Zgjedhjet e parakohshme, Thaçi: Javën tjetër nisin konsultat me partitë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të nis javën e ardhshme konsultimet dhe negociatat me partitë politike për vendosjen e datës për zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse ende nuk është asgjë zyrtare, mediat kosovare thonë se 8 shatori është një datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Thaçi tha se do të bëjë gjithçka ka në dorë për të ruajtur dhe respektuar parimin Kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e rendit juridik.

 “Çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore. Duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në njoftimin për mediat të presidentit Thaçi

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj më 19 korrik nga posti i kryeministrit i kërkoi Presidentit mbajtjen e  zgjedhjeve të parakohshme në vend. Haradinaj dha dorëheqjen pas ftesës së marr nga Prokuroria Speciale në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Kosovë, trafikonin armë luftarake, 18 të arrestuar

Policia e Kosovës ka arrestuar 18 persona dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të armëve dhe lëndëve shpërthyese.  Pas një hetimi disa mujor të prokurorisë Ferizaj në bashkëpunim me drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, është ndërmarrë aksioni policor që ka çuar në 18 arrestime dhe sekuestrimit të një sasi të madhe armësh luftarake.

Policia e Kosovës sekuestroi 37 revole, 8 armë gjuetie, 3 armë AK-47, 2 armë gjysmë-automatike, 7 armë të gjata, 1 pushkë ajrore, 18 karikator dhe pjesë të ndryshme të armëve, një sasi e madhe e fishekëve, rreth 9,000 copë të kalibrave të ndryshëm, rreth 10 000 euro, dhe dy 2 makina.

 Sipas prokurorisë të arrestuarit do të gjykohen për veprat penale, “import, eksport, furnizim, transport, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”. Nuk dihen ende detaje të tjera për ngjarjen.

Gjendet i vdekur në banesë biznesmeni shqiptar

Një biznesmen i njohur kosovar është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prishtinë.  Biznesmeni Fehmi Gashi, 42 vjeç, është gjetur nga familjarët e tij pa jetë në banesë, ndërsa policia dyshon se ka kryer vetëvrasje.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Dardania” paraditen e të martës ndërsa policia ka nisur hetimet duke mos dhënë  më detaje për ngjarjen.

Masakroi banorët e Lipjanit në 1999, arrestohet serbi për krime lufte në Kosovë

Një shtetas serb është arrestuar në Kosovë si i dyshuar për krime lufte për periudhën 15 dhe 16 prill në 1999 në Komunën e Lipjanit. Shtetasi serb i arrestuar me iniciale G.S. akuzohet se ka qenë pjesë e në njësie rezervë ushtarake dhe policore të Serbisë, që ka zhvilluar një ofensive kundrejt banorëve të Komunës së Lipjanit.

Arrestimi i tij u konfirmua nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila tha se i arrestuari do të gjykohet  për përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe më pas duke i vrarë ato.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në një deklaratë për mediat tha se ai arrestuari për “Krime Lufte kundër popullsisë civile” do të mbetet në paraburgim deri në gjykimin e tij.

Thaçi ‘ftohtë’ për Haradinajn: Keqardhje, do respektoj Kushtetutën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar disa orë pas publikimit të lajmit, se Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme si Kryeministër i Kosovës. Në një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se ka mësuar me keqardhje lajmin se Gjykata Speciale në Hagë, kishte ftuar për të dëshmuar këshilltarin e tij, Bislim Zyrapi, që dikur ka qenë shef shtabi në UÇK, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe disa ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, shkruan Thaçi.  Më tej, Presidenti i Kosovës shprehet se do të respektojë kompetencat e tij kushtetuese, lidhur me dekretimin e një date të re zgjedhjesh të parakohshme, e kërkuar nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, shkruan Thaçi.  Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë të ndarë në qëndrimet e tyre  lidhur me taksën mbi mallrat serbe. Presidenti ka qenë më liberalë në këtë drejtim, duke kërkuar nga kryeministri që të zbusë qëndrimin e tij, me qëllim që të rifillojë dialogun me Serbinë.

Por Haradinaj nga ana e tij e ka kritikuar Thaçin në publik për qëndrimet që ka mbajtur, madje duke e akuzuar edhe si një prej ideatorëve për ndarjen e Kosovës, gjë të cilën Haradinaj e përmendi dhe në emisionin “Rubikon”, ku u shpreh se ishte ai njeriu që ndali ndarjen e Kosovës, duke refuzuar dialogun nëse do të shtrohej një diskutim i tillë.

