Meta sheh “armiq të huaj”: Po kërkohet gjakderdhje, kriza në Shqipëri lidhet me Kosovën

I ftuar në një emision satirik në Kosovë, Presidenti Ilir Meta ka folur shumë seriozisht për krizën në Shqipëri, ndërsa ka sulmuar qeverinë, opozitën, kuvendin dhe ndërkombëtarët.

Madje presidenti ka deklaruar se përmes krizës në Shqipëri po kërkohet gjakderdhje. Ai thotë me tej se kriza në Shqipëri është artificiale dhe lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Ajo që dua të them, me bindje të plotë, është se kjo krizë artificiale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe që nuk e meriton populli shqiptar, padyshim që për mendimin tim ka një lidhje edhe me zhvillimet në Kosovë, me dialogun Kosovë-Serbi.

Për mua ka qenë dhe mbetet shqetësuese: përse kërkohet patjetër ky konflikt në Shqipëri?! Nuk mund ta teproj ndoshta edhe po të them: përse kërkohet edhe një gjakderdhje në Shqipëri?!

Pra kjo krizë është aq artificiale në vlerësimin tim dhe duket që ka një interes që Shqipëria të duket keq. Në momentin kur Shqipëria duket keq, kjo nuk e ndihmon as Kosovën, as shqiptarët në përgjithësi si një faktor që mund të imponohen më suksesshëm në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime. Sepse kërkohet patjetër të provohet se ne shqiptarët e kemi të vështirë të bëjmë shtet.

Kurse unë mendoj se kemi të bëjmë me lojëra të individëve të caktuar, të cilët janë kyçur në skenare që nuk i shërbejnë as stabilitetit të Shqipërisë, dhe as afirmimit të saj si një faktor stabilizues, europianizues në rajonin tonë”, është shprehur Meta.

Përmes kësaj deklarate presidenti sulmon ndërkombëtarë të caktuar por edhe personazhe të politikës shqiptare, të cilët nuk i përmend me emra por thotë se “janë individë të caktuar që po bëjnë lojëra dhe skenare kundër stabilitetit në vend”.

Kujtojmëse trazirat në qershor në Shqipëri morën shkas nga dekreti anti kushtetues i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky dekret nxiti protestat me molotov të opozitës dhe u desh thirrja e fortë e ndërkombëtareve që opozita të tërhiqej. Ndërsa përsa i përket shtatorit ende nuk ofrohet asnjë zgjidhje pasi presidenti bën thirrje për zgjedhje më 13 tetor, që është sërish një datë antikushtetuese, ndërsa opozita ka njoftuar protesta popullore, përsëritjen e një aksioni opozitar që të ofron kaos në prag të çeljes së negociatave.

Akuza parlamentit dhe Ramës

Në intervistën e tij Meta ka sulmuar Kuvendin duke thënë se po bëhen ligje për të sulmuar persona të veçantë.

“Parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë”, – është shprehur Meta.

Por sigurisht që përgjegjësinë kryesore në këtë drejtim e ka kryeministri i cili “me politikën e tij të qartë për të kontrolluar gjithë pushtetet në vend dhe për të asgjësuar demokracinë, dialogun politik, të drejtat e opozitës dhe të pakicave, lirinë e medias, pavarësinë e gjithë institucioneve të tjera, për të kapur edhe sistemin e ri të drejtësisë për fat të keq”. Siç duket Metës nuk i del e keqja nga reforma në Drejtësi dhe nuk gjen rast pas e sulmuar atë.

Opozita, asnjë alternativë

Pjesë e sulmit ka qenë dhe opozita për të cilën thotë se ka ndjekur strategji të gabuar.

“Njëkohësisht nuk mund të mbetet pa përgjegjësi edhe opozita, që në vlerësimin tim ka ndjekur një strategji të gabuar, atë të djegies së mandateve, të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet vendore, pra të mosregjistrimit në kohë, por edhe të delegjitimimit të çdo institucioni, ndërkohë që mund të kishte ndjekur një politikë tjetër.

Atë të paraqitjes së një alternative që mund të ndihmonte në parandalimin e kësaj drame institucionale dhe demokracie që ne sot kemi në vend, ku praktikisht sistemi i llogaridhënies është asgjësuar si në nivel qendror, në parlament, si në nivel vendor”, është shprehur Presidenti.

