Serbia nuk zë mend: Kosova është si Shteti Islamik

Zyrtari serb, Aleksander Vulin gjithmonë ka tërhequr vëmendjen për deklaratat diskriminues, nxitëse të urrejtjes dhe jokorrekte për një zyrtar në drejtim të Kosovës. Gjatë një interviste për një media serbe, duket se Vulin, tashmë në rolin e ministrit serb të Mbrojtjes, krahasoi Kosovën me Shtetin Islamik. Gjatë diskutimit në lidhje me marrëveshjen me armët që Serbia lidhi me Francën, Vulin bëri një krahasim diskriminues duke krahasuar Kosovën me Shtetin Islamik dhe Serbinë me Bashkimin Europian. Kjo është arsye pse Serbia lejohet të blejë armë dhe Kosova jo deklaroi Vulin. Edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë vazhdimisht thirrje që të dy vendet t’i ndalin deklaratat provokuese dhe Serbia të ndal fushatat bllokuese për përparimin e Kosovës dhe të ulen në bisedime, duke se qeveria serbe nuk e ka aspak këtë qëllim. Deklarata të tilla vetëm sa largojnë edhe më shumë mundësinë për rinisjen e dialogut.

Kur një shtet i fuqishëm, siç është Franca, ju lejon të blini armët më moderne, kjo do të thotë se ai ka besim te ju. Sisteme të tilla nuk mund t’i gjeni te terroristët në Shtetin Islamik. Ndërsa, Shteti Islamik është më i afërt me atë që bën Prishtina. Kur thua Prishtina dhe Beogradi,  kjo është si krahasimi i Shtetit Islamik me Bashkimin Europian.” – tha Vulin

Këto deklarata të ministrit të Mbrojtjes Vulin, vijnë në një kohë kur këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton tha se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizin përpara dhe është “koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”. Ai i bëri komentet e tij në rrjetin social tëitter pas takimit me ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç. “U pajtuam se bisedimet me Kosovën duhet të lëvizin përpara meqë asnjëra palë nuk fiton nga ‘status-quoja’. Koha për të vepruar për të dyja palët është tani”, shkroi Bolton

Bolton: As Kosova e as Serbia nuk përfitojnë nga “status quoja”

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, tha se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizin përpara dhe është “koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”.

Ai i bëri komentet e tij në rrjetin social twitter pas takimit me ministrin e Jashtëm serb. Ivica Daçiç. “U pajtuam se bisedimet me Kosovën duhet të lëvizin përpara meqë asnjëra palë nuk fiton nga ‘status-quoja’. Koha për të vepruar për të dyja palët është tani”, shkroi ai.

Ndërsa ministri serb në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, tha se “gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për problemin e Kosovës mbetet lartë në listën e përparësive të politikës së jashtme të administratës së presidentin amerikan Donald Trump”, ndërsa, paralajmëroi se muajin e ardhshëm mund të ketë përpjekje të reja amerikane për të siguruar ripërtëritjen e procesit të pezulluar të bisedimeve ndërmjet palëve.

Përpjekje të tilla u paralajmëruan gjatë kësaj jave edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë një vizite në Beograd, pas së cilës u tha se shtatori mund të jetë periudhë kur ai do të ftojë në Paris udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, bashkë me kancelarin gjermane, Angela Merkel.

Por, ministri i Jashtëm serb tha se ende është e paqartë nëse do të ndodhë një takim i tillë, sepse askush nuk dëshiron të organizojë një takim nëse nuk priten rezultate prej tij.

Ndihmës Sekretari amerikan, Philip Reeker, tha një ditë më parë se vazhdimi i bisedimeve është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve dhe se palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve. “Kam kaluar shumë kohë në atë tryezë me ta. Mendoj se vullneti i mirë ekziston tek të dyja palët, për të ardhur deri tek zgjidhja dhe të arrihet më shumë qëndrueshmëri dhe ardhmëri për tërë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vuri në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen, por udhëheqësit e Kosovës u përplasën në distancë sërish ditëve të fundit rreth kësaj çështjeje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.  /VOA

Eliot Engel mbron Kosovën: Taksa ndaj Serbisë është e drejta e saj

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel i ka dalë në mbrojtje Kosovës në lidhje me taksën 100 % e vendosur ndaj produkteve serbe. Engel shprehu kritika dhe zemërim ndaj Serbisë se nuk po i përmbush premtimet e dhëna dhe po tenton të bllokojë Kosovën me çdo mënyrë.

