Pjesa e parë/ Shqipëria shkatërron Moldavinë. Kosova kryevepër ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e ka mbyllur në avantazh 3-0 pjesën e parë ndaj Moldavisë. Pas golit të Cikalleshit, Shqipëria dyfishoi rezultatin ndaj Moldavisë në minutën e 34`. Mesfushori Keidi Bare, që në këtë ndeshje është aktivizuar në pozicion më të avancuar, gjeti rrjetën pas një gabimi të portierit kundërshtar. Gardiani i portës moldave humbi kontrollin e topit, dërsa Bare përfitoi duke e dërguar në rrjetë.

Ndërkohë, në minutën e 39` të sfidës erdhi dhe supergoli i Lorenc Trashit. Mbrojtësi i Partizanit gjeti rrjetën duke shënuar një gol fantastik me këmbën e majtë nga jashtë zonës.

Një gol që do ta kishte zili edhe një sulmues profesionist. Kështu kuqezinjtë e mbyllin në avantazh pjesën e parë ndaj skuadrës moldave, duke dominuar në gjithçka.

Edhe Kosova dyfishoi ndaj Malit të Zi në minutën e 34` me Muriqinin. Dardanët gjetën rrjetën me një gol spektakolar, pas dy tentativave dhe një gafe të portierit malazez. Kosova e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Euro 2020.

Talentet premtojnë, Shqipëria U-19 mund Poloninë

Kombëtarja U-19 e futbollit mundi Poloninë 3-1 në një takim miqësor të luajtur në “Selman Stërmasi”. Të besuarit e Nevil Dedes bën paraqitje të shkëlqyer kundër Kombëtares U-19 të Polonisë. Sulmuesi i dalë nga Akademia e Tiranës, Ernest Muçi, ishte autori i dy golave në fitoren 3-1 ndaj skuadrës polake.

Goli i parë i kuqezinjve u shënuga nga Muçi në minutën e 32-të ndërsa i dyti erdhi në të 53`. Ndërkohë, miqtë ngushtuan shifrat në 80`, ndërsa në fund të ndeshjes Marvin Çuni gjeti rrjetën duke shënuar golin e tretë për ekipin e Nevil Dedes.

Fitorja e ekipit U-19 erdhi një ditë pas fitores së ekipit U-17 që mundi 3-0 Malin e Zi në “Loro Boriçi”. Skuadra e drejtuar nga Elvin Beqiri fitoi me gola të kapitenit Mario Mitaj, Asan Mata dhe Elio Zalli, duke konfirmuar se ekipet zinxhir të kombëtares kanë talente premtues.

Të mërkurën, më 16 Tetor, skuadra e Beqirit do të luajë përsëri me Malin e Zi, ndeshje që do të jetë edhe testi i fundit për 17 vjeçarët në prag të ndeshjeve eliminatore të muajit nëntor ndaj Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Memushaj: Duhet të përmirësohemi

Kapiteni i Kombëtares së futbollit, Ledian Memushaj foli në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes me Moldavinë. Mesfushori u shpreh se ishte zhgënjyer nga humbja me Turqinë, por sipas tij, skuadra duhet ta harrojë atë ndeshje. Memushaj tha se ajo ndaj Moldavisë është shumë e rëndësishme.

“Normale që ndeshja me Turqinë na ka zhgënjyer shumë, por besoj se duhet ta harrojmë sa më shpejt sepse nesër kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe do ta përgatisim sa më mirë. Duhet të rikuperohemi shpejt pasi kemi një ndeshje të rëndësishme. Duhet ta harrojmë shpejt ndeshjen me Turqinë”, tha Memushaj.

Më tej, mesfushori u shpreh se duhet të përmirësohet e gjithë skuadra, ndërsa shtoi se sulmuesit duhet të ndihmohen edhe nga pjesa tjetër e skuadrës. “Duhet të përmirësohemi si ekip, me Turqinë  treguam se nga ana taktike jemi përmirësuar shumë, dhe këtë duhet ta tregojmë edhe nesër. Këto janë nga ato ndeshje që janë shumë të vështira nga njëra anë, por nga ana tjetër tregojnë sa është pjekur ky ekip. Në fazën ofenzive nuk është vetëm puna e sulmuesve, por duhet të punojmë të gjithë shumë”, tha Memushaj.

Rinovimi, Reja bie në “dashuri” me Shqipërinë

Trajneri i ekipit kombëtar, Edy Reja foli në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes me Moldavinë. Tekniku 74-vjeçar u shpreh se skuadra pati nervozizëm pas ndeshjes me Turqinë, për shkak të rezulatit, por sipas tij, e rëndësishme është që të ruajë intensitetin. “Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën”, tha Reja.

