Sulmi i Metës për Gjykatën e Lartë, Raporti: Përgjegjëse, KLD e tij

AKTUALITET


Në një letër të gjatë dërguar të mërkurën kryetares së KLGJ, presidenti Ilir Meta sulmonte hapur këtë institucion dhe Euralius për vonesat në propozimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Por referuar raportit që KLGJ ka dorëzuar në Kuvend në fund të muajit maj, KLD nën drejtimin e Metes nuk ka vlerësuar profesionalisht gjyqtarët duke sjellë vonesa në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.


Vitin e kaluar ish-KLD ka vlerësuar vetëm 2 gjyqtarë, një numër shumë i ulët. “Neni 171, pika 1 e ligjit nr. 96/2016, parashikon se KLD duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit për periudhën 2007- 2012, bazuar në rregullat ekzistuese para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procesi i vlerësimit të gjyqtarëve mbeti vetëm në fazën fillestare. Aktualisht ka përfunduar vlerësimi vetëm për periudhën 2007-2009, ndërkohë që nga kjo periudhë e deri më sot kanë hyrë në sistem breza të tërë magjistratësh, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim profesional të veprimtarisë së tyre. Nga dokumentacioni që ndodhet pranë institucionit, konstatohet se ka përfunduar vlerësimi profesional dhe etik vetëm për 2 gjyqtarë gjatë vitit 2018”, thuhet në raport.

Në raport shkruhet se KLD ka krijuar një situatë pasigurie në aspektin e zhvillimit të Reformës në Drejtësi.

“Vlerësojmë se kohëzgjatja e fushëveprimit të dispozitave tranzitore me të cilat ish-KLD ka vepruar ka krijuar një situatë pasigurie në aspektin e zhvillimeve të ecurisë së reformës në drejtesi. Disa nga problematikat kryesore që u krijuan gjatë kësaj periudhe përfshijnë: mos emërimi në kohë i magjistratëve të rinj duek sjelle efekte serioze financiare për KLGJ-në për një shumë prej përafërsisht 14 milion lekë të reja pasi 10 magjistratë kanë fituar gjyqet kunder ish-ZABGJ-se tashmë pjesë e strukturës së KLGJ-së. Vakumi që krijohej në gjykata në rastet e shkarkimit të gjyqtarëve nga institucionet e rivlerësimit kur gjyqtari njëkohesisht ushtronte detyrën e Kryetarit të Gjykatës”, shkruhet në raportin e KLGJ.

Në raport gjithashtu bëhet e ditur se pavarësisht vakancave KLD ka transferuar vetëm një numër të vogël gjyqtarësh, duke krijuar probleme në sistemin e Drejtësisë.

Ky raport i KLGJ është paraqitur në Kuvend në muajin maj dhe vjen sot si një përgjigje ndaj akuzave të ngitura nga presidenti Meta. Siç duket akuzat e tij rrëzohen, pasi raporti provon se KLD në kohën e tij, mbylli sytë për vakancat e krijuara dhe ai si drejtues i KLD është një nga përgjegjësit kryesorë të situatës kaotike në gjykatat në vend.




Skip to toolbar