Siç duket në qendër të sulmeve të presidentit janë të gjithë, duke nisur nga ndërkombëtarët të cilët kanë asistuar dhe kanë vlerësuar ecurinë e reformës në drejtësi, nga qeveria e cila po i qëndron zotimeve në realizimin e kësaj reforme, dhe së fundi opozita e cila jo vetëm që doli jasht çdo sistemi, aktualisht nuk ofron asnjë alternativë për vendin. Presidenti i cili është në prag të shkarkimit duket se po bën gati terrenin për t’u rikthyer si kryetar partie në skenën e politikës. Duke i shpallur të gjithë armiq, Meta kërkon të dalë vetëm ai që po lufton për Shqipërinë dhe zgjidhjen e krizës për të fituar sa më shumë elektorat me partinë e tij të re, pasi siç tha vetë “LSI nuk është më ambicia” e tij./Realstory.al

Kosovari vret ish-gruan dhe të dashurin e saj afgan në Gjermani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku një stacion treni në Iserlohn, ku një 43-vjeçar nga Kosova ka qëlluar me thikë për vdekje ish-bashkëshorten e tij dhe të dashurin e saj. Sipas mediave gjermane, ngjarja  ka ndodhur në garazhin e një stacioni treni, ku 43-vjeçari i divorcuar ka goditur në sy të fëmijës së mitur, ish-bashkëshorten e tij, 32-vjeç, dhe të dashurin e ri të saj, një shtetas nga Afganistani në moshën 23-vjeç.

Shkak i krimit, sipas mediave gjermane, është bërë divorci i çiftit. Ngjarja ka ndodhur gjithashtu në sy të shumë kalimtarëve, të cilët janë bërë dëshmitarë të pavullnetshëm të ngjarjes. Ndërkohë, për shkak të vrasjes, stacioni hekurudhor ka ndalur punën për disa orë.

 Autori i krimit nuk u largua nga vendi i ngjarjes, duke pritur policinë në mjetin ku ndodhej foshnja dy muajshe, e cila dyshohet që për atësi të ketë autorin e vrasjes së nënës së saj 32-vjeçare.  Sipas “Express”, i dyshuari që jeton në Bergisch Gladbach afër Këln, është i njohur në polici për dhunën në familje. Gruaja e tij u strehua në Iserlohn në strehën e grave.

Quinti, apel Kosovës të heqë taksën, Serbia ta njohë si të pavarur

Shtetet e Quint’it – Amerika, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të rigjallërojnë dialogun dhe theksuan, që Prishtina duhet të heqë taksën, ndërsa Beogradi të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët të qeverive të SHBA, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë thuhet se vendet e Quintit janë të bashkuara në synimin për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht obliguese, që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Status quoja pamundëson përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe pas viteve të stanjacionit ka ardhur koha që t‘i jepet fund konflikteve të viteve 90-të, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Ekuilibri i rremë

Mesazhi i vendeve të Quintit në Beograd interpretohet si një lloj presioni, por edhe si tregues, se shteteve anëtare të Quintit në një farë mënyre u ka ardhur në majë të hundës me problemin e Kosovës dhe se ata do të donin që ky problem të zgjidhet sa më parë. Megjithatë në vetë mesazhin nuk dëgjohet asgjë që të mos jetë thënë në takimet e shumta bilaterale të politikanëve perëndimorë dhe liderëve lokalë në Beograd e Prishtinë e ndoshta kjo është edhe arsyeja për qëndrimin gjakftohtë të shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiç, që mendon se „i është dhënë shumë rëndësi deklaratës së Quintit dhe se këto takime nuk kanë qenë në nivel të lartë“. Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë Marko Gjuriç gjithashtu vlerëson, se në këtë deklaratë nuk ka asgjë të re për Serbinë e se do të ishte surprizë, „nëse vendet e Quintit do t‘i thonin Prishtinës se do të përdorin mekanizmat e Ceftës për të bërë presion që të heqin taksën“. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për dikë është nënë e për dikë është njerkë, shtoi Gjurić, sepse për shkak të problemeve në Prishtinë i bëhet presion shtesë palës serbe

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç shton, se deklarata e Quintit po përpiqet të bëjë një barazpeshim të rremë dhe thekson se sipas kësaj deklarate, „pala kosovare ka të drejtë të vendosë taksën, sepse Serbia zhvillon fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Po çfarë janë atëherë taksat ndaj Bosnjë Hercegovinës, a bën edhe ajo vallë fushatë kundër njohjeve“, pyeti Daçiç. Deklarata e Quintit është komentuar edhe nga ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko, i cili thotë: „si nuk vërejtëm asgjë të re apo inkurajuese në deklaratën e vendeve të të ashtuquajturit Quinti. Mendojmë se po krijohen paraprakisht kushtet që Beogradi të fajësohet edhe një herë për dështimin e dialogut“. Kryetari i PDK-së në pushtet në Kosovë, Kadri Veseli, përshëndeti përpjekjet e Quintit dhe i bëri thirrje BE, që të „ndërpresë përpjekjet kolonizuese serbe dhe të dënojë kriminelët serbë të luftës“, përcjellin mediat e Beogradit.

