Meta sheh “armiq të huaj”: Po kërkohet gjakderdhje, kriza në Shqipëri lidhet me Kosovën

AKTUALITET


I ftuar në një emision satirik në Kosovë, Presidenti Ilir Meta ka folur shumë seriozisht për krizën në Shqipëri, ndërsa ka sulmuar qeverinë, opozitën, kuvendin dhe ndërkombëtarët.

Madje presidenti ka deklaruar se përmes krizës në Shqipëri po kërkohet gjakderdhje. Ai thotë me tej se kriza në Shqipëri është artificiale dhe lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.


“Ajo që dua të them, me bindje të plotë, është se kjo krizë artificiale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe që nuk e meriton populli shqiptar, padyshim që për mendimin tim ka një lidhje edhe me zhvillimet në Kosovë, me dialogun Kosovë-Serbi.

Për mua ka qenë dhe mbetet shqetësuese: përse kërkohet patjetër ky konflikt në Shqipëri?! Nuk mund ta teproj ndoshta edhe po të them: përse kërkohet edhe një gjakderdhje në Shqipëri?!

Pra kjo krizë është aq artificiale në vlerësimin tim dhe duket që ka një interes që Shqipëria të duket keq. Në momentin kur Shqipëria duket keq, kjo nuk e ndihmon as Kosovën, as shqiptarët në përgjithësi si një faktor që mund të imponohen më suksesshëm në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime. Sepse kërkohet patjetër të provohet se ne shqiptarët e kemi të vështirë të bëjmë shtet.

Kurse unë mendoj se kemi të bëjmë me lojëra të individëve të caktuar, të cilët janë kyçur në skenare që nuk i shërbejnë as stabilitetit të Shqipërisë, dhe as afirmimit të saj si një faktor stabilizues, europianizues në rajonin tonë”, është shprehur Meta.

Përmes kësaj deklarate presidenti sulmon ndërkombëtarë të caktuar por edhe personazhe të politikës shqiptare, të cilët nuk i përmend me emra por thotë se “janë individë të caktuar që po bëjnë lojëra dhe skenare kundër stabilitetit në vend”.

Kujtojmëse trazirat në qershor në Shqipëri morën shkas nga dekreti anti kushtetues i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky dekret nxiti protestat me molotov të opozitës dhe u desh thirrja e fortë e ndërkombëtareve që opozita të tërhiqej. Ndërsa përsa i përket shtatorit ende nuk ofrohet asnjë zgjidhje pasi presidenti bën thirrje për zgjedhje më 13 tetor, që është sërish një datë antikushtetuese, ndërsa opozita ka njoftuar protesta popullore, përsëritjen e një aksioni opozitar që të ofron kaos në prag të çeljes së negociatave.

Akuza parlamentit dhe Ramës

Në intervistën e tij Meta ka sulmuar Kuvendin duke thënë se po bëhen ligje për të sulmuar persona të veçantë.

“Parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë”, – është shprehur Meta.

Por sigurisht që përgjegjësinë kryesore në këtë drejtim e ka kryeministri i cili “me politikën e tij të qartë për të kontrolluar gjithë pushtetet në vend dhe për të asgjësuar demokracinë, dialogun politik, të drejtat e opozitës dhe të pakicave, lirinë e medias, pavarësinë e gjithë institucioneve të tjera, për të kapur edhe sistemin e ri të drejtësisë për fat të keq”. Siç duket Metës nuk i del e keqja nga reforma në Drejtësi dhe nuk gjen rast pas e sulmuar atë.

Opozita, asnjë alternativë

Pjesë e sulmit ka qenë dhe opozita për të cilën thotë se ka ndjekur strategji të gabuar.

“Njëkohësisht nuk mund të mbetet pa përgjegjësi edhe opozita, që në vlerësimin tim ka ndjekur një strategji të gabuar, atë të djegies së mandateve, të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet vendore, pra të mosregjistrimit në kohë, por edhe të delegjitimimit të çdo institucioni, ndërkohë që mund të kishte ndjekur një politikë tjetër.

Atë të paraqitjes së një alternative që mund të ndihmonte në parandalimin e kësaj drame institucionale dhe demokracie që ne sot kemi në vend, ku praktikisht sistemi i llogaridhënies është asgjësuar si në nivel qendror, në parlament, si në nivel vendor”, është shprehur Presidenti.

Siç duket në qendër të sulmeve të presidentit janë të gjithë, duke nisur nga ndërkombëtarët të cilët kanë asistuar dhe kanë vlerësuar ecurinë e reformës në drejtësi, nga qeveria e cila po i qëndron zotimeve në realizimin e kësaj reforme, dhe së fundi opozita e cila jo vetëm që doli jasht çdo sistemi, aktualisht nuk ofron asnjë alternativë për vendin. Presidenti i cili është në prag të shkarkimit duket se po bën gati terrenin për t’u rikthyer si kryetar partie në skenën e politikës. Duke i shpallur të gjithë armiq, Meta kërkon të dalë vetëm ai që po lufton për Shqipërinë dhe zgjidhjen e krizës për të fituar sa më shumë elektorat me partinë e tij të re, pasi siç tha vetë “LSI nuk është më ambicia” e tij./Realstory.al




Skip to toolbar