Ndaj Moldvisë nuk pritet të ketë shumë ndryshime në formacion. Megjithatë, trajneri paralajmëroi se do të vendoset të hënën. “Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullarë. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi për ndeshjen me Moldavinë”.

Pyetjes nëse Moldavinë do e nënvlerësojë, trajneri Reja iu përgjigj se ekipet që ai drejton nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. “Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi. Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas”, tha Reja.

Çështja e rinovimit mbetet ende një dilemë. Edy Reja, gjatë konferencës për shtyp, deklaroi hapur se dëshrion të vazhdojë punën me Shqipërinë, duke ia lënë në dorë kreut të FSHF-së Armand Duka të vendos. “Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri”, tha tekniku.

Në fund të fjalës së tij, ndonëse shanset për të kapur vendin e dytë janë në limite, Edy Reja u shpreh se Shqipëria do të luftojë deri në fund për kualifikimin. “Të përballem me një trajner me eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar”, u shpreh Reja.

Pjesa e parë, Manaj “drithëron” Turqinë. Arbitri “zverdh” kuqezinjtë

Turqi-Shqipëri, pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, por me një rast të shkëlqyer të Rey Manajt në fund të pjesës së parë. Një pjesë e parë e tensionuar, me tre kartonë të verdhë ndaj ekipit tonë, dhe dy ndaj atij tur. Ndeshja nis keq për të tanët, pasi Dermaku në minutën e katërt të takimit ndërhyn keq ndaj kundërshtarit, duke shkaktuar faull, ndërsa arbitri e ndëshkon me të verdhë.

Ndërkohë, në të 7`, vjen dhe momenti i tensionit të parë. Një ndërhyrje e gabuar nga Demiral ndaj Keidi Bares, bën që lojtarët të përplasen, por arbitri ndërhyn dhe i ndëshkon të dy me karton të verdhë. Pesë  minuta më vonë e pëson dhe Ledian Memushaj, që mban shirtin e kapitenit të kombëtares.

Loja bëhet e tensionuar, deri në minutën e 20`, ku skuadrat përplasen mes tyre, ndërsa rastet për gol pothuajse mungojnë.

Pas minutës së 20`, loja qetësohet, ndërsa ekipi ynë rrit presionin ndaj kundërshtarit, por rasti i vetëm i rrezikut është ai i Memushajt nga një goditje dënimi në të 34`, por që përfunoi me topin në duart e portierit. Ndërkohë, skuadra turke provon në dy tentativa drejt portës tonë, por Thomas Srakosha ndal çdo rrezik. Megjithatë, në shtesën e pjesës së parë, Manaj fiton faull, ndërkohë mbetet i dëmtuar futbollisti turk Tekdemir. Kuqezinjtë kanë shanse për të shënuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Manajt pritet nga portieri turk.

LIVE/ Përfundon takimi, Turqia na ndëshkon në fund

Luhet takimi mes Turqisë dhe Shqipërisë në stadiumin e Fenerbaçe në Stamboll. Ekipi ynë kombëtar synon fitoren në këtë përballje, duke mbajtur gjallë shpresën për kualifikimin në Euro 2020. Ndërkohë, të njëjtin synim ka dhe Turqia, që shpreson të marrë tre pikë nga kjo përballje, me qëllim që të sigurojë kualifikimin. Kjo do të jetë përballja e dhjetë mes dy kombëtareve, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa dy takime janë miqësore.

Ndiqni Live:

90+4`-Mbyllet ndeshja, Turqia fiton 1-0 ndaj Shqipërisë me gol të Tosun.

90`- Shqipëria i dhuron golin vendasve. Strakosha dhe Ismajli nuk merren vesh me njëri-tjetrin, ndërkohë që Tosun përfiton dhe gjen rrjetën.

88`- Rey Manaj humb një tjetër mundësi shënimi, ndërkohë që dy gjuajtjet e tij përfundojnë në duart e portierit.

86` Ndëshkohet me karton të verdhë Berat Gjimshiti.

83` Ndëshkohet me karton të verdhë Amir Abrashi.

80`- Dhjetë minuta nga fundit, turqit tentojnë të rrezikojnë por skuadra jonë është e kujdesshme.

76`- Odise Roshi del shkëlqyer nga krahu i majtë, duke pasuar pë Rey Manaj që shkon drejt portës. Por topi devijohet nga portier turk përpara se Manaj të mbrrinte. Shqipëria humb një rast të shkëlqyer.

