Basha, opozitë nga Facebook, kërkon dorëheqjen e Kajmakut

AKTUALITET


Që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, me përfundimin e protestave që do të sillnin rrëzimin e qeverisë, aksioni opozitar i Bashës dhe i PD-së është përqendruar tek akuzat që lëshohen në Facebook. Daljet e Bashës nga selia e PD-së dhe deklaratat për gazetarët janë rralluar ndjeshëm. Megjithëse u premtua se opozita nuk do të marrë asnjë ditë pushim, e kundërta ka ndodhur. Ish deputetët nuk janë parë më në selinë blu, ndërkohë që aksioni opozitar i PD-së mbështetet vetëm nga facebook. Mjafton vetëm një smartphone për të linçuar kundërshtarin politik.

Gjatë të dielës Basha ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, të cilin e akuzon se ka fshehur dënimin në Greqi në formularin e dekriminalizimit. Basha shkruan se Rama e dinte se Kajmaku ka qenë i dënuar dhe sërish e zgjodhi ta kandidonte në Vorë.


“Njëlloj si me Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit! Hajduti Psiqik e di se i përzgjedhuri i tij për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke, dhe se ai e ka fshehur të vërtetën.

Jorgo Kajmaku duhet të largohet dhe të merret menjëherë i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit dhe ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij. Ai duhet të përballet edhe me drejtësinë greke të cilës i është fshehur prej vitesh! Por sërish Edi Rama e mbron Jorgo Kajmakun nga zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit, me anë të prokurorisë së korruptuar dhe politizuar”, shkruan Basha.

PD i ka kërkuar prokurorisë së përgjithshme në nisë hetimet dhe verifikimet për Kajmakun dhe megjithëse prokuroria ka nisur hetimet, por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, sërish kreu i PD-së e bën fakt të kryer, dënimin e Kajmakut, duke bërë edhe rolin e prokurorit dhe atë të gjykatësit.




Skip to toolbar