“Unë e përkrah të drejtën e Kosovës për t’i vendosur këto tarifa, të drejtën e kryeministrit për t’i vendosur këto taksa, sepse nuk besoj që Serbia po i përmbush premtimet e saj që i ka bërë. Jam shumë i zemëruar me faktin se sa herë që Kosova po tenton të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, Serbia po tenton ta bllokojë. Kjo ndodhi me INTERPOL-in, dhe ndodhi edhe me organizatat tjera.” – tha Engel gjatë një interviste për mediat kosovare.

Kongresmeni Engel deklaroi se ai ka një dashuri të veçantë për popullin shqiptar dhe u shpreh i lumtur që Kosova më në fund kishte ushtrinë e saj, si çdo shtet tjetër në botë. Duke vënë re përparimet e Kosovës tha Engel mendoj se tashmë është koha që BE të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Është koha për Bashkimin Evropian t’ua jap liberalizimin e vizave kosovarëve, duhet të ndodhë menjëherë, jo vitin e ardhshëm, jo në vitin 2020, duhet tani. Gjithmonë ua dedikojë dashurinë dhe energjinë njerëzve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Shumë gjëra të mira kanë ndodhur këtë javë, me theks të veçantë në Kosovë. Pas disa vitesh, ata arritën ta krijojnë ushtrinë e tyre në Kosovë, mendoj se është një hap i rëndësishëm dhe shumë i mirë për të vazhduar përpara. Mendoj që secili shtet duhet ta ketë ushtrinë e vet dhe Kosova nuk është ndryshe nga vendet e tjera.” tha Engel

‘Taksa serbe’, përçan Haradinajn me Veselin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.

“Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000 për qind ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, tha zoti Veseli.

“E pash intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm, pra, nuk kam qasje me Amerikën si me Serbinë. Me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë krah për krah me Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën. Kemi dallim në një temë; suspendimin e taksës. Sikur kryetari Veseli e të tjerët të kishin qenë unik Amerika ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”, tha të mërkurën kryeministri Haradinaj.

Ai hodhi poshtë çdo mundësi që këmbëngulja për tarifat të jetë populizëm.

“Fatkeqësisht besnikëria ndaj atdheut ndaj temave të interesit nacional nuk duhet me u kalkulu kështu. Populizëm ose miqësi me Amerikën për Veselin e të tjerët ka qenë kur ishin momente të tjera, u pa se nuk e kemi fort shqetësim qasjen ndaj Amerikës se kemi fol me një gjuhë tjetër, ju e dini për cilën temë e kam fjalën. Ndërsa, kur janë temat e interesit nacional, me i kërku Kosovës me e suspendu taksën pra me ja dhanë tregun shtetit që e mohon ekzistencën tonë është e padrejtë. Ehe nuk shpjegohet kjo kurrqysh ski qysh me e shpjegu, nuk është në logjikën e Amerikës, e as të askujt tjetër, por, është fatkeqësia e udhëheqësve tonë që shkojnë atje dhe i thonë duhet me e gjet një zgjidhje, në vend se me i thanë ka të drejtë kryeministri jonë, kemi të drejtë që e kemi vendosë taksën…Po shihet këta unë e kam pas shumë të vështirë me e mbajt këtë drejtim politik, pikërisht për shkak të këtyre thyerjeve, se jam ankuar disa herë që nuk kemi qenë unik fatkeqësihst. Dhe kjo pastaj e bën Serbinë më të guximshme edhe nuk lëshon pe përderisa gjysma jonë i thotë kemi me e hekë taksën pse me e ardhë Serbia në dialog?”, tha kryeministri Haradinaj.

Qeveria e Kosovës u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e këtyre tarifave, ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen./VOA/

Haradinaj: Nëse nuk ka njohje reciproke me Serbinë, do armatoset dhe Kosova

“Kosova nuk ulet në asnjë tryezë dialogu nëse nuk ka një marrëveshje për njohje reciproke të kufijve ekzistues me Serbinë”, ky është qëndrimi i pandryshuar i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se i vetmi kompromis që Kosova mund të bëjë për njohjen e reciproke nga Serbia është heqja e taksës. “Heqja e taksës është kompromis. Ne kemi kërkuar një kornizë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Vetëm për këtë negociojmë”.- tha Haradinaj duke iu përgjigjur kështu thirrjes së presidentit francez, Macron për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë vizitës së tij në Serbi.

