Thaçi refuzon Samitin e Sarajevës: Vetëm kur të trajtohemi të barabartë do vij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur për publikun refuzimin e tij për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), në Bosnje e Hercegovinë. Ai ka thënë se Kosova merr pjesë në forume të tilla vetëm kur trajtohet e barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. “Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi. Ky është statusi i plotë i presidentit Thaçi: Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush. /RTK/

Haradinaj takon Theresa May: I kërkova mbështetje për dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar gjatë Samitit të Poznanit në Ploni, kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May. Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Haradinaj shprehet se i ka kërkuar mbështetjen e Britanisë Znj.May, për finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Takim bilateral me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Poznan të Polonisë. Kryeministren May e njoftova për zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur vendosmërinë tonë për fuqizimin e partneritetit bilateral mes dyja vendeve dhe duke kërkuar mbështetje në proceset rajonale, veçmas në finalizimin e dialogut me Serbinë, konkretisht në arritjen e një marrëveshjeje, finale, me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, shkruan Haradinaj.

Gjithashtu, Kryeministri kosovar shprehet se i ka shprehur mirënjohjen Britanisë së Madhe, si vend që ka dalë kundër idesë së ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosoës.

“Falënderova Kryeministren May për qëndrimin konsistent të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshim kufijsh dhe këmbim territoresh, si dhe për ndihmen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e administratës publike dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, përfundon Haradinaj njoftimin e tij në Facebook.

Kosova ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë, Daçiç: Shuplakë ndaj bashkëjetesës

Ministria e Jashtme e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë zyrtar serb të vizitojë territorin e saj dhe se kërkesat e tyre do të refuzohen deri sa Beogradi të ndryshojë sjellje. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, me një postim në Facebook. Kërcënimet që Serbia bën ndaj Kosovës, propagandën e vazhdueshme dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës do të marrin përgjigjen e merituar thuhet në reagimin e Zyberajt.

Pas këtij vendimi ka reaguar kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i cili tha se më këtë vendim Kosova kërkon të izolojë popullin serb nga çdo ndikim i Beogradit. Daçiç e ka cilësuar këtë si një shuplakë që i jepet bashkëjetesës ndërkombëtare.

“Ky vendim i autoriteteve të Prishtinës është një veprim i paparë dhe një shuplakë tjetër, jo për Beogradin, por mbi të gjitha për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare që pa dyshim janë duke heshtur ndaj shkeljeve të të gjitha normave të qytetërimit që Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi po e bëjnë me vite të tërë.” – tha Daçiç

Taksa 100%, Serbët në veri të Kosovës vijojnë protestat

Për të dytën ditë me radhë, në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe, janë mbyllur të gjitha dyqanet e ushqimeve dhe në shenjë solidarizimi, nuk funksionojnë as veprimtaritë tjera afariste.

Mbyllja e dyqaneve është pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.

Qeveria e Kosovës shpërndau kamionë me mallra në veri për të mbushur boshllëkun e krijuar nga protesta. Por, tash për tash duket se blerësit janë të paktë, meqë udhëheqësit organizatës së “afaristëve serbë në veri” kanë bërë thirrje që askush të mos blejë në dyqanet në pjesën jugore të Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare, e madje as në lagjen e boshnjakëve që është me popullsi të përzier në veri e ku dyqanet janë plot.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të martën se qeveria do të mbështesë dhe mbrojë qytetarët e saj në veri.

Kosova do të mbështesë dhe mbrojë qytetarët e saj në veri!Në takim pune me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe…

Gepostet von Ramush Haradinaj am Dienstag, 2. Juli 2019

Ai është takuar me ambasadorët e shteteve kryesore euro-perëndimore dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, sic tha për t’i informuar për angazhimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe rendit në veri, si dhe për veprimet e ndërmarra për furnizim të qytetarëve të asaj ane me artikuj të nevojshëm”.

Në një postim në rrjetin tëiter ai i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që “të mos e zbatojë skenarin mashtrues për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kriza e rreme ‘humanitare’, nuk do të shërbejë kurrë si mburojë për qëllimet tuaja të destabilizimit, dhe ju do të mbaheni përgjegjës”, shkroi ai.

Para tarifave, Serbia eksportonte në Kosovë rreth 500 milionë euro në vit dhe autoritetet në Serbi janë ankuar për humbje të mëdha të kompanive serbe që nga nëntori i vitit të kaluar.

Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me tarifat duke kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.

Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris që ishte për planifikuar për dje më 1 korrik./Zëri Amerikës/

Fajon: BE po i bën padrejtësi Kosovës për vizat

Eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar se BE është duke i bërë padrejtësi Kosovës që nuk po miraton ende liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Fajon e ka cilësuar të papranueshme që Bashkimi Evropian nuk e ka marrë ende këtë vendim, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj”, është shprehur Fajon, e cila ka premtuar se do të vazhdojë të bëjë presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre.

“Më vjen keq që konkluzionet e fundit të Këshillit ishin shumë më pak premtuese e konkrete sesa propozimet fillestare sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e papranueshme që pavarësisht kushteve të përmbushura Këshilli ende nuk ka arritur të japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rolin tim si raportuese e Parlamentit për liberalizimin e vizave do të vazhdoj të luftoj për Kosovën dhe do të vazhdoj të ushtroj presion ndaj shteteve anëtare për të ofruar atë që është premtuar”, ka deklaruar Fajon për “Zërin”.

Arritja e kompromisit me Serbinë, Daçiç: Nuk do ta njohim të plotë pavarësinë e Kosovës

Arritja e kompromisit mes Serbisë dhe Kosovës, për palën serbe nuk do të thotë njohje e plotë e pavarësisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtë i Serbisë Ivica Daçiç, gjatë një konference për shtyp me kreun e diplomacisë norvegjeze, Ine Eriksen Soreide. Daçiç është shprehur se kompromisi nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës në tërë territorin e saj.