Kush e pengon normalizimin?

Serbia askund nuk është zotuar se do të punojë për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, komenton për DW deklaratën e Quintit analisti politik Dragomir Angjelkoviç:

„Mendoj se është deklaratë jokorrekte e Quintit, sepse nuk mund të vendosin në një nivel të drejtën sovrane të një shteti dhe vendosjen e taksës nga ana e Prishtinës. Nëse qëllimi i procesit të Brukselit është normalizimi i marrëdhënieve, atëherë shqiptarëve u duhet tërhequr vëmendja se pengojnë normalizimin e marrëdhënieve në rajon dhe ndalojnë shkëmbimin tregtar“, vlerëson Angjelkoviç.

Mediat e Beogradit prej ditësh tërheqin vëmendjen se Amerika po përfshihet në mënyrë gjithnjë e më aktive në procesin e Kosovës dhe deklarata e Quintit shihet si një lëvizje tjetër në këtë drejtim. Sipas tyre administrata e presidentit amerikan Donald Trump është shumë e interesuar që çështja e Kosovës të zgjidhet para përfundimit të mandatit të tij të parë, me qëllim që këtë sukses të politikës së jashtme ta shfrytëzojë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale atje, por edhe si një tjetër shuplakë politike për Evropën me mesazhin, se asnjë problem nuk zgjidhet, derisa të mos i marrë në dorë gjërat Amerika.

Nuk ka gatishmëri për marrëveshje

Këtë e thekson për DW edhe Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit të Çështjeve Evropiane, i cili thotë, „se ftesa e Donald Trumpit që liderët e Serbisë dhe Kosovës të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të festojnë marrëveshjen, duket se qendron ende. Po kam frikë se në këtë moment Serbia dhe Kosova nuk kanë në politikë atë kapacitet udhëheqës, që është i gatshëm të arrijë marrëveshjen. Përsa i përket Beogradit kam përshtypjen se autoritetet serbe sikur nuk duan që kjo çështje të zgjidhet përgjithmonë, sepse pastaj në rend të ditës do të dilte ndonjë çështje tjetër e brendshme, e kjo mund të nënkuptonte ndoshta fundin e një regjimi politik.“

Opinioni politik në Serbi nuk e ka pritur me shumë optimizëm deklaratën e Quintit, sepse konsideron që pala serbe dhe ajo shqiptare i kanë çimentuar pozicionet e tyre, dhe që edhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare kanë efekt të kufizuar. Pa dyshim ka edhe nga ata, që në deklaratën e Quintit shohin fillimin e presioneve të tjera ndaj Beogradit dhe Prishtinës, por edhe këtu tërhiqet vemendja tek fakti se është fjala për vende, që e kanë njohur Kosovën. Nëse kësaj i shton edhe faktin se në Kosovë, në Serbi, e madje edhe në Amerikë, priten zgjedhje, krijohet përshtypja se për zgjidhjen e problemit të Kosovës do të pritet akoma. Kujtojmë se këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton, e ka shtyrë vizitën e tij në rajon për shkak të situatës së paqëndrueshme politike në Kosovë dhe në Beograd vlerësohet se ndoshta për të njëjtat arsye mund të anulohet edhe takimi në Paris për Kosovën. 

Prishtina pa presion

Dragomir Angjelkoviç vëren se Prishtina nuk është përballur kurrë me presione, që mund ta dëmtonin, dhe se nuk sheh tjetër mënyrë, që Prishtina të sillet në mënyrë konstruktive: „Flas për masa që do t‘i drejtoheshin elitës politike të tyre, apo ekonomisë së Kosovës, dhe vetëm nëse ndjejnë ndonjë lloj sanksioni mund të bëhen kooperativë. Përsa i përket Beogradit, nuk besoj se është në interesin e Perëndimit të hapë një front të ri kundër Serbisë, në radhë të parë se Serbia nuk ka asnjë lloj faji për ndërprerjen e dialogut, kështu që edhe këtu nuk pres presione të tjera në muajt në vijim. Dhe për shkak të zgjedhjeve të ardhshme vitin që vjen nuk pres ndonjë dinamikë të veçantë rreth Kosovës“, thotë Angjelkoviç. 