72`- Shqipëria kryen ndërrimin e dytë, del kapiteni Memushaj, futet Amir Abrashi. Shiriti i kapitenit i shkon Odise Roshit.

68` – Calhanoglu rrezikon portën kuqezi, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Ndërkohë Ozan ndëshkohet me karton të verdhë.

66` – Ndërrimi i dytë për turqit, del Emre dhe futet Kahveci.

64`-Shqipëri fiton faull, por topi i gjuajtur nga Memushaj rikuperohet shpejt nga Turqit që nisen në kundërsulm. Por aksioni i Calhanoglu thyet në zonë nga Veseli.

57`-Trajneri Edy Reja kryen zëvendësimin e parë. Nga fusha e lojës del Ermir Lenjani, futet Odise Roshi.

50`- Turqit rrezikojnë me një gjuajtje të fortë nga brenda zonës por Strakosha pret, ndërsa Dermaku largon rrezikun.

49`- Kuqezinjtë shpërdorojnë një rast të shkëlqyer, me një kundërsulm që nuk shfrytëzohet si duhet nga Ermir Lenjani.

48` – Turqia shfaqet rrezikshëm në portën tonë nga dy goditje dënimi, por fatmirësisht pa probleme.

46`– Nis pjesa e dytë, Turqia kryen ndërrimin e parë.

Mbyllet pjesa e parë

45+3`- Manaj fiton faull, ndërkohë mbetet i dëmtuar futbollisti turk Tekdemir. Kuqezinjtë kanë shanse për të shënuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Manajt pritet nga portieri turk.

45`- Mbyllet koha e rregullt, arbitri jep katër minuta shtesë.

42`- Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, skuadra kuqezi tenton të dal në sulm, por gabon në metrat e fundit.

34` Kuqezinjtë dalin në zonën kundërshtare. Fitojnë një goditje dënimi, e cila gjuhet nga Memushaj por që nuk shkakton rrezik në portën kundërshtare, pasi topi pritet nga portieri. Por arbitri kërkon rigjuajtjen e goditjes së dënimit, pasi arbitri nuk kishte vërshëllyer.

27`- Kaan ndërhyn keq ndaj Cikalleshit në mesfushë. Arbitri nuk e kursen kartonin e verdhë

24`- Ulet ritmi i lojës, skuadrat lujnë në mesin e fushës.

20`- Njëzet minutat e para të ndeshjes mbyllen pa gola. Lojë e tensionuar mes dy ekipeve. Skuadra jonë përballon me sukses çdo rrezik deri tani, ndërsa nuk ka rrezikuar deri tani.

15`- Turqit bëjnë presion në zonën tonë. Megjithatë, rezultati mbetet barazim 0-0.

13`- Ndërpritet përsëri loja. Tensione mes futbollistëve të dy skuadrave. Arbitri ndëshkon Memushajn me karton të verdhë.

10`- Loja zhvendoset në mesin e fushës. Skuadra jonë mundohet të dali nga krahët, por aksionet thyen nga mbrojtja turke.

6`- Mbrojtësi i Turqisë, Demiral ndërhyn keq. Acarohen lojtarët. Demiral ndëshkohet me karton të verdhë së bashku me futbollistin tonë Keidi Bare.

4`- Faull nga Dermaku jashtë zone. Arbitri e ndëshkon me të karton të verdhë

3`- Turqit afrohen në zonën tonë, duke tentuar portën, por gjuajtja përfundon jashtë.

1`- Fillon ndeshja, topin e parë e gjuajnë turqit

Formacioni

Salihi: Turqia e mirë, por i njohim pikat e dobëta

Zëvendëstrajneri i ekipit tonë kombëtar, Hamdi Salihi foli para nisjes së ndeshjes kundër Turqisë. Ai u shpreh për TVSH, se kundërshtari është rritur nga ndeshja në ndeshje, por sipas tij, kuqezinjtë do mundohen të bëjnë mirë duke shfrytëzuar pikat e dobëta të Turqisë.

 “Kemi një kundërshtar të vështirë, janë rritur nga ndeshja në ndeshje. I kemi marrë masat mirë dhe do përballemi denjësisht. Janë disa pika të forta të Turqisë, por ne kemi gjetur disa pika të dobëta ku do mundohemi të bëjmë mirë. Me goditjet standarde besojmë se do i shfrytëzojmë”, tha Salihi.