Haradinaj e ashpërsoi gjuhën e tij duke deklaruar se nëse nuk ka njohje reciproke atëherë edhe Kosova ashtu si Serbia do të kërkojë të drejtën për t’u armatosur.

“Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë “nuk mund t’i vëmë emrin marrëveshjes” se është njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çfarë të bëjmë ne pra, nëse emrin nuk mundeni t’ia vini? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog përveç njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë është porosi për ne që edhe ne të armatosemi”.

E bojkoti një javë më parë, sot merr kryesimin e SEECP

Kosova ka marrë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), një javë pasi vendosi ta bojkotonte këtë samit për shkak të mos trajtimit të saj në mënyrë të barabartë me shtete e tjera. Lajmi i bë i ditur nga ministri i Jashtëm i Kosovës,  Behgjet Pacolli gjatë një konference për mediat.

Pacolli theksoi se politikat për fqinjësinë e mirë do të prezantohen në mënyrën më të mirë gjatë kryesimit të Kosovës, duke i trajtuar vendet anëtare si të barabarta. “Edhe pse vëmendjen mbi Kosovën do të jetë më e madhe në këtë rast” tha Pacolli, kjo do të na shërbejë që të tregojmë se “vendi ynë është i interesuar të ketë marrëdhënie konstruktive dhe një partneritet të besueshëm në rajon.

“Ne jemi të vetëdijshëm që do të ketë vëmendje shtesë mbi Kosovën gjatë kryesimit tonë të SEECP. Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që dalin para nesh për shkak të marrëdhënieve me disa nga shtete anëtare të SEECP, mirëpo ideja dhe synimi ynë është që këtë vëmendje ta trajtojmë në mënyrë pozitive. Ne jemi të vendosur të prodhojmë lajme pozitive jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin. Aktiviteti përfundimtar i SEECP i organizuar nga Bosnja e Hercegovina gjatë kryesimit të saj ku pozita e Kosovës në kuadër të SEECP nuk është respektuar dhe Kosova nuk është trajtuar si të gjitha shtete tjera anëtare, kjo do ishte shmangur me një vullnet të mirë politik dhe një koordinim mes shteteve, megjithatë Kosova është e përkushtuar të jetë një partner kredibil dhe konstruktiv në rajon dhe në harmoni të plotë me misionin kryesor të SEECP”. – tha Pacolli

Samit i fundit i SEECP u mbajt në Bosnje Hercegovinë, por pjesëmarrja e Kosovës u refuzua nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e konsideroi ftesën e dërguar si “jokorrekte dhe denigruese për vendin”.  Në lidhje me rastin u sensibilizuar edhe Shqipëria e cila mbështeti Kosovën duke e bojkotuar gjithashtu samitin.

Përgjimet e Zaev, nxirren në pah shkëmbimet territoriale Kosovë-Serbi

Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevit ra pre e një loje nga dy komedianë rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët imitonin ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenkon dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Përgjimet u bënë publike të hënën dhe Zaev vetëm atëherë e kuptoi që ishte vënë në lojë. Megjithatë ajo që u kuptua nga këto përgjimet ishte edhe shqetësimi real i tij për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjatë bisedës së Zaev me ish presidentin e rremë ukrainas, Petro Poroshenkon, kryeministri maqedonas shprehet se është kundër kësaj marrëveshjeje, pasi krijon një precedent dhe praktik ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë duke i hapur rrugë Rusisë për Abkazinë dhe Ukrainën si dhe Turqisë për pretendimet e saj mbi Qipron. Madje Zaev ka deklaruar e këtë shqetësim e ka ndare edhe me Merkel, SHBA dhe BE që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkarkojë një dëm të madh Ballkanit.

Kjo bisedë nxjerr në pah një çështje mjaft të diskutuar në politikën kosovare dhe atë shqiptare ku janë hedhur akuza të ndryshme lidhur me korrigjimin e kufijve të Kosovës.  Presidenti Hashim Thaçi sqaroi se kjo ide lindi si një bashkëbisedim në zyrën e tij, por ai kurrë nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë shkëmbimin e territoreve.

Biseda e zbardhur:

Zaev: Alo

Poroshenko (i rremë): Alo, përshëndetje zoti Kryeministër jam shumë i lumtur që ju dëgjoj

Zaev: Është kënaqësia ime, Zorani po ju flet! Zoti President ju jeni?

Poroshenko: Po unë jam. Shpresoj që koha të jetë e mirë në Maqedoni…

Zaev: Po e mirë, është verë si është koha në Ukrainë?