Gjithashtu, Hardinaj, u shpreh se përçarjet mes politikanëve në Kosovë, e kanë dobësuar rolin e saj në procesin e dialogut me Serbinë, duke u rikërkuar krerëve të lartë shtetëror të Kosovës, që të mbajnë një qëndrim të përbashkët, në mënyrë që Serbia të pranojë njohjen. Një detaj i deklaratës së Hashim Thaçit për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, është ftohtësia me të cilën shprehet në Presidenti i Kosovës për kryeministrin e vendit të tij.

Madje, deklaratën e tij, Thaçi e nis me këshilltarin personal, Bislim Zyrapi, dhe me një fjalë përmend dhe Haradinaj në rreshtin ku shprehet keqardhje për ftesën që Gjykata Speciale i dërgon disa ish-drejtuesve të UÇK-së për të dhënë sqarime për të njëjtën çështje, që të paktën Haradinaj ka fituar  dy herë pafajësinë nga Gjykata e Hagës.

U arrestuan për spiunazh në Kosovë, serbët e pranojnë: Punuam me urdhër nga Beogradi

Të dyshuarit për spiunazh deklarojnë se urdhrat për mbledhjen e dokumenteve i morën nga MPB-ja e Serbisë, raporton T7. Herët në mëngjes doli në terren. Bozhidar Dejanoviq nuk ndodhej në zyrën e tij në Komunën e Kllokotit. Por, për të njëjtin janë grumbulluar dokumente që destinacion kishin Serbinë. Veçse dy bashkëkombës të tij nuk arritën që ato t’i qesin përtej kufirit të Kosovës.

Prokuroria e Gjilanit ka marrë në pyetje dy serbët, nën dyshimin se dokumentet që posedonin Dalibor Dajiq dhe Trajan Trajkoviq ishin sekrete shtetërore. Sipas informacioneve të siguruara nga T7, kjo dyshe ka pranuar se kishte presion nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Madje, para prokurorit e kanë pranuar edhe vet të pandehurit.

 “Nuk ka qenë dëshirë e imja, unë kam mundur ditën e nesërme ta dërgoj dokumentacionin në Vrajë, kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe kam qenë i detyruar që ta dërgoj dokumentacionin përveç kërkesës nga MUP-i, udhëzimit me telefon të Departamentit të Arsimit, si dhe raportit të Inspektorit të Arsimit, ku ndër të tjera udhëzojnë që dosja e Bozhidarit të dërgohet në Vrajë”.

Madje, që këto dokumente të siguroheshin ka pasur edhe kontrolle nga shteti i Serbisë.  “Ne kërkesën nga MUP-i, e kemi marrë me datë 20 mars 2019 ndërsa kësaj kërkese iu kemi përgjigjur më 10 korrik 2019, pra gati katër muaj, ne e kemi pasur një frikë dhe kjo ka qenë arsyeja e vonesës”. Sipas të njëjtave burime të T7, Inspektorati MUP-it kishte vizituar shkollën “Mlladen Markiviq” në Mitrovicën e Veriut, ku Trajkoviq mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Aty ata kanë kërkuar edhe dokumente në këtë shkollë. “Inspektori Asiq më ka thirrur mua në telefon disa herë se për se nuk po e dërgoni dokumentacionin e kërkuar, me që kërkesa e MUO-it ka qenë e datës 20 mars 2019, pra më shumë se tre muaj e gjysmë ne nuk ju kemi përgjigjur, dhe dyshoj se kontrolli i Inspektoratit të Arsimit në shkollën time ka ndodhur pikërisht për këtë arsye dhe ka qenë kërkesë e departamentit të Arsimit që na ta dërgojmë këtë dokumentacion dhe kjo sigurisht ka ndodhur për shkak të presionit të MUP-it që i ka bërë Departamentit të Arsimit në Mitrovicë. Inspektori Asiq a kam informata ka komunikuar edhe me Daliborin Dajiq, meqë Bozhidari punon në dy shkolla”

Nga organi i akuzës në Gjilan kanë konfirmuar për T7 pas intervistimit të pandehurit janë liruar me procedurë të rregullt. Sipas tyre dokumentet të cilat këta të dyshuar kishin duhet të verifikohet se a bëhet fjalë për dokumente të klasifikuara me ligj. Dosja, të cilën të njëjtit posedonin, e që kishin për qëllim të e dërgonin në Republikën e Serbisë, përmbante dokumentacionin e kryetarit të komunës së Kllokotit, duke përfshirë, dy diploma, kontrata kolektive dhe vendimin e fundit mbi marrëdhënien e punës.

Arrestohen dy shtetas serb nën dyshimin për spiunazh në Kosovë

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar dy shtetas serb një ditë më parë në një vendkalim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën dyshimin për spiunazh.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i Zërit të Amerikës se arrestimi ka ndodhur në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë” që lidhë Kosovën me Serbinë.