Ai shtoi se kombëtarja, pavarësisht dëshirës për kualifikimin në Euro 2020, nuk e ka luksin për një sfidë aventure. “Nuk e kemi luksin të shkojmë në aventurë, do jemi të ekuilibruar, do mundohemi ta fitojmë lojën”, përfundoi ish-sulmuesi i kombëtares, që tashmë është numri dy i saj.

Hysaj s`mungon: Çunat, të motivuar, fitojmë ne

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj mungon në dy ndeshjet e radhës të kuqezinjve, atë ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Megjithatë, Hysaj nuk mungon në mbështetjen e shokëve të tij të skuadrës. Ai është i pranishëm në sfidën Turqi-Shqipëri, që luhet mbrëmjen e të premtes në Stamboll. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, Hysaj u shpreh se kombëtarja do fitojë kundër turqve. Sipas tij, djemtë janë të motivuar dhe kanë kuptuar rëndësinë e ndeshjes që do të luajnë.

“Më vjen shumë keq për dëmtimin, por kam ardhur për të parë ndeshjen se nuk mund të rrija larg kombëtares. Shpresoj t`i sjell fat. Unë kam shumë besim te kombëtarja. Çunat i njoh mirë, trajneri është shumë i mirë. Unë besoj se do fitojmë. I takova çunat dhe janë gati 100% për këtë ndeshje atmosfera ëshë shumë e mirë. Ajo është shumë e rëndësishme. Kjo është ndeshje deçizive. Çunat e kanë kuptuar këtë. Thjesht duhet të presim ndeshjesh”, tha Hysaj. Ndërkohë,  mbrojtësi u shpreh se do të punojë që të jetë gati për ekipin kombëtar në muajin nëntor.

Formacionet zyrtare për Turqi-Shqipëri. Reja ndryshon skemën

Më shumë se një orë para nisjes së ndeshjes zyrtare me Turqinë, janë publikuar dhe formacionet me të cilat të dyja skuadrat do të luajnë këtë sfidë. Kombëtarja Kuq e Zi, do ta nisë me Strakoshën në portë, Veseli, Dermaku, Ismajli dhe Gjimshiti në mbrojtje.

Ndërkohë, në mesin e fushës, Edy Reja do të luajë me Keidi Baren, Klaus Gjasulën dhe Ermir Lenjani, ndërsa në sulm do të jetë Cikalleshi, Manaj dhe Memushaj. Pra, trajneri i kombëtares ka zgjedhur të luajë me skemën 4-3-3, një skemë sulmuese dhe që i jep mundësi skuadrës të jetë në ekuilibër.

Ashtu siç kishte premtuar trajneri Edy  Reja, nuk ka hedhur që nga fillimi asnjë futbollist të grumbulluar rishtazi. Ndërkohë, Turqia e nis me Gunok në portë, Çelik, Demiral, Emre, Tufan, Tosun, Calhanoglu, Meras, Tekdemir, Yilmaz dhe Ayhan në repartet e tjera. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Fenerbaces në Stamboll në orën 20:45.

Kundër Kosovës: por vetëm në futboll

Kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Kosovën në takimin e radhës eliminator në 15 tetor. Dy futbollistë të grumbulluar nga trajneri Bushi, folën në konferencë për shtyp të mërkurën. Eridon Qardaku dhe Leonardo Maloku treguan se objektivi për takimin e radhës është fitorja. Sipas Leonardo Malokut, atmosfera në ekip është e mirë, dhe lojtarët janë përqëndruar te udhëzimet e trajnerit.

“Atmosfera në skuadrën e shpresave është shumë e mirë, kushtet janë optimale. Jemi të gjithë gati për përballjen e radhës ndaj Kosovës U-21, jemi të përqëndruar tek udhëzimet e trajnerit Bushi. Së bashku me shokët e skuadrës do mundohemi të fitojmë ndeshjen e radhës ndaj Kosovës. Për ne si futbollistë çdo ndeshje është detyrim për tu fituar dhe këtë duhet të bëjmë”, tha Maloku.

Ndërkohë, Eridon Qardaku, futbollist që aktivizohet me Bylisin në Superligë, skuadra Shpresa është përmirësuar, ndërsa deri në fund të eliminatoreve do të luftohet për kualifikim. “Skuadrës kombëtare U-21, nuk i ka munguar asgjë, për ne është detyrim fitorja, kushtet janë shumë të mira. Gjërat janë pozivitive, ne po përmirësohemi në disa aspekte, edhe sipas analizës që kemi bërë më trajnerin gjatë përgatitjeve tona. Ndeshjen e radhës ndaj Kosovës duhet të bëjmë kthesën, e të shpresojme deri në fund të eliminatoreve”, u shpreh Qardaku.

Skip to toolbar