Video/ Droni çek “pa krahë” në fushën Dardane, Kosova lë pas Anglinë

Kosova ka fituar 2-1 ndaj Republikës Çeke ndeshjen e radhës kualifikuese të Euro 2020. Dardanët kanë arritur të përmbysin avantazhin e miqve, të cilët shënuan në minutën e 16` të takimit me anë të Schick. Një gabim i mbrojtjes kosovare, që i la hapësirë futbollistit çek, bëri që miqtë të kalonin në avantazh. Megjithatë, gjithçka u vendos në barazpeshë vetëm katër minuta më vonë.

Në të 20`, Rashani zbret me një sprint spektakolar nga krahët, duke gjetur Muriqin brenda zonës që mjafton duke shtyrë topin drejt rrjetës dhe barazon 1-1. Goli i fitores për Kosovën erdhi në minutën e 67`, kur Berisha dërgon një top në zonë nga goditja e këndit. Vojvoda zbret brenda zonës dhe godet me forcë, me topin që përfundon në rrjetë dhe në “Fadil Vokrri” shpërthen festa.

Minutat e mbetura të takimit, djemtë ‘Dardanë’ mbajnë të paprekur portën duke marrë tre pikë të arta. Me fitoren e të shtunës, Kosova ngjitet në vendin e parë në Grupin A me 8 pikë ndërsa pas saj ndodhet Anglia me 6 pikë.

Ndërkohë, në stadiumin e Prishtinës, ka pasur një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët kosovarë për të ndjekur ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila mori disi trajta politike, pasi gjatë paradites, policia arrestoi 8 shtetas çek, të cilët do të ngrinin një dron një banderol ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj sërish kandidat për kryeministër

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare që janë dekretuar të zhvillohen në datën 6 tetor.

Por duket se ai do të jetë sërish kandidati kryesor për postin e kryeministrit. Ka përfunduar afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, ndërkohë që pritet që gjatë të shtunës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate të prezantojnë emrin e përbashkët për kryeministër që mendohet se do të ketë sërish Ramush Haradinaj.

Mbrëmjen e së shtunës AAK do të mbajë një takim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në orën 19:00 ku do të deklarohet emri i kandidatit për kryeministër.

Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë janë regjistruar për të marrë pjesë 25 subjektet politike.

Valmir Elezi, zëdhënësi për media në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka njoftuar se kërkesat për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë dorëzuar 25 subjekte politike.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për dorëzimin e listës së deputetëve për certifikim në zgjedhjet e 6 tetorit. Brenda afatit kohor kanë dorëzuar gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur”, tha ai.

Ai tregoi se së shpejti do të shqyrtohen këto aplikime dhe vendimmarrja do të bëhet deri më 10 shtator.

Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas thirrjes për të dëshmuar në Hagë për akuzën e krimeve të luftës. Që në fillim kjo lëvizje e Haradinajt u pa si taktikë e tij për të fituar sa më shumë mbështetje popullore. Dorëheqja e tij nga posti bëri që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet do të zhvillohen në 6 tetor.

Skandali, Serbia po paguan shtetet që të tërheqin njohjen e Kosovës

Mungesa e kultivimit të marrëdhënieve me disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën, konsiderohet si një prej faktorëve që po çon në tërheqjen e këtyre njohjeve, thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova duke lënë anash kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve me këto vende, u ka lënë hapësirë veprimi diplomacive nga Rusia dhe Serbia që të bindin disa prej këtyre shteteve që të tërheqin njohjet.

Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. I përfshirë në aferën e siç thuhet ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili thuhet se “është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës”.

Origjina e fushatës së Serbisë për t’i pakësuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me stagnimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Profesori Gëzim Visoka, i cili është ligjërues në Dublin City University në Irlandë, thotë se Serbia që nga momenti kur e parë se Kosova nuk është në gjendje ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në versionin e Beogradit dhe që kur ishte bindur se as trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën nuk po funksiononte më, filloi të hapë një front diplomatik kundër shtetit të Kosovës.