Poroshenko: Është pak ftohtë, por shpresoj të kemi mot të mirë ditët në vijim.

Zaev: Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancerlarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t’iu vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi pasur gjysëm ore bisedë telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën. Unë jam shumë i shqetësuar se këtoj lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh si rajonit tuaj ashtu edhe tonit. Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informur edhe vetë Zv/ Presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan Z. Pompeo. Por ne i kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos zonjës Mogherini që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkarkojë një dëm të madh Ballkanit.

Poroshenko i rremë: Po çfarë ka bërë Rusia në këtë drejtim?

Zaev: Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti. Por përtej kësaj. Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë.

Pasi mbrojti Ilir Metën, Rusia sulmon SHBA: Po nxit krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’

Rusia është kthyer në rol ‘aktiv’ ditët e fundit në Shqipëri. Pasi e mbrojti Ilir Metën për ‘frymëzimin e presidentit shqiptar nga shkrimtarët rusë’ dhe sulmoi Shtetet e Bashkuara duke përdorur një fjalim të Presidentit të Shqipërisë, Rusia vijon të sulmojë përsëri Amerikën, partneren strategjike të Shqipërisë, që ka rritur rolin e saj muajt e fundit në vendin tonë, duke ruajtur stabilitetin e vendit.

Sulmi ka ardhur nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ku Moska shpreh shqetësimin për marrëveshjen Shqipëri-Kosovë, në lidhje me unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore në disa shtete të botës. Këtë akt, Rusia, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, e cilëson si “nxitje të krijimit të Shqipërisë së Madhe nga SHBA”.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.

“Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili e ka cilësuar marrëveshjen e bashkëpunimit në politikën e jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës, si përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Cakaj mbështet Kosovën, Shqipëria anulon pjesëmarrjen në SEECP

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina. Në një postim në rrjetin social Twitter, Ministri në Detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.

Cakaj thotë se trajtimi ndryshe ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet dhe nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë.

“Shqipëria anulon pjesëmarrjen e saj në Samitin e SEECP në solidaritet me Kosovën. Trajtimi i tij nga organizatorët është i papranueshëm dhe shkon kundër qëllimit të krijimit të një atmosfere besimi, marrëdhëniesh të mira fqinjësore dhe stabilitetit. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. Qëndrojmë së bashku” – shkruan Cakaj

Të shtunën edhe Kosova e refuzoi ftesën , pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera.

Kosova fut në “luftë” Serbinë dhe Bullgarinë

Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha të shtunën se e ka thirrur ambasadorin e Serbisë në Sofje për një takim të hënën lidhur me komentet e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ndaj komenteve të kryeministrit bullgar Boiko Borissov rreth Kosovës.

Ministri serb Daçiç, sulmoi ashpër kryeministrin bullgar lidhur me komentet e tij se “kandidati për postin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm, spanjoll, Josep Borrell, duhet të respektojë qëndrimin e BE-së mbi Kosovën dhe jo atë të Madridit.

Në një intervistë me Radiotelevizionin shtetëror të Serbisë, ministri serb tha se kryeministri bullgar nuk duhet t’i jap leksione zotit Borrell.

“Boiko, më lejo të të them një gjë. Qëndrimi i BE-së nuk thotë se Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boiko, duhet të respektosh qëndrimin e BE-së, e jo t’i japësh leksione Borrellit”, tha ai. “Kjo ngjan me dyfytyrësi. Jam ngopur me këto gjëra; e të mos flasim se para disa muajsh ai u nderua nga shteti ynë”, tha ministri serb duke ju referuar një çmimi që kryeministrit Borissov i ishte ndarë në shkurt të këtij viti nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimin paqësor dhe marrëdhënieve miqësore mes Serbisë dhe Bullgarisë”.

Të shtunën në mbrëmje ministri serb u tha medieve në Beograd se ka urdhëruar të thirret i ngarkuari me punë i Bullgarisë “për të shmangur keqkuptimet”.

Nga 28 vende anëtare të Bashkimit Evropian, 23 syresh e njohin pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson një proces, aktualisht të pezulluar të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rolin kryesor e luan shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Spanja e zotit Borrelli është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe emërimi i tij në postin e shefit të politikës së jashtme, që duhet të votohet në Parlamentin Evropian, ka nxitur diskutime rreth rolit të tij në të ardhmen në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi./Zëri Amerikës/

Skip to toolbar