Haradinaj: Nëse nuk ka njohje reciproke me Serbinë, do armatoset dhe Kosova

KOSOVA


“Kosova nuk ulet në asnjë tryezë dialogu nëse nuk ka një marrëveshje për njohje reciproke të kufijve ekzistues me Serbinë”, ky është qëndrimi i pandryshuar i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se i vetmi kompromis që Kosova mund të bëjë për njohjen e reciproke nga Serbia është heqja e taksës. “Heqja e taksës është kompromis. Ne kemi kërkuar një kornizë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Vetëm për këtë negociojmë”.- tha Haradinaj duke iu përgjigjur kështu thirrjes së presidentit francez, Macron për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë vizitës së tij në Serbi.

Haradinaj e ashpërsoi gjuhën e tij duke deklaruar se nëse nuk ka njohje reciproke atëherë edhe Kosova ashtu si Serbia do të kërkojë të drejtën për t’u armatosur.


“Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë “nuk mund t’i vëmë emrin marrëveshjes” se është njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çfarë të bëjmë ne pra, nëse emrin nuk mundeni t’ia vini? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog përveç njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë është porosi për ne që edhe ne të armatosemi”.




Skip to toolbar