“Në esencë, çnjohja e Kosovës ka të bëjë më fuqizimin e pozicionit negociues të Serbisë dhe zgjerimin e mundësive diplomatike në dëm të Kosovës. Pra, sa më shumë që Kosova do t’i rezistojë një marrëveshjeje që do t’i përshtatej Serbisë, aq më shumë Serbia do të vazhdojë fushatën agresive kundër njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Prandaj, Kosova nuk duhet injoruar dhe mohuar çështjen e çnjohjeve”, thotë Visoka.

“Në të kundërtën, duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës në shkëmbim të ndërprerjes dhe kthimit të çnjohjeje, si dhe largimin e të gjithave barrierave jotarifore që Serbia ia ka vënë Kosovës në dekadën e fundit”, tha ai.

Kurse, zëvendësministri i Jashtëm në dorëheqje në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar që shtete të caktuar ta vënë në dyshim njohjen e Kosovës. Ai thotë se Serbia po ndikon të shtete të caktuar duke prezantuar jo drejt qëllimin e dialogut.

“Unë mendoj se rrëshqitja e bisedimeve në temat që kanë rrëshqitur, ka krijuar një paqartësi në arenën ndërkombëtare, sidomos në disa shtete që janë jashtë zonave të Evropës. Serbia ka qenë aktive, në kuptimin kinse bisedohet për statusin e Kosovës dhe jo normalizim të raporteve”, tha Berisha.

Por, përveç efekteve të “ryshfetit”, siç e cilëson Qeveria e Kosovës, theksohen edhe dobësi tjera përbrenda diplomacisë kosovare që kanë ndihmuar apo ndikuar te disa vende që të marrin në konsideratë apo edhe të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet.

Profesori Gëzim Visoka, tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për njohje diplomatike është një fushë që ndërlidhë faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij, janë disa faktorë që janë duke mundësuar rritjen e çnjohjes së Kosovës.

“Faktori i parë ka të bëjë me lënien anash të fushatës për njohjen nga dy qeveritë e kaluara të Kosovës. Përqendrimi është vënë në disa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet që na kanë njohur, disi është lënë anash. Për më shumë, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve edhe mungesa e qëndrimeve unike për interesat e brendshme dhe jashtme të Kosovës, ka ndikuar në zbehjen e prezencës ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka.

Faktori i dytë, sipas tij, ka të bëjë me zbehjen e interesimit dhe fuqisë ndikuese të vendeve, që në terminologjinë politike në Prishtinë, njihen edhe si shtete mike të Kosovës.

“Kosova më nuk është prioritet ndërkombëtar dhe miqve të Kosovës ju ka rënë ndikimi në disa rajone të botës, nga ku çnjohjet janë duke ardhur. Faktori i tretë, i ndërlidhur me këtë të fundit, ka të bëjë me fuqizimin e ndikimit rus, dhe si pasojë, edhe të Serbisë, ku janë duke përdorur diplomacinë personale, ekonomike dhe ushtarake për të shtyrë përpara çnjohjen e Kosovës”, tha Visoka.

Sipas tij, është edhe një faktor tjetër që ka të bëjë edhe me gjendjen në vendet që e kanë njohur Kosovën dhe si pasojë e ndërrimit të qeverive dhe ndryshimit të interesave të tyre ndërkombëtare, këto vende pa hezitim e kanë ndryshuar qëndrimin për Kosovën.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm (në dorëheqje), Anton Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet në Serbi janë duke e shfrytëzuar gjendjen politike në Kosovës dhe mungesën e një qeverie aktive për të lobuar kundër njohjeve të Kosovës.

“Ne jemi qeveri në dorëheqje edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë aktivitet, ndonëse vetë ministri ka qëndruar gjatë në Afrikë, nuk kemi parë ndonjë rezultat dhe presim që sa më parë të mbahen zgjedhjet dhe qeveria e re të jetë aktive, kurse Ministria e Jashtme duhet të kalojë në një fazë ofensive”, tha Berisha.

Zyrtarët në Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë deklaruar se sa është aktualisht numri i shteteve që e kanë njohur deri tash Kosovën shtet. Por, në ueb faqen ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, figurojnë 116 shtete të cilat thuhet se kanë njohur Kosovën./REL/

10 ditë fushatë dhe 5.7 milionë euro kosto për zgjedhjet në Kosovë

Kosova do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme më 6 tetor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Fushat zgjedhore do të zgjas 10 ditë ku do nis më 25 shtator dhe do të mbyllet më 4 tetor.

