Rinovimi, Reja bie në “dashuri” me Shqipërinë

AKTUALITET


Trajneri i ekipit kombëtar, Edy Reja foli në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes me Moldavinë. Tekniku 74-vjeçar u shpreh se skuadra pati nervozizëm pas ndeshjes me Turqinë, për shkak të rezulatit, por sipas tij, e rëndësishme është që të ruajë intensitetin. “Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën”, tha Reja.

Ndaj Moldvisë nuk pritet të ketë shumë ndryshime në formacion. Megjithatë, trajneri paralajmëroi se do të vendoset të hënën. “Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullarë. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi për ndeshjen me Moldavinë”.


Pyetjes nëse Moldavinë do e nënvlerësojë, trajneri Reja iu përgjigj se ekipet që ai drejton nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. “Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi. Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas”, tha Reja.

Çështja e rinovimit mbetet ende një dilemë. Edy Reja, gjatë konferencës për shtyp, deklaroi hapur se dëshrion të vazhdojë punën me Shqipërinë, duke ia lënë në dorë kreut të FSHF-së Armand Duka të vendos. “Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri”, tha tekniku.

Në fund të fjalës së tij, ndonëse shanset për të kapur vendin e dytë janë në limite, Edy Reja u shpreh se Shqipëria do të luftojë deri në fund për kualifikimin. “Të përballem me një trajner me eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar”, u shpreh Reja.




Skip to toolbar