Një problem që zgjat shumë

Mesazhi themelor i kësaj deklarate të Quintit duket shumë i qartë, mendon Naim Leo Beshiri: „Ai është shumë specifik për politikanët e të dyja palëve, të cilët paralajmërohen se ky problem po zgjat shumë dhe zgjidhja e tij është në interes të dy entiteteve. Moszgjidhja e këtij problemi pamundëson përparimin e mëtejmë të integrimit evropian, e kjo ka si pasojë ndikim në standardin e qytetarëve dhe në pozicionin politik të Serbisë dhe Kosovës. Perveç se ndoshta Rusisë kjo status quo nuk i intereson askujt“, përfundon Beshiri./DW/

Haradinaj: Dialogun me Serbinë nuk e bllokoi taksa, por pretendimet territoriale

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj  ka reaguar në rrjetet sociale pas një deklarate të homologes serbe, Ana Brnabic.

Haradinaj ka shkruar se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka bllokuar taksa, por aspiratat territoriale të Beogradit.

“A po e shihni se Taksa nuk e ka bllokuar dialogun, por aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! E po Kosova është shtet sovran me këta kufij, ndërkombëtarësh të njohur dhe të pandryshueshëm, dhe sa më parë ta kuptojë ketë fakt lidershipi në Serbi, është më mirë për ta”,  shkruan Haradinaj në Facebook.

Më parë, Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq ishte shprehur për mediat serbe se njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë.

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është ndërprerë prej disa muajsh. Ndërsa qeveria e Kosoëvs ka vendosur taksën 100% për mallrat serbe dhe bllokuar shkëmbimin tregtar, taksë kjo e vendosur si kusht që Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Vendosja e taksës nga Kosova ka sjellë reagime nga ndërkombëtarët të cilët i kanë bërë apel qeverisë që ta heqë, por deri tani qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga ky vendim. Ndërsa serbia nga ana e saj vazhdon të mos pranojë uljen në tryezën e negociatave duke vënë si kusht heqjen e taksës.

SHBA-BE, Kosovës dhe Serbisë: Hiqni pengesat, dialogoni

Kuinti i ambasadorëve i ka kërkuar Kosovës heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Me anë të një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën ndaj Serbisë, ndërsa Beogradit i kërkojnë që të ndalojë fushatë kundër njohjes së Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Kuinti i ambasadave në Kosovë dhe Beograd, shprehen se të dy vendet duhet të rifillojnë sa më shpejt dialogun mes tyre nën udhëheqjen e BE. “Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e kuintit të ambasadave të vendeve perëndimore, drejtuar Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Aktualisht Kosova është pa qeveri, pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një muaj më parë pasi u thirr në Hagë për të dëshmuar para Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Haradinaj e justifikoi dorëheqjen e tij si vullnet për t`u paraqitur në Hagë si qytetar i lirë i Kosovës dhe jo si kryeministër i saj. Megjithatë, një nga shkaqet e dorëheqjes ka qenë dhe presioni ndërkombëtar, që i ka kërkuar vazhdimisht Haradinajt heqjen e taksës prej 100% për mallrat serbe, dhe rifillimin e dialogut me Serbinë.

Këtë gjë e la të kuptohet vetë ish-kreu i ekzekutivit në Kosovë kur deklaroi në një emision televizvi se “ishte gati të jepte dorëheqjen si Kryeministër, por taksën ndaj Serbisë nuk do e hiqte”. Kjo deklaratë u bë më pak se 24 orë para se Haradinaj të merrte vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër.

Kuvendi i Kosovës shpërbëhet më 22 gusht, Haradinaj: Vendimi i duhur

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të shpërndarjë parlamentin më 22 gusht duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pas shpërndarjes, presidenti i Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se “zgjedhjet nuk janë vetëm mundësi dhe alternativë, por drejtim dhe vendim i duhur për qytetarët e vendit’.

Ai tha se vendimi për seancën e shpërndarjes së parlamentit u mor me pajtimin e të gjitha partive politike, të cilat janë shprehur në favor të zgjedhjeve të reja që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për shpërbërjen e parlamentit, u përshëndet nga kryeministri në dorëheqje Ramush Hardinaj, i cili e quajti veprim të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

“Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për t’u përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj dha dorëheqjen më 19 korrik, pas ftesës së marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj apel aleatëve: Ndalni presionin ndaj Kosovës

Ramush Haradinaj ka bërë një deklaratë të fortë duke u kërkuar ndërkombëtarëve të ndalin trysninë dhe presionin që i bëjën Kosovës për heqjen e taksës, duke etiketuar drejtpërdrejtë SHBA dhe BE.