5 tetori është heshtje zgjedhore në vend, ndërsa më 6 tetor, qytetarët e Kosovës pritet t’i drejtohen kutive të votimit. Gjithashtu kjo periudhë po shfrytëzohet për partitë që të krijojnë koalicione parazgjedhore, ku 30 gushti do të jetë edhe afati i fundit i deklarimit të tyre.

Për këto zgjedhje, Komisionin Qendror Zgjedhor ka kërkuar një buxhet prej 5 milionë e 689 mijë euro, apo afër dy milionë më shumë nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017, kur Qeveria ra si pasojë e nënshkrimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa.

Kjo rritje e buxhetit, është kërkuar nga KQZ-ja për shkak të rritjes së pagës në sektorin publik.

SHBA i tërheq veshin, Serbia zbut tonet: Koha të pajtohemi me shqiptarët

Mesazhi që SHBA dhe Gjermania i dha Aleksandër Vuçiç pak ditë më parë për të hapur negociatat me Kosovën dhe ultimatumin se nuk do të ketë ndryshime kufijsh, duket se e ka kuptuar e gjithë klasa politike serbe.

Kjo u vu re në tonin e zbutur të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila i ka habitur të gjithë me deklaratën e saj ku tha se “ka ardhur koha që serbet dhe shqiptarët të pajtohen.”. Kujtomë se pak kohë më parë Brnabiç i quajti shqiptarët  “të zbritur nga mali që nuk kuptonin’ ndërsa nuk i ka kursyes asnjëherë ofendimet ndaj tyre. Kjo situatë të kujton edhe një herë se kur të mëdhenjtë falsin, të vegjlit dëgjojnë.

“Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues. Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur” tha Brnabiç gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha se ka ardhur koha për të arritur një pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi europianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, tha Zaev.

Thaçi dekreton datën e zgjedhjeve, Kosova voton në 6 tetor

Kosova do t`i drejtohet kutive të votimit më 6 tetor, për të zgjedhur mazhorancën dhe kryeministrin e ri të vendit. Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, një muaj më parë, dhe shpërndarjes së Parlamentit disa ditë më parë, Hashim Thaçi në cilësinë e Presidentit të Kosovës, këtë të hënë ka marrë dy vendime. Së pari ai dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa pasditen e të hënës ka miratuar datën e re të zgjedhjeve. 6 tetori është vendosur si dita kur qytetarët e Kosovës do të zgjedhin qeverinë e re për vendin. Mediat kosovare citojnë dekretin e firmosur nga Thaçi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

 “Duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 06 tetor 2019. Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës sё Kosovës t’i ndërmerr tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës sё Kosovës, nё përputhje me kёtё vendim dhe legjislacionin nё fuqi”, thuhet nё mё tej nё vendimin, tё cilin e ka nënshkruar presidenti Thaçi, njofton zyra e tij.

Prej një muaji Kosova ishte pa qeveri, pasi kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi dorëheqjen, pasi u thirr për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës për kimet e luftës. Në fakt, Haradinaj, më shumë se sa për hagën, dorëheqja ishte si pasojë e presionit të shtuar ndërkombëtar, për të hequr taksën për importet me Serbinë, si kush që Haradinaj ka vendosur për njohjen e Kosovës. Këtë gjë ish-kryeministri e pranoi gjatë daljes për shtyp ditën që deklaroi dorëheqjen, si dhe në letrën drejtuar qytetarëve, ku i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos bënte presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.

Ndërkohë, pas dorëheqjes së tij, Kosova mbeti pa qeveri dhe në një kaos vendimmarrjeje, gjë për të cilën Haradinaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Por deri në momentin e shpalljes së dekretit të ri për datën e zgjedhjeve, nga Gjykata Kushtetuese nuk pati asnjë vendim. Megjithatë, në 45 ditët e mbetura, Kosova do të përfshihet nga një garë e ashpër elektorale, ku partitë e vjetra do të duhet të bindin qytetarët për të fituar votën e tyre, ndërsa tema më delikate, sipas analistëve, gjatë fushatës do të jetë ajo e qëndrimit që subjektet politike do të mbajnë për çështjen e dialogut me serbinë.

