nga Agim Kajmaku se ai nuk është Jorgo Toto që rendon PD-ja, ka sjell reagimin e selisë blu përmes publikimit të disa fakteve të reja. PD pasi publikoi të hënën dosjen  greke ku është dënuar me arrest me burg Jorogo Toto, në 2003 për falsifikim parash, ka sjell të dhëna të reja në lidhje me sistemin TIMS dhe numrin e pasaportës të Jorogo Totos dhe Agim Kajmakut, që përputhen me njëra-tjetrën. Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi tha numri i pasaportës në dosjen greke të Jorgo Totos përputhet plotësisht me pasaportën e tij që përdorte në Greqi. Sipas Bardhit në lidhje me atësinë dhe mëmësinë ndryshe në dosjen greke, Kajmaku ka gënjyer autoritete kur i ka dhen, pasi në pasaportën shqiptare nuk shënohen.

Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Vorën, megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra falsepër nënën dhe babin e tij. Në vendimin e dosjes greke, Jorgo Toto paraqitet me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari. Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos. Në faqen 13 të dosjes greke shtetasi shqiptar Jorgo Toto posedon pasaportën me nr. Z 0148497. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku. Kjo është një provë e pakontestueshme që organi i prokurorisë mund ta verifikojë brenda një minuti, sepse ka akses të plotë në sistemin TIMS.” – thuhet në deklaratën e Bardhit nga selia blu.

Kajmaku, me një reagim të hënë mohoi akuzat duke deklaruar se nuk është ai Jorgo Toto për të cilën flet PD dhe se nuk ka ndryshuar atësinë dhe mëmësinë në Greqi, por vetëm emrin si çdo emigrant tjetër. Me publikimin e numrin personal të pasaportës nga PD, që Kajmaku ka përdorur në Greqi pritet një reagim i tij në lidhje me këto akuza të reja për të mësuar të vërtetën e kësaj historie që po zien prej më shumë se një jave me akuza të ndërsjellat mes palëve.

“Kajmaku”, Prokuroria e Përgjithshme kërkon materialet nga PD

Prokuroria e Përgjithshme, pas dërgimit të letërporosisë në Greqi për Agim Kajmakun dhe marrjen e shenjave të gishtave të tij, ka kërkuar të martën nga Partia Demokratike të gjitha materialet që ajo disponon për kryebashkiakun e sapozgjedhur të Vorës. Prokuroria ka kërkuar që PD t’i vërë në dispozicion të gjitha materialet mbi të cilat ajo ngrenë akuzat për Agim Kajmakun.

PD publikoi të hënën dosjen greke në të cilën akuzoi Agim Kajmakun se përmes identitetit të rremë Jorgo Toto është arrestuar në 2003-shin nga autoritetet greke për falsifikim parash dhe i është shmangur drejtësisë në gjithë këto vite duke ndryshuar emrin. Sipas PD, dosja greke  përmban të gjitha provrat që prokuroia shqiptare të nis hetimet ndaj tij.

“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”.  Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.” deklaroi PD, akuza që i shoqëroi me dosjen greke të Janinës.

Vetë Kajmaku i ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk është ai Jorgo Toto për të cilën flet PD dhe se u qëndron pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit. Agim Kajmaku nuk ka shkruar në formularin e vetëdeklarimit që të ketë qenë ndonjëherë i hetuar, gjykuar, apo arrestuar. Nëse kjo del të jetë gënjeshtër, Kajmaku rrezikon të preket edhe nga ligji i dekriminalizimit.

Basha, opozitë nga Facebook, kërkon dorëheqjen e Kajmakut

Që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, me përfundimin e protestave që do të sillnin rrëzimin e qeverisë, aksioni opozitar i Bashës dhe i PD-së është përqendruar tek akuzat që lëshohen në Facebook. Daljet e Bashës nga selia e PD-së dhe deklaratat për gazetarët janë rralluar ndjeshëm. Megjithëse u premtua se opozita nuk do të marrë asnjë ditë pushim, e kundërta ka ndodhur. Ish deputetët nuk janë parë më në selinë blu, ndërkohë që aksioni opozitar i PD-së mbështetet vetëm nga facebook. Mjafton vetëm një smartphone për të linçuar kundërshtarin politik.

Gjatë të dielës Basha ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, të cilin e akuzon se ka fshehur dënimin në Greqi në formularin e dekriminalizimit. Basha shkruan se Rama e dinte se Kajmaku ka qenë i dënuar dhe sërish e zgjodhi ta kandidonte në Vorë.

“Njëlloj si me Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit! Hajduti Psiqik e di se i përzgjedhuri i tij për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke, dhe se ai e ka fshehur të vërtetën.

Jorgo Kajmaku duhet të largohet dhe të merret menjëherë i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit dhe ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij. Ai duhet të përballet edhe me drejtësinë greke të cilës i është fshehur prej vitesh! Por sërish Edi Rama e mbron Jorgo Kajmakun nga zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit, me anë të prokurorisë së korruptuar dhe politizuar”, shkruan Basha.

PD i ka kërkuar prokurorisë së përgjithshme në nisë hetimet dhe verifikimet për Kajmakun dhe megjithëse prokuroria ka nisur hetimet, por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, sërish kreu i PD-së e bën fakt të kryer, dënimin e Kajmakut, duke bërë edhe rolin e prokurorit dhe atë të gjykatësit.

Skip to toolbar