Haradinaj tha se kërkon një drejtpeshim të trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke argumentuar se i është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, ndërkohë që shqetësime të tilla nuk i kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.

Haradinaj, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, konfirmoi qëndrimin e tij se kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm  dhe se tarifa do të hiqet deri kur të ketë një njohje reciproke nga Serbia. “Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë.” – tha Haradinaj

Zëri i Amerikës: Që nga dorëheqja juaj është diskutuar për mundësinë e një lidhjeje ndërmjet thirrjes për t’u paraqitur në Hagë dhe qëndrimeve tuaja politike rreth tarifave ndaj mallrave serbe. A shihni ju ndonjë lidhje të tillë?

Ramush Haradinaj: Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi. Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje. Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë. Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për aleatët, cilët po bëjnë trysni?

Ramush Haradinaj: Mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Lexoni këtu intervistën e plotë.

Dorëheqja e Haradinaj, SHBA: Po monitorojmë situatën

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha në një postim në rrjetet sociale se mënyra se si do ta trajtojnë situatën pas dorëheqjes së kryeministrit do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës.

“Po e ndjekim nga afër si po përballet Kosovë për herë të parë me dorëheqjen e kryeministrit. Mënyra se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në postim.

Ramush Haradinaj paraqiti të premten e kaluar dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i kryeministrit pasi mori thirrje për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, e cila është pjesë e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Të mërkurën ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve në Hagë, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje. Dorëheqja e tij krijoi një situatë të re në Kosovë dhe vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme, meqë të gjitha partitë politike janë shprehur në favor të tyre.

Për javën që vjen, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar fillimin e këshillimeve më partitë politike për veprimet e mëtejme. /VOA/

Sulmuesi i përfaqësues së Kosovës firmos për Kukësin

Të mërkurën Kukësi ka bërë një njoftim ku pohon se ka arritur marrëveshjen me futbollistin e përfaqësueses U-21 të Kosovës, Mirlind Daku. Skuadra verilindore shprehet se Daku vjen në formë huazimi nga Osijeku i Kroacisë, duke u bashkuar me ekipin verilindor për një sezon, ndërsa në fund të përfundimit të marrëveshjes, Kukësi ka të drejtë të blejë kartonin e lojtarit.

“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me ekipin kroat të Osijek për futbollistin Mirlind Daku. Shtatlarti vjen në formë huazimi te skuadra jonë, me të drejtë blerjen e kartonit të tij. 21-vjeçari, i cili mbron ngjyrat e “Dardanëve” U-21, ka luajtur me skuadrën e Hajvalia dhe Llapit në Kosovë. Gjithashtu, Daku është aktivizuar në shtatë ndeshje me Kosovën U-21,  ku është dhe autor i dy golave. Futbollisti i datëlindjes 1998, luan si sulmues qendre dhe sezonin e shkuar u aktivizua 15 herë për Osijekun në Kroaci, duke shënuar dy gola”, shkruan Kukësi.

Ndërkohë, ekipi nga qyteti verilindor i vendit, të enjten në mesditë do të bëj dhe prezantimin e trajnerit të ri të klubit. Ai është Shpëtim Duro, emër i njohur i futbollit shqiptar, që do të marrë drejtimin e klubit për një sezon. Duro më herët ka drejtuar ekipe të ndryshme në Superligë, nga Partiani, Skënderbeu, Shkëndija e Tetovës në Maqedoni apo Kosovë, dhe tashmë rikthehet si trajner në kampionatin tonë.

Panik te politikanët: Dorëheqja e Haradinajt ka pasoja për Serbinë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Rada Trajkoviq, vlerëson se me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është shtyrë edhe presioni mbi institucionet e Kosovës në lidhje me heqjen e taksës për produktet nga Serbia.

“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e fortë në refuzimin e heqjes së taksës dhe unë nuk shoh se kush mund të vendosë për pezullimin e saj në këtë kohë”, citohet të ketë thënë Trajkoviq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Madje, sipas saj, me dorëheqjen e Haradinajt mund të thuhet se nuk mund të ketë së shpejti edhe një progres serioz të dialogut.

“Meqenëse ky është një proces i cili zgjatë, veçanërisht ai për formimin e një qeverie, ka shumë të ngjarë që bisedime midis Beogradit dhe Prishtinës të mos ketë deri në fund të vitit kalendarik”, ka thënë Trajkoviq. Ajo deklaroi se në këtë do të ndikojnë edhe zgjedhjet në Serbi të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Kështu që ekzistojnë të gjitha mundësitë që nuk do të ketë progres serioz në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm”, ka thënë ndër tjerash Trajkoviq. /Telegrafi/

Skip to toolbar