Kosova në kaos qeverisës pas dorqëheqjes së Haradinajt

Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë interpretim në lidhje me këtë kërkesë.

Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të ndryshme.

Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë që të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti i këtyre vendimeve.

Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është kryeministër.

“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.

Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i Financave Bedri Hamza ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e tyre, disa ministra tjerë, kanë vazhduar me punën e rregullt, duke marrë vendime për çështje të caktuara.

Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme, mediave u janë adresuar edhe nga disa ministri tjera.

Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.

Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e qartë në këtë pikë.

“Do të duhet që sa më parë Gjykatat Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur kabineti të vazhdojë të mbaje mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen dilemat”, thotë Baraliu.

Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrolloj, mbikëqyrë zbatimin e vendimeve dhe projekteve të ndryshme.

“Marrja e vendimeve do të duhej bërë në kabinet. Do të duhet të mbahen mbledhjet e qeverisë dhe do të duhej të trajtoheshin ato çështje për tu marrë dhe votuar vendimet e qeverisë. Kjo është praktikë juridike pasi që Kosova nuk ka më tepër se kaq pasi që nuk e kemi Ligjin për qeverinë ku më saktësisht do të duhej të përcaktoheshin obligimet dhe detyrat e qeverisë në çdo situatë juridike, pra edhe në këtë situatë të vakuumit institucional pas dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.

Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e kompetencave. Nga ajo ditë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje.

Në Kosovë gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës./REL/

Kosova po shkon në zgjedhje, për “hallin” me Serbinë!

Nga Mero Baze

 Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare të parakohëshme, pas shpërndarjes së Parlamentit, që pasoi dorëheqjen disa javë më parë të kryeministrit Haradinaj. Zgjedhjet u provokuan nga kryeministri Haradinaj me shpresë se klima populiste e krijuar pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë dhe heroizimi i tij pas thirrjes në Hagë, mund të ndihmojnë partinë e tij të rritet në zgjedhjet e parakohëshme. Por përtej kësaj llogarie populiste, Kosova ka një spektër politik të copëzuar, parti krahinore ideologjike dhe historike, të cilat po hyjnë në zgjedhje, duke ju shmangur sfidës kryesore që ka shteti më i ri i Evropës në rrugën e tij drejt njohjes, që është Marrëveshja me Serbinë.

Arsyet se përse vendi po shkon në zgjedhje lidhen me Marrëveshjen me Serbinë dhe përpjekjen e dështuar të Presidentit Thaçi, që ta udhëhiqte i vetëm procesin e bisedimeve në një linjë okulte mes Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës e Beogradit. Kundërshtari i tij Ramush Haradinaj, i pafuqishëm t’i kundërvihej Perëndimit direkt për marrëveshjen, e hodhi procesin e bisedimeve në erë, duke vendosur taksën me Serbinë dhe duke bllokuar kështu bisedimet pa kusht. Zgjedhjet e reja, pavarësisht problemeve të brendshme, duhet të prodhojnë një shumicë që ka guximin të marrë përsipër bisedimet me Serbinë ose refuzimin e tyre.

E di që është kohë e keqe të përmendësh në fillim të fushatës elektorale bisedimet me Serbinë, por shumica që do të dalë nga zgjedhjet, do të përballet me këtë temë. Në një vend normal me pjekuri politike, para se të hynin në fushatë, partitë do të mund të bënin një Pakt Kombëtar, lidhur me bisedimet me Serbinë, që ajo të mos bëhej temë e fushatës elektorale, por të mbetet një çështje konsensuale, e gjithë partive që e kanë detyrë ta çojnë para atë proces.

Kjo mund të ishte një tryezë e partive politike, një marrëveshje formale politike, e padetajuar dhe e mbështetur mbi parime të qarta të mos cenimit të pavarësisë së Kosovës, apo dhe forma të tjera. Por kjo është thjeshtë një ëndërr për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi. Nuk ndodh dhe s’ka për të ndodhur, siç nuk ndodh në Shqipëri konsesusi për integrimin në Evropë. Sa herë afron data, Berisha e Meta bëjnë gati molotovët ose kasetat e blera nga prokurorët e tyre. Në mungesë të saj, së paku duhet të bëhet i hapur debati për Marrëveshjen me Serbinë, ku partitë të përcaktohen qartë rreth saj dhe të krijojnë aleanca, bazuar tek këto qëndrime. Kështu të paktën e dimë kush fiton.