Ai tha se policia e Kosovës, gjatë kontrollimit të një makine me të cilën udhëtonin dy persona, njëri i lindur në vitin 1959 dhe tjetri në vitin 1978, gjeti disa dokumente dhe pas këshillimit me prokurorin e shtetit, i arrestoi të dy udhëtarët nën dyshimet për spiunazh.

Policia nuk dha ndonjë hollësi për dokumentet e gjetura e as nuk e bëri të ditur identitetin e të arrestuarve.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha se të arrestuarit janë Trajan Trajkoviç dhe Boban Dajiç, drejtorë shkollash në rajonin e Gjilanit, duke e cilësuar arrestimin si “sulm ndaj popullatës serbe dhe shembull të dhunës juridike”./VOA/

Kosovë, grushte e karrige mes anëtarëve të LDK

Procesi zgjedhor brenda partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, i zhvilluar ditën e diel, është shoqëruar me shumë incidente në degë të ndryshme. Rastet u bënë publike nga mediat kosovare, ndërsa incidenti më i fundit dhe më i rëndi është ai i shënuar në Komunën e Vushtrrisë.

Procesi zgjedhor përfundoi në rrahje e grushta, deri në përdorimin e gjuajtjes me karrige mes anëtarët dhe përfaqësuesve të LDK-së. Video është shpërndarë nga Indeksonline, e cila thekson se sherri ka nisur fillimisht verbalisht dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e karrigeve.

Procesi i brendshëm zgjedhur brenda partisë po bëhej për të përcaktuar kryetarët e rinj të degëve të LDK-së.

Pamje ekskluzive e rrahjes së LDK-së në Vushtrri

Gepostet von IndeksOnline am Mittwoch, 10. Juli 2019

Haradinaj: Paqen e bëjnë të guximshmit, ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirre Serbisë për pajtim dhe të vazhdojnë të qeverisin si dy vende të pavarura larg luftës për territore e kufij. “Paqen e bëjnë të guximshmit dhe ne guxojmë me u pajtu me Serbinë.” ka thënë Haradinaj gjatë fjalimit të tij në 20 vjetorin e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Ai nuk harroi pa vlerësuar edhe ndihmën që SHBA dhe ndërkombëtarët i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin popullit të Kosovës.

“Shteti i Kosovës është vlerë e re në rajon, vlerë e shtuar në botë dhe sjell paqe në rajon. Paqen e bëjnë të guximshmit dhe ne guxojmë me u pajtu me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë edhe presidentit Vuçiç ta njohë Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet në mënyrë që ne që qeverisim të punojmë më shumë e të fokusohemi në vendet e punës për qytetarët tonë dhe në qeverisjen më të lirë dhe në luftimin e korrupsionit. Në mënyrë që brezave tu lëmë lirinë e respektin dhe jo luftën për territore e kufij. Kosova është gati për tu pajtuar dhe i bën thirrje Serbisë për pajtim. E bëjmë dhe në falenderim të ndihmës që na ka dhënë bashkësia ndërkombëtare.

Presidenti Klinton jeni në shtëpinë tuaj. Të gjithë sot jemi në shtëpinë tonë. Zoti bekoftë Kosovën dhe aleatët e Kosovës”. – tha Haradinaj/realstory.al

A do nisin në Kosovë konsultat e Metës?

Presidenti Ilir Meta do të zhvillojë të mërkurën një vizitë në Kosovë me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në luftën me Serbinë.

Burime informacioni konfirmojnë se kreu i shtetit fillimisht e anuloi këtë vizitë të programuar prej kohësh për shkak të krizës politike në Shqipëri, por fill pas konferencës së të martës ai vendosi ta realizojë vizitën në fjalë. Madje mësohet se është nisur mëngjesin e së mërkurës drejt Prishtinës.

Mësohet se edhe Kryeministri Edi Rama do jetë ditën e sotme në orën 11:00 në Kosovë në kuadër të festimeve për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Në Prishtinë do të zhvillohen ceremoni të ndryshme përkujtimore ku pritet të marrin pjesë edhe presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Rama.

Gjatë dy ditëve të fundit, presidenti Meta thelloi më tej krizën politike në Shqipëri, përmes vendimit të tij për të shtyrë në një afat të papërcaktuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Vendim ky që u përshëndet nga opozita por u kundërshtua nga maxhoranca e cila e konsideron antikushtetues dhe jashtë kompetencave të presidentit. Për këtë arsye PS ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit ndërkohë që në seancën e së enjtes do të zhvillohet një mocion me debat dhe në përfundim pritet të miratohet projektrezoluta e PS për të shkarkuar presidentin.

Nuk dihet ende nëse Rama dhe Meta do shfrytëzojnw rastin për të dialoguar me njëri tjetrin në Kosovë.

Skip to toolbar