“Ne jemi në momente vendimtare për të gjetur një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk mund të imponohet se Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet të pavarur në të gjithë territorin e saj. Ky nuk mund të jetë një kompromis”, është shprehur Daçiç.

 Më tej, shefi i diplomacisë serbe është shprehur se vendi i tij nuk paraqet pengesë për rifillimin e dialogut, por se “vetëm duke kërkuar që të hiqen të gjitha masat të cilat janë bërë pengesë për dialogun, veçanërisht për heqjen e taksës prej 100 % për mallrat që Kosova importon nga Serbia”, ka thënë Daçiç.

Shtyrja e takimit të udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës në Paris, sipas Daçiçit mund t`i hap rrugë zhbllokimit të dialogut.

Shtyhet pa afat takimi Kosovë-Serbi në Paris

Qeveria gjermane i ka konfirmuar Deutsche Welle-s, se është shtyrë pa afat takimi Kosovë-Serbi në Paris.

Në përgjigjen e shkurtër që i kthehu DW një zëdhënëse e qeverisë gjermane, thuhet ndër të tjera edhe se Gjermania dhe Franca do të jetë edhe më tej në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë. Në lidhje me takimin e punës së zhvilluar më 19 qershor në Berlin me përfaqësues të Serbisë, Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, zëdhënësja nuk donte të jepte sqarime.

Më parë media kosovare kishte raportuar për një takim të zhvilluar në Berlin për të përgatitur terrenin për takimin e Parisit. Sipas tyre, shkaku i shtyrjes së takimit është mospranimi i Kosovës për pezullimin e taksave doganore ndaj Serbisë.

Takimi mes Vuçiç dhe Haradinajt ishte planifikuar të zhvillohej më 1 korrik, por fakti se qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga taksa mbi mallrat serbe, ka bërë që Serbia të mos pranojë uljen në tryezën e bisedimeve.

Këshilli Europës: Kosova të heq taksën dhe të rifillojë dialogun. Liberalizimi i vizave ende pa datë

“Kosova duhet të rifillojë dialogun me Serbinë dhe të revokojë menjëherë taksën 100% të produkteve serbe.” Kjo është kërkesa që Këshilli i Europës ka bërë në deklaratën e saj në lidhje me përmbushjen e kushteve për proceset integruese në BE. “Vendimi i njëanshëm i Kosovës për të rritur tarifat deri në 100% në importet nga Serbia dhe Bosnja & Hercegovina në nëntor 2018, shkel detyrimet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë si dhe minon bashkëpunimin rajonal. Të bëhet revokimi i menjëhershëm i saj”

Për sa i përket liberalizmit të vizave, Këshilli ka deklaruar se aktualisht është në shqyrtim dhe nuk ka dhënë një datë se kur ky vendim do të merret.

Këshilli njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Komisioni bëri një propozim zyrtar në maj 2016 për të transferuar Kosovën në listën e vizave Shengen dhe paraqiti një raport në korrik 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura. Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian mbështeti propozimin e Komisionit. Vendimi mbi propozimin aktualisht është në shqyrtim në Këshill.” – shkruhet në deklaratën e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës ka kërkuar se Prishtina duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e dialogut me Serbinë si dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të perceptohet si provokim. Këshilli thekson se status quo aktuale nuk është i qëndrueshëm. Është thelbësore që dialogu të rifillohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të gjitha marrëveshjet e arritura nga dialogu mes dy vendeve duhet të zbatohen. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një parim thelbësor për zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës. 

Palmer: Rusia po bllokon Ballkanin Perëndimor, kërkon ndarje dhe tensione

Diplomati amerikan, Matthew Palmer pohon se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai tha se synimi i Rusisë është të krijojë përçarje dhe tension në Ballkan.

“Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer, raporton Deutsche Welle.

Një deklaratë e tillë e Palmer vjen në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash të organizuar nga opozita dhe për të cilën kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se mund të jenë të shtyra nga Moska.

Ndërsa vetë kreu i PD-së, Basha e ka cilësuar këtë një marrëzi të qeverisë, duke hedhur poshtë çdo aludim të tillë.

Ndërkaq, zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka folur edhe për çështjen e Kosovës

Ai tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnje-Hercegovinën. “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H”, tha Palmer.

I vetmi kandidat, Kadri Veseli rizgjidhet kryetar i PDK

Pa kundërshtarë dhe pa asnjë votë kundër, Kadri Veseli, është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës mbajti të dielën Konventën e Nëntë zgjedhore, ku u zgjodh kryetari dhe strukturat e reja drejtuese të partisë.

Gjatë fjalës së tij, Veseli ka kërkuar nga delegatët që të kërkojnë vizion dhe orientim si për vendin dhe brenda PDK-së që të ecim përpara. “Delegatë natyrisht se ky është moment ndjenje dhe krenarie jo vetëm për mua por për të gjithë PDK-në. Delegat të nderuar ju sot më keni bërë një nder dhe unë e di, menjëherë kërkoni përgjegjësi prej meje, lidership kërkoni vizion, kërkoni që në PDK mos te ketë dilema mos të ketë paqartësi, te ketë orientim të qartë për vendin, për partin, për kombin, që të ecim përpara. Të gjithë e dimë, secili prej neve se si kemi ardhur deri këtu. Dhe ne nuk duhet të lejomë që të ketë dilema, sot dy dekada mbrapa”, ka thënë Veseli.

Skip to toolbar