Zgjedhjet u provokuan pikërisht nga procesi i bisdimeve me Serbinë dhe produkti politik i tyre, do të jetë ose një shumicë pro marrëveshjes, ose një shumicë kundër. Por kjo duhet të dihet në fushatë, përndryshe do të dëgjojmë patriotë që asin kundër Serbisë në fushatë dhe pazarxhi që do shesin e blejnë deputetë për tendera pas fushatës. Kur zgjedhjet të mbarojnë dhe qeveria e re të formohet, SHBA dhe BE, do të vendosin sërish në tryezën e qeverisë, çështjen e Marrëveshjes me Serbinë.

Që askush të mos detyrohet të gënjejë në fushatë apo pas saj, është mirë që kjo çështje të debatohet për të qartësuar qëndrimin ndaj saj. Pasi shumica e re nuk duhet të forcohet mbi bazën e pazareve për tendera apo vende pune si zëvendësministër, por mbi bazën e qëndrimeve ndaj një çështjeje jetike për të ardhmen e Kosovës. Vetëm kështu mund të shmangen spekulimet populiste, nga ata që qeverisin si hajdutë dhe duan të marrin pushtetin si patriotë.

Ndërhyrja e SHBA, tërhiqet Vuçiç: Bisedimet me Kosovën nisin në dhjetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të nisë në dhjetor. Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas takimit që ka zhvilluar në New York me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pomepo. Duket se SHBA-të ia arritën qëllimit dhe bënë që Serbia tërhiqej nga kushti i saj për të mos vijuar me dialogun derisa Kosova të hiqte taksës 100% për mallrat serbe.

“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu”, ka thënë Vuçiç për televizionin serb, Prva.

Presidenti serb tha se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha, “një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”.

Megjithatë, Vuçiç pas kësaj deklarate ka shtuar se edhe Kosova duhet tërhiqet dhe të heqë taksën për mallrat serbe.

 “Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe informues për mua. Më duket se unë e kuptoj më mirë dhe më shumë pozicionin e SHBA-së, ankthet dhe frikën e tyre. Por, siç më duket mua, edhe ata e kuptojnë frikën dhe ankthet tona shumë më mirë”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu tha se SHBA-ja nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por siç tha, “ata po i hapin disa dyer dhe e kuptojnë nevojën dhe domosdoshmërisë e arritjes së një marrëveshjeje në të cilën Serbia nuk do të degradohej dhe interesat e Serbisë nuk do të prisheshin”.

Ndërkohë pas takimit që kishte me presidentin Vuçiç, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi përmes një postimi në Twitter, se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojnë stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Përplasja tregtare Shkup-Prishtinë: Tarifat do të hiqen

Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë vendosur njëra-tjetrës masa reciprociteti dhe tarifa ndaj disa produkteve specifike duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë e të dy vendeve. Kjo situatë që vijon prej pak muajsh, kanë bërë që ministrat ekonomisë dhe tregtisë të dy vendeve të takohen të martën në Prishtinë. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi janë takuar për të gjetur një zgjidhje mbi përplasjet tregtare që nisën kur Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut me arsyetimin se agjencia kosovare e ushqimit nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane. Kosova reagoi duke bllokuar importin e patates dhe mjaltit.  

Kjo solli dëm në ekonomi, por duket se ky ngërç tregtar do të marrë fund brenda javës. Ministri kosovar Endrit Shala premtoi se brenda së premtes tarifat do të hiqen. “Jemi dakorduar që deri në fund të javës të dy vendet të heqin barrierat që u vendosën për bizneset tona.” Ndërsa ministri i Maqedonisë së Veriut, Bekteshi sqaroi se masat janë marrë vetëm në funksion të sigurimit të cilësisë dhe zbatimit të kushteve të vendosura nga BE. “Masa nuk është e ndërmarrë vetëm ndaj Republikës së Kosovës por është një masë ndaj të gjitha shteteve që nuk e implementojnë monitorimin aktiv ose pasiv sipas kushteve të BE.’

Skip to toolbar