Radio Televizioni i Kosovës ka raportuar të
premten se xhandarmëria serbe është futur rreth 8 km brenda territorit të Kosovës.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në datën 31
maj, kur një ekip prej 4 pjesëtarësh të forcave kufitare të xhandarmërisë serbe
janë futur në fshatrat e thella të malësisë së Kamenicës.
Po sipas RTK-së, ngjarja ka ndodhur në fshatin
Svircë e Kamenicës.
“Xhandarët serbë kanë lëvizur nëpër territorin
e Kosovës më shumë se tetë kilometra, derisa kjo rrugë gjendet rreth dy
kilometra vijë ajrore brenda territorit të Kosovës.
Gjatë lëvizjes së tyre nëpër territorin e
Kosovës, nuk ka pasur ndonjë ekces ose ndonjë ndalesë të qytetarëve të cilët
posedojnë ferma në atë rajon ose merren me prerje të pyjeve, por banorët janë
shqetësuar nga veprimi i xhandarmërisë serbe.
Ky është një provokim i radhës i shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës, pasi që kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”, shkruan media publike RTK.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të
zhvillojë të enjten një takim me kancelarin gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës
së tij të Berlin.
Në fokus të bisedimeve mendohet të jetë
vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vetë Haradinaj është shprehur
se do të bisedohet edhe për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të
Kosovës.
“Bashkëpunimi i bazuar në besim është i
domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane
dhe në fushën e sigurisë.
Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët
kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave
tona të përbashkëta”, tha Haradinaj.
Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë
ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për
produktet e Serbisë.
Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar
është vendosur për shkak të siç thonë “agresionit politik dhe diplomatik
të Serbisë ndaj Kosovës. Liderët e Kosovës janë të vendosur të mos heqin dorë
nga taksa derisa Serbia të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Tensionet mes Kosovës
dhe Serbisë jo që nuk po shuhen por janë duke larguar gjithmonë e më shumë
mundësinë për një rifillim të dialogut mes tyre. Që pas vendosjes së takës 100
% ndaj produkteve serbe, tensionet janë nxitur edhe më shumë përmes deklaratave
të qeveritarëve të të dyja vendeve.
Serbia ka nisur një aksion në mediat sociale, ku secili nxitet të shkruajë në një kartëmonedhë “Kosova është Serbi”, me shpresën se një ditë ajo do t’i bashkohet sërish territorit serb. Pjesë e kësaj është bërë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ku ka postuar një foto të shkruan në një kartëmonedhë 100 dollarëshe “Kosova është Serbi”.
Kryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Vyacheslav Volodin, i ftuar për një fjalim në Kuvendin e Serbisë, ka folur për tensionimet mes Kosovës dhe Serbisë. Aksionin e Kosovës në Mitrovicë për të luftuar krimin e organizuar qeveria ruse duket se e sheh si një provokim dhe dënon bashkimin Europian që nuk merr asnjë masë. Kjo gjendje thotë Volodin e bënë BE të paaftë për të ndërmjetësuar dialogun Serbi-Kosovë.
“Mungesa e një reagimi të qartë të Bashkimit Evropian ndaj provokimeve të Kosovës ngre dyshime se BE-ja është në gjendje të veprojë si një ndërmjetëse në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Konsiderojmë se të gjitha palët duhet ta respektojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata që nuk e respektojnë, duhet të mbajnë përgjegjësi.” tha Volodin
Rezoluta 1244, e miratuar në 1999 nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, që themeloi prezencën ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë, UNMIK, por me shpalljen e pavarësisë në 2008 misioni i tij është tashmë i tejkaluar.
Hapja e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, që synon shkëmbimin e veprimtarive artistike si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është lejuar të zhvillohet nga protesta e një grupi nacionalistësh serb. Anëtarët e lëvizjes “Konspiratorët”, një grup i krahut të djathtë, u shfaqën me flamuj serb në duar dhe thërrisnin “Kosova është Serbi”, “Ne nuk japim Kosovën” dhe kënduan këngë nacionaliste serbe. Protestuesit janë përplasur me kordonin e policisë për të mos lejuar zhvillimin e festivalit, edhe pse ai e bëri hapjen e tij mes tensionesh të larta.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, që do të thotë “Mirëdita, Ditë të Mirë” në gjuhën shqipe dhe serbe, organizohet nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beogradi dhe OJQ Integra në Prishtinë.
Një ditë më parë Serbia vuri në gjendje të lartë gatishmërie trupat e saj, pas një operacioni arrestimesh të policisë së Kosovës në Mitrovicë të personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale, mes tyre serb, kosovar dhe boshnjak.
Ndërsa gjatë ditës së sotme ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e shpalli kryeministren serbe Ana Brnabiç non grata në Kosovë, pas shprehjes së saj se “kosovarët janë njerëz që vijnë nga mali”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj firmosën në prizren “Memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019”, nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet tona.
Ky Memorandum thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet tona.
Punonjësit e Policisë së Kosovës, së bashku me punonjësit e Policisë Rrugore të Policisë së Shtetit, nga 1 korriku deri në 31 gusht 2019, do të kryejnë shërbime të përbashkëta në territorin shqiptar. Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave funksionale, nuk do të ketë kompetenca policore ekzekutive dhe nuk do të mund të ndërmerren aktivitete, për të cilat është kompetent oficeri i palës pritëse.
Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës do të kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së Kosovës.
Katër policë kanë mbetur të plagosur gjatë
operacionit policor në Veri të Mitrovicës, mëngjesin e së martës. Lajmin e ka
konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.
“Për momentin katër policë janë të plagosur
por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në
Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa.
Mediat e Kosovës raportojnë se janë disa
persona të arrestuar të cilët janë dërguar në Inspektoratin Policor.
Ndërkohë që pas Haradinajt ka reaguar edhe
presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar mbështetje për punën e
policisë, ndërsa ka theksuar se në Kosovë nuk ka vend për krim të organizuar
dhe për persona që merren me aktivitete të kundraligjshme.
“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë
për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis
kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin
e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në
krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të
Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që
merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave.
Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë
dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah
luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për
barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të
integrimeve euroatlantike! HTH”, shkruan Thaçi në Facebook.
Ndërkohë që mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka mbledhur qeverinë mëngjesin e së martës dhe ka njoftuar ndërkombëtarët që të frenojnë Prishtinën. “Serbia nuk do të lejojë pastrimin etnik të ndodhë në Kosovë dhe Metohi”, raportohet të ketë thënë Vuçiç në mbledhjen e qeverisë.
Policia e Kosovës ka nisur mëngjesin e së martës
një operacion të gjerë për arrestimin e disa punonjësve të policisë të dyshuar
për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe në vepra të tjera penale.
Operacioni policor i nisur në orët e para të mëngjesit
ka hasur në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës duke bërë që situata
të tensionohet në këtë zonë.
Vetë Policia e Kosovës në një deklaratë për
mediat njofton se operacioni vazhdon ende dhe se shumë shpejt do të ketë një
konferencë për shtyp për të dhënë të tjera detaje. Ky operacion është ndërmarrë
pas një hetimi paraprak disa mujor.
“Këtij operacioni policor i ka paraprirë një
hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës,
i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve
policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit
Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”,
“Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e
drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e
detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe
qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë
parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale”, njofton policia e
Kosovës.
Ndërsa mediat në Kosovë, referuar burimeve,
njoftojnë se nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të
nacionalitetit serb. Ndërsa kreu i shtetit serb, Vuçiç raportohet se ka urdhëruar
ushtrinë dhe policinë e Serbisë që të vihen në gjendje gatishmërie.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës në bashkëpunim me
Inspektoratin Policor po realizon një operacion në rajonin e Mitrovicës Veri
dhe Mitrovicës Jugu
Prishtinë, 28 maj 2019
Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në
bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e
njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore
Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa
zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një
hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës,
i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve
policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit
Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”,
“Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Edhe përkundër hasjes në rezistencë të
armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar,
përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar
me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e
drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e
detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe
qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë
parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale.
Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja:
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka
prezantuar sot në Parlament një raport mbi Kosovën. Por pak para hyrjes së tij
në parlament, ai u prit nga disa anëtarë të Dverit me thirrjet
“Tradhti-tradhti”. Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga mediat serbe, në
seancë morën pjesë edhe kryeministrja Ana Brnabiç, ministrat e qeverisë së
Serbisë, si dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.
Një pjesë e mirë e anëtarëve të shumicës
qeverisëse dhe disa anëtarë të opozitës morën pjesë në punën e seancës, ndërsa
një pjesë e mirë e opozitës e bojkotoi duke zgjedhur të mungojë në seancë. Vuçiç foli edhe për zgjidhjen e problemit të
Kosovës ndërsa tha i bindur se ekzistojnë dy skenarë, ai i një situate normale
ose të një konflikti të ngrirë. “Kjo do të ishte katastrofale”, tha ai, duke
shtuar se do të vazhdojë luftën për serbët në Kosovë.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa është përfshirë në
diskutimin për çështjen e Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së fundi
është akuzuar se po bashkëpunon me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Përmes
një shkrimi në Facebook, Mustafa ka thënë se do të fitonte ndonjë duartrokitje
nëse do ta cilësonte presidentin Thaçi si bashkëpunëtor të presidentit serb,
Aleksandar Vuçiç. “Do të fitoja, ndoshta, ndonjë aplauzë nga një numër i
njerëzve në Kosovë nëse Presidentin Thaçi e cilësoj si bashkëpunëtor të Vuçiçit
dhe si njeri që po e shet Kosovën. Unë nuk e kam njohur si të tillë, prandaj
nuk mund t’i them, veçse e do pazari. Nuk jemi në Pazar të plaçkave, por në një
moment shumë delikat që po kalon vendi ynë. Kështu që cilësimet nuk janë
çështje personale, por ato u adresohen institucioneve që përfaqësojnë
individët”, ka thënë Mustafa. Ndërsa për korrigjimin e kufijve, ka thënë se
Thaçi është duke vepruar në mënyrë të gabuar. “Presidentit Thaçi ia kam thënë
edhe personalisht dhe e ka thënë gati tërë Kosova, publikisht, se diskursi i
tij politik për korrigjim të kufijve është i shumë i gabueshëm dhe i
papranueshëm. Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të
tjerët”, ka shkruar në fund Mustafa.