Balliu i përgjigjet kërcënime të Ballës: 100 vjet burg për këdo që shoqërohet me kriminelë

Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës nga Elbasani, ku tha se kushdo që cënonte zgjedhjet do të dënohej me 7 vite burg.

Balliu, i cili ka qenë edhe sot në mbështetje të protestuesve tek Unaza e Re, i ka dhënë një përgjigje Taulant Ballës duke i thënë se askush nuk duhet të kërcënojë zgjedhjet e lira, por gjithashtu duhet të dënohen edhe ata që shoqërohen dhe bëjnë biznes me kriminelët.

“Taulant Balla, të dëgjova sot kur the se do të dënohen me 7 vjet burg ata që do të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit, jam dakord. Por zgjedhjet i pengon ai që bën zgjedhje fasadë. Zgjedhjet fasadë shkatërrojnë zgjedhjet, por koka juaj staliniste nuk e kupton dot, se nuk kupton çfarë është pluralizmi. Nuk kuptoni se çfarë fuqi ka qytetari i lirë dhe i thjeshtë. Por ju do të përballeni një herë me fuqinë e tyre dhe do e kuptoni se ç’do të thotë qytetar i lirë. Por unë kam një propozim meqenëse flet për burg. 100 vjet burg për atë që flet me kriminelë, 100 vjet burg për atë që bën biznes me kriminelë, 100 vjet burg për atë që ka shokë kriminelë.” – tha Balliu

Klevis Balliu, zyrtarisht ish deputet. Policët e trajtojnë thjesht si protestues

Vazhdon të ketë tension mes banorëve dhe policisë në zonën e Bregut të Lumit ku fadromat kanë nisur shembjen e banesave për të hapur rrugën ndërtimit të bulevardit të ri të Tiranës. Në mbështetje të banorëve kanë shkuar ish deputetët e opozitës.

Në fotot e mëposhtme siç e shikoni, duket ish deputeti i PD-së Klevis Balliu i cili është përplasur me efektivët e policisë duke kundërshtuar shembjen e banesave të banorëve të kësaj zone. Nëse nuk do ta dinim që ka qenë deputet, Balliu në këto foto do na duket si një protestues i thjeshtë.

Në fakt, banesat e kësaj zone janë përjashtuar nga procesi i legalizimit. Sipas planit parashikohen të shemben 38 banesa, dhe Bashkia e Tiranës ka ofruar strehim social për banorët e kësaj zone.

Foto – Galeri

Çfarë po ndodh te Bregu i Lumit? Gurë e shkopinj kundër policëve

Banorët e Bregut të Lumit janë përplasur sot me forcat e policisë teksa kanë kundërshtuar shembjen e banesave të tyre për ndërtimin e Bulevardit të ri.

Në mbështetje të banorëve kanë dalë edhe ish deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu. Madje Partia Demokratike e ka pasqyruar protestën me video në faqen e saj në Facebook. Gjatë protestës banorët e zonës kanë gjuajtur me gurë dhe shkopinj ndaj policëve, ndërsa ish deputeti Balliu ka kërkuar dëmshpërblim për banorët. “Banorëve u premtuan edhe banesa sociale, por rezultoi se ishte një mashtrim”, tha Balliu.

Skip to toolbar