Pas letrës së dërguar nga presidenti Meta, Këshilli
i Lartë Gjyqësor është mbledhur të premten për të përcaktuar kriteret e përzgjedhjes
së kandidatëve jo gjyqtarë për vendet vakante në Gjykatën e Lartë.
Anëtarët jo gjyqtarë përbejnë 1/5 e totalit të numrit të anëtarëve në këtë gjykatë. Kriteri kryesor është që kandidatët të mos ketë mbajtur poste politike në 10 vitet e fundit. Kandidatët duhet të jenë juristë me së paku 15 vjet eksperiencë.
“Do të përcaktojmë rregullat për anëtaret jo gjyqtarë të cilët do t’ia propozojmë Presidentit për gjyqtarë të Lartë. Nga kjo 1/5 nga juristët me përvojë me 15 vite eksperiencë që nuk kanë pasur funksione politike 10 vitet e fundit”, tha kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami.
“Ky projekt akt për mënyrën e renditjes së
kandidatëve jo gjyqtarë për gjykatën e lartë është nga më të rëndësishmit dhe
ka impaktin e zbatimit të kësaj reforme. Jemi koshient se si janë emëruar më
parë në këto gjykata”, tha anëtari Dritan Hallunaj.
Ndërsa Medi Bici, anëtar i KLGJ-së,
ish-gjyqtar i gjykatës së Lartë tha se “kemi futur risi pikëzimim sipas
rezultateve të vlerësimit për çdo garues. Ligji aktual për gjykatën e lartë nuk
përcakton kush i ndan kolegjet sikur më parë e ka pasur detyrë kryetari
gjykatës. Kjo mund të krijojë vështirësi në të ardhmen kush do i ndaj kolegjet”,
tha ai.
Gjykata e Lartë do të ketë 19 anëtarë, ndërsa
anëtarët jo-gjyqtarë do të përbëjnë vetëm 1/5 të trupës. Aktualisht, Gjykata e
Lartë ka mbetur me vetëm dy anëtarë Xhezair Zaganjorin që ende nuk ka vendosur
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Ardian Dvoranin, që kaloi vettingun.
Pas miratimit të kritereve KLGJ kap garën për
kandidatët jo gjyqtarë që mund të jenë
juristë, pedagogë, prokurorë, ish prokurorë. Më pas bëhet vlerësimi i tyre, ose
pikëzimi dhe lista i dërgohet presidentit për dekretim. Nga kjo listë dalin 4
anëtarë për Gjykatën e Lartë.
Vetëm dy ditë më herët Presidenti Meta i dërgoi
një letër Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, (për
dijeni edhe ambasadorit të BE-së Soreca,
ambsadorëve të vendeve evropiane dhe të ngarkuarës me punë në ambasadën e SHBA,
Leyla Moses-Ones), të cilës i kërkon llogari për tejkalimin e afateve dhe për
mos dërgimin në presidencë të propozimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në
bazë të Kushtetutës anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti me
propozim të KLGJ. Por deri tani KLGJ ende nuk i ka çuar listën me kandidatë
presidentit dhe ky i fundit thotë se edhe pas kërkesës së tij për informacion
të hollësishëm për etapat në të cilat ndodhet procesi, KLGJ nuk i ka dërguar
një informacion shterues.
Ai vëren se KLGJ është në shkelje të ligjit
dhe kërkon informacion për shkaqet që e kanë çuar këtë institucion të shkelë
ligjin.
Sipas Metës bashkëpunimi mes KLGJ dhe Presidentit është detyrim kushtetues. Në përfundim ai kërkon që KLGJ të përfundojë sa më parë përzgjedhjen e kandidatëve dhe vendosjen e listës në dispozicion të tij.